Shpërndarja dhe organizimi i shërbimeve që nuk marrin në konsideratë traditën institucionale të vendosjes së institucioneve, për pasojë nuk ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve, duke nxitur edhe emigracionin, ka prekur ndër të tjera dhe sistemin arsimor, pas shkrirjes së drejtorive arsimore në rrethe.
Në muajin shkurt të vitit 2019, qeveria miratoi vendimin nr.234 që solli shkrirjen e 12 drejtorive rajonale arsimore të shpërndara në rrethe, duke krijuar katër Drejtori Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP), përkatësisht në: Korçë, Fier, Lezhë dhe Durrës.
Për këtë vendimmarrje, kryeministri Edi Rama do të argumentonte se shkrirja e këtyre institucioneve erdhi pas shumë drejtorive arsimore që më tepër funksiononin si zyra për emërimin e arsimtarëve, sesa për garantimin e cilësisë së mësimdhënies.
Por vendimmarrja e këtyre drejtorive është gjeografikisht e largët me shkollat, zyrat e arsimit dhe mbi të gjitha, është larguar mjaft nga qytetarët që mund të kenë nevoja për këto drejtori.
“Po marrim vetëm rastin e zyrës rajonale të arsimit në Durrës. Kjo zyrë ofron shërbime për Tiranën, Durrësin, Dibrën, Krujën, Kamzën, Klosin, Shijakun, Kavajën, Vorën dhe Rrogozhinën. Qartas duket se njësitë vendore të Qarkut të Dibrës dhe për rrjedhojë qytetarët në këto bashki ndihen jokomod për të marrë shërbime në zyrën e Durrësit. Sigurisht që shërbimet online janë amortizuese në këtë rast, por ata kurrë nuk e zëvendësojnë formën njerëzore të bashkëpunimit dhe shërbimit”, thekson Agron Haxhimali, eksperti për çështjet vendore.
Për ekspertin e çështjeve të arsimit, Prof. As. Dr. Ndriçim Mehmeti, ky riorganizim me qëllim për një funksionim më të mirë ka dështuar, pasi shërbimet e dobishme u vendosën larg qytetarëve, mësuesve, nxënësve dhe prindërve.
“Emigrimi apo më saktë shpopullimi i disa zonave që janë kthyer në fantazmë ka lënë të vetmen shenjë se dikur ka pasur arsim, që janë Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar. Shkurt reforma e vitit 2019 ka dështuar tërësisht dhe pasojat e saj negative, vështirë të rikuperohen për një periudhë 10-vjeçare”, pohon ai.
Z. Mehmeti argumenton se ndarja u bazua mbi interesat elektorale sesa mbi eficiencën e ofrimit të shërbimeve.
“Riorganizimi i Drejtorive Rajonale Arsimore dhe Zyrave Arsimore, të paralajmëruar nga z. Peleshi (pa asnjë konsultim paraprak apo studim serioz), ishte zgjedhje politike. Është e vështirë të kuptohet që kryeqyteti të varet nga Durrësi, apo Shkodra nga Lezha. Po ashtu, Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP) u krijuan me këtë filozofi, pra në përputhje me interesat elektorale. Veç funksionit të punësimit të disa militantëve partiakë, ZVAP në disa zona nuk kanë asnjë farë rëndësie. Ka shumë ZVAP, që kanë nxënës më pak se një shkollë e Tiranës, Durrësit apo Shkodrës”.
Ai tha se mënyra e organizimit të DRAP dhe ZVAP po shkakton situata kaotike.
“P.sh., një nxënës i qytetit të Tiranës e merr dëftesën nga Durrësi, një nxënës i Elbasanit e merr dëftesën nga Korça, një nxënës i Konispolit nga Fieri e kështu me radhë. Që të kërkojë apo depozitojë një dokument, një mësuesi i duhet të niset nga Bicaj, apo Shishtaveci i Kukësit e të shkojë në Lezhë, nga Borshi nuk shkon më në Vlorë si dikur, por në Fier, etj.”.
Vështirësi me marrjen e shërbimeve, për shkak të shkrirjes së drejtorive rajonale arsimore po hasin edhe mësuesit, sipas ekspertit të çështjeve arsimore.
