Nga Bold News.al
Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim ndërkombëtar tre menaxherë të huaj të “Royal Casino”, të cilët akuzohen për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit. Ata janë larguar nga Shqipëria, megjithëse ndaj tyre ishte në fuqi masa e “detyrimit për paraqitje” periodikisht pranë Policisë Gjyqësore.
Gjeorgjiani Sergo Solnstev, turku Muhtin Omeroglu dhe rumuni Robert Cristian u arrestuan në flagrancë në janar të vitit 2022, pasi u kapën duke drejtuar një kazino të paligjshme në ambjentet e hotel “Adriatik”, në Durrës.
Policia ka zbuluar në katin e katërt të hotelit një ambjent të përshtatur për sallë kazinoje, ku gjendeshin 93 makineta, 4 tavolina pokeri dhe 4 ruleta.
Tre menaxherët e sallës pretenduan se kazinoja nuk ishte në punë dhe se ata po drejtonin kurse trajnimi për stafin, që të ishte i gatshëm sapo të merreshin lejet përkatëse.
Megjithatë, sipas legjislacionit në fuqi, pajisjet e lojërave të fatit dhe tavolinat e pokerit duhet të qëndronin në ambjentet e Autoritetit të Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit, derisa shoqëria “Infinity Investment” që menaxhon “Royal Casino” të pajisej me lejet përkatëse.
Në vijim të veprimeve hetimore, Policia kreu arrestimin në flagrancë të Solnstev, Omeroglu dhe Cristian. Gjykata e Durrësit, me vendimin e datës 12 janar 2022 caktoi ndaj tyre masën e sigurimit “detyrim për paraqitje” para oficerit të Policisë Gjyqësore të martën e parë të çdo muaji.
Kjo masë është zbatuar përkohësisht nga tre menaxherët. Më tej, duke filluar nga Tetori 2022, asnjëri prej tyre nuk është paraqitur para oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Në prill 2023, Gjykata e Durrësit, me kërkesë të Prokurorisë, ndryshoi masën e sigurimit ndaj tyre, duke caktuar atë të “arrestit me burg”.
Megjithatë, Policia nuk arriti ta zbatojë këtë masë, pasi të dhënat e sistemit TIMS tregonin se tre personat ishin larguar nga vendi ynë në periudhën Shtator-Tetor 2022.
Në këto kushte, gjykata vendosi të deklarojë ikjen e tyre, ndërkohë që Prokuroria ka dorëzuar dosjen ndaj tyre, ku i akuzon për “organizim të lojërave të fatit”.
Dosja, si u zbulua kazinoja luksoze
Në datë 10 janar 2022, rreth orës 12:00, është njoftuar salla operative e stacionit të policies Plazh, se në lagjen 13 Durrës, në ambjentet e hotel “Adriatik”, janë vendosur disa tavolina pokeri dhe makineta pa lejen e organeve kompetente.
Nga ana e Oficerëve të Policisë Gjyqësore është verifikuar informacioni dhe është shkuar në ambientet e hotel “Adriatik”, ku ka rezultuar se në katin e katërt të këtij hoteli, ambienti ishte përshtatur si sallë kazinoje dhe në këtë ambient ishin vendosur 93 makineta, 4 tavolina pokeri dhe 4 ruleta.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur punonjësit e kazinos, të cilët janë pjesë e stafit dhe është bërë shoqërimi i tyre në ambientet e stacionit të Policisë Plazh.
Të pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit, shtetasit Delih Dafina, Aleksander Trajanov, Gjergji Serani, Doloreza Latifi, Admir Shima, Kujtim Blliku, Nevila Arapi, Ina Gjika, Albano Domi, Beta Meka, Elena Tavuri, Nadzeya Kruk, Gladys Jill Raquipo, etj., kanë deklaruar se janë pjesë e stafit të kazinos dhe kanë shkuar aty për t’u trajnuar, për hapjen e kazinosë në një të ardhme të afërt.
Menaxherë të kazinosë kanë rezultuar se janë shtetasit Robert Cristian i datëlindjes 08.08.1988, Muhttin Cenk Omeroglu, i datëlindjes 23.08.1974, si dhe Sergo Solnstev, datëlindjes 21.08.1984.
Këto persona janë menaxherë të kazinosë “Royal Eagle”, pjesë e shoqërisë “INFINIY INVESTMENT”, me administrator shtetasen Ravena Zahiri. Kjo e fundit nuk është pyetur gjatë veprimeve të para hetimore, pasi sipas prokurorisë, ajo ka rezultuar jashtë Shqipërisë.
Gjatë hetimeve janë marrë me procesverbal kqyrje-marrje dokumentet e zhdoganimit, blerjes se makinetave dhe të tavolinave të pokerit, të cilat janë blerë në bazë të autorizimit të dhënë nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) – Drejtoria e Certifikimit.
Prej punonjësve të policisë është kërkuar edhe pjesëmarrja e punonjësve të AMFL, ku aty kanë shkuar shtetasit Arlind Stafa dhe Agim Berisha, të cilët kanë kryer veprimet administrative, ndër to mbajtja e aktit të konstatimit.
Dëshmitë e inspektorëve
Shtetasi Arlind Stafa ka deklaruar se punon si inspektor kontrolli pranë AMLF pranë Ministrisë së Financave prej gati 10 vitesh.
Detyra e tij konsiston në ushtrimin e kontrollit nëbazë të urdhrit të shërbimit që u jepet nga drejtuesi i tyre, në subjektet ku ushtrohen lojëra fati si dhe inspektimin e pajisjeve.
