Ish-kryeministri Sali Berisha vijoi edhe këtë të mërkurë të argumentojë publikisht pse sipas tij, akuza e ngritur nga SPAK janë politike. Në një deklaratë nga selia blu, Berisha u shpreh se ndryshimet e vitit 2006 nga qeveria demokrate në ligjin për pronat sollën shumë risi të reja dhe të rëndësishme në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit. Vendim ky që sipas prokurores së çështjes në ngarkim të Berishës, Enkeljda Minollai, u bë me qëllim favorizimin e Jamarbër Malltezit në procesin e privatizimit të kompleksit sportiv Partizani.
Akuzën e prokurores Millonai, Berisha e cilësoi “një sulm tjetër skandaloz politik të Edi Ramës dhe larot e tij skapistë për reformën e PD në fushuan e pronësisë dhe ndryshimet ligjore në këtë reformë”.
“Kështu, ata rreken të mashtrojnë qytetarët se unë, afatin e paraqitjes së kërkesave të pronarëve, e kam bërë me ligj për të favorizuar Jamarbër Malltezin”, theksoi Berisha. Por, sipas tij, “ndryshimet në ligjin 9533 të vitit 2004, të bëra në vitin 2006, nuk kishin për qëllim vetëm shtyrjen e afateve, por sollën shumë risi të reja dhe të rëndësishme në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave”.
“Në parim dominonte mbrojtja e interesave të shtetit, por pa cenuar, madje duke garantuar të drejtat e pronësisë private të objekteve të shpronësuara. Dhe, duke kufizuar trajtimin abuzive dhe përfitimeve të padrejta të kryera më parë bazuar në dokumentacionin ligjor të viteve të mëparshme. Një nga problemet madhore ishin vendimet e faktit në gjykata. Me këto vendime, me një akt korruptiv mizerabël, tjetrit i merreshin dhjetëra hektarë sepse hajduti i tyre me dokumente të falsifikuara, i legjitimonte ato në gjykata. Ky amendim i dha fund kësaj dhe ky ishte një nga vendimet më të rëndësishme në çështjen e pronësisë. Ndaloi abuzimet. E vriste Pëllumb Gjoka 83-vjeçaren dhe i merrte 300 mijë metër katror. Një nga aktet që po u përmend këtu. Në ligj, u vendos që kërkesat e bazuara në vendime fakti nuk trajtoheshin më. Erdhi fundi i tyre. Në lidhje me shtyrjen e afatit, u bë për shkak të ndryshimit të dokumentacionit. Por duhet të jem i sinqertë, shtyrja e afatit është një detyrim i madh moral si ndaj pronarëve, ashtu edhe ndaj të përndjekurve politike. Sepse nuk mund t’i nxjerrësh nga prona pse ai nuk siguroi në kohë dokumentet”, shtoi kryedemokrati.
Berisha: Nano veproi si mua
Për ata që mendojnë se e paskam shtyrë afatin për Begetë dhe Malltezin, theksoi Berisha, u them se këtë afat e kam shtyrë me dy vite më datë 10.2.2008 dhe Fatos Nano para tij. Përfundonte, saktësoi, në vitin 2004, dhe Nano e shtyu deri në vitin 2006.
Me ndryshimet ligjore, tha Berisha, “ndryshoi plotësisht modeli i administratës që menaxhonte çështjen e kthimit të pronave, u kalua nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që ishte institucion plot Arapër brenda, e kam fjalën për Farudinin, dhe u bë një institucion i përgjegjshëm dhe realizoi dixhitalizimin e kadastrës në 6 qytete të mëdha, me një model që Banka Botërore e rekomandonte edhe për vende të tjera. Ky vendim, i njohu drejtorit të AKP, por edhe Avokatit të Shtetit, që të rishqyrtonte drejtësinë e vendimeve të mëparshme. Gjykata Kushtetuese ia hoqi drejtorit të AKP, por nuk ia hoqi Avokatit të Shtetit”.
