Emisioni “Në Shënjestër” ka trajtuar këtë të mërkurë arrestimin dhe gjithë operacionin që nxorri zbuluar shqiptarin Ardian Sufaj, i cili trafikonte drogë nga Amerika Latine drejt Evoprës.
Gjatë dokumentarit zbulohen po ashtu përgjime nga autoritetet italiane, të cilat i ishin vendosur pas 39-vjeçarit.
Dokumentari:
Ai ishte një sipërmarrës i fuqishëm në botën e narkotikëve, madje mund të thuhet një ndër më të suksesshmit dhe të besuarit e karteleve të drogës në Amerikën e Jugut. Ai specializohej në kanalizimin dhe finalizimin e linjave të bardha të transportit detar të kokainws që nisnin nga Ekuadori dhe përfundonin në tregjet e etura italiane të drogës. Ardian Sufaj, ky 39 vjeçar shqiptar kohën më të madhe të jetës së tij, e kishte shpenzuar si një “broker” i drogës.
Ashtu si edhe çdo i ngjashëm i tij, pavarësisht sofistikimit të gjuhës së koduar dhe mjeteve logjistike, ai nuk do të ishte i aftë të kuptonte në një moment, se fundi i tij sapo ishte vulosur nga agjentët italianë të antidrogës. Ky fund i palavdishëm do të vinte pasi ai ia besoi ngarkesën e fundit me drogë një drejtori porti, që në fakt nuk ishte askush tjetër vetëm se një agjent i infiltruar nga policia italiane. Agjenti i kamufluar arriti tinëzisht të bindte me sukses 39 vjeçarin shqiptar, se ai e kishte çdo gjë në kontroll dhe çdo gjë brenda portit ishte në komandën e tij.
Përpara se të arrestohej në Shëngjin në muajin qershor të këtij viti, Ardjan Sufaj, ishte i njohur edhe për një tjetër episod të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ndoshta episodi i fundit para se karriera e tij si narkotrafikant me nam ndërkombëtar, të merrte rrokopujën.
Por si ranë agjentët italianë të antidrogës, në gjurmët e Ardjan Sufaj dhe grupit të tij të bashkëpunëtorëve? Çfarë e fundosi atë pa kthim?
Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’ gjithçka nis në muajin shkurt të vitit 2022. Atëherë është koha kur Guardia di Finanza e qytetit të Spezias siguron një informacion të dobishëm mbi një trafikim të dyshuar kokaine të kryer nga deti nëpërmjet një kontenieri që vinte nga Amerika e Jugut. Trafik që sipas burimeve që ata kishin mbledhur drejtohej nga një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, e kryesuar nga dy persona tashmë të dënuar për krime të ngjashme, të njohur tashmë si Ardjan Sufaj dhe Andiol Xhindoli.
Guardia di Finanza
Nga të dhënat e mbledhura, rezulton se të dy këta persona, duke filluar nga muaji shtator 2022, kanë punuar në mënyrë konkrete, me qëllim për të rekrutuar një subjekt që mund të ishte i aftë të operonte lirisht brenda një zone portuale të Ligurias.
Subjekt që do ti delegonin detyrën për gjetjen dhe nxjerrjen e një sasie të madhe kokaine që organizata e sipërpërmendur. ishte në proces prokurimi dhe që do të dërgohej në rrugë detare nga Amerika e Jugut me kontenierë. Duke përdorur metodën e njohur të së ashtuquajturës. ‘Rip-off’.
Pra siç shikohet edhe nga dosja hetimore italiane, pasi kanë siguruar drogën në Amerikën e Jugut dhe tranportin e saj detar, dy kokat shqiptare të narkotrafikut, tashmë ishin në një përpjekje serioze për ta futur në tregun italian. Për ta bërë këtë gjë, atyre u duhen ta kalonin sasinë e madhe të kokainës, pa telashe, në një nga portet e Ligurias, gjë për të cilën u duhej medoemos korruptimi i punonjësve të portit.
