Një forum shkencor i mbajtur në fund të korrikut për “Investimet efektive në shërbimet kirurgjikale dhe ndikimi në shëndetin e pacientëve”, shërbeu “de facto” për të mbrojtur koncesionin e sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë, tashmë nën hetim.
Gjatë kësaj konference, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) publikoi një studim krahasues, sesi investimet në shërbimet kirurgjikale kanë sjellë përfitime shëndetësore, por në dokument përmendej vetëm sterilizimi, teksa shifrat u përdorën qartazi nga qeveria për të treguar suksesin e koncesionit.
“Të dhënat studimore të Institutit të Shëndetit Publik, tregojnë qartë për efektin pozitiv të programit të sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë në reduktimin e infeksioneve spitalore, duke rritur sigurinë për shëndetin dhe jetën e pacientëve”, – tha Manastirliu.
“Vlerësohet që ditëqëndrimi është ulur me 2 herë, krahasuar me fillimet e punës sonë, kur infeksionet e plagëve operatore ishin mbi 35%. Nga momenti i pikënisjes së këtij programi, të sterilizimit dhe instrumenteve kirurgjikale, janë mbi 400 mijë ndërhyrje të kryera në sistemin shëndetësor me standarde evropiane”, – shtoi ajo.
Megjithatë, ekspertët e sektorit argumentojnë se studimi i prezantuar nuk plotëson kriteret shkencore për të treguar efektet pozitive që mund të kenë ardhur nga koncesioni i sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë. Ata shprehen se në dokument mungon metodologjia e ndjekur, ndërsa shtojnë se për të kryer vlerësime të sakta nevojiten studime të thelluara.
Ndërkaq, vetë ISHP pohon në hyrje të studimit se “sterilizimi dhe dezinfektimi është vetëm një nga procedurat bazë horizontale të kontrollit të infeksioneve spitalore”.
“Në këtë raport është përshkruar vlerësimi i efektivitetit të kësaj procedure dhe të masave nëpërmjet një studimi klinik dhe epidemiologjik, mbi analizën e të dhënave të infeksioneve spitalore si dhe të përdorimit të antibiotikëve”, – shtohet më tej.
Konferenca ku u prezantua studimi i ISHP-së, u mbajt vetëm pak ditë para se ish zv. Ministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj, të vihej në pranga me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve për koncesionin e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë.
“Studimi i ISHP, një alibi për koncensionin”
Sterilizimi i instrumenteve kirugjikalë është një nga 4 kontratat e partneritetit publik privat në sektorin shëndetësor. Fillimisht ai nisi zbatimin pranë QSUT-së dhe në vitin 2018 shërbimi u shtri në të gjitha spitalet rajonale të vendit. Nga viti 2015 e deri në fund të vitit 2022 koncesioni i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro, ndërkohë që gjatë kohës së nënshkrimit të kontratës, kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj argumentonin se transferimi i shërbimit te privati do të minimizonte në maksimum infeksionet spitalore.
Por, 7 vjet nga nisja e këtij shërbimi, studimi i prezantuar nga ISHP është dokumenti i vetëm që synon të sjellë shifra në këtë drejtim. Gjithsesi, në dokumentin e plotë, që Citizens Channel e disponon, jepen të dhëna të përcipta dhe të pamjaftueshme për të dalë në një përfundim sesi ka ndryshuar situata në spitalet shqiptare.
Studimi krahasoi të dhënat e infeksioneve spitalore, infeksioneve të plagëve operatore dhe shpërthimet epidemike të ndodhura para vitit 2015 dhe pas vitit 2021, duke bërë një krahasim para periudhës së dhënies me koncesion të sterilizimit, me atë pas saj.
Për periudhën para koncesionit, ISHP i referohet monitorimeve të vazhdueshme të kryera në periudhën 2012 – 2015, përgjatë të cilës janë marrë 234 mostra të plagëve post-operatore nga klinika e parë dhe e tretë e Qendrës Spitalore Universitare ”Nënë Tereza”. Nga këto, në 104 prej tyre (ose 44.4%) u izoluan dhe identifikuan shtame mikrobike.
