Një polic është vrarë ndërsa një tjetër efektiv ka mbetur i plagosur në orët e para të mëngjesit të së dielës duke tensionuar situatën në veri të Kosovës.
Mediat raportojnë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviçit ku është sulmuar patrulla policore. Burimet mediatike nga Kosova bëjnë me dije se polici i vrarë është identifikuar si Afrim Bunjaku.
Sipas burimeve, disa persona kanë bllokuar rrugën Mitrovicë-Leposaviç me dy kamionë dhe kanë shtënë në drejtim të automjetit t.ë policisë.
Lajmi është konfirmuar edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili e cilësoi si të mbështetur nga Beogradi. Sipas tij, polici i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
- Policia e Kosovës jep detaje: U sulmuam me garanta dore dhe armë
Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka dhënë detaje lidhur me sulmin e armatosur ndaj tyre, ku për pasojë një polic ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur.
“Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.
Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë’, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.
“Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në njoftim.
Policia shton se të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.
- Del FOTO-ja, ky është polici që mbeti i vrarë në veri të Kosovës
Personi që shihni në foto është efektivi i policisë në Kosovë që mbeti i vrarë në orët e para të mëngjesit të së dielës në veri të Kosovës.
Efektivi mbeti i vrarë pas një sulmi te armatosur në drejtim të makinës së policisë, e cila kishte shkuar në fshatin Banjska të Leposaviçit pas informacionit se dy kamionë pa targa kishin bllokuar rrugën.
Por pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, policët janë përballur me një sulm të armatosur, ku për pasojë vdiq njëri prej tyre ndërsa një tjetër u plagos. Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë dënuar sulmin me armë ndaj policëve ndërsa janë shprehur se kjo është një ngjarje e organizuar nga Serbia.
- Reagimi nga Kurti:
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka dënuar sulmin me armë ndaj policisë në veri të vendit.
Kurti thotë se autorët e kësaj ngjarje do të kapen dhe do të dalin para drejtësisë, teksa theksoi se sulme të tilla janë të mbështetura nga Serbia.
“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.
Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.
Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, shkruan Kurti.
- Reagimi nga Vjosa Osmani, ndërpret vizitën në SHBA dhe niset me urgjencë drejt Kosovës
Edhe Presidentja Vjosa Osmani e drejtori gishtin e akuzës nga Serbia, duke e akuzuar se po sfidon integritetin territorial të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndërprerë vizitën zyrtare në New York, si rrjedhojë e ngjarjeve të fundit në veri.
Sipas saj, këto sulme janë të organizuara dhe ekzekutuara nga Beogradi, ndërsa theksoi se dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale.
Osmani u shpreh se sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.
“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”, shkruan Osmani.