Sali Berisha dha këtë të hënë një sërë argumentesh që sipas tij faktojnë se akuzat e ngritura për të në çështjen “Partizani” janë të fabrikuara me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Berisha tha dosja e SPAK është “një kosh me gënjeshtra, shpifje të ulëta, manipulime dhe trillime monstruoze, të cilat faktojnë karakterin politik dhe amoral të masave të sigurisë të vendosura ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, këtij të fundit për fajin e vetëm se është dhëndri im”.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deklaroi se në dosje nuk jepet as dhe një provë, fakt apo dokument të vetëm se në procedurat e privatizimit të klubit Partizani është shkelur ndonjë ligj, normë apo praktikë ligjore e këtij vendi.
Berisha shtoi se nuk është gjetur asnjë provë se toka e kthyer 64 pronarëve të pesë familjeve të Tiranës, njëri prej tyre është Abi Malltezi, nuk ka qenë trashëgimi e tyre në breza, përveç pishinës, e cila, siç tha, ka qenë pjesë e klubit të Partizanit dhe ka qenë detyrim ligjor për t’u privatizuar dhe copëzat përreth të pronës, që detyron çdo pronar t’i blejë me çmim tregu.
“Në hetimin e tyre policesk 3-vjeçar, Edvini dhe larot e tij skapistë, në dhjetëra e dhjetëra dëshmi të ish-punonjësve publikë që kanë marrë pjesë në këtë procedurë, nuk kanë gjetur edhe pas 15 vitesh të përfundimit të saj, qoftë dhe një person të vetëm që të pohojë se kemi pasur ndërhyrjen më të vogël nga Sali Berisha apo Jamarbër Malltezi për këtë vendimmarrje. Ndjesë se harrova, në dacibaon e tyre, Edvini dhe skapistët e tij, kanë sjellë një dëshmi për Malltezin atë të një personi që thotë se më ofruan një apartament, por nuk mbaj mend se kush ma ofroi”, deklaroi.
“Procesin e privatizimit e nisi Nano, Rama ndryshoi destinacionin e klubit Partizani”
Berisha theksoi se klubi Partizani nuk ishte hequr nga Sali Berisha me asnjë vendim apo propozim të tij, nga plani i përhapjes së Forcave të Armatosura. “Ai, bazuar në dokumente zyrtare të firmosura nga komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosur, ky klub nuk ishte në listën e planit të hapjes së ushtrisë”, tha ai.
Një tjetër argument që solli është fakti se procesi i privatizimit të klubit Partizani nuk është nisur nga Sali Berisha, por është nisur nga Fatos Nano. “Mirëpo Edi Rama dhe larot e tij skapistë i fshehin këto dokumente dhe këtë fakt”, theksoi.
“Destinacioni i klubit Partizani nuk e ka ndryshuar Sali Berisha, por Edi Rama, madje edhe dy vite përpara se të përfundonte procesi i privatizimit, për arsye se sipas një dokumenti që mban firmën e tij, ky klub kishte humbur funksionin e tij. SKAP dhe Edi Rama i fshehin këto dokumente.
Pas tre viteve hetime policeske të Edvinit dhe larove të tij skapistë, të bazuara në kallëzim të rremë, duke mos gjetur asnjë provë reale për të ngritur akuzë zyrtare penale ndaj meje dhe dhëndrit tim, përfundoi në mjerimin dhe vetëposhtërimin e tyre duke vendosur masa sigurie dhe arrestim person në hetim për dyshime, pasi kanë mashtruar në mënyrë groteske, kanë fshehur dhe manipuluar në amoralitet të plotë dhe pafytyrësi qindra dokumente”, u shpreh kryedemokrati.
Berisha: Aludime groteske ndaj meje se reformën e pronësisë e bëra për dhëndrin
Kryedemokrati i cilësoi groteske akuzat për favorizim të dhëndrit në procesin e privatizimit të kompleksit sportiv Partizani.
“Në dacibaon e tyre, Edvini dhe laro shkruajnë si fakt kundër meje, se procesi i kthimit të pronave të klubit Partizani ka filluar në vitin 2007. Ky është një mashtrim publik që përbën vepër penale se bazohet në fshehje të dhjetëra dhe qindra dokumenteve zyrtare të organeve shtetërore, përfshi këtu vendimet e gjykatës. Këto dokumente faktojnë se procesi i kthimit të pronave ka filluar në vitin 1994 dhe ka përfunduar para vitit 2005. Po kështu, kthimi i pronave të grabitura nga regjimi i Enver Hoxhës këtyre familjeve, ka filluar në vitin 1995 dhe ata kanë marrë në përputhje me ligjin e kohës, një pjesë të pronave të tyre dhe ka vazhduar në vite deri në vitin 2009 me privatizimin”, tha Berisha.