Në vijim të investigimit të shkaqeve që kanë rezultuar në një numër kaq të lartë infeksionesh, ekspertët e ISHP-së kanë gjetur disa “fajtorë”.
“Kontaminimet e plagëve mendohet se ishin si pasojë e kushteve higjieno-saniatre jo sipas standardeve, setet kirurgjikale ishin të shumë të vjetra dhe sterilizoheshin në autoklavat që gjendeshin në reparte kirurgjikale. Mjekimi i plagëve kryhej në dhomat e pacienteve ku në dhomë ishin mbi 3-4 pacientë të shtruar së bashku me vizitorë, dhe infrastruktura e sallave dhe pavijoneve nuk ishte në kushte bashkëkohore”, – citohet në këtë studim krahasues të ISHP-së, duke e shoqëruar edhe me një set fotografish, ku duken pajisjet kirurgjikale të vjetëruara, autoklavat dhe ambientet gjithë lagështirë.
Por krejt ndryshe paraqitet situata në studimin që i referohet vitit 2021. Gjatë këtij viti, ISHP thotë se vihen re më pak infeksione të plagëve operatore, nuk ka pasur izolime për patogjenë të ndryshëm në krahasim me vitet e mëparshme, nuk ka pasur shpërthime epidemike në spitalet e vendit nga infeksionet spitalore, gjë që tregon një përmirësim të mjedisit spitalor, sterilizimit dhe dezinfektimit dhe masave të tjera.
Në monitorimin e kryer në vitin 2021, ISHP është mjaftuar me vetëm 7 mostra të plagëve post operatore, të cilat janë marrë të gjitha në klinikën nr.3 në QSUT.
“Nga totali i 7 mostrave të marra për ekzaminim mikrobiologjik, asnjë nga plagët operatore nuk doli e kontaminuar. Kjo tregon për një mbarëvajtje të mirë të zinxhirit te infeksionit në plagët operatore”, – thonë ekspertët e ISHP-së, teksa kjo pjesë e studimit shoqërohet me disa foto të pajisjeve kirurgjikale pas dhënies me koncension të procesit të sterilizimit.
“Nga njëra anë kemi një studim që flet për mostra, për kontaminime, për studime të mirëfillta shkencore, por nga ana tjetër kemi disa fotografi, si ato që pëlqen të postojë vazhdimisht Rama, që vendos sallat e vjetra dhe si janë bërë të rejat”, – thotë Erion Dasho, mjek epidemiolog që ushtron profesionin prej vitesh në Gjermani.
“Kanë ngatërruar shkencën me propagandën politike, që tregon që edhe ky studim mund të ketë shumë faje, të cilat po të shihet metodologjia e studimit dhe të hyhet në detaje, jo vetëm duke parë prezantimin, mund të gjenden edhe pika të tjera të dobta të studimit”, – shton ai.
Po ashtu, sipas mjekut epidemiolog, studimi është i pabesueshëm, pasi krahason vitin 2014 me vitin 2021, kohë kur kishte nisur pandemia e COVID -19 dhe u morën shumë masa në sistemin shëndetësor, që mund të kenë ndikuar në përmirësimin e situatës sa i përket infeksioneve.
“Pra nuk është vetëm sterilizimi, por edhe shumë faktorë të tjerë, ku kryesore është pandemia Covid dhe masat që u morën. Për këtë arsye nuk mjafton një studim kaq i përciptë për të arritur në përfundime se sterilizimi ka pasur rezultate konkrete, por duhet një hulumtim shumë më shkencor dhe shumë më i gjerë që të shtrihet jo vetëm në katër spitale, por të marrë parasysh edhe efektin konfondues që mund të kenë masat që u morën gjatë pandemisë”, – thotë Dasho.
