Një sipërfaqe prej 5512 m3 truall në Dhërmi, në pronësi të Artan Gaçit, është vënë në sekuestro me vendim të Gjykatës së Posaçme, pas një kërkese të SPAK.
Prona e dyshuar se është përfituar me dokumente false është blerë më pas dhe përdorur nga Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, për të fituar statusin e investitorit strategjik.
Gjykata ka vlerësuar provat e SPAK dhe ka miratuar kërkesën për sekuestro preventive, e cila është ekzekutuar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gaçi, pak javë më parë u pyet nga SPAK pikërisht për këtë praktikë, ndërsa hetimet janë të hapura dhe të tjera veprime për verifikim pasurish po kryhen.
Bashkëshortja e tij, deputetja socialiste Olta Xhaçka konfirmoi se “prej disa javësh është vënë nën sekuestro preventive një pjese e kantierit të investimit”, ku është planifikuar të ngrihet hoteli i Gaçit.
Kallëzimi i Belerit
Kallëzimi se toka që i dha statusin stregjik Argan Gaçit është përfituar me dokumente false u denoncua në Prokurorinë e Psoaçme nga Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Kallëzimi është depozituar në SPAK më 21 gusht, dhe akuzon pikërisht se një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, është përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli. Kjo tokë, sipas kallëzimit, më pas është blerë dhe përdorur nga bashkëshorti i Xhaçkës për të përfituar statusin special.
“Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mehilli figuron e ndarë një parcelë në vendin Perivolo me nr e ngastrës 36/36/1 me sipërfaqe 5512 m2 e ndarë si tokë truall. Në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht në referim dhe kuptim të Ligjit 7501 dt 19.07.1991 “Për Token”, ndarja e sipërfaqeve tokë truall. Një ndarje e tillë është absolutisht e paligjshme, e pavërtetë dhe një nga provat se jemi përpara një AMTP-je të falsifikuar. Komisioni i Tokës në Fshat në kohë, nuk mund te dispononte kurrsesi mbi një sipërfaqe toke truall, sikundër nga ana tjetër, kjo sipërfaqe ku është regjistruar AMTP në fjale në vitin 1994, momenti që gjoja është ndare me AMTP, kjo parcelë nuk ka qenë kurrë tokë truall,” thuhet në padi.
Më tej, sqarohen edhe falsifikimet e dyshuara për këtë pronë dhe miratimi i kryebashkiakut Jorgo Goro pavarësisht paligjshmërisë së dyshuar.
“Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi,” thekson padia.
Qëllimi, sipas Belerit, ka qenë që Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi të përfitojnë tokën për të ngritur resortin turistik.
Sipas padisë, të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme.
“Trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli, duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, kanë kryer edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim me investitorët strategjikë, shtetasin Artan Gaçi etj. Po ashtu edhe shtetasja Olta Xhaxhka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj,” thuhet në padi.
Çifti Gaçi-Xhaçka investitorë strategjikë
Në 15 Korrik të vitit 2021, Edi Rama, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Investimeve Strategjike, i jep statusin special projektit “Dreamades Luxury Suites”.
Projekti synon ndërtimin e një kompleksi turistik hoteleri dhe rezidencial me 5 yje në zonën e Gjilekës, në Himarë.
Investimi parashikohet në vlerë 5.556.192 euro. Subjekti aplikues është kompania “AG.TCC” shpk., në pronësi të Artan Gaçit, ish-deputet socialist dhe njëkohësisht bashkëshort i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Për këtë investim, Këshilli i Ministrave, po nën drejtimin e Edi Ramës, miratoi të drejtën e shfrytëzimit të bregut para resortit, për llogari të kompanisë “AG.TCC Hotel Management”, në pronësi të kunatës së Olta Xhaçkës, shtetases amerikane Tawni Lin Grzych-Sutton.
Konflikti i interesit – Kushtetuesja dhe Kuvendi i japin kohë Xhaçkës
Vendimi u cilësua një skandal nga opozita që kërkoi komision hetimor ku kërkohej shkarkimi i Olta Xhaçkës si deputete për shkak të konfliktit të interesave.
Mazhoranca e rrëzoi kërkesën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar mandatin e Xhaçkës.
Dy grupe të deputetëve opozitarë iu drejtuan po ashtu Kushtetuese. Një grup i vogël, i përbërë nga 1/10 e deputetëve, kërkuan nga Kushtetuesja që të detyronte Parlamentin t’i drejtohej asaj gjykate me kërkesën për shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës.
Ndërsa një grup më i gjerë i deputetëve të opozitës, ishin më konkretë, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shkarkimin e Olta Xhaçkës.
Gjykata Kushtetuese, me një “manovër” shqyrtoi fillimisht kërkesën e grupit të vogël, duke e rikthyer çështjen në Parlament. Ndërsa, kur shqyrtoi padinë e grupit më të zgjeruar, vetëm pak minuta pas të parës, u deklarua se “nuk kishte më objekt, pasi çështja i ishte rikthyer Parlamentit”.
Me vendim final, Kushtetuesja i dha kohë Olta Xhaçka duke vendosur që duhet të jetë Kuvendi institucioni që duhet të depozitojë në GJK kërkesën për mospërputhshmërinë për mandatin e ish-kryediplomates.
E teksa kanë kaluar gati nëntë muaj pas vendit të Gjykatës Kushtetuese, ai nuk po gjen ende zbatim nga Kuvendi.
Xhaçka akuzon Berishën
Pas raportimeve mediatike për vendimin e SPAK dhe GJKKO ka reaguar deputetja socialiste Olta Xhaçka.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo pranon se “prej disa javësh është vënë nën sekuestro preventive një pjese e kantierit të investimit”.
Më tej, akuzon kreun e opozitës Sali Berisha.
“Një kusar me damkë dhe shpifës me nam si Sali Berisha nuk mund t’i bëjë askujt moral. Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e një pjese te kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë. SPAK-u të bëjë punën e vet i papenguar nga askush, ndërsa Sali Berisha le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund”, shprehet Xhaçka.