Marrëveshja për migrantët, e firmosur më 6 nëntor nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, shihet me shqetësim nga ekspertët e çështjeve të migracionit dhe sigurisë në Tiranë.
Opozita atje e kundërshton po ashtu dhe kërkon interpelancë urgjente me Ramën.
Për më tepër, Partia Demokratike paralajmëron se pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të vendit në lidhje me të.
“Ky lajm vjen si surprizë në Shqipëri, pasi nuk ka pasur asnjë debat politik apo publik për një çështje kaq sensitive për qytetarët dhe për mbarë vendin”, thuhet në komunikatën e PD-së.
Me marrëveshjen e nënshkruar në Shëngjin, migrantët që do të shpëtohen në Detin Mesdhe, do të strehohen në Shqipëri, ndërsa Italia do të financojë për ngritjen e qendrave për pritjen e tyre.
Zbatimi i saj pritet të nisë pranverën e vitit të ardhshëm.
Sipas protokollit të publikuar nga Qeveria shqiptare, Italia do të depozitojë 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e migrantëve.
Paqartësi për protokollin
Drejtuesi i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, thotë se ka shumë paqartësi për mënyrën se si do të zbatohet ky protokoll.
“Protokolli mes dy vendeve është i pari i këtij lloji, pra nuk ka praktika të ngjashme që të jenë miratuar dhe zbatuar dhe ka shumë paqartësi për mënyrën se si do të zbatohet”, thotë Gjipali për Radion Evropa e Lirë.
Ai e vlerëson faktin se Shqipëria është treguar bashkëpunuese, por thotë se beson se përfitimet nga kjo marrëveshje, do të shkojnë për Italinë.
Sa i takon Shqipërisë, thotë Gjipali, ajo konfirmon me këtë marrëveshje marrëdhënien e saj të mirë me Italinë.
“Nga leximi i protokollit është e qartë se do të zbatohet legjislacioni italian dhe si rrjedhojë ai evropian, por, në praktikë, do të shihet se si do të zbatohet, a kanë garanci më shumë apo më pak nga ato që u jepen azilantëve në territorin italian”, shprehet Gjipali.
Eksperti i sigurisë në Shqipëri, Redion Qiriazi, shpreh disa rezerva për këtë marrëveshje.
Ai thotë se po të ishte në interes të Shqipërisë, ajo do të diskutohej publikisht edhe në Kuvend.
Sipas tij, ka një kontradiktë mes ligjit ndërkombëtar dhe asaj që është firmosur në marrëveshje.
“Nëse aplikohet ligji italian në kampe, azilkërkuesit i kanë të drejtat që i kanë azilkërkuesit në Itali, pra kanë të drejtë të dalin… Problemi më i madh është se çfarë ndodh nëse Italia tërhiqet dhe ti i ke 3.000 migrantë që nuk ke aftësi dhe kapacitete t’i mbash”, thotë Qiriazi.
Sipas tij, është i paqartë dhe i pakuptimtë interesi i Shqipërisë në këtë marrëveshje.
“Nuk jemi aq të zgjuar sa Turqia. Ajo, kur bëri marrëveshje dhe mori migrantë në vitin 2016, përfitoi 6 miliardë euro në vit dhe iu premtua heqja e vizave. Dhe, kur pati kufizime për vizat, Turqia i hapi kufijtë, vendosi njëfarë presioni”, thotë Qiriazi.
“Nuk mendoj se Shqipëria është treguar aq e zgjuar në hartimin e kësaj marrëveshjeje që ta kishte si një levë për ta përdorur ndaj Italisë në negociata apo për të kërkuar diçka mbrapsht. Nuk e kuptoj interesin e Shqipërisë. Është cenuar institucionalizmi. Fakti që deputetët nuk e dinin, është i papranueshëm”, shton ai.
Ai thekson se nuk është kundër marrëveshjeve që forcojnë interesat e përbashkëta mes dy vendeve, por thotë se duhet të kishte më shumë studim dhe reflektim. Sipas tij, kërcënimi ndaj sigurisë mund të jetë real.
Komisioni Evropian, i cili mbikëqyr zbatimin e ligjeve të Bashkimit Evropian, tha se marrëveshja mund të rezultojë problematike nëse Italia i dërgon migrantët e gjetur në ujërat territoriale të BE-së në një vend joanëtar të BE-së.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, tha se “individët e shpëtuar nga autoritetet italiane në det, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale”.
Çka mendojnë qytetarët?
“Nuk më duket e arsyeshme si marrëveshje. Shoh një kontrast shumë të madh me situatën ku shumë të rinj po ikin dhe po e lënë Shqipërinë për arsye të ndryshme, ndërsa ne marrim migrantë”, thotë Kamela Cuka, studente në Tiranë.
Peter Roci, gazetar, thotë se do ta kuptonte këtë qëndrim të Shqipërisë vetëm nëse do të ishte ndonjë kusht nga Bashkimi Evropian.
“Nëse është punë kushti nga BE-ja – dakord, por nëse jo, nuk e kuptoj përse duhej të firmosej. Nga ana tjetër, duhej të kishte diskutim, konsultim publik dhe kalim në Parlament”, thotë ai.
“Jam kundër. Italia t’i mbajë vetë… sado të ardhura të sjellin, nuk kemi leverdi, do të sjellin rrëmujë”, thotë Isuf Shkurti, pensionist.
Çka parasheh tjetër marrëveshja?
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thanë se kanë rënë dakord që të strehojnë përkohësisht në Shqipëri mijëra migrantë që kërkojnë azil në Itali.
Në bazë të marrëveshjes, nëse Italia i refuzon kërkesat për azil, Shqipëria më pas do t’i dëbojë migrantët.
Fëmijët dhe gratë shtatzëna do të përjashtohen nga marrëveshja.
Italia do të financojë për ndërtimin e dy qendrave në Shqipëri, të cilat mund të mbajnë deri në 3.000 migrantë në të njëjtën kohë, ose deri në 36.000 në vit.
Shqipëria do të ofrojë masa të sigurisë në qendrat përkatëse nën juridiksionin italian.
Rama tha se Shqipëria është borxhlije ndaj Italisë dhe se një marrëveshje të tillë nuk do ta kishte firmosur me asnjë shtet tjetër./REL