Guardia di Finanza
Metoda ‘Rip-Off’, konsiston në futjen e substancës narkotike, të mbajtur në thasë, brenda kontenierëve të parazgjedhur dhe drejtuar palëve të treta që nuk kanë lidhje me trafikun e paligjshëm, ku një vulë e klonuar futet në një qese, me të cilën më pas rivuloset edhe njëherë kontenieri që mban brenda drogën, kjo me qëllim për të fshehur hapjen e tij klandestine.
Proces që ka për qëllim rikuperimin e kokainës në destinacionin e saj, edhe para se kontenieri të largohet nga zonat doganore.
Operacion i ndërlikuar që kapërcehet përmes kontributit logjistik/të punonjësve të korruptuar të ngarkimit në port, të cilët merren me tërheqjen e lëndës narkotike nga kontenieri.
Për tu kthyer te rasti, me qëllim realizimin e planit kriminal, dy shqiptarët, Ardjan Sufaj dhe Andiol Xhindoli, ia besuan operacionin e korruptimit të doganierëve në portin e Ligurias, shtetasit italian Stefano Carafiglia (Stefano Karafilia).
Rezulton se me këtë të fundit ata kishin njohje të vjetra, pasi dikur ata thuhet se kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin në shpërndarjen e drogërave në banesa dhe në sheshet kryesore të qyteteve italiane.
Sipas dosjes së përgatitur nga Guardia Di Finanza, ishte Carafiglia (Karafilia), ai që i premtoi fillimisht Sufajt dhe Xhindolit, gatishmërinë e një zyrtari të lartë të korruptuar në Autoritetin Portual të Xhenoas.
Ai do t’u mundësonte falë pushtetit të tij në port, kalimin pa probleme të sasisë me drogë që vinte nga Amerika e Jugut.
Për Sufaj dhe Xhindolin ky ishte një shans i artë të cilin nuk mund ta linin t’u shpëtonte nga duart. Për të këtë arsye ata nuk vonuan, dhe kërkuan takim me drejtorin e portit.
Ky takim u krye më 26 Tetor 2022.
Sufaj dhe Xhindoli, nuk kishin nga ta dinin se Gian (Xhan) drejtori i portit, nuk ishte veçse një karrem policor për të peshkuar ata dhe tonelatat me drogë që ata do të sillnin nga kontinenti i largët.
Guardia di Finanza
Më 25 tetor 2022, për të monitoruar lëvizjet dhe bisedat e zyrtarit të ‘korruptuar’ të Autoritetit Portual Gjenovez të njohur si
‘Gian’, që në fakt është një oficer i policisë gjyqësore të Guardia di Finanza, që fshihet nën emrin e sajuar Giampaolo Sanguineti, u aktivizuan menjëherë përgjimet ambientale dhe ato telematike.
Sipas dosjes hetimore, takimi i parë mes ‘Gian’, në këtë rast agjentit të infiltruar dhe fillimisht Ardjan Sufajt, u caktua të kryhej siç thamë, pasditen e datës 26 tetor 2022 në Xhenova. Palët u takuan në parkingun pranë daljes së kabinës së pagesës së ‘Genova East’.
Në prani të tyre ishte edhe Stefano Carafiglia.
Përgjimi
Sufaj: ‘…përshëndetje…Ardian…’
Gian: ‘…përshëndetje, kënaqësi…Gian..(Xhan)’
Pa humbur kohë, Ardjan Sufaj, i përshkroi Gian-it, vendin sekret ku do të fshihej droga, si edhe qëllimin e tij kriminal për dërgimin sistematik të sasive të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut në Xhenova me të ashtuquajturën metodë ‘RIP-off’.
Ai përmendi edhe faktin që çdo qese me drogë do jetë e pajisur me një pajisje GPS dhe një vulë ‘klon’ me të cilën mbyllet i njëjti kontenier , më qëllim për të vërtetuar mbërritjen e tyre në destinacion dhe , për të fshehur hapjen klandestine.
