Nga Boldnews.al
Në dy episode të ndryshme, të ndodhur në janar dhe në nëntor 2022, u sekuestrua në total rreth 150 kilogramë kokainë në kontenierët me banana të porositura nga shoqëria “Zico sha”, e njohur më së shumti me emrin tregtar, “Bana King”.
Për këto dy episode, në Durrës dhe Tiranë fillimisht u arrestuan 6 persona, mes të cilëve administratorë dhe shoferë të kompanisë, si edhe dy punonjës të “Rapiscan”, shoqëria koncesionare që kryen skanimin e kontenierëve në Portin e Durrësit.
Në ditët e para të vitit 2022, Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e Drejtorit të Shitjeve të “Zico Company”, Marsjon Murataj dhe dy shoferët, Gëzim Kalaja dhe Hasan Saliu, pasi në ambjentet e shoqërisë u gjetën rreth 119 kilogramë kokainë, e sapo mbërritur me kontenierë bananesh prej Portit të Durrësit
Ndërsa në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, administrator i kompanisë, Petrit Demushaj dhe dy specialistë të “Rapiscan” në Portin e Durrësit, Alban Neziraj dhe Artur Sevdaraj, të dyshuar se kanë organizuar dhe lejuar trafikimin e 35 kilogramë kokainë, e gjendur në kontenierët e bananeve të porositura nga “Bana King”.
Në të dyja këto episode, nën dyshimet e Policisë dhe Prokurorisë ka qenë edhe pronari i shoqërisë së bananave, Trifon Murataj, i cili jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një dalje publike, ai mohoi që kompania e tij të jetë përfshirë në trafik narkotikësh dhe u shpreh se nuk ka dijeni se si është gjendur kokaina në kutitë me banane të destinuara për shoqërinë e tij.
Tashmë, asnjë prej tyre nuk është në qeli, ndërkohë që prokuroritë e Durrësit dhe e Tiranës ende nuk kanë gjetur autorët e trafikut të kokainës nga Ekuadori në Shqipëri.
Rreth dy javë më parë, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm zbuti masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim për paraqitje” për personin e fundit që mbahej ende në qeli, administratorin e “Zico Company”, Petrit Demushaj. Ndërkohë që të tjerët janë liruar më herët.
“Thrilleri” me 119 kg kokainë
Referuar të dhënave të Policisë së Shtetit, rezulton se në 30 dhjetor të vitit 2021, agjentët e saj arritën të zbulonin 109 kilogramë kokainë në një kontenier që ishte transportuar nga porti i Durrësit në drejtim të magazinave të “Zico Company” në Vaqarr të Tiranës.
Sipas deklarimeve të një prej shoferëve, ai kishte shkuar për të marrë kontenierin në Durrës në datën 28 dhjetor. Rrugës së kthimit, pranë fshatit Romanat, katër persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën dhe e kanë ndalur.
Gjithnjë sipas deklarimeve, njëri prej personave e ka kërcënuar me armë në kokë, ndërsa tre të tjerët kanë kontrolluar në kontenier dhe janë larguar pa marrë asgjë.
Shoferi ka vijuar rrugën dhe ka ndaluar sërish, pasi kishte një gomë të çarë. Ai ka njoftuar një shofer tjetër, për ta ndihmuar për gomën dhe janë nisur në drejtim të magazinave të “Zico Company”.
Ai nuk ka preferuar të njoftojë policinë për “episodin e dhunshëm” me “maskat e paidentifikuar”.
Madje, nuk ka “shqetësuar” as shefat e tij në mbrëmjen e 28 dhjetorit.
Por, vetëm një ditë më pas ka informuar përgjegjësin e shitjeve të kompanisë, Marson Murataj.
Edhe ky i fundit, sërish është treguar mirëkuptues me Policinë dhe nuk i ka shqetësuar për t’i informuar mbi ngjarjen.
Vetëm në datë 30 dhjetor, pra gati dy ditë pas “shfaqjes së maskave të Romanatit”, kompania “Zico” informon policinë.
E, kjo e fundit, deklaroi se zbuloi 109 kokainë në kontenierët me banane.