“Vendimi gjithashtu disiplinoi mashtrimin me pronat, u rritën kufizimet për kthimin e pronësisë në krahasim me ligjin e mëparshëm. Pronarit tani i kthehej toka e blerë nga pronarët e tjerë dhe shteti i kthente lekët personave të tretë. Kjo mori fund. Pra, në të gjitha rastet, ky ligj ka shënuar një seri risish në reformën e pronësisë. Nuk ka ndryshime në të drejtën e parablerjes, ekzistonte në dy ligje”, shtoi ai.
Më tej, u ndal te të tjera ndryshime të ligjit për pronat për të cilat prokuroria ia atribuon Berishës se janë kryer për qëllim favorizimin e Malltezit.
“Në pikën 7, para ndryshimit, ligji ndalonte kthimin e pronave, që i shërbenin mbrojtjes kombëtare. Ushtria mbeti zaptuesi më i madh i tokave pas vitit 1992. Ushtria kishte në inventarin e saj, përveç reparteve të stabilizuara, 4 mijë pika hapja, të cilat vendoseshin nga brendësitë e qyteteve, në të gjithë territorin. Shqipëria ka 2 mijë fshatra, ushtria kishte 4 mijë pika hapje. Detyrimisht do bëhej gjithçka që ky mamuth, i cili keqpërdoronte pronat private të qytetarëve, duhej të ndryshonte. Dhe ne, nga për qëllime mbrojtje, ligji thotë, e kthyem në subjekte të shpronësuara. U kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes – nuk ishim në përdorim 4 mijë pika – që janë jashtë strukturës të Forcave të Armatosura, të miratuar nga Presidenti i Republikës. Nëse i pari nuk e fuste këtë koncept, por i linte ato në mëshirën e cilitdo oficer lokal t’i shiste dhe t’i blinte si të donte, ne përcaktuam si standard pronat që hiqeshin nga plani i hapjes së forcave të armatosura me firmën e Presidentit të Republikës. Në këtë rast, në pamje të parë mund të mendohet se u cenuan interesat e mbrojtjes. Aspak”, u shpreh.
“Mbrojtja nuk kishte të bënte me stadiumet, me terrenet sportive. Forcat e armatosura kanë të bëjnë me terrenet sportive, me hotelet. Pra, forcat e armatosura është përcaktimi më i saktë që mund t’i bëhet dhe jo ajo e përgjithshme e mbrojtjes. Dhe tokës bujqësore, ushtria ishte pronare, i mbillte, i përdorte për qëllime të ndryshme. Ato nuk mund t’i mbante më, kishte ikur koha e komunizmit kur prodhonin ushqimet e tyre”, shtoi ai.
Akuzat për bonot
Një ditë më parë, ai shpjegoi pse sipas tij, akuza e SPAK se vendimi për përdorimin e pagesave nga ish-pronarët me bono ishte bërë me qëllim favorizimin e Jamarëbër Malltezit.
Në akuzë, prokuroja Millonai sjell në kujtesë se në dhjetor 2008, Këshilli i Ministrave drejtuar nga Sali Berisha, mori vendimin në bazë të së cilit, pronat shtetërore privatizoheshin duke u paguar 20% me lekë dhe 80% me bono privatizimi. Rrjedhimisht, pjesa shtetërore e tokës ku ngrihej kompleksi Partizani u privatizua me një çmim më të ulët për shkak se bonot e privatizimit kanë vlerë tregtare më pak se ajo e Lekut.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha tha se në kohën kur ka dalë vendimi, Malltezi dhe pronarët e tjerë të truallit në fjalë kishte paguar shumicën dërrmuese të detyrimeve. Ai u shpreh se me bono privatizimi u bë gjithsej 11.4 përqind e totalit të pagesës.
Më tej, tha se përmes aplikimit të kësaj politike – pagesat me bono – të marrë nga qeveria e tij, kanë përfituar mijëra qytetarë të tjerë.