Kreu i PD-së, Sali Berisha ka ngritur gjatë konferencës së sotme me gazetarët shqetësimet për nismën ligjore të depozituar nga PS në Kuvend për ndryshimin e ligjit për Komisionet Hetimore.
Lideri demokrat e ka konsideruar atë si ligji i shpellës apo i bodrumit dhe se sipas tij, “po fole e ha pas koke”, në lidhje me aspektin e betimit që të ruash sekretin hetimor. Berisha u shpreh se komisionet hetimore kanë mbetur e vetmja dritare e kontrollit të abuzimit të qeverisë.
Sipas Berishës, Rama e ka bërë këtë ligj qesharak pasi kërkon të ruajë privatësinë e tij dhe familjes së tij për të gjitha abuzimet që ata kanë bërë. Në lidhje me pikën se ekspertët duhet të zgjidhen me votat e 2/3 të Kuvendit, Berisha tha se Rama me këtë pikë do që të zgjedhë vetëm ekspertët që i cakton Fatmir Xhafaj apo ndonjë tjetër.
Berisha: Seanca e gjyqit për Edi Ramën shtyhet për ditën jetër. Por sot, kryetemë e ditës është përpjekja e tij, i tmerruar gjer në palcë, që të ndalojë me ligj hetimin e vërtetë parlamentar, si mjetin e vetëm sot në Shqipëri, me të cilin qytetarët shqiptarë ushtrojnë sovranitetin në kuptimin e kontrollit të pushtetit të qeverisë së tyre. Edi Rama, pasi ka shndërruar drejtësinë me SKAP-in dhe gjykatat speciale, në një karikaturë të shëmtuar, në një seksion të PS-së, pasi në Shqipëri për shkak të kurtheve ligjore, referendumi nuk mund të realizohet, dhe ka mbetur e vetmja dritare e kontrollit të abuzimit të qeverisë me pushtetit komisioni hetimor parlamentar, pasi e bllokoi për tetë herë me radhë, tani ka dërguar ligjin qesharak, i cili kërkon të ruajë privacinë e tij dhe familjes së tij për të gjitha abuzimet që ata kanë bërë. Kërkon t’i japë mundësi bllokimi çdo lloj hetimi parlamentar, duke përcaktuar në kundërshtim me çdo ligj dhe rregull, mënyrën e zgjedhjes së ekspertit, nuk beson as në ekspertët e certifikuar nga gjykatat, por beson vetëm në ekspertët që mund të përzgjedhë me votën e tij, de facto të mos lejojë asnjë lloj eksperti që nuk do falsifikojë dhe mashtrojë përpara se të caktohet, ju e keni vënë re që thotë se eksperti zgjidhet me dy të tretat. Ekspertët merren nga lista e ekspertëve që ka gjykata, ata kanë një certifikim, por Edi Rama kur bie puna te hetimi i krimeve të tij të tmerrshëm, ai do vetëm ekspertët që ia cakton Fatmir Xhafa apo ndonjë tjetër. Ky i fundit është aktivizuar shumë kohët e fundit, por mbetet ai që ka qenë. Ju e shihni se pas betejave të pandërprera të opozitës për të ushtruar të drejtat kushtetuese të popullit opozitar, të drejtat kushtetuese të parlamentit, Edi Rama dërgon në parlament ligjin ku de facto i përjashton mundësinë opozitës që të hetojë, së pari 140 udhëtimet e tij me çarter në dy vite, me të cilat shpenzimi shkon në rreth 22 milionë euro. Këto udhëtime përbëjnë një nga abuzimet më të mëdha, më kriminale të një sundimtari qoftë dhe të një principate më të humbur, pa le më të një vendi anëtar të NATO-s. Nëse Edi Rama, siç mashtroi shqiptarët publikisht, nuk paska abuzuar me Ismailin e tij me 140 udhëtime në dy vite, ndërkohë që në 4 vite, një president i SHBA bëri gjithsej 74 udhëtime pune. Pra, nëse 140 udhëtimet paskan qenë vërtet takime me kryeministrat apo kryetarët e shteteve, apo samitet ndërkombëtare, Edi Rama duhet t’i tregojë ato se në fakt ato kanë qenë vakanca në vende ekzotike dhe në Paris, kanë qenë siç thuhet rëndom, rrugë për transportin e ekspozitave të dështuara të tij. Pra, kanë qenë përdorime tërësisht personale dhe përbëjnë krim të shëmtuar politik.
