Mijëra dosje presin të shqyrtohen në Gjykatën e Lartë. Sot ajo funksionon me 18 nga 19 gjyqtarë që duhet të kishte trupa gjyqësore. Edhe pse Gjykata po përpiqet të lehtësojë stokun, sërish mbeten me qindra individët që presin shqyrtimin e dosjeve në Gjykatën e Lartë, sidomos për çëshjet e pronësisë.
“Unë tani duhet ta kisha shitur tokën tek një investitor strategjik dhe me paratë që do kisha siguruar mund të kisha hapur një biznes që të punësoja edhe njerez të tjerë“, -me këto shpresa dhe plane për të ardhmen, Kastriot Hajdini sot 60 vjeç pret ende që drejtësia të ndajë përfundimisht, përkatësinë e pronës. Kastrioti ishte 40 vjeç, kur nisi gjyqet për të fituar një sipërfaqe prej 20 hektarë tokë që thotë se ia lanë trashëgim familjarët. Toka ndodhet në bregdetin e bukur të Borshit, por ai është në konflikt gjyqësor me Komunitetin Musliman në Gjirokastër.
Odiseja e një gjyqi pronësie
Plot 20 vite më parë Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë me vendim numër 225 datë 07.03.2003, vendosi njohjen e pronësisë së ish-pronarit Njazi Dedi. Katër vite më vonë Gjykata e Apelit Gjirokastër ka njohur si pronar Njazi Dedin dhe familjarët e tij, përfshirë edhe Kastriot Hajdinin. Bazuar në këtë vendim ata kërkuan regjistrimin e pronës, por kjo u refuzua nga Zyra Rajonale e Kthim- Kompensimit të Pronave në Vlorë. Arsyetimi i refuzimit ishte se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njihej si pronar i sipërfaqes prej 213 hektarësh tokë, ku përfshihej edhe toka e Hajdinit dhe të afërmve. Këtë vendim të ZRKKP Vlorë Kastriot Hajdini e ankimoi në Gjyktën e Vlorës, e cila në korrik 2019 urdhëroi Komunitetin Mysliman të njohë si pronar legjitim të sipërfaqes prej 20 hektarë tokë, Hajdinin. Por një vit më vonë Apeli e rrëzoi këtë vendim dhe njohu përfundimisht Komunitetin Musliman si pronar të tokës që dorëzoi në gjykatë dokumente të arkivës së shtetit të vitit 1945.
Kastriot Hajdini bëri rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkonte prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë. Edhe pse çështja është rregjistruar më datë 01.10.2021 me relator gjyqtarin Artur Kalaja ende nuk është caktuar data se kur do të fillojë procesi.
“Vendimi ka 20 vite që është dhënë, por akoma kam ngelur dyerve të gjykatës. Në Gjykaten e Lartë ende nuk ka një datë dhe pse jam drejtuar me rekurs prej dy vitesh. Sistemi gjyqësor ka mbetur peng i të paaftëve dhe të korruptuarve”, vazhdon rrëfimin e tij, Hajdini në një intervistë për Faktoje.
Si Hajdini janë me qindra qytetarë, që përballen me drejtësinë e vonuar, për shkak të stokut të dosjeve në Gjykatën e Lartë.
Të dhënat për 6 mujorin e parë të 2023 për Gjykatën e Lartë, tregojnë se stoku i dosjeve është 25,973 çështje gjyqësore.
Në vitin 2020 ky stok ishte rreth 36 mijë dosje. Që prej prillit 2020, rezulton se gjyqtarët e lartë kanë dalë me 22,000 vendime, për dosje të depozituara që prej vitit 2012 e në vijim.
Pasojat e drejtësisë së vonuar
“Një nga problematikat më të mëdha që hasin sot njerëzit për shkak të numrit të madh të dosjeve që janë grumbulluar në Gjykatën e Lartë dhe sjellin një dëm ekonomik, social dhe shoqëror janë çështjet Civile, Adminsitrative dhe Tregtare. Kjo për shkak se këto procese gjyqësore kërkojnë një gjykim të shpejtë dhe efektiv për të marrë zgjidhje që kërkohen për pronësinë, për aktivitetet tregëtare apo zgjidhjen e kontratave administrative që në përfundim përkthehen në dëm ekonomik për palët. Një vendim gjyqësor i cili jepet pas dhjetë viteve për shumë çështje nuk mund të prodhojë efektet që janë kërkuar dhe ky vendim s‘ka asnjë vlerë ligjore”, u shpreh juristi Jahaj për Faktoje.
Stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë, nuk nisi si pasojë e procesit të vetingut dhe këtë e tregojnë dosjet e mbartura që para miratimit të paketës së Reformës në Drejtësi në vitin 2016. Megjithatë vettingu e rriti edhe më shumë këtë stok, me shkarkimin apo dorëheqjen e pothuajse të gjithë gjyqtarëve dhe bllokimin e aktivitetit të Gykatës përkohësisht.
Problemi i hershëm i stokut në hierarkinë më të lartë të sistemit të Drejtësisë, është konfirmuar edhe nga drejtuesi aktual i kësaj gjykate, Sokol Sadushi që në vitin 2021.
