Genc Gjokutaj, avokati mbrojtës i ish-kryeministrit Sali Berisha, i ftuar në SYRI TVka sqaruar opinionin në lidhje me zhvillimet gjyqësore për akuzat ndaj kryedemokratit për dosjen e privatizimit të ish-klubit Partizani.
Gjokutaj ka theksuar se ditën e sotme pritej që gjykata të verifikonte ekzekutimin e masës për zotin Berisha, por nga ana e zotit Berisha është bërë një kallëzim për në SPAK dhe objekti i këtij kallëzimi penal është denoncimi dhe kërkim për fillimin e çështjes penale për gjykatësen Irena Gjoka për veprën penale të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Sipas avokatit, vendimi i gjykatëses Irena Gjoka është një shpërdorim flagrant i detyrës nga ana e saj duke shkelur ligjin dhe kushtetutën.
“Siç jeni në dijeni gjykata kishte caktuar një seancë me objekt verifikimin e ekzekutimit të masës për zotin Berisha që siç dihet në vlerësimin e gjykatës ka marrë atë masën e detyrimit për paraqitje. Jemi paraqitur të dy avokatët të pajisur me prokurë nga zoti Berisha. Para se ne të shkonim në seancë, nga ana e zotit Berisha është bërë një kallëzim për në SPAK duke e dërguar me postë se kështu e kanë procedurën dhe objekti i këtij kallëzimi penal është denoncimi dhe kërkim për fillimin e çështjes penale për gjykatësen Irena Gjoka për veprën penale të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në kallëzim përshkruhet e gjithë procedura antiligjore e ndjekur nga gjykata në lidhje me procedimin e saj në mënyrë të drejtëpërdrejtë me kërkesë të SPAK duke shmangur procedurën parlamentare. Ky kallëzim lidhet me konceptin e kufizimit të lirisë siç janë dy masat shtrënguese, që janë detyrim paraqitje dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit. Ligji, neni 73 i Kushtetutës dhe 288 i Kodit të Procedurës Penale, e thotë qartë që kur janë masa shtrënguese siç janë arrestim me burg, arresti në shtëpi apo çdo lloj mase që kufizon lirinë i drejtohet me kërkesë Kuvendit i cili merr në shqyrtim për dhënien për kalimin në seancë plenare për tu marrë kjo masë.
Këtu ka juristë që nuk e di se ku e mbështesin këtë histori që masa shtrënguese detyrim paraqitje dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit nuk qenkan kufizim lirie. Këto janë kufizime të pjesshme por sigurisht që këto masa lidhen me lirinë personale të deputetit kanë domosdoshmërinë për të kaluar në Kuvend dhe kjo është e mbajtur edhe nga Gjykata e Strasburgut dhe ne do të sjellim praktikat edhe të Kartës së të Drejtave të Njeriut neni 5 i saj, pra e gjithë baza ligjore shkon në këtë drejtim. Masat shtrënguese janë të tilla që kufizojnë lirinë dhe nuk mundet që një prokurori dhe një gjykatë të vendosë për një akuzë dy masa shtrënguese.
Nisur nga depozitimi i kallëzimit penal ku zoti Berisha e konsideron shpërdorim detyre dhe është shpërdorim i detyrës në mënyrë flagrante dhe ne si mbrojtës vlerësuam që kjo si shkak i rëndësishëm i anshmërisë së gjyqtares me një shkelje flagrante dhe me këtë arsye ne depozituam kërkesën për përjashtimin e saj në vazhdimin e këtij gjykimi dhe të gjitha kërkesave që do të bëhen deri në fund të hetimit që kjo gjyqtare të mos jetë pasi kjo gjyqtare që në rastin e parë ka shkelur ligjin dhe kushtetutën në një mënyrë flagrante dhe duke argumentuar ne kemi depozituar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares. Ne jemi në pritje tani dhe do presim vendimin e gjykatës së parë për vendimin që do të japë për këtë gjyqtare.” – u shpreh avokati i Berishës.
Gjokutaj ka theksuar se në këtë çështje kundër kryedemokratit Sali Berisha kemi të bëjmë me shkelje më flagrante të ligjeve, kushtetutës dhe procedurave.
“Ne e kemi marrë këtë çështje në shqyrtim për shkeljen më flagrante që është bërë. Ne kërkojmë që dhe SPAK dhe gjykata të ndjekin një proces të rregullt ligjor dhe kur këtu shkelet që në fillim parimet e një procesi të rregullt kushtetues dhe të paanshëm dhe objektiv të çështjes, këta mund të vazhdojnë me shkelje të tjera të ligjit dhe prandaj ne kemi bërë këtë kallëzim sepse e vërteta do të dalë.
Nuk mundet që deputeti ti bëjë vetë këto detyra. Ka një rrugë për deputetët që ndjek ligji, i cili çuditërisht në këtë rast është vepruar në shpejtësi dhe anashkalim të të gjitha procedurave dhe të shkelura në këtë mënyrë e bëjnë nul të gjithë zinxhirin procedural që vijnë mbrapa. Sepse masa e sigurisë e marrë në shkelje të ligjit dhe kushtetutës është nul. Detyrimi për paraqitje është gjithashtu nul i caktuar nga ai vendim i gjykatës. Nëse ne nuk do të bëjmë këtë shërbim juridik dhe ligjor në fillim dashje padashje kemi pranuar një proces të parregullt ligjor i cili asnjëherë nuk mund të shkojë tek e vërteta. Ne po tentojmë që me instrumentat dhe mjetet që na jep ligji ta vendosim këtë proces në binarët e ligjit.”, u shpreh Gjokutaj.