Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili falenderoi SPAK-un një ditë më parë për arrestimet për koncesionin e sterilizimit dhe sipas tij, institucioni i drejtësisë është i pavarur dhe se nuk do e pengonte edhe sikur të hunte brenda qeverisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan me ironi se “Rama e dekoron skapin me medaljen e artë të mirënjohjes së partisë me motivimin: treguan guxim të jashtëzakonshëm shpëtimin e Beqjës së tij nga qelia”.
Lideri demokrat shkruan se gëzimi i Ramës ishte i logjikshëm, jo vetëm që shpëtoi ish-ministrin Ilir Beqaj nga burgu dhe paratë që kanë ndarë së bashku, por sipas tij, shënonte dhe truimfin e kontrollit total të Ramës “me Skapin e Partisë dhe funksionimin e përsosur të platformës së tij të kokave të turkut për publikun”.
Berisha shkruan më tej se mos arrestimi i Ilir Beqajt ishte goditja më dëshpëruese që ju dha besimit të atyre që prisnin drejtësi për vjedhjen e dytë të shekullit. Ai shprehet se pavarësisht shkeljeve të shumta, guximtarët e Skapit vendosën se “Beqja nuk ka ngënë dardha të prishura dhe pikë, nuk e luan as topi”.
Postimi i plotë i Berishës:
Rama dekoron Skapin me Medaljen e Artë të Mirënjohjes së Partisë!
Motivimi: treguan guxim të jashtëzakonshëm shpëtimin e Beqjës së tij nga qelia!
Lumë ne që kemi Skapin të na shpëlajë krimet tona!
Të dashur miq, Edi Rama doli para mediave dje shend e verë për të festuar krenarisht shpëtimin nga Skapi i Partisë të Ilir Beqjës nga burgu pas arrestimit të 8 zyrtarëve dhe një biznismenit për aferën korruptive të sterilizimit. Gëzimi i papërmbajtur i Ramës ishte logjik, mbasi falja e Beqjës, jo vetëm shpëtimin e parave që kanë ndarë së bashku në vjedhjen e dytë të shekullit, por shënonte truimfin e kontrollit të tij total me Skapin e Partisë dhe funksionimin e përsosur të platformës së tij të kokave të turkut për publikun. Falja Beqjes ishte goditja më dëshpëruese që ju dha besimit të atyre që prisnin drejtësi për vjedhjen e dytë të shekullit mbasi firma e zezë Ilir Beqjës është në tre nga katër PPP e kësaj vjedhje e cila me çmimet minimale ju kushton zyrtarisht shqiptarëve 450 milion euro ndërsa me çmimet e hajnisë do kushtojë 900 milion deri në 1 miliard euro.
Hajduti Ilir Beqja ishte i pafalshëm sepse në aferën e sterilizimit ai është përgjegjësi absolut mbasi është personi që në kundërshtim flagrant me ligjet ka:
1- firmosur për hapjen e koncesionit të sterilizimit.
2- firmosur pikëzimin e kompanive pjesëmarrëse në garë duke i dhënë kompanisë së tij me Ilir Rrapajn të themeluar vetëm 1 muaj më parë me gjithsej me 1 mijë euro kapital, dyfishin e pikëve në krahasim me rivalin e tij në garë. Shtoj këtu se në një qeveri të vërtetë kurrë ministri nuk mund të merret me pikëzimin. Kjo ndodh vetëm në shpellën e Ali Babas apo Edi Ramës.
3- firmosur kontratën antiligjore të koncesionit me të cilën është rritur 3-6 herë kostoja e sterilizmit duke grabitur spitaleve dhjetra e dhjetra milion euro. Por me kriminalja duke dënuar me vdekje dhe qindra e qindra të sëmurë që mbeteshin pa u operuar sepse spitalet nuk përballonin dot pagesat që duhet t’i bënin kompanisë gjakpirëse Beqja-Rrapaj.
4- ka firmosur faljen kompanisë së tij Beqja-Rrapaj të aparturës ultarmoderne të sterilizimit të blerë me fonde publike në fillim të vitit 2013 sëbashku me ambjentet e reja për këtë procedurë.
Perveç këtyre Beqja ka fshehur ndaj komisionit parlamentar dhe deputetëve dosjen e krimit të tij.
Së fundi SPAK ka faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se Beqja, Rrapaj, Rjepaj ishin një bandë hajdutësh mafioz të pamëshirë të pandarë që lëviznin së bashku brenda dhe jashtë vendit.
Por me gjithë këto përgjegjësi ligjore dhe penale të rënda të Beqjës, guximtarët e partisë në Skapin e saj vendosën ashtu siç thotë Old Majer : Beqja nuk ka ngënë dardha të prishura dhe pikë, nuk e luan as topi.
Këta fanatik të Partisë nuk mund të harronin kurrë mundin e madh të Edi Ramës në daljen zot, mbrojtjen nga Edi Rama me pinca dhe gërshërë të thyera në dorë, nga studio në studio të kompanisë Beqja-Rrapaj. Ata insanë se në të tjerët janë! Edhe ata kishin dëgjuar se Beqja qerrataj thoshte poshtë e përpjetë nën zë se vllajo kjo vjedhje është, por paratë nuk i kam marrë une por… dhe ngrinte sy dhe vetulla lartë!
Për të gjithë këtë sukses Rama i papërmbajtur shpertheu i mallëngjyer dje nga gëzimi dhe klithi i ngazëlluar: Lumë si ne që krijuam Skapin për të shpëlarë krimet tona dhe vendosi t’i dekorojë skapistët e tij kamikazë me Medaljen e Artë të Mirënjohjes së Partisë