Prej një muaji, Ana Brahaj nga fshati Levan i Beratit nuk shkon dot në shkollë. Furgoni që çon nxënësit në shkollë, e ka të pamundur të shkojë në shtëpinë e saj për shkak të gjendjes së rrënuar të rrugës.
Për shkak të vështirësisë fizike, Ana nuk mund të ecë gjatë në këmbë. Ajo ka frekuentuar vetëm dy ditët e para të shkollës, ku ka marrë librat e klasës së 10-të që i mban në shtëpi.
“S’e kam dërguar më se ngelet rrugës, do nxjerrë te shkolla tej. Duhet ta nxjerr me çantë, ta marr unë çantën, zëre se vete unë në shkollë, jo çupa se ajo s’ngre dot çantën”,-shprehet Durim Brahaj, babai i Anës.
Mbyllja e shkollës 9-vjeçare i detyron fëmijët e Levanit të udhëtojnë çdo ditë drejt shkollës së Sinjës. Për shkak se banorët në fshatin Levan i kanë shtëpitë shumë të shpërndara dhe larg nga njëra-tjetra, nxënësit e mbetur në këtë fshat duhet të ecin në këmbë nga shtëpia e tyre deri në një pikë dalëse të fshatit, ku dhe vjen furgoni për t’i marrë.
“Fugoni nuk ka mundësi të vijë. I kemi thënë fugonit, nuk ka mundësi të vijë Ajo e bën prej këtu e te shkolla, unë them gjysmë ore e bëj unë, por ajo mundet ta bëjë edhe një orë me çantë në krah, prandaj unë nuk e dërgoj dot”,-rrëfen Durimi, babai i Anës, familja e të cilit, mes të tjerash ndodhet dhe në një gjendje të mjerueshme ekonomike.
Prindërit e Anës na tregojnë se vajza dëshiron shumë të shkojë në shkollë, pasi është e vetmja mënyrë për të për të kaluar kohën dhe socializuar, përpos mësimeve.
“Dua të iki thotë, jam mërzitur, dua të vete në shkollë. Ajo duhet të vejë në shkollë se mërzitet këtu. Do të dalë. Dua të dal thotë të vete. Të shikoj thotë atje, mësues e nxënës e të gëzoj atje. Këtu mërzitet. Ne kemi nevojë për xhade, që të vijë rruga ikën çupa në shkollë, ja kjo është zgjidhja. Kjo është”-trego Rrape Brahaj, e ëma e Anës.
Mungesa e rrugës izolon një fshat të tërë
Shqetësimin për rrugën dhe gjendjen e saj të amortizuar e kanë edhe banorët e tjerë të fshatit Levan. Ata rrëfejnë se ky fshat është lënë në harresë prej kohës së komunizmit, duke ndërhyrë vetëm për riparime të pjesshme.
“Kur i nis kalamajtë jam me frikë të madhe se qysh do dalin. Gjatë shiut, filloi dimri unë kalamajtë nuk i nis në shkollë se nuk del dot atje lart në shi në dëborë të dali atje te fugoni ta marri lart”,-tregon Ymer Vahaj, banor i fshatit Levan.
Ymeri shprehet se për shkak të vështirësisë që sjell rruga në lëvizshmëri, do të detyrohet të ndërpresë fëmijët nga shkolla.
Ndërsa Qani Lamaj, rrëfen se fshati ka vuajtur historikisht për shërbimet bazike.
“Jemi në hall të madh me rrugën. Ky fshat ka vuajtur dhe vuan për sa i përket problemit të rrugës, të shkollës, të ujit, të dritave, kemi shumë probleme. Sa i përket rrugës që kemi shumë nevojë faktikisht, kanë bërë ndonjë ndërhyrje, por këto janë ndërhyrje sa për të mbyllur gojën, nuk janë ndërhyrje për ti bërë nder fshatit. O ta bëjnë mirë, ose na zhdukni që këtu, të na heqin nga ky vend”, – tregon ai.
Fezo Hoxhaj, kryeplaku i fshatit Levan shprehet se fëmijët nuk kanë mbetur pa mësim. Ndërsa me përkeqësimin e motit, rruga bëhet më e vështirë, por gadishmëria e njësisë bashkiake ka qenë e pranishme.
“Unë si kryeplak e kam marrë drejtorinë gjithmonë në telefon, por drejtori më është përgjigjur për këto raste. Kur bie shiu nga malet,…shiko si janë rrëketë aty psh. Këto mbledhin shumë ujë. E kam marrë në telefon është prishur rruga në filan vend, më ka dërgua skrepin, më ka dërguar mjetet, e kemi riparuar atë rrugë. Fëmijët nuk kanë ndenjur pa mësim”,-rrëfen Fezo Hoxha për Citizens Channel.
Amortizimi i rrugës për banorët ka sjellë edhe pengesë për kryerjen e aktiviteteve të tjera sikurse transporti i produkteve bujqësore apo edhe vajtja te tokat bujqësore.
“Po bëj gati një dekadë e gjysmë që nuk kam rrugë te shtëpia të kaloj edhe me këmbë. Kështu vuaj edhe me prodhimet, me një hajvan, i marr ato i çoj në qendër, mbasandaj i transportoj me makinë kundrejt një pagese sa të dojë ai. Tani ne do rrimë pa rrugë, do vazhdojmë se këtej prishet rruga, poshtë nuk bëhet se s’ka fond qeveria, sikur nuk është normal”-tregon Kastriot Bello.