Përgjimi
Gian: ‘…duhet t’i thuash ‘të më lërë të gjej vulën brenda çantës’…
Sufaj: ‘…duhet të lë ta gjesh?…”
Gian: ‘vulë…’
Sufaj: ‘…po…po…’
Gian: ‘…e hap enën, e thyej. e vulos dhe pastaj duhet ta mbyll përsëri…’
Sufaj: ‘…po…po sigurisht…’ ‘…ka një gps. brenda… ka gjithçka…’
Gian: ‘… ti më thuaj ok gps…, vulën mund ta gjesh atje… në thes kështu…’
Sufaj: ‘ ..kështu që kur të ngarkoj frutat…banane apo çfarëdo tjetër…kam numrin e kontenierit…kompaninë…anijen…më tregoni se cilën anije preferoni…
Gjatë kësaj bisede, siç shikohet edhe më tej në përgjime, Sufaj kërkon siguri nga Gian.
Ai i kërkon atij mbështetje operacionale ‘nga brenda’ me qëllim që të mund të garantohet rikuperimi dhe nxjerrja e lëndës narkotike nga zona e portit gjenovez.
Përgjimi
Gian: ‘…duhet të më garantosh që kontenieri të zbarkohet në Xhenova…’
Sufaj: ‘…ju garantoni këtë. ju më jepni daljen…’
Gjatë bisedës dëgjohet po kështu teksa Sufaj referon portet e Ekuadorit dhe Kosta Rikës, si pika nisje për kontenierët me drogë. Kjo për faktin se në këtë vend kontrollet janë më të dobëta, se në vendet e tjera të Amerikës Latine.
Përgjimi
Sufaj:’…Më duhet lista e anijeve që nisen duke përfshirë Xhenova…kështu që kam Ekuadorin.. Kosta Rikën…’
‘…Unë preferoj Kosta Rikën sepse Kosta Rika është më pak e kontrolluar.
Duket se Sufaj dhe bashkëpunëtorët e tij amerikanojugorë, kërkojnë siguri, përpara se të dërgojnë tonelata me drogë përmes portit të Xhenovas.
Për këtë arsye ai i thotë Gian se do të organizojë një dërgesë të parë ‘provë’ prej 50 kg kokainë.
Kjo me qëllimin e vetëm për të testuar besueshmërinë dhe aftësitë efektive ‘të punës’ së ‘Gian’.
Përgjimi
Sufaj. : ‘…Së pari bëjmë një test..’
‘…Le të bëjmë 50…’
‘…50 është mirë…ne jemi këtu duhet të flasim për punën. ..është e qartë akulli që duhet të thyejmë… Më duhet të të shoh ashtu siç është puna jote…’
‘…Sa do më këtë peshë?…
Gian-. ..200 000…
Sufaj : ‘Të thyesh akullin për mua është në rregull 200 mijë euro. A i do para…apo dëshiron të paguhesh në cash…
Sufaj: Akulli përdoret për të parë se sa i zoti je në punën tënde… Unë jam i mirë në timen…’.
Në bisedë e sipër Sufaj i thotë Gian, se ai dhe bashkëpunëtorët e tij, përdorin për biseda të ndërlikuara si këto, një telefon të gjeneratës së re. Telelona që sipas tij janë të padeshifrueshëm nga teknologjia.
Përgjimi
Sufaj: ‘…Do t’ju them diçka, kemi një telefon si ky…’
‘Për punë…’
‘… do t’ju sjell… është një telefon që nuk përgjohet… nuk ka numër…’
‘….Nuk bën telefonata, ky vetëm bën kontakt me kontakt…e mbaj…është e imja, sepse kam kontakte të tjera.
Siç shikohet Sufaj e siguron Gian se do ti japë edhe atij një telefon si ky që ai mban.
Agjenti i infiltruar
‘…Ardiani më thotë se do të përdorim një të pandërprerë. telefon vetëm për këtë punë dhe pastaj do ta hedhim. Ai më tregoi një telefon të bardhë dhe më tha se është izraelit dhe kushton 1 700 €, përveç pagesës mujore 900 € dhe e përdor për kontakte të tjera, por edhe me mua do të përdorë një të tillë të dedikuar.
Sufaj nuk vonoi dhe e solli telefonin e koduar më 28 Tetor 2022, nëpërmjet Stefano Carafiglias.