Nevoja për të patur vlerësime të sakta të situatës së infeksioneve spitalore konsiderohet e rëndësishme, edhe nga kirurgu në QSUT Arben Gjata, i cili është një nga zërat e fortë “pro” koncesionit të sterilizimit.
“Plagët operatore nuk janë kaq të kollajshme për t’i kapur sepse plagët operatore duhet t’i ndjekësh 30 ditë pas operacionit dhe ISHP nuk besoj se ka shifrat e 30 ditëve. Ai mund të dalë nga spitali, infektohet plaga pas 2 javësh dhe s’quhet e infektuar sepse ka ca parime. Nuk e di se çfarë ka ndjekur ISHP, por s’besoj se është 100% i besueshëm si studim”, – thotë Gjata.
“Studime 100% të besueshme janë ato që mund t’i bëjnë vetë klinikat. Ne ndaj kemi nisur sivjet me të 3 shërbimet: Kirurgjinë, Urologjinë dhe Klinikën e parë. Madje kemi marrë edhe fonde nga AKSHI për këtë studim”, – shton ai, duke theksuar se metodologjia që do përdoret është ajo e ndjekjes në dinakimë, që është më e besueshme nga të gjitha.
Ndërsa Taulant Muka, kërkues në fushën epidemiologjisë që ushtron profesionin në Zvicër, e ka të pamundur të japë një opinion mbi studimin e ISHP-së, përsa kohë mungon metodologjia.
“Këtu problemet janë metodologjike, ti duhet të zbatosh të njëjtën metodologji për të bërë krahasime. Si janë marrë mostrat? Janë marrë në mënyrë rastësore si para dhe pasi është implementuar? Është përdorur e njëjta teknikë për të diagnostikuar rastet? Kur janë marrë mostrat? Pasi ka të tjera infeksione në verë dhe të tjera në vjeshtë. Dhe në këtë studim kjo nuk duket e qartë”, – thotë Muka.
Ekspertët kanë pretendime edhe për numrin e vogël të mostrave mbi të cilën është bërë krahasimi.
“Numri i rasteve është shumë i vogël për të bërë një krahasim dhe për të dalë në një përfundim kaq të madh dhe për të thënë ‘sterilizimi uli infeksionet’”, – shpjegon Muka.
“Duhet parë se këtu ka të tjera hile. Mbi të gjitha numri i mostrave është shumë i vogël. Tregon pozitivitet fakti që në plagët operatore nuk kanë gjetur kontaminim, por kjo duhet aplikuar në një numër shumë më të madh mostrash dhe pacientësh për të arritur në konkluzione të besueshme”, – argumenton Dasho.
Në fakt, pavarësisht këmbënguljes së titullarëve të ministrisë së Shëndetësisë dhe vetë kryeministrit Rama për të mbrojtur sterilizimin, si një indikator që ka çuar në uljen e infeksioneve spitalore, vetë spitalet pohojnë një situatë krejt të kundërt.
Ata pranojnë se edhe pas sterilizimit janë përballur disa herë me shpërthime epidemike, që kanë çuar edhe në mbyllje të sallave kirurgjikale.
Një burim konfidencial nga spitali i Traumës i tha Citizens Channel se gjatë muajit shkurt 2023, sallat kirurgjikale të këtij spitali u mbyllën pasi infeksionet spitalore rezultuan disa herë (10 herë) më të lartë se norma.
“I mbylli inspektorati Shëndetësor Sanitar, pasi sallat dolën super të kontaminuara. Madje qëlloi ditë e hënë dhe të martën, u dha urdhër të hapeshin menjëherë, duke qenë se u bënë pacientët kapicë”, – rrëfen burimi pranë spitalit të Traumës.
“Loja me shifrat e ditë qëndrimeve pas operacionit”
Ministria e Shëndetësisë deklaroi se në studim u evidentua një rënie me 2 herë e ditëqendrimit spitalor si dhe rënie në 20% të rasteve të pacienteve që kanë përdorur antibiotikë në shërbimet kirurgjikale, që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me uljen e infeksioneve që trajtohen me to. Edhe mjeku Arben Gjata i referohet eksperiencës së tij në pavijon, duke thënë se koncesioni i sterilizimit ka pasur një efekt pozitiv në uljen e ditëqëndrimeve. “Ne e kemi 2.5 ditë qëndrimi, e kemi patur 7.5 ditë qëndrimi në spital dhe një pjesë e madhe i atribuohet koncesionit”, – shprehet Gjata.
