Një gjykatë ruse dënoi të enjten me shtatë vjet burg një artiste dhe muzikante pasi kishte zëvendësuar etiketa çmimesh të dyqaneve me etiketa të reja ku ishin të shkruara mesazhe kundër luftës në Ukrainë. Ky është një nga rastet e fundit të goditjes ndaj fjalës së lirë në Rusi.
Sasha Skochilenko u arrestua në vendlindjen e saj në Shën Peterburg në prill të vitit 2022 dhe u akuzua për përhapjen e informacionit të rremë për ushtrinë.
“Ushtria ruse bombardoi një shkollë arti në Mariupol. Rreth 400 njerëz ishin strehuar aty për t’iu shpëtuar bombardimeve” shkruante në njëren nga etiketat. Një tjetër mesazh ishte: “Rekrutët rusë po dërgohen në Ukrainë. Jeta e fëmijëve tanë është çmimi i kësaj lufte.”
Një kliente në supermarket që gjeti sloganet i raportoi ato tek autoritetet.
Arrestimi i zonjës Skochilenko u bë rreth një muaj pasi autoritetet miratuan një ligj që lejon ndjekjen penale kundër çdo shprehjeje publike për luftën, që devijon nga linja zyrtare e Kremlinit.
Ligji është përdorur për të goditur politikanët e opozitës, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe qytetarët e thjeshtë, që ishin kritikë ndaj Kremlinit, ku shumë prej tyre janë dënuar me burgime të gjata.
Zonja Skochilenko, 33 vjeç, nuk e ka mohuar shprëndarjen e mesazheve, por hodhi poshtë akuzat për përhapjen e informacionit me vetëdije të rremë.
“Ajo nuk kishte qëllim të ofendonte ushtrinë, por donte të ndalonte luftimet”, tha avokatja e saj Yana Nepovinnova për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’ javën e kaluar.
“Ajo është një person shumë paqedashës. Për të, në përgjithësi, fjala ‘luftë’ është gjëja më e tmerrshme që mund të imagjinohet, siç është vuajtja e njerëzve”, shtoi zonja Nepovinnova.
Faqja e pavarur ruse e lajmeve ‘Mediazona’ citoi të enjten zonjën Skochilenko të ketë thënë në deklaratën e saj përfundimtare në gjykatë, se çështja kundër saj ishte “e çuditshme dhe qesharake”, aq sa zyrtarët në objektin ku ajo po mbahet e ndaluar ‘hapin sytë dhe pyesin: “Vërtetë për këtë po burgosen njerëzit tani?’”
Ajo gjithashtu tha se një hetues që punonte në çështjen e saj madje dha dorëheqje, duke i thënë një prej avokatëve të saj se ai “nuk u bashkua me Komisionin Hetues për të punuar në çështje si (ajo) kundër Sasha Skochilenkos”.
Duke iu drejtuar gjyqtarit në një sallë gjyqi të mbushur plot me mbështetës, zonja Skochilenko tha: “Të gjithë e shohin dhe e dinë se nuk është një terrorist që po gjykoni. Ju nuk po gjykoni një ekstremist. Ju nuk po gjykoni as një aktivist politik. Ju po gjykoni një pacifist.”
Mbështetësit e saj duartrokitën, raportoi ‘Mediazona’, duke shtuar se pasi u shpall vendimi dhe pasi u largua zonja Skochilenko, ata u mblodhën në një korridor, duke brohoritur emrin e saj.
Zonja Skochilenko është mbajtur në paraburgim për gati 19 muaj përpara gjyqit të saj, që do të thotë se dënimi i saj i përgjithshëm do të zvogëlohet me më shumë se dy vjet, pasi çdo ditë e vuajtur në një qendër paraburgimi llogaritet si 1.5 ditë kohë të vuajtur në një burg të rregullt.
Por ajo është përballur me probleme gjatë kohës që ishte në paraburgim për arsye shëndetësore, duke përfshirë një defekt në zemër nga lindja, çrregullim bipolar dhe një sëmundje që e detyron të jetojë vetëm me dietë pa gluten, kanë thënë avokatët dhe partneri i saj.
“Ndërsa ajo mbahej në Shën Peterburg, mjekët nga jashtë burgut mund ta vizitonin, por çfarë do të ndodhë nëse zonja Skochilenko transferohet në një burg më të largët, mbetet një çështje e pasqaruar”, tha partnerja e saj, Sofya Subbotina.
“Ka një frikë të madhe se Sasha do të mbetët pa ndihmë mjekësore” shtoi ajo.
Grupi më i shquar i të drejtave të njeriut në Rusi dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2022, Memorial, e ka shpallur zonjën Skochilenko si të burgosur politik.
Sipas OVD-Info, një grup tjetër i shquar i të drejtave që monitoron arrestimet politike dhe ofron ndihmë ligjore, 19,834 rusë janë arrestuar që nga 24 shkurti, kur filloi lufta, pasi kanë folur, ose demonstruar kundër luftës.
Gati 750 persona janë përballur me akuza penale për qëndrimet e tyre kundër luftës dhe mbi 8,100 janë përballur me akuza më të lehta për diskreditim të ushtrisë, të dënueshme me gjobë, ose me burgim të shkurtër.
Afatet e gjata janë dhënë për individë më të njohur. Figura e shquar e opozitës Ilya Yashin u dënua me 8 vjet e gjysmë burg për akuza të ngjashme, ashtu si edhe aktivisti studentor i Moskës Dmitry Ivanov. Kolegu i zotit Yashin në këshillin bashkiak të Moskës, Alexei Gorinov, u dënua me shtatë vjet.
Dënime të ngjashme u dhanë rusëve të dënuar në mungesë, si autorja e librit me receta gatimi Veronika Belotserkovskaya, ose gazetari televiziv dhe ish-deputeti Alexander Nevzorov dhe disa të tjerë.
Gjithashtu të enjten, politikani i opozitës Vladimir Milov u dënua në mungesë për përhapjen e informacionit të rremë rreth ushtrisë dhe u dënua me tetë vjet. Zoti Milov, i cili dikur ishte zëvendësministër i Energjisë i Rusisë dhe tani është aleat i udhëheqësit të burgosur të opozitës Alexei Navalny, është larguar nga Rusia.
Prokuroria në rastin e zonjës Skochilenko kishte kërkuar tetë vjet burg. Në një intervistë me gazetën Bumaga në Shën Peterburg, pensionistja që e raportoi atë tek autoritetet ishte dukur e befasuar nga kjo, duke thënë: “U dënua për disa copa letre, sigurisht që duhej të ishte më pak”./ VOA