“Në amoralitet të plotë politik, Edvini dhe larot e tij skapistë, aludojnë ndaj meje në mënyrë groteske se reformën e pronësisë dhe reforma të tjera themelore të programit të PD, amendimin e ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave, përdorimin e letrave me vlerë, i paskam ndërmarrë për të favorizuar dhëndrin tim pronar, i cili, e vërteta është se nuk ka marrë as 10 përqind të asaj që i takon. Sipas tyre, për këtë qëllim, unë amendova ligjin e vitit 2004 dhe zgjata me një vit afatin e dorëzimit të dokumenteve të ish-pronarëve, për të kërkuar pronat e tyre”, shtoi ai.
“Këtu mund të përdorja çdo epitet, por po i pyes këta me nder ish-zyrtarë: po Fatos Nano, që para meje kishte zgjatur me dy vite, afatin në këtë ligj, për pronarët, për dorëzimin e dokumenteve të tyre, e bëri këtë për dhëndrin tim? Sharlatanë mjeranë, jeni turpi i ligjit dhe keni moralin e Edvinit. Ligji 9533, 17.7.2006, nuk kishte për qëllim vetëm shtyrjen e afateve, por solli shumë risi të tjera në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave. Në parim ai ligj synonte të mbronte interesat e shtetit, por synonte njëlloj mbrojtjen e pronësisë private të subjekteve të shpronësuara. Kështu, u vendos që të mos hetoheshin kërkesa bazuar vetëm në vendime gjyqësore, por të përdoreshin dokumente të gjera për të vërtetuar saktësisht pronësinë dhe origjinën e saj”, tha Berisha.
Në lidhje me shtyrjen e afatit të pranimit, shtoi, e kemi bërë këtë sepse kishte shumë pronarë që nuk kishin plotësuar dokumentet. “Kjo është bërë edhe në vitin 2008. Një praktikë rutinë pothuaj”, shpjegoi.
“Në këtë reformë u parashikua edhe e drejta për t’iu drejtuar gjykatës, por në çdo rast, për rivendosjen e të drejtës për të kërkuar rivendosjen në afat të të drejtës së pronësisë. Pra, nëse administrata brutalisht ia mohonte atij se iku afati, qytetari shkonte në gjykatë dhe vendoste afatin. Ligji i ri për kthimin dhe kompensimin e pronave, solli ndryshimin e të drejtës së kompensimit dhe për vendimet e mëparshme të ndërmarra nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave me ligjet e vjetra, të shfuqizuara të marra bazuar vetëm në një vendim gjyqësor. Ky kompensim sipas ligjit të ri do bëhej bazuar në dokumentacionin e parashikuar në ligjin 9533, pra nuk lejohej kompensim për vendime të marra me vendime gjyqësore. Fakti është se pati edhe abuzime. Kjo reformë solli të drejtën e Avokaturës së Shtetit dhe drejtorit të përgjithshëm të AKKP, për të rishikuar vendimet që ishin në kundërshtim të hapur me ligjin. Në këtë reformë, u rritën kufizimet në abuzime në krahasim me ligjin e mëparshëm, i cili u njihte në mënyrë absurde të drejtën e kthimit për pasuritë që ishin blerë më parë nga persona të tretë për ndërtime. Pra, mori fund ky absurditet”, vijoi Berisha.
Dëshmitarët
Berisha u shpreh se si argument kudnër tij, “me malinjitet të plotë”, si SPAK ka përdorur ndryshimin e modelit të institucioneve të administrimit të pronave, kalimin nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Agjenci të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.
“Në këtë rast shtoj se ishte ky model që me funksionimin e tij, arriti në dixhitalizimin e kadastrës, proces të cilin pas certifikimit nga Banka Botërore, kjo e fundit vendosi ta rekomandojë edhe për vendet e tjera. Në këtë kadastër të dixhitalizuar, Artan Lame dhe hajdutët e tij, kanë zhdukur 13 mijë tituj me pretendimin se kishte çrregullime. Fatmirësisht ajo ka një arkivë dhe Artan Lame do të japë llogari për çdo titull që ka vjedhur në regjistrin dixhital”, tha Berisha.
