Kryedemokrati Sali Berisha, në një deklaratë për mediat në dalje të Kryesisë së Kuvendit, pas vendimit të fundit nga mazhoranca për përjashtimin e një grupi tjetër deputetësh opozitarë nga seancat parlamentare, tha se krizën e thellë kushtetuese të parlamentit e urdhëroi dhe e krijoi Edi Rama me Lindita Nikollën.
Berisha tha më tej se beteja që ka nisur opozita, është betejë për qytetarët.
“Ndaj dhe unë jam këtu për t’u thënë qytetarëve se kjo betejë është për secilin prej jush, kjo betejë është për fëmijët tuaj, kjo është betejë për ju, për të drejtat tuaja, për dinjitetin tuaj.”- tha Berisha.
Berisha deklaron se nuk mund të rrinë në parlament si rrogëtarë dhe të mos përmbushim misionet për të cilat populli i ka votuar.
Ai tregon se grupi bllokoi sot mbledhjen e kryesisë me kërkesën: të plotësohen kërkesat tona kushtetuese.
Deklarata e plotë e Berishës:
Krizën e thellë kushtetuese të parlamentit e urdhëroi dhe e krijoi Edi Rama me një kryetare parlamenti, të cilës mund t’i vihet edhe çdo deputet, por unë e rezervoj gojën dhe nuk lëshoj epitete fyese ndaj zonjës.
Por ua them këtu se nëse bëni një ripërsëritje të regjistrimeve tuaja, në mënyrën më të përsëritur e kam paralajmëruar zonjën se po e shkatërron parlamentin me qëndrimet tua, duke shkelmuar Kushtetutën dhe rregulloren në mënyrë të përditshme.
Pas një durimi të stërzgjatur të deputetëve të opozitës për të rivendosur të drejtat, erdhi një moment kur qenia e tyre në parlament ishte absolutisht fiktive. Kur ata 600 mijë votues që kanë votuar për këta, kishin zero përfaqësim në parlament, pasi përfaqësuesve të tyre iu mohohej de facto e drejta e tyre legjislative, ligjbërëse, iu mohohej në mënyrën më cinike, sepse opozita nuk kishte vota për miratimin e tyre, por trajtimi i tyre në parlament është detyrim kushtetues, është kusht themelor i një parlamenti pluralist.
31 iniciativa ligjore të ndërmarra nga deputetët e opozitës në emër të popullit që përfaqësojnë, por edhe të gjithë shqiptarëve se unë nuk besoj se iniciativa e minimumit jetik kishte të bënte vetëm me popullin opozitar, por me mbarë popullin shqiptar.
Dhe ishte një iniciative urgjente, e domosdoshme dhe plotësisht e përballueshme nga financat e shtetit.
Janë me dhjetëra amendamente të tjera. është amendamenti i heqjes së parashkrimit për kryeministrin. Jam unë që e kam paraqitur atë amendament dhe shumë të tjera. Asnjë prej tyre.
Edi Rama nuk lejon të paraqiten as në sallën e parlamentit, as në komisione, në mënyrë që qytetarët të mos mësojnë për këto iniciativa.
A ka gjë më absurde se sa të privosh deputetët nga atributi kryesor kushtetues i tyre, e drejta legjislative, e drejta ligjbërëse.
Këtë të drejtë në Kushtetutë e ka kryeministri, e ka deputeti dhe 20 mijë qytetarë.
Këtë të drejtë, Linda e parlamentit me urdhër të Edi Ramës, ua heq deputetëve të opozitës.
Nuk mund të pranohet kurrë që të mohohet e drejta e ngritjes së komisioneve hetimore parlamentare.
Neni 77 i Kushtetutës, thotë në nenin 2, se Kuvendi është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë.
Opozita ka dorëzuar firmat jo për 6 sa kam deklaruar përpara, por për 8 komisione hetimore parlamentare. Janë mohuar që të teta në mënyrën më antikushtetuese, më antidemokratike.
Atëherë pse janë deputetët e opozitës në parlament? A nuk janë ata për të kontrolluar qeverinë dhe veprimtarinë e saj?