‘Gian’ e siguroi tashmë ‘mikun’ e tij se ishte në gjendje të rimarrë kokainën edhe nëse kontenieri ishte dërguar në ‘zonën e kontrollit’ për t’iu nënshtruar më pas një monitorimi doganor apo policor.
Përgjimi
Sufaj: Ju merrni kohën tuaj, mjafton që kontenieri të mos skanohet.
‘…duhet ta bëni përpara se ta skanoni… do të dini çfarë të bëni, nuk kam pse t’ju mësoj këto gjëra.. .’
‘…pastaj ti shko në anën tjetër, jashtë unë marr mallin…’
Gian: ‘…sigurisht pastaj funksionon kështu, ka disa kontenierë që mbërrijnë ok.
Nga e premtja unë vendos se cilat të kalojnë në shikim…
Sufaj i thotë Gian se do flasë me kontaktin e tij në Amerikën e Jugut për të sjellë ngarkesën e parë testuese me 50 kg kokainë.
Duket se tashmë pas bisedave të para, ai ka filluar të ketë besim te Gian.
Përgjimi
Sufaj: ‘…Unë do të flas me kontaktin tim atje..’ ‘…nëse më thotë se anija niset për tre ditë, a je atje?
Gjithsesi, duhen 28 ditë për të ardhur këtu, ti e di.. .’
Gian: ‘…Do të organizohem vetë… ‘.
19-
Në fakt ‘Kontakti i huaj’, më pas do të dalë se është një ‘burrë shqiptar’ i panjohur, ivendosur pikërisht në zonën e Amerikës Latine dhe i njohur si ‘Akrepi’ i Shkodrës, një qytet në veri të Shqipërisë.
Duke konstatuar natyrën dyshuese të Ardian Sufaj, pavarësisht se ky i fundit duket se e ka ngrënë karremin, Gian i ofron atij edhe një favor.
Kështu, më 26 Tetor 2022, Gian e fton Sufaj, të shikojë nga pranë në mënyrë demonstrative, lirinë që ai ka për të lëvizur brenda portit detar të Xhenovas, ‘Sampierdarena’.
Pikërisht në terminalin e fundit, aty ku më 14 dhjetor 2022, nga kontenieri TLLU4234148 i përdorur nga organizata me qëllim importimin nga Guayaquil Ekuador të 100 kilogramëve kokainë, do të zbarkohej nga anija ‘Katherine’, sasia e drogës.
Sufaj tregoi për Gianin edhe episode të tjera që i atribuohen aktiviteteve të trafikut të drogës të kryera me metodën Rip-off.
Ai rrëfeu se si më parë kishte shfrytëzuar nëpërmjet kësaj metode portin e Roterdamit në Holandë, ndërkohë që sipas tij një ngarkesë tjetër ndodhej në portin e Livornos.
Përgjimet
Sufaj: ‘Tani ka ardhur dikush dje në mbrëmje… ngarkuar në Livorno …nuk jam direkt, ka një tjetër…por unë do ta marr shitjen…
‘…sonte a nesër do të tentojnë ta vjedhin…hajdutët i kam paguar…’
‘…hajdutët nuk hyjnë në port…’
‘…ne kemi GPS, e di saktësisht kur të mbërrijë…
‘Këtë e kam bërë në Livorno shumë herë…para një muaji mora 300…’
Sufaj në përgjime flet edhe për Portin e Durrësit dhe si e korruptuan aty një oficer të lartë policie.
Ky i fundit sipas tij në një rast kishte lejuar mos sekuestrimin e 500 kg kokainë, kundrejt dorëzimit të 50 kilogramëve për t’i dhënë besueshmëri veprimtarive që ai kryente atje.
Përgjimi
Sufaj: ‘Shiko unë kam bërë disa punë në Durrës…..’