Kryedmeokrati u ndal edhe te dëshmitarët e pyetur nga SPAK. “Edi Rama dhe larot e tij skapistë, ndalen me paturpësi te emërimi në krye të AKKP të një zonje të nderuar, Justina Boriçi, të cilën e marrin në pyetje sikur në një stacion të policisë sekret, dhe e pyesin nëse e kishte takuar Sali Berishën para emërimit, nëse e njihje Sali Berishën”, tha ai. “Sali Berisha, persona që nuk i njihte, nuk mund t’i emëronte. Sepse ishte i emëruar për shkak të detyrës të kishte CV e tyre, të njihej me integritetin e tyre sipas dokumenteve, të njihte nëse pranonin apo nuk pranon detyrën. Kjo është praktika standarde më normale. Të njëjtën pyetje u bëjnë Edi Rama dhe larot e tij, personave që zonja Boriçi ka emëruar në AKKP”, shtoi.
Letrat me vlerë
Ai u ndal edhe te akuza e prokurorisë se një ndryshim ligjor nga qeveria që ai drejtonte që lejonte blerjen e pronave shtetërore duke përdorur letra me vlerë është përdorur për favorizimin e Malltezit si ish-pronar.
“Në kuadrin e përbaltjes time, Edi Rama dhe skapistët e tij mjeranë, ndalen gjerësisht në përdorimin e letrave me vlerë në procesin e privatizimit. Madje këtu, skapistët e pafytyrë, përdorin një fragment, në kundërshtim me Kushtetutën, i cili nuk ka asgjë tjetër, por veç thjesht, siç përdorin videot erotike për të mbuluar horllëqet e tyre, përdorin një dialog timin me Ridvan Boden dhe Genc Rulin, ku unë mbroj linjën programore të përdorimit të letrave me vlerë për blerje nga ish-pronarët, e filluar që në vitin 1994-1995 dhe e shpërndarë në miliarda lekë. Dhe me këtë, kanë menduar se do mund të ushqejnë etjen e shpifësve të paguar të qeverisë. Meqenëse e kanë lidhur me blerjen e dhëndrit tim me pronën, informoj shqiptarët se vendimi ka dalë 1 muaj pasi dhëndri im kishte paguar lekët për 90 përqind të detyrimeve që kishte ndaj shtetit nga procesi i parablerjes së privatizimit. 10 përqind që nuk kishte paguar, ligji ia njihte që ta paguante me letra me vlerë. Letrat janë përdorur për blerje dhe parablerje nga të përndjekurit politikë dhe ish-pronarë. Dhe prapë i garantoj se ato nuk janë anuluar. Për të gjitha këto, ekzistojnë dokumente të fshehura nga shpifësit skapistë”, tha.
Akuzat e Vladimir Qirjazit
Berisha foli edhe në lidhje me akuzat se shkarkoi gjeneralin Vladimir Qirjazi pasi doli kundër privatizimit të kompleksit sportiv. Berisha tha se Qirjazi u shkarkua nga task-forca antikorrupsion dhe nga një komision i pavarur, i cili e gjeti në shkelje.
“Një argument tjetër kundër meje i Edi Ramës dhe skapistëve të tij laro është përdorimi i urdhrit të kontrollit që unë kam firmosur për bllokimin antiligjor të procesit të privatizimit të klubit Partizani nga delinkuentë që shpërbleheshin për këtë bllokim nga mafia e krijuar në klubin Partizani. Lidhur me këtë pretendim, sqaroj sa vijon: kryeministri i Shqipërisë ka firmosur gjatë viteve 2005-2008, qindra e qindra urdhra kontrolli që i silleshin atij nga departamenti i luftës kundër korrupsionit. Nuk ka refuzuar një të vetëm. Urdhra të tjera janë firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm dhe drejtori i departamentit. Por në rastin konkret, sqaroj se departamenti ka nisur kontrollin me urdhër të kryeministrit të datës 16.4.2009, bazuar në ankesën e familjeve pronare të truallit, të cilat akuzonin për korrupsion të madh në bllokimin e procesit. Departamenti e kishte objekt të punës kontrollin e zbatimit të të drejtave të pronësisë nga administrata. Në konkluzion të kontrolleve, në rast të konstatimit të paligjshmërisë, prona i kthehej shtetit. Departamenti ka ushtruar kontroll me objekt kontrollin e procedurave të dorëzimit të pronës së privatizuar. Prona ishte e privatizuar”, tha kryedemokrati.