Edi Rama, i cili kur rreshtoi disa nga komisionet për t’u shfajësuar, nuk e përmendi dot njërin prej tyre, komisionin McGonigal. Ai nuk e përmendi dot, sepse ai komision do u tregojë shqiptarëve se si Edi Rama është marrë dy herë në pyetje, në hyrje dhe në dalje në aeroportin Xhon Kenedi të Nju Jorkut nga punonjësit e FBI. Se si atij i janë kufizuar të gjitha lëvizjet, përveç një itinerari të caktuar, se si ai në një akt të pashembullt në historinë e protokollit të OKB, mikpritësit më kryesor, që është presidenti i SHBA, për herë të parë nuk e qasi në pritjen që jep për nder të kryeministrave dhe kryetarëve të shteteve. Edi Rama u përpoq të mashtrojë shqiptarët me mediat e tij, se ai meqë u ftua presidenti, nuk u ftua vetë. Kjo është një gënjeshtër e bazuar në mashtrim. U them me përgjegjësi të plotë, se në asnjë rast, protokolli i SHBA nuk e ka përjashtuar kryeministrin për shkak të pranisë së presidentit dhe janë treguar bujarë dhe kanë ftuar si presidentin, por edhe kryeministrin. Por Edi Rama nuk u ftua me qëllim, sepse nuk meritonte se atje është person nën hetim dhe ky përbën skandal madhor ndërkombëtar. Edi Rama është përgjegjës për të gjitha fajet që ka pranuar McGonigal para drejtësisë amerikane sepse është bashkëfajtor në shkallë të barabartë. Nëse McGonigal ka pranuar të punojë në kundërshtim me ligjet e vendit të vet, kundër opozitës, është kërkesa e Edi Ramës kundrejt shpërblimeve që e ka angazhuar atë. Është dijenia e plotë e Edi Ramës për gjobëvënien si grup i strukturuar kriminal Rama-McGonigal-Duçka-Neza, kanë funksionuar në Tiranë e Prishtinë dhe në Maqedoninë e Veriut dhe kushedi edhe në Bosnje. Ju e patë, nuk e shqipëroi një fjalë, por shqiptarët duhet ta dinë. Po pse duhet të dijë drejtësia amerikane më shumë se shqiptarët për kreun e tyre delinkuent në krye të qeverisë. Kjo nuk mund të ndodhë. Edi Rama do hetohet, do hetohet gjer më një. Edi Rama dërgon ligjin në parlament sepse me hetimin parlamentar, i përmbyset Dubai i tij në Durrës. I përmbyset lavatriçja më e madhe e parave të drogës dhe të vjedhjes me Bitcoin në Europë. I përmbyset pra parajsa e krimit që do të ndërtojë duke mbyllur portin mijëravjeçar të shqiptarëve dhe duke u bërë një supermiliarder mbi pronat e qytetarëve të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë. Prandaj ai dërgon këtë ligj, me të cilin ai de facto suprimon sovranitetin e brendshëm të vendit, që shprehet me fuqinë e qytetarëve për të kontrolluar pushtetin e qeverisë së tyre.
Edi Rama nuk mund të pranojë komisionet hetimore parlamentare për sterilizimin, sepse ai është bosi i sterilizimit. Kurrë një ministër nuk mund të nxirrte kryeministrin e vendit me një gërshërë të thyer dhe me një pincë me një krah për të mashtruar publikisht shqiptarët se ja si operoheshin ju, para se muratori im të merrte sterilizimin e veglave të kirurgjisë. Në këtë rast, Beqaj është thjesht një Lefter Kokë, kurse koka e Meduzës e vjedhjes dhe e krimit është Edi Rama.
Edi Rama nuk pranon dot komisionin hetimor parlamentar për check-upin që e ka bashkëshortja e kushëririt, që regjistron në seri shpirtra të vdekur si në defteret e Çiçikovit për të vjedhur dhe mbushur xhepat me miliona euro. Edi Rama nuk mund të pranojë hetimin e plaçkitjes së pronave të qytetarëve shqiptarë me të ashtuquajturat investitorë strategjikë sepse është vetë një nga makutërit, një nga plaçkitësit më të mëdhenj të këtyre pronave. Po bllokon negociatat, siç i ka bllokuar për 10 vite me radhë, i bllokon edhe tani vetëm e vetëm pse Beleri është një lloj Bollanoje që nuk lejon që mafia e Edi Ramës dhe pushtetit të pushtojë brigjet dhe tokat e banorëve të bregut. Nuk lejon. Këtu është gjithë problemi, ndaj dhe ai nuk pranon hetimin. Qytetarë, do thoni ju fjalën tuaj. Sot revolta po vlon në shpirtin e çdo shqiptari. Sot revolta po zien në shpirtin e çdo shqiptari. Sot më shumë se kurrë, imagjinata e shqiptarëve punon për mosbindjen civile. Parlamenti është bër shembulli më i gjallë, më frymëzues, më magjepsës i të gjithë atyre që janë të vendosur të angazhohen në një betejë pa kthim për përmbysjen e këtij regjimi banditesk. Edhe njëherë, seanca e gjyqit shtyhet për ditën e hënë.
Është tipik ligji i shpellës. I shpellës Kaloi te shpella. Po fole, prapa koke. Kjo është hapi drejt saj. Do betohem që nuk do nxjerr asnjë sekret, në qoftë se Linda te Abi Bank ka pasur aksione. Do betohem që nuk do nxjerr asnjë sekret në qoftë se Edi Rama ka udhëtuar me dhjetëra herë me Ismailin e tij për vakanca në vende të ndryshme. Pra, është tipik ligji i bodrumit, i shpellës.