‘…Ju siguroj që nuk kam hy një herë…e njoh kapitenin…ka qenë kapiteni që e ka bërë punën…
Ai personalisht …urdhëronte djemtë e tij por ishte i vetedijshëm…ne lamë 50 të mira për të mbledhur…’
23-
‘Bashkimi Evropian aty ka investuar 4 milion euro për një skaner’
Duke iu kthyer ngarkesës që pritej të kalonte ‘testin’ në portin e Xhenovas, Sufaj i tha Gian se pasi dërgesa ‘provë’ prej 50 kg kokainë të ishte e suksesshme, tjetra në vazhdim do të ishte rreth 400 kg, me fitime shumë më të të mëdha për të dyja palët
Përgjimi
Sufaj: ‘…25 për thes…’
‘nuk më pëlqen të flas por mund t’ju garantoj se tjetra… nëse kjo shkon mirë …’
‘ … do të jetë 400 minimumi … jo 100 … 200 …’
Teksa kryente këto biseda me Sufaj, drejtori i rremë i portit, njëkohësisht raportonte për çdo zhvillim te eprorët e tij të Guardia di Finanza.
Ata tashmë ishin në dijeni të çdo lëvizje të Sufaj dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Agjenti i fshehtë ‘Gian’
‘… Gjatë udhëtimit Ardiani …më tregon në celular disa foto me shkopinj kokaine…
Sufaj: ‘..mund ta jap në dorë … nuk mund ta hapin kurrë … kurrë …duhen 75 vjet për t’i hapur këto dhjetë …
Izraelitët janë …100 % të koduar … ata quhen Matrix … kjo është një Matricë … ‘.
25-
Në orën 18.11, pasi përfunduan turin demonstrativ në portin e Xhenovas, Ardian Sufaj më në fund duket i sigurtë për bashkëpunëtorin e tij brenda portit.
Përgjimi
Sufaj: Jam i bindur që ju mund ta bëni punën …’
‘ … kjo që pashë sot më mjafton sepse keni akses në port, për çfarë më duhet, kontrolloni të gjithë portin… mua më intereson kjo…’.
‘Minimumi herën tjetër do ta bëjmë me 400…
‘Eh, sonte më duhet të diskutoj përsëri me miqtë e mi…’
‘…dhe sonte po nis të gjej ‘Babagjyshin’ e parë …’
26-
‘…Pastaj të premten do të sjellim telefonin…’
Përpara se të ndahen Sufaj i kërkon Gian që ti shkruajë e bardha mbi të zezë, një fletë të cilët më pas do ia dërgojë burrit shqiptar në Ekuador, shumën që do si përqindje për çdo ngarkesë që ai do zhdoganojë në portin e Xhenovas.
‘Gian’, agjenti i fshehtë
Gian: ‘…Para se të ngriheshim, Ardiani më detyroi të shkruaj kushtet e marrëveshjes në një bllok shënimesh. Unë shkruajta ‘50 copë 200 000 €. mbi 300 000 € për sa… ‘
Ardiani fotografoi shënimin me smartfonin e bardhë dhe grisi fletën….
Në të njëjtën datë më 26 tetor 2022, Ardian Sufaj, i shkruan ‘burrit shqiptar’ në Ekuador, për Gianin.
Në përgjime del se ‘burri shqiptar’ nuk është i të njëjtit mendim me Sufajn për të çuar menjëherë një ngarkesë në portin e Xhenovas, pa asnjë garanci dhe marrjen e përgjegjësisë.
Duke marrë parasysh se ‘bashkëpunimi’ me ‘Gian’ agjentin e fshehtë, ishte një risi absolute dhe përfshinte ekspozimin ndaj një sërë rreziqesh konkrete, ‘Burri shqiptar’ i njohur si ‘Akrepi i Shkodrës’ është ai që i kërkon Sufajt të takonte vetë ‘Gian’ në mënyrë që t’i garantonte vetes një ‘kontakt’ të besueshëm brenda portit të Xhenovas.
Përgjimi
Sufaj: ‘ …nëse bëhet fjalë për të, është ai dhe askush tjetër sepse ka akses kudo në port … a më kuptoni? Ju dërgova videon … dje hyra kudo …rrotull …’
‘…ka akses sepse është nga Autoriteti Portual..’