“Shteti shqiptar, këtyre pronarëve, nga viti 2004, deri në ditën e daljes së kontrollit, duhej t’u paguante për 38 mijë metra katrorë, qiranë me vlerën e tregut që paguhej nga të zotët. Nga kontrolli janë konstatuar faktet për hapat e ndjekur në vite për garantimin e zbatimit të ligjit. Janë konstatuar një numër akte dhe shkeljesh, duke identifikuar ku ishte bllokuar procedura. Pronarëve iu ishte njohur prona, iu ishte kthyer prona. Kishin paguar paratë e privatizimit, por bllokohej procesi. Komanda mbështetëse, me drejtues gjeneral Vladimir Qirjazin, ky personalisht ishte bllokuesi kryesor. Cilido që lexon akuzat e tij, e kupton mirë se ai me ato që thotë vetë, fakton se klubi Partizani, drejtori i tij, kishin përfunduar në tokën e askujt. Në një kohë kur ai ishte përgjegjësi numër një shtetëror për pronësinë e tyre”, shtoi.
“Vladimir Qirjazi u rrëfen skapistëve të Edit se dërgova ekipin, kur më kërkuan me forcë, për kontabilizim. Ma përzunë, nuk e lanë të futej. Po kush? Mafia, e cila ushqente me para. Paguheshin. Për rreth 3 vjet nga dalja e urdhrit, nga viti 2006 deri në vitin 2009, kjo komandë nuk kishte përfunduar marrjen në dorëzim të pronës dhe regjistrimin në ZRPP. E merrte në dorëzim, ishte apo nuk ishte dakord, kjo është punë tjetër, por zbatimi i urdhrit të ministrit për ta marrë në dorëzim, për ta regjistruar në ZRPP, e them këtë se që nga viti 2000, ishte tokë pa zot. Kurse Ismail Lleshi si ministër u lëshoi urdhër në vitin 200o që ta merrnin në pronësi. Se kur shkoi komisioni i kontrollit i departamentit tonë, gjeti 40 pushtime. Aty kishte hotele, ata paguanin. Aty kishte ndërtesa të tjera, ishte mbushur plot. Ata paguanin, se kujt, shtetit jo, asnjë lek. Urdhri për marrjen në dorëzim dhe administrim ka dalë në vitin 2006, ndërsa procedura e privatizimit është çelur nga Ministria e Ekonomisë në vitin 2007. Pra, urdhri i marrjes në dorëzim nga komanda mbështetëse ishte detyrim, i palidhur me privatizimin”, u shpreh më tej.
“Qirjazi nuk ka kundërshtuar urdhrin e marrjes së urdhrit në administrim dhe kontabilizim si të paligjshëm, përkundrazi ka ndërmarrë hapa duke kërkuar regjimin në ZRPP, por nuk e ka ndjekur deri në fund regjistrimin, duke u mjaftuar çuditërisht vetëm me konstatimin e mosregjistrimit. Kjo përgjatë një periudhe 3-vjeçare. Po ashtu Qirjazi ka nxjerrë urdhër në mars të vitit 2009 për lirimin dhe marrjen në dorëzim të objekteve. Grupi ka lënë një muaj afat për lirimin e objekteve. Pas kalimit të afatit nuk ka ndërmarrë hapa të tjerë për ekzekutimin e urdhrit. Qirjazi konstaton vetë se SH. A Partizani qëndron pa dokumentacion në objekt. I ka kërkuar klubit praktikën dokumentare, dhe nëse nuk i dorëzohet, duhet të ndërpriste menjëherë përdorimin e ambienteve. Pra, ka pranuar se duhet të zbatojë urdhrin, por nuk e ka çuar deri në fund. Dokumenti ka konstatuar këto shkelje dhe se mosvjelja e detyrimeve ndaj shtetit, ka sjellë dëm të konsiderueshëm në formën e fitimit të munguar. Po ashtu, ligji i pronave detyron pagimin e qirasë. Vonesa 3-vjeçare e qirasë së munguar kishte shkaktuar dëm financiar. Departamenti rekomandon përmbylljen e procedurës së marrjes në dorëzim nga pronari sipas akteve dhe ligjeve në fuqi”, tha ai.