“Ndonëse shumica e shërbimeve kanë kaluar online, për të bërë një dosje punësimi, apo për kualifikimin e mësuesve, veç dokumenteve që do të ngarkohen në sistem, duhet patjetër dhe një kopje fizike. Nëse mungon një dokument, atëherë duhet që mësuesi ta dorëzojë atë fizikisht, pas kontrollit që i bën DRAP. Kështu kemi rastin e mësuesve nga Saranda dhe Konispoli që për një letër kanë shkuar në Fier, apo nga zona e Kukësit në Lezhë. DRAP, në mënyrën sesi janë strukturuar, janë jashtë funksionit të tyre dhe shumë pak të aksesueshëm, për shkak të largësisë së tyre dhe dublimit të punës. P.sh. në Durrës ka edhe DRAP edhe ZVAP?! Përse duhen të dyja këto institucione”.
Riorganizimi i ri i zyrave arsimore, sipas z. Mehmeti, nuk ka rritur cilësinë në arsimin parauniversitar, madje duke iu referuar rezultateve të PISA-s (Programi i OECD për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve), në rajon Shqipëria lë pas vetëm Kosovën.
“Ne kemi Drejtori të Arsimit në Ministrinë e Arsimit, Drejtori të Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, Drejtori Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Zyra Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe kemi kaq shumë problematika të mëdha në përditshmërinë e sektorit të arsimit. Madje, shumë herë, institucionet përplasen me njëra-tjetrën. Të gjitha këto institucione kanë dështuar në kontrollin, evidentimin dhe përmirësimin e mirëfunksionim të arsimit parauniversitar. Ngjarjet tragjike, ku në një institucion privat parashkollor në Fier, një fëmijë humbi jetën dhe në Tiranë, ku fëmija (i cili nuk ishte i vetmi rast) u dhuna nga një edukatore, ushtronin veprimtarinë e tyre pa licencë kanë nxjerrë zbuluar faktin që këto institucione kanë qenë tërësisht në gjumë dhe krejtësisht të painformuara mbi ushtrimin e paligjshëm të veprimtarive arsimore edukative të institucioneve në zemër të qyteteve të mëdha”.
Ai rekomandon se për organizimin e zyrave vendore arsimore duhej të shkohej në linjën e studimit të bërë në vitin 2012-2013 nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, e asaj kohe në Ministrinë e Arsimit, që propozoi reduktimin e ZA, duke shkrirë 7 prej tyre.
“P.sh., Tiranës do t’i mjaftonte një drejtori dhe jo dy si dikur, po ashtu mund të ndërhyhej edhe në zvogëlimin e numrit të ZA, duke marrë në konsideratë ndryshimet demografike dhe lëvizjen e njerëzve. P.sh., nuk mundet që Korça të kishte 4 ZVA, pasi nuk justifikohej me numrin e nxënësve dhe mësuesve dhe kosto e mbajtjes së tyre ishte e lartë. Po ashtu, Lushnja duhej bërë Drejtori Arsimore, për shkak se numri i nxënësve dhe mësuesve kalonte tërë Qarkun e Gjirokastrës. Por në vend që të shkohej në linjën e këtij studimi, pas 2013, për çdo bashki u ngrit nga një ZVA, thjesht për të pasur kontrollin e votave dhe për të punësuar njerëz në bazë të kriterit të partishmërisë, jo meritokracisë”.
Problemet me punësimet në zyrat arsimore vijuan edhe pas reformës. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për auditin e veprimtarisë së Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) Durrës, për periudhën 2019 deri në gusht 2020 rezultoi se, 98% e stafit të DRAP dhe 12 ZVAP-ve nën juridiksionin e saj ishin të komanduar, (pra, pa procedura konkurrimi), gjë që nuk siguron kompetencën e stafit për pozicionet në të cilat janë komanduar.
“Në procedurat për zgjedhjen dhe shpalljen fitues të drejtuesve të shkollave parauniversitare u konstatuan problematika të shumta, të cilat kanë cenuar vlefshmërinë e të gjithë procesit, të shkaktuar si rezultat i mosanalizimit nga DPAP dhe DRAP të zbatueshmërisë së kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët për drejtor, trajtimit me dy standarde të kandidatëve për drejtor shkolle, planifikimit të dobët të zhvillimit të procedurave, kuadrit ligjor dhe rregullator të paharmonizuar, etj. Gjithashtu, u konstatuan problematika në hartimin dhe realizimin e buxhetit, si dhe në ngritjen e sistemeve efektive të kontrollit të brendshëm në DRAP Durrës dhe ZVAP-e”, citohet në raportin e KLSH-së.
/Monitor.al/