Në Shqipëri, vëzhgues vendas dhe diplomatë perëndimorë vlerësojnë se kërcënimet, trysnia dhe pengesat ndaj gazetarëve vazhdojnë të cënojë lirinë e medias.
Ata pohuan se institucionet duhet të bëjnë më shumë për të plotësuar standardet ndërkombëtare mbi të drejtat dhe liritë e gazetarëve, të kërkuara nga procesi i integrimit europian, ku Shqipëria gjendet aktualisht.
OSBE zhvilloi në Tiranë një Forum për Zhvillimin e Medias, ku u diskutuan mungesat ligjore, vështirësitë, që hasin gazetarët në punë dhe sfidat e teknologjive të reja.
Në Forumin e Nëntë për Zhvillimin e Medias, kryetari në detyrë i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bruce Berton, përmendi kufizimet që media shqiptare pati në pasqyrimin e fushatës së zgjedhjeve vendore të 14 majit, për materialet e parapërgatitura nga vet partitë, si dhe vështirësi të tjera që ato hasin në punën e tyre.
“Është thelbësore që mediave t’u sigurohen mjetet dhe politikat institucionale për t’i ndihmuar ato të lundrojnë me etikë dhe përgjegjshmëri në ekosistemin e informacionit që ndryshon shpejt”, tha Ambasadori Berton.
Ai theksoi se, bazuar në parimet e OSBE-së, që janë pranuar nga gjithë vendet anëtare, institucionet publike shqiptare duhet t’u krijojnë mediave hapësirat e nevojshme, që të veprojnë pa pengesa.
OSBE nxit autoritetet, tha Ambasadori Berton, që të mbajnë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të vlerësojnë me kujdes të drejtën e shpërndarjes së informacionit.
Përherë faktet duhen lënë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime dhe korrupsion, theksoi ai.
“Dekriminalizimi i shpifjes është një element i rëndësishëm, në përpjekjet që bën qeveria shqiptare për t’i dhënë liri dhe mbrojtje më të madhe gazetarëve si pjesë e reformave të tjera në përputhje me rekomandimet e BE-së”, tha drejtuesi i OSBE-së në Shqipëri.
Rrjeti për Gazetarë të Sigurtë në Ballkanin Perëndimor ka theksuar në raportet e veta, se Shqipëria nuk ka mekanizma të posaçëm për mbrojtjen e gazetarëve nga institucionet e as protokolle për hetimin e sulmeve ndaj tyre.
Drejtuesja e këtij rrjeti për Shqipërinë, Blerjana Bino, thotë se rastet e dhunës ndaj gazetarëve nuk hetohen deri në fund dhe kjo shkurajon denoncime të tjera.
“Problem kryesor është lidhja simbiotike e pronarëve të mediave dhe bizneseve me politikën, e në disa raste edhe me krimin e organizuar, duke krijuar një situatë frikësuese, ku gazetarët ndeshen me presione, kërcënime dhe dhunë fizike dhe digjitale”, thotë Bino.
Për të përmirësuar gjendjen e mediave kanë nisur disa përpjekje, kryesisht të nxitura nga procesi i integrimit europian dhe kushtëzimet që BE i vendos Shqipërisë në këtë drejtim.
Përfaqësuesi i BE-së në Shqipëri, Ambasador Luigi Soreca, thotë se liria e shprehjes dhe media e lirë dhe e pavarur janë vlera themelore e BE-së.
“Pikërisht pse jemi seriozë në temën e lirisë së medias, ne e futëm këtë çështje në qendër të politikës së zgjerimit të BE-së. Të gjithë vendet që po kërkojnë t’i bashkohen BE-së duhet të dëshmojnë me angazhime të besueshme që nxisin lirinë e shprehjes në të gjithë drejtimet”, tha zoti Soreca.
Ai shtoi se mesazhi për Shqipërinë është se qeveria dhe autoritetet publike të marrin përgjegjësinë të krijojnë një klimë të favorshme për lirinë e medias. BE mbështet shoqërinë civile për të përmbushur këtë rol.
“Mbeten sfida të rëndësishme përballë, duke nisur nga kushtet e dobëta të tregut të punës, ndërthurrjet e interesave të medias, bizneseve dhe politikës vazhdojnë të ndikojnë në dëm të gazetarisë profesionale. Për fat të keq, ka ende raste të kërcënimeve, dhunë dhe presione ndaj gazetarëve dhe këto janë të papranueshme në një demokraci”, tha ambasadori Soreca.
Organizata Faktoje është në disa procese gjyqësore me institucione publike. Sipas tyre, problem i madh po bëhet mosdhënia e konferencave për shtypin, ku gazetarët do të kishin mundësinë që të pyesin lirisht për çështjet që ndjekin zyrtarët dhe personat teknikë.
Drejtuesja e saj Klodiana Kapo, thotë se mediat në Shqipëri po përballen me lajmet e rreme, disinformimin, dhe propagandë, të cilat shkaktohen prej mungesës së transparencës së institucioneve publike, si dhe vështirësive përherë e më të mëdha që kanë gazetarët për të verifikuar të dhënat.
“Edhe gazetarët e organizatës Faktoje janë bërë objekt i frikësimeve dhe gjyqeve për shkak të punës së tyre. Gazetarët po ndeshin presione dhe kërcënime, që duan t’i nxjerrin nga detyra dhe e drejta e tyre për të informuar qytetarët, dhe jo të mbrojnë interesat e pushtetarëve, bizneseve interesave të caktuara”, thotë zonja Kapo.
Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias Teresa Ribeiro shprehu përmes internetit shqetësimin për sulmet ndaj gazetareve gra e vajza, duke kërkuar për to siguri fizike dhe siguri online.
“Shihet një rritje e dhunës online bazuar në përkatësinë gjinore, që godet gazetaret gra e vajza. Për të frenuar këtë tendencë në rritje OSBE ka përgatitur një dokument të ri për t’u ardhur në ndihmë gazetareve të gjendur nën këtë dhunë online”, tha zonja Ribeiro.
Pjesëtarë të tjerë në forum theksuan kushtet e vështira të punës së gazetarëve, vonesat e pagave të tyre, trysnia dhe gjyqet, deri korrupsionin e vet mediave me tema të veçanta.
Por siguria e gazetarëve dhe trajtimi i tyre me dinjitet për të rritur profesionalizmin, pohuan pjesëmarrësit, mbeten shqetësime kryesore në Shqipëri.
/VOA/