“Në atë kohë, Departamenti i Antikorrupsionit kishte vetëm dy inspektorë kontrolli juristë dhe të tjerët ishin ekonomistë. Përgjithësisht, anëtarët e departamentit vinin nga Kontrolli i Lartë i shtetit me eksperiencë në kontroll dhe audit. Tani vijmë te rasti i Kadiut, kushëririt të Abi Malltezit. Është e vërtetë që ka shkuar, por ai që lexon ligjin, ai ka një përcaktim, njeriu në konflikt interesi bën deklaratë që jam në konflikt interesi. Dhe nëse ka shkelur ligjin, ndaj tij mbahet çdo qëndrim. Unë nuk kam pasur asnjë dijeni, se natyrisht nuk do shkonte kurrë. Por nuk ka pasur asnjë pasojë, pasi aty ka qenë edhe inspektori tjetër dhe asnjë nga gjetjet e tyre nuk është kundërshtuar dot. Përkundrazi, Qirjazi ka bërë çdo gjë që t’i zbatojë ato rekomandime. Por, Qirjazi që ata e bëjnë personazh në gjysmën e aktpadisë, duhet t’u them se jo nga ne, por nga socialistët është nxjerrë nga shërbimi fill mbrapa“, shtoi Berisha.
Firmat e Ramës. Berisha: Leje dhe nga Veliaj e Basha
Berisha risolli në vëmendje edhe firmat e kreut të qeverisë Edi Rama lidhur me privatizimin e kompleksit sportiv.
“Në dacibaon e tyre, Edi Rama dhe larot e tij kanë aludime, shpifje dhe trillime nga më banalet. Për shembull, u amendua ligji për të ndihmuar pronarët, në një kohë kur ligji është amenduar më 17 korrik 2006, kurse Edi Rama në qershor të vitit 2006, ka firmosur kthimin nga terren sportiv, në terren urban. Dy vite para se të përfundonte privatizimi. Dy vite para se të jepeshin lejet e ndërtimit. Por pse e ka bërë këtë? Ka një dokument që ata e fshehin. Dokumenti thotë, me firmën e Edi Ramës, se ky terren ka humbur funksionin e tij. Në paçavuren e tyre, rendisin si argument se Sali Berisha, kryetar i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, ka firmosur planin e ndërtimit në parcelën e klubit Partizani për 17 pallate. Sali Berisha nuk ka asnjë firmë te veten për këtë çështje që nuk ka dërguar Edi Rama. Për dijeni, Edi Rama është jo vetëm autori i genplaneve, i planit të ndërtimit të çdo parcele, por është edhe autori që ka verifikuar pronësinë në përputhje me ligjin e të gjitha parcelave dhe kanë firmën e Bashkisë së Tiranës. Sepse ashtu e kërkon ligji”, deklaroi ai.
Berisha sqaroi se lejet për ndërtim në truallin e ish-kompleksit kanë dhënë edhe ish-kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha dhe ai aktual Erion Veliaj.
“Edi Rama fshihet dhe lakejtë e tij shkruajnë: të 17 kullat e ndërtuara në këtë parcelë, në këtë tokë, lejet e tyre janë dhënë nga Edi Rama. U them këtyre mjeranëve që kanë frikë si Rama nga vetja e tyre, dy leje ndërtimi i ka dhënë Edi Rama. Lejet e sheshndërtimeve i ka dhënë Edi Rama. Dhe janë dokumente që i fshehin këta. Katër leje ndërtimi ka dhënë Erion Veliaj, për të mos folur më tutje. Të tjerat i ka dhënë Lulzim Basha. Pra, këta kalojnë në shpifje banale”, tha ai.
Aksionet te kompania “Homeplan” shpk
Kreu i PD u ndal edhe te akuzat për aksionet e Malltezit te shoqëria “Homeplan”, ku bashkëpronar është dhe Fatmir Bekteshi – edhe ai nën akuzë në të njëjtin procedim si Malltezi.