‘…për përgjegjësitë në vend të kësaj ai tha që kur ta lini, i duhet emri i anijes … ‘
‘ emrin e anijes dhe se më pas do ta gjente vetë me gjurmues …’
‘…ai tha se unë garantoj se do ta lë të dalë..’ ‘…ai tha që kur anija të mbërrijë me të kuqe nuk kontrollohet menjëherë …’
‘i hapin kontenierët…
‘nuk vepron kështu’
‘tha se …e shkarkon doganën’
Gjatë kësaj bisede Sufaj e fton bashkëpunëtorin e tij në Ekuador të reflektojë dhe të shfrytëzojë rastin për të përdorur portin e Xhenovas falë kontributit aktiv të ‘Gian’,
Më 22 tetor 2022, Carafiglia me urdhër të Sufaj i dorëzon telefonin e kriptuar Gian.
Dosja Hetimore
Nga menaxhimi i kriptofonit të lartpërmendur dhe komunikimet e koduara, nëpërmjet aplikacionit “tTchat2”, fillimisht vetëm me Ardian Sufaj dhe më pas me Andiol Xhindolin, del se ky telefon nuk iu besua vetëm Gianpaolo Sanguineti i njohur si ‘Gian’, por përfshinte edhe dy operatorë të tjerë të fshehtë, Gina Rosati dhe Rafaele Russo, të autorizuar siç duket brenda të njëjtit operacion special.
Çdo bisedë e koduar dokumentohej nga agjenti i fshehtë në detyrë në mënyrë fotografike duke regjistruar përmbajtjen e çdo mesazhi zanor, pasi të gjitha mesazhet, të çdo formati, ishin të destinuara të fshiheshin automatikisht sapo të kalonte periudha kohore e caktuar nga grupi shqiptar.
Më datë 5 nëntor 2022, Ardian Sufaj i njohur me kontaktin ‘Albania’, del se informon ‘Gian’ (Xhan), mbi sasinë e parë të kokainës, që ndërkohë sipas tij po ngarkohej në bordin e një prej anijeve tregtare të sugjeruara një ditë më parë.
Duket se punët brenda grupit midis Ardjan Sufaj dhe Andiol Xhindolit, nuk është se shkojnë edhe aq fjollë. Madje ata duket se nuk kanë fare besim te njëri-tjetri. Për këtë arsye ‘burri shqiptar’ në Ekuador, dërgon në portin e Xhenovas, vetë Andiol Xhindolin për të takuar ‘Gian’.
Në pasditen e hershme të datës 10 nëntor 2022 në ‘Marina di Sestri’ u dokumentua prania e Stefano Carafiglia dhe e Nevian Vasaj, si edhe e Andiol Xhindolit. të cilët u takuan me Gian.
Përgjime
Andiol Xhindoli: ‘Kënaqësi…’
Nevian Vasaj: ‘Kënaqësi…’
Gian: ‘…Të lutem, Gian…’
Që në fillim, Andiol Xhindoli dhe Nevian Vasaj treguan se si bashkëpunëtorë të Ardian Sufaj, do merreshin me dërgesën e ‘provës’ prej 50 kg kokainë që po organizohej.
E gjithë kjo për të bindur të njëjtin ‘zyrtar jobesnik’ të Autoritetit Publik Gjenovez që të ndajë me ta komunikimet në lidhje me trafikun e paligjshëm në vazhdim.
Kjo, sepse për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin me Ardian Sufaj brenda organizatës, ata frikësoheshin se do të përjashtoheshin nga marrëveshja ose do të merrnin pjesë në të në kushte të pafavorshme ekonomike në krahasim me ata që kishin të njëjtin pozicion të drejtpërdrejtë ‘në port’.
Përgjime
Nevian Vasaj: ‘ …ne bëmë një pakt me të …’
Andiol Xhindoli ‘ …në fillim …’
‘ …kur pranoi të bënte punën, gjysmën e bëra unë me të dhe gjysmën sipër …
ju paguam dhe pastaj e ndava me të … në vend të kësaj ai m’i bëri të gjitha fitimet prej tij …’
Xhindoli dhe Vasaj shpejt u përplasën me mosbesimin e ‘Gianit’, i cili për të kapërcyer ngërçin, i nxiti ata të parët t’i dërgonin nga kriptofoni në përdorim të Sufaj, nëpërmjet aplikacionit “tChat2”, mesazhin ‘… doli Marina di Sestri..’