Objekt i hetimit kanë qenë koncesionet, sterilizimit në të cilat Edi Rama me Beqën e tij, duke i dhuruar kompanisë së vet të gjitha mjediset, duke i dhuruar aparaturën ultramoderne të blerë me fondet publike, kompanisë së tij, duke deklaruar se kjo do të ulë çmimin 3-4 herë në sterilizime, e kanë rritur 83 herë çmimin e sterilizimeve me dokumente. E kanë bërë atë dy herë më të shtrenjtë se Gjermania.
Pra, a nuk kanë të drejtë qytetarët e kësaj gjobe të tmerrshme prej 100 milionë euro? A nuk kanë të drejtë shqiptarët të dinë se mijëra shqiptarë nuk u operuan prej pamundësisë së spitaleve për ët paguar setet e veglave për operacion? A nuk kanë të drejtë spitalet të dinë se pse spitalet janë katandisur në një pazar të turpshëm të shëndetit të njerëzve? Nuk bëjnë analiza dot se kushtojnë, se i kanë marrë njerëzit e Ramës laboratorët ultramoderne.
A nuk kanë të drejtë qytetarët të dinë se pse ti mund të shkosh për një sëmundje akute në spital, por nuk mund të mjekohesh aty se do të dërgojnë te privati që të vijnë vetë të të mjekojnë?
A ka qëndrime më çnjerëzore se këto? Po nuk të vrasin vetëm ata që të dalin në pritë dhe të marrin shënjestër, por të vrasin edhe këta që nuk të mjekojnë. Dhe këto janë reale.
Dhe ne kemi pasur raste me deputetët tanë, pa le pastaj se çfarë bëhet me qytetarët?
A nuk duhen hetuar këto? Pse jemi në parlament ne?
As pushtuesi nuk mund të sillej në këtë mënyrë. Ky është një poshtërim për çdo qytetar shqiptar.
A nuk presin qytetarët tanë, të dinë pse kryeministri i tyre u mor një orë e gjysmë në aeroportin e Nju Jorkut?
A nuk presin qytetarët të dinë lidhjen e tij me McGonigal, që ka pranuar çdo fajësi për dosjen shqiptare? Po në dosjen shqiptare kush është protagonist? ËshtëEdi Rama, Dorian Duçka, Agron Neza.
A nuk keni dëgjuar ju shumë e shumë biznesmenë që u zhvatën, u ropën nga kjo bandë, nga ky grup i strukturuar kriminal me në krye Edi Ramën?
A nuk jeni ju dëshmitarë se një kompanie ruse, të përzier, iu hoq licenca për t’iu dhënë Oleg Deripaskës?
A janë këto të domosdoshme që një komb t’i dijë, që një vend t’i dijë?
A nuk kanë të drejtë qytetarët të dinë se kryeministri i një vendi që po varfërohet, që po braktiset, përdor avionin si një taksi me shpenzime shtetërore, e përdor atë për vikende, e përdor si ta kishte si pronë personale?
A ndodh kjo tjetërkund? Ju garantoj se nuk ndodh, se po ndodhi, lihet automatikisht detyra.
Ka ndodhur njëherë që një ministër i një vendi të madh evropian, mori një avion ushtarak dhe shkoi një natë apo dy pushim në Spanjë. U kthye dhe la detyrën sapo u kthye në vendin e tij. Ka rregulla, por për këtë nuk ka asnjë rregull.
Ky sillet si një bandit, e konsideron Shqipërinë si një sulltanat, e konsideron opozitën si armike, që nuk duhet të ekzistojë.
Ndaj dhe unë jam këtu për t’u thënë qytetarëve se kjo betejë është për secilin prej jush, kjo betejë është për fëmijët tuaj, kjo është betejë për ju, për të drejtat tuaja, për dinjitetin tuaj.
Atë po mbrojmë ne, nuk mund të rrimë në parlament si rrogëtarë dhe të mos përmbushim misionet për të cilat na keni votuar.
Ndaj dhe sot, grupi bllokoi mbledhjen e kryesisë me kërkesën: të plotësohen kërkesat tona kushtetuese.