Ndryshimi klimatik i dëmton amerikanët fizikisht, mendërisht dhe financiarisht, përfshirë afrikano-amerikanët që po përballen me përmbytjet në jug dhe minoritetet që përballen me të nxehtin ekstrem nëpër qytete, thuhet në një raport federal të publikuar të martën.
Mbi dymbëdhjetë agjenci federale amerikane dhe rreth 750 shkencëtarë hartuan raportin e titulluar “Vlerësimi Kombëtar për Klimën”, që synon të qartësojë konkluzionet më të mira shkencore për këtë problem dhe t’ia komunikojë ato audiencës më të gjerë, tha Presidenti Joe Biden nga Shtëpia e Bardhë.
“Ky vlerësim na tregon në terma të qarta shkencore se ndryshimi klimatik po ndikon tek të gjithë rajonet, të gjithë sektorët në Shtetet e Bashkuara”, tha ai. “Paralajmëron se ka nevojë të madhe për veprim të mëtejshëm. Nuk mund të qëndrojmë pa bërë gjë”.
Gjatë këtij viti u arrit rekord i ri episodesh moti ekstrem që shkaktuan dëme prej miliarda dollarësh, si përmbytje, zjarre dhe furtuna që ndodhën gati çdo tre javë. Në vitet 1980, Shtetet e Bashkuara përjetuan katastrofa me dëme të tilla vetëm një herë në katër muaj.
Ndryshimi klimatik po shton kostot për amerikanët, ndërsa çmimet rriten për sigurimet pronave të lidhura me klimën, apo ushqime të ndryshme. Kostot mjekësore gjithashtu po rriten ndërsa më shumë njerëz përjetojnë pasoja të klimës, si i nxehti ekstrem, thuhet në raport.
Presidenti Biden tha se ka përjetuar personalisht dëmin shkatërrimtar të ndryshimit klimatik kur ka vizituar zonat e goditura nga uraganë historikë, përmbytje dhe zjarre në pyje, dhe tha se nuk është veprim i mençur që disa republikanë të mohojnë ndikimin e ndryshimeve klimatike.
“Kjo verë dhe kjo vjeshtë kanë qenë më të nxehtat mbi Tokë, që kur filloi regjistrimi i të dhënave në vitet 1800”, tha ai. “Pasojat që shikojmë vetëm do të përkeqësohen, do të bëhen më të shpeshta, më të ashpra dhe më të kushtueshme”.
Presidenti Biden tha se vitin e kaluar katastrofat natyrore shkaktuan 178 miliardë dollarë dëme në Shtetet e Bashkuara, shpesh duke goditur personat më të ekspozuar.
Ky vlerësim është raporti i pestë i tillë që ka publikuar qeveria amerikane që nga viti 2000. Raporti është rishikuar nga Akademia Kombëtare e Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë.
Shkencëtarja për atmosferën Katharine Hayhoe, bashkëhartuese e disa raporteve të tilla, tha se versioni më i ri reflekton zhvillimet më të fundit në shkencën klimatike dhe mund t’i ndihmojë politikëbërësit dhe kompanitë për të punuar për uljen e gazeve ndotës dhe për mënyrat për t’iu përshtatur pasojave të një bote që po ngrohet gjithnjë e më shumë.
“Sot mund të dokumentojmë rreziqet me të cilat përballemi, për çdo gradë nxehjeje”, u tha zonja Hayhoe gazetarëve. “Mund të përcaktojmë një shifër për përmasat me të cilat ndryshimi klimatik po ushqen motin ekstrem në nivele rekord, dhe kemi filluar të kuptojmë se si ndërlidhen dhe sa të ekspozuara janë sistemet tona, që nga ato social-ekonomike dhe deri tek siguria kombëtare”.
Ky ishte raporti i parë i prodhuar që nga viti 2018, kur administrata e Presidentit të atëhershëm Donald Trump, filloi të ndryshonte rregulloret që synonin të ulnin nivelin e ndotjes klimatike. Ish-Presidenti republikan Trump, i cili refuzon të pranojë shkencën për ndryshimin klimatik, gjithashtu refuzoi raportin e vitit 2018.
Presidenti demokrat Biden tha se ky raport është vlerësimi më gjithëpërfshirës deri më tani për gjendjen e ndryshimit klimatik në Shtetet e Bashkuara dhe njoftoi mbi 6 miliardë fonde investimi për projekte klimatike, përfshirë forcimin e rrjetit energjitik dhe uljen e rrezikut nga përmbytjet.
LIDHJA ME VARFËRINË
Për herë të parë, raporti i këtij viti përmban një kapitull për ekonominë, që ilustron se sa të kushtueshme janë dëmet dhe se si ato shpërndahen në mënyrë të padrejtë në shoqëri, shpesh duke i theksuar edhe më tej pabarazitë ekzistuese. Në faqen e internetit gjendet tashmë edhe një link për të parë ndikimin më konkretisht në shtetet, qytetet dhe bashkitë.
Fëmijët kanë raportuar probleme të shëndetit mendor për shkak të ankthit nga klima. Personat që punojnë në mjedise të hapura kanë përjetuar dehidratim për shkak të të nxehtit ekstrem, si dhe sëmundje akute të veshkave, pas qoftë edhe vetëm një dite ekspozimi në temperatura ekstreme, thuhet në raport.
Raporti përmend pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara, ku skllavëria, ndarjet racore dhe diskriminimi në strehim kanë mundësuar që shumë afrikano-amerikanë dhe komunitete të tjera pakicash të jetojnë në lagje të ekspozuara ndaj rreziqeve mjedisore, si dhe me më pak burime për t’i përballuar ato, krahasuar me lagjet e të bardhëve.
Sidoqoftë, raporti nuk përmban vetëm lajme të këqija. Me termocentralet e qymyrgurit që po zëvendësohen nga gazi natyror dhe materiale të rinovueshme, çlirimi i gazrave ndotës ra me gati 12% në periudhën 2005-2019, megjithëse u rrit ekonomia dhe popullsia.
“Jemi në drejtimin e duhur; thjesht duam të bëjmë më shumë, më shpejt”, tha Ted Schuur, profesor për ekologjinë në Universitetin e Arizonës Veriore, i cili nuk pati rol në hartimin e raportit.
Konkluzionet e raportit mund t’i inkurajojnë politikbërësit në nivel vendor dhe qendror të shqyrtojnë mënyrat për t’iu përshtatur trazirave të shkaktuara nga ndryshimi klimatik, si riprojektimi i sistemeve klimatike për të kulluar më mirë ujërat nga rrugët e qyteteve që përmbyten, apo për t’i ndihmuar spitalet që të përgatiten për një shtim të sëmundjeve që mund të shkaktohen p.sh. nga zhvendosja e mushkonjave dhe çimkave drejt zonave të reja në veri.
Raporti gjithashtu prek pasojat e ndryshimit klimatik tek siguria kombëtare, ndërsa vendet konkurojnë për burimet që u nevojiten në këtë tranzicion energjetik. Konkurimi me Kinën për mineralet për shembull, ka gjasa të shtojë tensionet mes dy vendeve në vitet në vazhdim.
Emigracioni për shkak të klimës pritet të bëhet rreziku më i lartë për sigurinë deri në vitin 2030, ndërsa njerëzit që jetojnë në vende më të ekspozuara do të përpiqen të zhvendosen drejt Shteteve të Bashkuara për kushte më të mira sigurie, thuhet në raport./VOA