Kjo me qëllim për të vërtetuar aksesin e tij në të njëjtin aparat telefonik si dhe pjesëmarrjen e vazhdueshme në trafikun e paligjshëm në fjalë
Përgjimi
Gian: ‘… nëse doni të më dëshmoni diçka? Je ti nga ana tjetër që më duket …’
Vasaj: ‘ … tani ai të tregon se e ka me vete dhe të shkruan bashkë me ta … është në rregull?
Gian: ‘ …shkruaj ‘Marina di sestri toast”…’toast marina di sestri’ e besoj ….
Andiol Xhindoli e siguroi bashkëbiseduesin se mesazhin e rënë dakord do t’ia përcillte në të njëjtën mbrëmje, ku do të kishte një takim sqarues me bashkëpunëtorin e tij Ardian Sufaj.
Në këtë fazë, Xhindoli dhe Vasaj u treguan plotësisht të vetëdijshëm për kushtet e marrëveshjes së nënshkruar më 26 tetor 2022 në Genova nga Ardian Sufaj me ‘Gian’ (Xhan).
Përgjimet
Gian: ‘… kushtet? A i di kushtet?…’
Xhindoli: “… si u pajtuat me të… u morët vesh për dyqind…”
‘… janë… 50 kilogramë… ishte 20 %… ngarkesa e parë që i thashë…’
Xhindoli: ‘…Ti i do të gjitha në …zarfe!
d.m.th. në çantën e shpinës …’
‘ …do edhe vulosjen … ‘
Gian: ‘…vulën …’
Ashtu sikundër veproi me Sufajn, Gian përdori të njëjtën metodë bindëse me Xhindolin dhe Vasajn.
Ai i mori ata dhe u bëri të njëjtin tur demonstrativ brenda portit. Duke qenë se ata kishin shprehur qëllimin për të hapur një kanal të pavarur për importimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut.
Teksa Ardian Sufaj dhe grupi i tij i bashkëpunëtorëve u bindën të transportonin nga Ekuadori 100 kg kokainë, të cilat do të kalonin nëpërmjet portit të Xhenovas, në fundin e vitit 2022 dhe fillimin e vitit 2023, fundi i tyre do të ishte në pranga.
Të parët që u arrestuan ishin Andiol Xhindoli dhe Nevian Vasaj alias Nevian Preçaj ose Andrea Vasaj.
Në pranga përfundoi edhe Stefano Carafiglia, si ndërmjetës midis Sufaj, Xhindolit dhe ‘Gian’, drejtorit të rremë të portit.
Po kështu në pranga, ranë në flagrancë edhe amerikano jugorët, Wila Quinonez Holger Ernesto dhe Castillo Tapia. Gjithashtu u arrestua edhe Joel De Jezus, emri i të cilit doli gjatë rrëfimeve të Nevian Vasaj, që gjatë kontrollit iu sekuestrua edhe një armë zjarri, e tipit pistoletë.
Në pranga në operacionin e koduar ‘Xhenova’ ra Ilir Gufi, i cili u arrestua në flagrancë bashkë me lëndën narkotike.
I vetmi që shpëtoi për momentin, ishte Ardian Sufaj që mbante edhe gjeneralitetet Pllumb Sufaj.
Megjithatë arratia e 39 vjeçarit nuk zgjati shumë, pasi ai u arrestua në muajin qershor 2023 në qytetin e Shëngjinit
Ai u arrestua pas një urdhëri të lëshuar nga Interpol Roma, pasi autoritetet gjyqësore italiane, me vendimin e datës 18 Maj 2023, i kishin caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Trafikim narkotikësh’, ‘Organizatë kriminale’ si dhe ‘Pengmarrje’.
Akuza e fundit listohet pasi Ardian Sufaj kishte marrë peng një shtetas italian, të cilin e kërcënonte me armë, teksa dyshonte se ky i fundit kishte informacion lidhur mbi personat që i kishin vjedhur sasinë prej 100 kg kokainë, që e kishte transportuar me bashkëpunëtorët e tij, nga Ekuadori, gjatë periudhës tetor 2022-janar 2023.