Gjithsesi, monitorimi i ISHP-së, që merr në studim 2829 kartela gjithsej, nga të cilat 1777,kartela të vitit 2014 dhe 1052 të vitit 2021, në QSUT, Sanatorium, Spitalin e Vlorës dhe në atë të Lezhës tregon se ka një ulje të ditëqëndrimeve nga 4-7 ditë, por vihet re një rritje e pacientëve që qëndrojnë nga 8-14 ditë në spital.
Nëse në vitin 2014 qëndronin në spital për dy javë vetëm 11.03% e pacientëve, në vitin 2021 qëndronin 12.24%. Ndryshimi në shifra mund të duket i vogël, por duke qenë se këta pacientë qëndrojnë deri në dy javë në spital kostot janë shumë të larta, pra do të thotë se kemi një rritje të rasteve të rënda.
Vetë mjekët japin një tjetër variant për uljen e ditëqëndrimeve. Ata thonë se në shumë raste, i nxjerrin pacientët më shpejt sepse nuk kanë dhoma shtrimi, teksa frika për infeksione pas Covid -19 gjithashtu është një faktor që ka ndikuar në nxjerrjen më të hershme nga spitali.
Ish-ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, po ashtu e përdori këtë studim për të deklaruar se si pasojë e uljes së ditëqëndrimit në spital, është ulur edhe përdorimi i antibiotikëve. Por, as ky pretendim nuk qëndron, pasi vetë studimi i ISHP-së, vëren se në total jo vetëm që nuk kemi një ulje të përdorimit të antibiotikëve që nga viti 2014, por madje në vitin 2021 është shënuar një rritje e lehtë në përdorimin e tyre në masën e 0.43%, ndonëse ISHP e konsideron “rritje jo të konsiderueshme”.
Sipas ISHP-së kartelat kanë mungesa në arsyen pse pacientët kanë marrë antibiotikë gjë që nuk lejon interpretimin për shkakun e përdorimit të tij.
“Mospërdorimi i kodeve të diagnozës në kartela vështirëson vlerësimin e lidhjes së diagnozës me ditë-qëndrimin apo përdorimin mbi një ditë të antibiotikëve”, – sqaron ISHP.
Gjithsesi, nga mbi 2800 kartela të marra nën monitorim, nuk u evidentua asnjë infeksion i lidhur me kujdesin shëndetësor, ndonëse në hyrje të studimit Instituti i Shëndetit Publik pranon se situata për infeksionet spitalore është pothuajse e ngjashme me vendet e tjera, ku 1 në 18 persona që shtrohet në spital merr infeksion spitalor.
“Pavarësisht se këto infeksione janë shumë të vështira për t’u identifikuar në kartelat klinike të pacientëve, nuk ishte shkruar asnjë problematikë për të thelluar më tej kërkimin për këto lloj infeksionesh”, – thuhet në studimin e ISHP.
Për ekspertët kjo është e pamundur.
“Më bëri përshtypje fakti që si në vitin 2014, edhe në vitin 2021 nuk është evidentuar në kartelat e marra në studim, asnjë rast infeksioni spitalor. Kjo është e pabesueshme. Në Shqipëri, si në vitin 2014, si në vitin 2021 në asnjë kartelë që ata kanë hulumtuar nuk rezultojnë infeksione spitalore, pra del zero. Kjo tregon që është dokumentimi në kartela i pabesueshëm (ndoshta kartela është e palexueshme, shkrimi i keq, shkrim dore), por mjafton një element i tillë që të vendosë në pikëpyetje besueshmërinë e studimit”, – përfundon Erion Dasho.
/Citizens Channel