Webcam livestreaming për moshat e rritura është i përhapur në Rusi, dhe modelet fitojnë më shumë se sa rrogat mesatare. Por edhe kjo industri po vuan nga lufta në Ukrainë.
Faqet e internetit me webcam streaming janë shtuar shumë në Rusi. Megjithë përpjekjet e autoriteteve për të mos e lënë të zhvillohet, tregu i zi për shërbimet erotike online është rritur vitet e fundit.
Pandemia e COVID-19 rriti kërkesat për modele cam-i që kryejnë shërbime për moshat e rritura, modele që quhen nganjëherë cam girls ose cam boys. Por që me sulmin e Rusisë kundër Ukrainës puna nuk ka qenë e lehtë për modelet ruse, që merren me këtë punë. Deutsche Welle foli me disa prej tyre por ua ka ndryshuar emrin në mënyrë që t’i ruajë nga sulmet.
Pagesat për cybersex ‘nuk krahasohen’ me pagesat në punë zyrash
Shërbimet e modeleve transmetohen në platforma të specializuara për këtë punë, ku chating është falas për grupet që përbëhen nga dy ose më shumë vetë, dhe përdoruesit i paguajnë modelet për të plotësuar dëshirat që kanë.
Edhe bisedat private janë të mundshme, ato faturohen sipas minutave. Disa klientë duan vetëm që të bisedojnë ose të flirtojnë, të tjerë kërkojnë seks virtual ose të plotësojnë dëshira të ndryshme jokonvencionale. Modelet thonë se arsyeja pse merren me këtë punë është se fitojnë të ardhura stabile, mbi mesataren.
Studiot webcam ofrojnë mundësitë që ata që janë të interesuar të punojnë të bëjnë online llogaritjet sa mund të fitojnë. Studio Erotica me qendër në Shën Petërsburg, për shembull, premton të ardhura mujore prej 120 mijë rublash (rreth 1200 euro, 1270 dollarë), nëse punohet 40 orë në javë.
Një modele e re mund të fitojë rreth 20 euro ditën e parë të punës, më shumë se 75 euro nëse ka njohuritë bazë të anglishtes, kurse ato apo ata që konsiderohen tërheqës, që punojnë me pajisje dhe që prodhojnë video me kualitet të lartë dhe sex toys, fitojnë më shumë se 200 euro në ditë.
Sipas statistikave zyrtare, rroga mesatare në Rusi në tremujorin e parë të këtij viti ka qenë rreth 745 euro.
Angelina, një cam-girl i tregoi Deutsche Welles: “Unë kam kryer studimet në një profesion serioz dhe pas studimeve pata shumë oferta pune, por pagesa thjesht nuk mund të krahasohej me fitimet nga puna në webcam.”
Sidoqoftë, konkurenca është ashpërsuar shumë që kur Rusia filloi luftën me Ukrainën, në fillim të 2022. Shumë më tepër gra ruse janë regjistruar në platformat e webcamit, pjesërisht edhe sepse shumë rusë janë larguar nga vendi dhe kanë shkuar në vendet fqinjë sepse për shkak të luftës nuk kanë gjetur punë.
Modelet e webcamit preken nga sanksionet
Sulmi mbi Ukrainën ka ndryshuar jetën e shumë rusëve, përfshirë edhe jetën e modeleve të webcamit, siç është Angelina.
Kur shpërtheu konflikti, klientët e huaj filluan ta ofendojnë atë për shkak të prejardhjes. Duke qenë qytetare ruse, asaj iu ndalua të ishte pjesëtare e platformës së njohur britanike të erotikës, OnlyFans, duke i shkaktuar rënie të ardhurash.
Tani e reja punon në platformën Chaturbate, ku fiton çdo muaj mesatarisht 2100 euro, plus pagesën që i bën platformës. Ajo punon zakonisht 17 ditë në muaj, katër orë për çdo ditë pune.
“Llogaria ime në OnlyFans sillte rreth 300 dollarë në muaj. Unë kam po ashtu një faqe në platformën Fansly, por atje fitoj më pak se 100 dollarë,” shpjegon Angelina.
Sanksionet ekonomike të perëndimit ngritur kundër Rusisë për shkak të luftës kanë prekur edhe modelët e webcamit, të cilat janë detyruar të kërkojnë platforma të reja. Ashtu si më parë, ata paguhen në monedha kripto duke përdorur sistemet e huaja të pagesës, gjë që i krijon mundësinë të anashkalojnë autoritetet fiskale të Rusisë.