Sipas tij, edhe në periudhën më të mirë, Gjykata e Lartë nuk ka qenë e plotësuar me trupën e plotë prej 19 gjyqtarësh, duke çuar kështu në mbartje të dosjeve.
“Sfida më e madhe e Gjykatës së Lartë ngelet numri tepër i lartë i çështjeve të prapambetura që presin shqyrtimin, por kjo nuk ka shmangur vëmendjen e saj nga kërkesat për rritjen e cilësisë dhe fitimin e legjitimitetit të vendimmarrjes. ‘Backlogu’ (grumbullimi) nuk është një fenomen i krijuar sot, dhe as për shkak të reformës në drejtësi. Ashtu siç thekson GJEDNJ, kur analizon rastin shqiptar në një vendim të fundit, fillesën e vet backlogu e ka nga viti 2012“, – u shpreh në 2021 Sokol Sadushi për mediat.
Prej vitit 2021, Gjykata e Lartë, filloi të plotësohej nga muaji në muaj me gjyqtarë të rinj, por stoku i dosjeve mbeti ende problemi kryesor.
“Prej tre vjetësh, fokusi i opinionit publik ka qenë tek ulja e numrit tepër të lartë të çështjeve të prapambetura. Kjo ishte dhe vijon të mbetet një prej sfidave kryesore të trupës së gjyqtarëve. Nga 36.000 çështje që prisnin për t’u gjykuar në mars të vitit 2020, sot numri i çështjeve të prapambetura është ulur në 29,010, ndërkohë që numri i vendimeve të marra për këtë periudhë është 11.764“, – tha Sokol Sadushi në 2022.
Plotësimi i trupës së Gjykatës së Lartë nuk ka të sosur
Në vitin 2020, në Gjykatën e Lartë u emëruan 3 gjyqtarët e parë, të cilët u betuan në muajin mars. Fundviti i 2021 këtë Gjykatë e gjeti me 9 anëtarë dhe 2022 u mbyll me numrin prej 15 anëtarësh, të cilët mundësuan formimin e dy trupave gjykuese për çdo kolegj.
Tashmë me një trupë prej 16 anëtarësh, në gjysmën e parë të këtij viti, janë dhënë 4881 vendime gjyqësore. Mes tyre, 633 vendime kanë identifikuar dosje me probleme, duke u rikthyer në Shkallët më të Ulëta të gjyqësorit.
Të dhënat zyrtare të siguruara për Faktoje, nëpërmjet kërkesave zyrtare pranë Gjykatës së Lartë, tregojnë se numri më i lartë i vendimeve që janë gjetur në shkelje, janë për çështjet civile, me 361 vendime. Më pas renditen ato me karakter administrativ me 140 dhe çështjet penale 132 vendime.
Secila nga këto çështje flet për kosto të individëve dhe institucioneve që pasi zhvilluan betejat e tyre në Shkallën e Parë dhe Apel, pritën afro një dekadë për të marrë drejtësi. Por për drejtësinë ata duhet të vazhdojnë të presin, pasi kthimi për rigjykim, do të marrë kohë shtesë deri në zgjidhjen përfundimtare, e cila mund të ketë sërish një raund drejt Gjykatës së Lartë.
Rekurset e institucioneve publike, problem për Gjykatën e Lartë
Mungesa e gjyqtarëve sipas kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, nuk është e vetmja arsye e mbingarkesës me dosjet e prapambetura. Rekurse të cilat dorëzoheshin kryesisht nga institucione publike nuk kalonin testin e pranueshmërisë.
“Përherë e kemi evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. Rreth 80% e rekurseve të paraqitura rezultojnë të pasuksesshme. E ndarë sipas fushave, nuk kalojnë testin e pranueshmërisë 75% e rekurseve në Kolegjin Civil, 83% në Kolegjin Administrativ dhe 80% në Kolegjin Penal” – tha ai.
Përpjekjet për të ulur stokun e dosjeve në Gjykatën e Lartë gjatë vitit 2022 u bë edhe në bashkëpunim me institucione të tjera, shtetërore të cilat në bazë të një marrëveshjeje me këtë gjykatë, hoqën dorë nga rekurset e bëra vite më parë për shkak të humbjes së aktualitetit apo të krijimit të bindjes se nuk e kalojnë testin e pranueshmërisë.
Kjo tërheqje e institucioneve çoi në uljen e çështjeve në këtë Gjykatë me rreth 1,893 dosje, referuar deklaratës zyrtare të Sokol Sadushit, kreu të Gjykatës së Lartë.
“Janë rreth 1,893 rekurse të tërhequra nga institucionet publike, ndërkohë që deri tani janë dhënë rreth 993 vendime për heqje dorë nga rekursi (621 vendime nga Kolegji Administrativ dhe 372 vendime nga Kolegji Civil). Kjo prirje nevojitet të shoqërohet edhe me mosparaqitjen e rekurseve të reja që dukshëm janë të pabazuara. Vetëm kështu mund të parandalohet krijimi i një stoku të ri”, – u shpreh Sadushi në daljen e fundvitit në 2022.
Aktualisht Gjykata e Lartë, referuar të dhënave zyrtare dhe çështjeve të publikuara që kanë dalë për gjykim në dhomë këshillimi apo seancë publike, është duke shqyrtuar ende dosje themeli që janë të vitit 2015-të.
/ Ermal Vija / Faktoje