Në lidhje me automatet elektronike të lojërave të fatit që janë gjetur tek hotel “Adriatik”, ata janë njoftuar nga punonjësit e policisë Durrës, që kishte një rast dhe duke qenë se ata si grup pune kanë qenë me shërbim në Shkozet-Durrës, prej aty pas telefonatës të bërë nga Klodian Dervishi, drejtuesi i tyre, kanë shkuar tek hotel“Adriatik”.
Ai ka shkuar bashkë me kolegët e tij që kanë qenë Agron Berisha, Mirdjan Nikollaj dhe Jani Berukas. Ata kanë kontaktuar me shefin e postës së policisë se Plazhit, Dadanin dhe së bashku kane shkuar në katin e fundit të hotel “Adriatik”.
Kur kanë shkuar aty, Arlind Stafa ka konstatuar se të gjitha pajisjet ishin të vendosura në vendet e tyre, të ndezura. Brenda kanë gjetur personel, por nuk kishte qytetarë që të luanin dhe krahas tyre kishte dhe punonjës të policisë së shtetit.
Aty kanë kërkuar që t’ju viheshin në dispozicion leje, nëse kishin për ushtrimin e këtij aktiviteti dhe njëri prej tyr eqë ishte me shtetësi turke, emrin se mbante mend, por ishte i gjatë dhe qeros, iu është prezantuar se ishte menaxheri.
Kanë komunikuar në anglisht dhe njëkohësisht aty ishte dhe një përkthyese që asistonte. Ata nuk ju kanë dhënë asnjë dokument dhe kanë konstatuar se nuk kishin leje për ushtrim aktiviteti.
Kanë verifikuar makinetat në aspekt të përgjithshëm, ku ishin 93 aparate të lojërave të fatit, që ishin me numra identifikues dhe 8 tavolina loje, ndër to 4 tavolina rulete dhe 4 tavolinalive —black-jack.
Nga punonjësit e policisë iu është vënë në dizpozicion një kontrate qiraje e ambientit dhe aty kanë parë që ishte kontrate qiraje ndërmjet shoqërise “Duda” që administron hotel “Adriatikun” dhe shoqërisë “Infinity investment”, që ishte shoqëria qiramarrëse e ambientit.
Punonjesit aty ishin dhe të punësuar tek kjo e fundit. Nga punonjësit e policisë u morën disa dokumente, ndër to kërkesa që shoqëria“Infinitty Investment” sh.a kishte bërë pranë Ministrisë, e datës 26.11.2021, por Arlind Stafa është shprehur se nuk di se çfarë ka ndodhur me këtë kërkesë, pasi është Drejtoria e Certifikimit pranë AMLF-së që ka kompetencën për licencimin e subjekteve.
Për sa i përket kësaj shoqërie, ai ka deklaruar se e njeh që ushtron këtë aktivitet pasi ka një ambient ku ushtron këtë aktivitet të licencuar, pranë ish hotel “Sheraton” Tiranë.
Ata kanë hapur njërin prej kompjuterëve, nga ku nuk u konstatuan se kishte kartëmonedha apo fatura, pra, nuk ishin vendosur në punë.
Në lidhje me procedurën që ndiqet për ushtrimin e aktivitetittë kazinosë, Arlind Stafa ka sqaruar se pasi subjektit i miratohet leja e ushtrimit të aktivitetit, një kopje e lejes I jepet subjektit, një kopje i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe një kopje Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Tiranë.
Më pas, subjekti sjell njoftimin për datën e fillimit të aktivitetit të tij, si dhe ka detyrim të lidh pajisjet e tij, me sistemin qendror të monitorimit online me kompaninë “Moligix”, e cila është kompani private dhe ka fituar tender për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Pajisjet që do të ushtrojnë lojërat e fatit, gjithashtu duhet të jenë të certifikuara dhe pastaj fillon aktiviteti.
Në rastin konkret ka sqaruar se të gjitha aparaturat që janë gjendur në katin e fundit të hotelit nuk duhej te ishin aty. Ato duhej të ishin të mbyllura, të vendosura në një magazinë të deklaruar pranë AMLF dhe vetëm pasi të jepej leja, duhej të zhvendoseshin nga magazina në prani të punonjësve të tyre.
Personi, i cili ka refuzuar të firmosë në aktin e konstatimit të mbajtur prej tyre, ka qenë pikërisht shtetasi turk, pasi ai pretendonte se duhej të vinte shtetasja Rovena, sepse sipas tij, ai nuk kishte përgjegjësi.
Më date 10.01.2022 është proceduar me arrestimin në flagrancë të personave nën hetim, Sergo Solnstev, Robert Cristian dhe Muhttin Cenk Omeroglu.
Me Vendimin nr.29, datë 12.01.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur ndaj tyre të caktojë masën e “detyrimit për paraqitje”.
“Zhdukja” e menaxherëve
Prokuroria, duke pretenduar se nga ana e personave nën hetim nuk janë përmbushur detyrimet sa i përket masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, pasi ata janë larguar jashtë shtetit, i është drejtuar gjykatës me kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit.
Me vendimin e datës 11 Prill 2023, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën “arrest me burg”.
Por, Policia ka njoftuar prokurorinë se nuk është bërë i mundur arrestimi i tyre.
Nga të dhënat e Policisë rezulton se të tre shtetasit Sergo Solnstev, Muhttin Cenk Omeroglu dhe Robert Cristian, kanë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë përkatësisht më datat: 04.10.2022, 19.09.2022 dhe 06.04.2022. Të tre këta shtetas figurojnë të shpallur në kërkim.
Ndërkohë, rezulton se prokuroria ka marrë vendim për njoftimin e akuzës në ngarkim të shtetasve Sergo Solnstev, Muhttin Cenk Omeroglu dhe Robert Cristian dhe çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë në mungesën e tre menaxherëve të kazinosë, të cilët kanë zgjedhur t’i shmangen drejtësisë.