Urrejtje dhe vrer për cam girls e cam boys e Rusisë
Që me fillimin e luftës, shumë përdorues të chatit me Rusinë ranë në dilemë. Prej aksentit dhe pamjes që ka një model, përdoruesit mund të thonë nëse ai ose ajo është nga Rusia apo jo. Por për të evituar komentet agresive të klientëve, shumë modelë shpesh pretendojë se janë duke transmetuar nga Ukraina apo Bjellorusia. Në muajt e parë të konfliktit, disa modelë që pretenduan se ishin ukrainas, fituan madje më shumë para. Por platforma i dha fund shpejt kësaj gjëje, duke bllokuar llogaritë e tyre.
Edhe ata që janë hapur kundër luftës, nuk i kanë shpëtuar ofendimeve. “Në muajt e parë të luftës, unë u përballa me valë të vërtetë urrejtjeje. Njëri më quajti bishë ruse,” tregon Angelina. Shumë ukrainas i quajnë ushtarët rus “bisha”, krijesa të pështira dhe djallëzore nga seria fantastiko-shkencore “Zoti i unazave”. Por Angelina tregon se klientët që e vizitojnë rregullisht, nuk u larguan prej saj.
Ekaterina, e cila transmeton nga platforma LiveJasmin, po ashtu i tha Deutsche Welles se ka marrë komente mbushur me urrejtje. “Unë nuk jam në gjendje t’i bllokoj të gjithë ata që kërkojnë të më mërzisin dhe lëndojnë, vetëm sepse jam ruse. Në këto faqe interneti mund të bëhet bllokimi i fjalëve të caktuara, të cilat nuk lejohen të shfaqen në chat, por mund të shihen vetëm nga modelet.” Diskutimet për politikën në chatet online trembin klientët, thotë ajo, bllokojnë trafikun dhe ulin të ardhurat.
Kurse modeli i webcamit, Oleg, thotë se sjelljet agresive kundër rusëve kanë rënë në mënyrë të konsiderueshme. “Ofendime ka patur në fillim të luftës, por tani kurkush nuk merret më me to. Shumë vetë e kanë të qartë se nuk i duhet vënë faji të gjithë rusëve, por udhëheqjes ruse,” thotë Oleg.
Platforma e vetme që ndaloi punën me qytetarët rus ka qenë OnlyFans, për arsye se ishte e vështirë që të bëhej transferim parash me Rusinë. Platformat e tjera, asnjëra prej të cilave nuk iu përgjigj pyetjeve drejtuar nga Deutsche Welle, janë ende të hapura për modelet që ndodhen në Rusi. Sidoqoftë, për të maskuar vendin e ndodhjes, modelët duhet të përdorin një rrjet virtual privat.
Transmetimet erotike zakonisht nuk dënohen— me përjashtim të transmetimeve të transgjinorëve
Industria e webcamit për të rritur nuk është mbuluar nga legjislacioni në Rusi, pra nuk është direkt e ndaluar. Sidoqoftë, në Rusi njerëzit mund të dënohen sipas ligjit 242, të Kodit Penal, për shfaqjen dhe reklamimin e përmbajtjeve pornografike, thotë avokati rus, Andrei Popov.
Në raste të caktuara mund të jepen dënime nga 2 deri pesë vjet, tregon ai. Nëse njerëz të caktuar bashkëpunojnë në kryerjen e veprës penale, dënimi maksimal mund të shkojë deri në gjashtë vjet.
Por modelet e cam-it janë lënë pak a shumë të qetë, i tregon ai Deutsche Welles. Autoritetet përpiqen të luftojnë administratorët dhe pronarët e studiove të webcamit, megjithëse edhe këta rrallë janë dënuar. “Nëse një person nuk ka kryer vepra të dënueshme më parë dhe e pranon fajin, proceset shpesh përfundojnë me dënime me kusht,” thotë Popov.
Vetëm transmetimet nga partnerë të të njëjtit seks, mund të përfundojnë në dënime, thotë Popov. Këto futen në “propagandën për marrëdhënie jo-tradicionale” dhe mund të dënohen me gjoba të mëdha që shkojnë nga 1000 deri 2000 euro.
Për të ulur rreziqet e marrjes së dënimeve dhe për të fituar më shumë para, shumë modelë nuk punojnë nga studio webcami por regjistrohen vetë individualisht në platformë. Studiot nuk punojnë për ta ndaluar këtë gjë, sepse nuk duan të tërheqin vëmendjen e autoriteteve. Administratorët shpesh dërgojnë oferta pune nëpërmjet instant messengerit dhe rrjeteve sociale.
Në HH.ru, platformën më të madhe ruse të rekrutimit, është e mundur të gjesh disa kompani që ndodhen në qytete të ndryshme ruse që përdorin për kërkim fjalën “model”, duke ftuar fshehurazi gra dhe burra në moshë të re që të intervistohen përballë një webcami. Refreni i tyre? Rroga të larta dhe orari fleksibël./DW