“Së pari, për të ushqyer mediat proqeveritare, me gënjeshtra dhe mashtrime, Edi Rama dhe larot e tij, përdorin një letër, një korrespondencë të mbesës sime me të atin dhe i bëjnë pyetjen asaj, shikoni cinizmin e tyre, ta pyesim pak këtë vajzë, si u bë babai yt kapitalist me 20 milionë euro, kur nuk ishte bashkëpronar në kompaninë Homeplan. Tani, për çdo shqiptar, Abi Malltezi është bërë me 20 apo 22, pa qenë në shoqërinë Homeplan por duke qenë ortak i saj me kontratë. Dhe njëherë, kontrata nënkupton përgjegjësi të pakufizuar. Kontratë të regjistruar nga noteri. Është bërë pronar si vijon: Së pari, ka qenë pronar toke. Ka pasur parcelën e tokës së tij. Ka blerë parcela nga kushërinjtë e tij, që nuk kanë dashur të ndërtojnë. Së dyti, ka investuar që në fillim me dokumente zyrtare 60 milionë lekë. I fshehin të gjithë. Së treti, kanë qindra dokumente se ka shitur në gropë, siç shesin shumica e ndërtuesve. Ka shitur me çmim qartësisht nën tregun se ka qenë parapagim. Dhe për çdo metër katror, ekziston çdo dokument. Por këta shpifës të paguar, për të hedhur tym, shtrojnë pyetjen se si u bë. Shit në gropë, duke humbur në çdo shitje, se e zgjodhi vetë. Dhe kanë të vërtetuar në dogana, tatime dhe organin e larjes së parave, çdo qindarkë të tij”, tha Berisha.
Berisha: Hakmarrja ndaj Argita Malltezit sepse Ramës i përmenda skandalin e tenderave të thjeshtrës
Në dosjen hetimore, SPAK përfshin edhe deklarimet e vajzës së Berishës, njëkohësisht bashkëshortja e Jamarbër Malltezit, Argita Malltezi, në ILDKPI.
“Malinjiteti dhe keqësia e Edi Ramës, hakmarrësit primitiv dhe këtyre larove të tij, kulmon kur në tre ose katër raste shkruajnë se Abi Malltezi mori dividentin dhe Argita Malltezi nuk e deklaroi në të ardhurat e veta në ILDKP. Tani këtyre individëve që përdhosin ligjin dhe drejtësinë, u them kaq: jeni ose skllevër të Edi Ramës, ose injorantë në ekstrem. Argita Malltezi ka deklaruar pasuritë e veta edhe dy vite para se ta detyronte ligji, kur i ka deklaruar i ati. Argita Malltezi ka deklaruar çdo vit, por ligji i ILDKP nuk detyron lidhjen e lidhjes. Argita Malltezi nuk deklaron pasuritë sepse është funksionare, deklaron pasuritë për shkak të të atit. Jamarbër Malltezi nuk është subjekt i ILDKP dhe asaj i është thënë nga drejtues të ILDKP se nuk deklarohet lidhja e lidhjes”, tha Berisha.
“Këta përdhosës të ligjit, për të akuzuar vajzën time për llogari të Edi Ramës, nuk i referohen ligjit të ILDKP, por ligjit të bashkësisë familjare, por edhe atë e interpretojnë sipas oreksit të Edi Ramës. Sepse edhe ai ligj e përjashton. Ai ligj thotë se të gjitha janë bashkë, përveç pasurisë që vjen dhe fitohet nga trashëgimia. Argita Malltezi nuk ka asnjë qindarkë nga trashëgimia e bashkëshortit. Trashëgimia e bashkëshortit ka qenë Begeja, gjyshja e tij”, shtoi.
Kryedemokrati akuzoi se hakmarrja ndaj Argita Malltezit vjen sepse denoncoi thjeshtën e Ramës në përfitimin e tenderave në kundërshtim me ligjin.
“Edi Rama, Argita Malltezi, që nga vitet kur ka marrë rrogën e parë si pedagoge e gjer më sot, nuk ka fituar kurrë si kontraktore apo nënkontraktore nga sektori shtetëror apo publik. Jo, sepse këtë e ndalon ligji, e ndalon Kushtetuta dhe ajo është njeri i ligjit. Kurse, si hakmarrje pse unë të kam përmendur thjeshtrën ty, Edit dhe Lindës u them sa merreni me vajzën time, këshillojeni vajzën e shtëpisë. Sqarojeni se Kushtetuta nuk e lejon të marrë pjesë në tendera as direkt dhe as indirekt. Dhe ajo si shushunjë ka thithur gjakun e të varfërve shqiptarë duke marrë pjesë në dhjetëra e qindra tendera. Duke përdorur pushtetin e thjeshtrit për t’i fituar ato fët e fët”, tha Berisha.
“Ia them këtu Edi Ramës se do lësh pushtetin për shkak të saj. Se mandati yt është djegur dhe se je i pashpresë. Kurse mamasë së saj i them, vajzën më mirë këshilloje të mos bjerë viktimë e pangopësisë në para. Po si vajzë e shkolluar të respektojë ligjet e vendit”, shtoi ai.