Pas ngjarjes, policia arrestoi Marsjon Murataj, i cili është edhe nipi i pronarit të shoqërisë, Trifon Murataj, si edhe shoferët, Kalaja dhe Saliu.
Fillimisht, ndaj tyre, gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest me burg” për tre të ndaluarit.
Pak muaj më vonë, e njëjta gjykatë vendosi që të zbuste masën e sigurimit për Marsjon Murataj, duke vendosur “arrest në shtëpi”, ndërkohë që shoferët vijonin të qëndronin në qeli.
Në Mars 2022, Gjykata e Apelit e rikthen në burg Marsjon Murataj, i cili del sërish në Mars të vitit 2023. Thuajse në të njëjtën kohë, nga qelitë dolën edhe dy shoferët e arrestuar së bashku me të.
Prokuroria e Tiranës nuk arriti të provojë autorësinë e tyre në trafikun e 119 kilogramë kokainë dhe ka dërguar në gjykatë kërkesën për pushimin e çështjes për të tre personat.
Ky qëndrim i Prokurorisë së Tiranës u përdor si argument nga administratori i shoqërisë, Petrit Demushaj, në kërkesën e tij drejtuar Apelit për të zbutur masën e sigurimit të vendosur ndaj tij nga Gjykata e Durrësit, lidhur me episodin e dytë të trafikimit, të ndodhur në nëntor 2022.
Skaneri nuk kapi 35 kg kokainë
Në 3 Nëntor të vitit të kaluar, gjatë një kontrolli në vijën e dytë të Portit të Durrësit, policia zbuloi rreth 35 kilogramë kokainë në një kontenier me banana, të mbërritur në Shqipëri nga Ekuadori, si porosi e “Bana King”.
Nga verifikimet paraprake, rezultoi se kontenieri me lëndë narkotike kishte kaluar me sukses skanerin e kompanisë “Rapiscan”, megjithëse në kutitë e bananeve kishte kokainë.
Për këtë arsye, policia arrestoi dy personat përgjegjës që kishin kryer verifikimin me skaner, Alban Neziraj dhe Artur Sevdaraj.
Gjithashtu, policia arrestoi edhe administratorin e shoqërisë “Zico Sha”, Petrit Demushaj, nën dyshimet se është pjesë e organizimit për trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.
Në korrik të vitit 2023, dy punonjësit e “Rapiscan” kërkuan zbutjen e masës së sigurimit, duke pretenduar se ata nuk kanë asnjë përgjegjësi për kalimin e kokainës dhe se kishin kryer të gjitha veprimet standard të skanimit të kontenierit.
Prokuroria e Durrësit u shpreh dakord me kërkesën e Neziraj dhe Sevdaraj dhe gjykata e qytetit bregdetar vendosi t’i lirojë nga qelia, duke i vendosur nën detyrim për paraqitje, si persona të dyshuar jo më për “trafik narkotikësh”, por për shpërdorim detyre.
Ndërkohë, administratori i “Bana King”, Petrit Demushaj, arriti të fitojë lirinë në mes të Tetorit 2023 nga Gjykata e Apelit të Tiranës.
Në 19 Korrik 2023, Demushaj i ishte drejtuar Gjykatës së Durrësit me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurimit, me argumentin se nuk ka asnjë provë që ta përfshijë atë në trafikun e 35 kilogramëve kokainë.
Prokuroria e Durrësit ishte shprehur në favor të zbutjes së masës së sigurimit, nga ‘arrest në burg”, në arrest shtëpie. Gjykata e Durrësit nuk e kishte pranuar këtë qëndrim.
Më tej, Demushaj iu drejtua Gjykatës së Apelit. Prokuroria e Apelit ishte gjithashtu dakord që Petrit Demushaj të qëndronte në “arrest shtëpie”. Ndërsa për trupën gjyqësore të Apelit, kushtet janë zbutur aq shumë, sa që ai duhet të hetohet me masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”.
Në këtë mënyrë, episode e trafikimit të rreth 150 kilogramë kokainë në kontenierët e “Bana King” kanë mbetur pa autor.