Kjo situatë përkeqëson sipas banorëve edhe aksesin në shërbimin shëndetësor, ku qendra shëndetësore më e afërt është ajo e fshatit të Sinjës, pasi në Levan nuk ka një të tillë.
“Në Sinjë, atje i kemi. Me ambulancë, komplet, doktor, atje i kemi të tëra. Ca të bëjmë, ku do të vemi”,-tregon Durim Brahaj.
“Esëmurë jam, kam vajtur pesë herë, isha e shtruar në spital…Gjej makina, kush të vijë, paguaj nga 30 mijë-40 mijë sa t’ju dojë qejfi atyre..”-shprehet Ankushe Rrapaj, banore e dalë në pension.
Fshati Levan ndodhet në kufirin e dy bashkive, atë të Beratit dhe Gramshit, ndërsa rruga lidh dy qytetet.
Levani, fshati pa ujë që nga kooperativa
Makina e Gëzim Dulaj është e vetmja shpresë e banorëve për ujin e pijshëm. Cdo mëngjes dhe pasdite, Gëzimi mbush ujë larg banesave të tyre dhe jua shpërndan banorëve.
“Unë nisem në 7 të mëngjesit dhe kthehem nga ora 10-10:30. Rrugën e parë. Rrugën e dytë e bëj mbasdite. Po kam nga muaji qershor e në vazhdim. Çdo vit. Po që marr ujë të pijshëm, ujë për të larë, për të shpëlarë, s’kemi ujë, as për të pirë as për të larë. Po jo se e kam marrë unë përsipër, unë vetëm marr për vete, marr edhe për banorët e tjerë, i ndihmoj se s’ka mënyrë tjetër, rrugëzgjidhje. Marrim ujë sa për të pirë tek unë. Për të larë për të shpëlarë marrin me gomar me hajvan …”-rrëfen Gëzimi.
Banorët nuk mbajnë mend të kenë pasur ndonjëherë ujë të rrjedhshëm në shtëpitë e tyre, duke e paralelizuar situatën të njëjtë me atë të kohës së komunizmit.
“Tërë kohën, deri në kohën e kooperativës nuk kemi pasur ujë. As ujë, kemi vuajtur për energji dhe vuajmë akoma edhe për drita, për rrugë edhe për ujë edhe për të gjitha mjetet e jetesës. Ujin e marrim ku të ketë ndonjë burim me hajvanë, me makina, ja siç është edhe ky shoku. Na i bie, mbushim ku ka burime…S’kemi se ku ashtu…Kemi bërë kushedi sa herë ankesë në komunë, ish komuna me një fjalë se tani njësia administrative”,-tregon Agron Vahaj për Citizens Channel.
Sipas banorëve në këtë fshat nuk ka pasur asnjëherë investime për ujin e pijshëm.
“Asnjë gjë. I themi komunës, do ta bëjmë, do ta bëjmë, asnjë gjë. As ujin edhe rrugën siç e shikoni siç është. Po mos të ishte kjo makinë nuk vinte uji me makina të tjera të ulëta”,-tregon Gëzim Dulaj.
Ndërsa gjatë muajve të dimrit kanë vendosur vetë disa tubacione nga burimet aty pranë.
“Uji, s’është kontribuuar kurrë në këtë fshat për një pikë ujë, të kenë lagjet, të pijnë një pikë ujë, të lajnë sytë, s’ka ujë të lajnë sytë. Kemi ato tubacionet, ato zorrat aty përdhe, por ato nuk janë as higjienike. Por ne nga e keqja çfarë do bëjmë, i marrim ato. Kështu që këto i kërkojmë, të bëjë një ndërhyrje shteti, të hedhi një sy edhe nga ne. Se ne sytë te shteti i kemi, s’kemi ku ti mbajmë gjetkë”,-rrëfen Qani Lamaj.
Mungesa e ujit, kryesisht gjatë muajve të verës ndjehet edhe më shumë për banorët, të cilët mbahen me bujqësi dhe blegtori.
“Kështu ndonjë pemë frutore kemi mbjell. Ndonjë ulli, qershia që bëhet. Kështu bëhet pak a shumë, pemë frutore bëhen po s’ka…ose këto vreshta bëhet, perimet bëhen, por ska ujë, me çfarë ti vadisim. Ato i mbjellim atëherë dhe hamë vetëm nja dy javë domate dhe piqen me pahir atëherë në gusht ato dhe pastaj s’ka më”,-rrëfen Agron Vahaj.
Sipas banorëve e vetmja zgjidhje e përkohshme është hapja e puseve, mirëpo kjo rezulton mjaft e kushtueshme për ta.
“Ne jemi shumë të shpërndarë si fshat, jemi lagje lagje. Po të dojë shteti e bën edhe ujë të pijshëm. Se shpon me një vend me sondë dhe ai del siç ka dalë atje te lokali. Dhe për nja lagje, 5-6 familje boll është. Me një vend jo, me një vend nuk bëhet llaf që të ashtu tërë fshati”,-argumenton Agon Vahaj.
/Citizens Channel