Nga Boldnews.al
Në një kohë që numri i personave të diagnostikuar me sëmundje tumorale është në rritje, shpenzimet financiare në spitalet publike për trajtimin e tyre janë mbajtur prej vitesh në nivele “konstante”, madje mund të konstatohet edhe një lloj tendence uljeje.
Në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, struktura më e rëndësishme për trajtimin e tumoreve, ka mungesë stafi dhe, për rrjedhojë, rritet radha e pacientëve në pritje për shërbimet e specializuara dhe immediate.
Numri i poltronëve “shtrat virtual” për pacientët që i nënshtrohen seancave të kimioteraprisë është vetëm 19, ndërkohë që, për këtë shërbim, vetëm gjatë një dite të vetme, numri i pacientëve të regjistruar është 75-80.
Spitali Onkologjik në QSUT është i vetmi që ofron shërbim hospitalizimi për pacientët, për shkak se të pamundësisë së spitaleve rajonale.
Por, për shkak të ngarkesës së madhe, vetëm 9 përqind e pacientëve që kanë nevojë për radioterapi mund të hospitalizohen tek Onkologjiku. Pjesa tjetër e pacientëve kryejnë seancat e radioterapisë dhe më tej largohen në shtëpi.
Duke mbajtur në konsideratë se pjesa më e madhe e pacientëve vijnë nga qytetet jashtë Tiranës, kjo situatë rrit kostot e tyre dhe familjarëve të tyre.
Sa më lart, janë disa nga gjetjet kryesore të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në përfundim të auditimit të performancës “Trajtimi i sëmundjeve tumorale”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka përdorur aspak “dorezat”, duke u treguar agresiv në gjetjet e tij, të cilat shërbejnë si një këmbanë alarmi për institucionet kryesore shëndetësore dhe qeverinë shqiptare.
Në raportin e KLSH-së janë identifikuar të paktën dy situata, të cilat konstatohet funksionim;
– e para është angazhimi maksimal i stafit mjekësor të Onkologjikut, si për trajtimin e pacientëve, ashtu edhe për t’u “lutur” drejtorisë së QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për të siguruar pajisjet e nevojshme që u duhen për t’u ardhur në ndihmë pacientëve.
– e dyta, jo pa mungesë ironie, ka “shkëlqyer” propaganda e Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e sëmundeve tumorale, me plane, projekte, strategji e konferenca, të cilat, në fund të fundit, as nuk kanë rritur buxhetin për pacientët me sëmundje tumorale dhe as nuk kanë vënë në funksion pajisjet e nevojshme për trajtimin e tyre, të cilat në pjesën më të madhe të kohës janë jashtë funksionit.
Pacientët rriten, financimi nuk lëviz
Sëmundjet tumorale, fatkeqësisht, kanë një shkallë vdekshmërie shumë të lartë. Raportet e INSTAT-it i rendisin si shkakun e katërt të vdekshmërisë në Shqipëri.
E, megjithatë, financimi për trajtimin e kësaj sëmundjeje nuk hyn në prioritetet absolute të qeverisë shqiptare.
KLSH konstaton se pesha në buxhetin e QSUT-së, si spitali kryesor për trajtimin e tyre, në vitin 2020, ka qenë 11.7 përqind e totalit. Në vitin 2021, pesha në buxhet është ulur ndjeshëm, në 7.4 përqind të totalit të buxhetit. E njëjta situatë është konstatuar edhe në vitin 2022, ku pesha e buxhetit të QSUT-së për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale është 7.9 përqind e totalit.
“Pra,- thotë KLSH në raportin e tij- konstatohet se shpenzimet për trajtimin e sëmundjeve tumorale zënë një peshë të vogël në shpenzimet buxhetore që kryen QSUT “Nënë Tereza”.
Gjithashtu duhet vënë në dukje se, shpenzimet buxhetore nuk kanë ndjekur prirje të rritjes së tyre krahasuar me buxhetin e përgjithshëm të QSUT-së ndër vitet në auditim, “por përkundrazi kemi një rënie të konsiderueshme nga 117,7 % në 7, 9% në vitin 2022, ndërkohë që numri i pacientëve të diagnostikuar dhe trajtuar me sëmundje tumorale është në rritje”.
Për Kontrollin e Lartë të Shtetit, “shqetësues është fakti që si QSUNT Spitali Onkologjik dhe Spitalet e Rajonale, mbajnë buxhete “historike” të cilat nuk ndryshojnë në vite”.
Mungesë stafi
Spitali Onkologjik për çdo ditë realizon, 108 vizita konsulta ambulatore, 75-80 pacientë që trajtohen me kimioterapi dhe 22 pacientë që trajtohen me radioterapi.
Stafi mjekësor prej 24 mjekë onkologë në ditë përballon 108 vizita konsulta, trajton 75-80 pacientë me kimioterapi dhe 22 pacientë me radioterapi(këtu nuk janë përfshirë ndërhyrjet kirurgjikale, urgjenca dhe mjekët roje në çdo ditë).
Këto të dhëna tregojnë, për volume të punës së mjekëve, për shkak të numrit të lartë të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet tumorale dhe agresivitetin që kanë këto sëmundje.
Sipas strukturës administrativo-mjekësore të Spitalit Onkologjik në QSUNT, konstatohen 9 mungesa me burime njerëzore, kryesisht me profil kryeinfermier/infermier, imazheristë dhe fizikanë.
Sipas KLSH-së, “riskut për përballimin e trajtimit të fluksit të pacientëve me sëmundje tumorale i shtohet edhe mungesa e stafit me burime njerëzore në ndihme të mjekëve onkologë”.
Mangesi në shtretërit e kimioterapisë
Përgjatë periudhës 2020-2022, e cila ka qenë objekt i auditimit nga KLSH-ja, rezulton se janë trajtuar me kimioterapi ditore, në total 3,877 pacientë, ose e shprehur në 51,845 numër rastesh (një pacient kryen disa seanca), duke shfrytëzuar vetëm 19 poltrona, ndonëse aktiviteti spitalor rezultoi në rritje nga viti në vit për trajtim me kimioterapi ditore.
Spitali Onkologjik ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga drejtoria e QSUT-së shtimin e të paktën 10 shtretërve/poltronave, pasi sasia që kanë në dispozicion është i pamjaftueshëm për trajtimin në kohë dhe me cilësi për personat në nevojë.
Deri në mbylljen e raportit të KLSH-së, numri i poltronave të kimio-terapisë nuk kishte ndryshuar.
Vetëm 22 shtretër
Spitali Onkologjik i QSUT-së e ka të pamundur të krijojë kushte shtrimi për të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtim me radioterapi.
KLSH-ja ka konstatuar se vetëm 9 përqind e pacientëve janë hospitalizuar, ndërsa shumica absolute e pacientëve, plot 91 përqind, janë larguar pas përfundimit të seancave të trajtimit.
Pavioni i radioterapisë tek Onkologjiku ka vetëm 22 shtretër. Stafi spitalor mundohet që të pranojë në pavion pacientët që janë në kushte ekonomike të vështira apo që nuk ka mundësi të shoqërohen nga familjarë të tjerë.
Ndërkohë, pjesa tjetër e pacientëve, e atyre që nuk hospitalizohen, duhet të përballojnë kostot e udhëtimit, akomodimit apo edhe shëndetësore.
Paisjet jashtë funksionit
Mungesës së financimit, stafit dhe infrastrukturës tek Onkologjiku, i shtohen edhe mungesa e funksionimit për kohë të ndryshme të aparaturave mjekësore.
Disa tumore që prekin organet riprodhuese tek gratë trajtohen me radioterapi me pajisjen Brakiterapi.
Tek Onkologjiku i QSUT-së për këtë trajtim kanë nevojë më së paku 200 pacientë në vit.
KLSH konstaton se trahtimi me Brakiterapi nuk ka qenë funksional për periudhën e auditimit (2022-2022) për shkak të mungesës së burimit radioaktiv Iridium.
“Mungesa e Brankiterapisë, për periudhën e auditimit, ka sjellë mos trajtimin e 200 pacienteve në vit ose 600 gra paciente nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre”, thuhet në raportin e KLSH-së.
Pajisja mjekësore tjetër që nuk është funksionale prej datës nëntorit të vitit 2022 është Ortovoltazhi, për shkak të një defekti serioz që nuk lejon trajtimin e pacientëve që vuajnë nga tumoret e lëkurës.
“Mungesa e aparatit të Ortovoltazhit ka sjellë mostrajtimin 200 pacientëve, të cilët nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre”, konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit.