21 qershori duhej të ishte si çdo ditë tjetër pune për Taulant Dikën. Dhe deri në orën 18:20, ajo ishte e tillë. Ai ishte punësuar në fasoneri, një biznes që zhvillohet në Fushë Thumanë, prej mëse dy vitesh.
Nga tetori 2022, kur u pranua Taulanti, nuk kishte pasur asnjëherë probleme, deri të mërkurën, ditë në të cilën ai aksidentalisht u ´masakrua´ nga një makineri, duke humbur jetën tragjikisht. Brenda një minute të llahtarshme, punëtori u rrëzua i pajetë përtokë, në sytë e kolegëve që s’mundën dot ta shpëtojnë.
Arnold Shima, i cili ishte në punë atë ditë u bë dëshmitari okular i ngjarjes dhe në rrëfim, ai përshkruan çastet e fundit të jetës së Taulantit. “Isha bashkë me të duke punuar, kur Taulanti shkoi për të futur një transpalete poshtë makinerisë duke e ngritur nga dyshemeja. Makineria është zhvendosur dhe rrotulluar duke e goditur në pjesën e gjoksit. Dëgjova zhurmë dhe menjëherë u afrova tek traxha”.
Aty, Shima kujton se pa shokun të shtrirë përtokë: “Iu afrova, por Taulanti nuk reagoi dhe nuk kishte shenja jete’-shton dëshmitari në fashikull, për ngjarjen aksidentale që i mori jetën në punë kolegut të tij.
Duke këqyrur vendin e ngjarjes brenda fasionerisë, policia lokale e Krujës u bind se gjendej përpara shkeljes së rregullave të sigurisë në punë, parashikuar nga neni 289 i Kodit Penal. Tre orë më vonë, mbas verifikimeve , oficerët i vendosën prangat Fredi Kaleshit, një 48-vjeçar nga Kruja, i cili rezultoi se administronte fasonerinë me objekt prerje dhe qepje këpucësh.
Por i dyshuari qëndroi vetëm pak orë i arrestuar, pasi prokuroria kërkoi ndryshim të masës nga arrest me burg në detyrim paraqitje, një kërkesë që u pranua nga gjykata. Si rrethanë lehtësuese për të dyshuarin përmendet deklarata e 48-vjeçarit, i cili insiston se nuk ka dijeni të jenë shkelur rregullat e sigurimit teknik dhe se makineritë ishin montuar nga inxhinierët.
“Për punëtorët mjafton të jenë të specializuar në përdorimin e tyre‘- dëshmon i dyshuari që do të hetohet në gjendje të lirë, pasi sipas Fredi Kalesha, për përdorimin e një makinerie nuk ka rregulla shtesë për sigurimin teknik.
Të njëjtin qëndrim mban gjykata edhe për një tjetër aksident vdekjeprurës, ku pas vdekjes në fushën e ndërtimit të shtetasit Arjan Lazri përfundoi në pranga , 45 vjeçari Agim Keci. Policia në dokumenta e përshkruan vendin e ngjarjes referuar jo vetëm skenës por edhe dokumentave të bllokuara .
“Objekti do të ndërtohej në Ishull Lezhë . Rreth orës 7.30, i ndjeri Lazri është paraqitur në punë ku ishte i punësuar pranë subjektit të drejtuar, nga i arrestuari Agim Keci. Gjatë fillimit të punës , përkatësisht nga kati i katërt i objektit , ka rënë duke ndërruar jetë‘-deklaron policia.
Si shkelje flagrante policia konstaton në datën 15 prill 2023 , mungesën e litarëve me të cilët i ndjeri duhet të ishte siguruar për punimet në lartësi. “Ndërsa instruktimi teknik në ditët e mëparshme ishte kryer nga i arrestuari , ndonëse ky i fundit nuk ishte i licencuar për një gjë të tillë‘.
Por me kalimin e muajve shkresat tregojnë se pozita e tij lehtësohet dhe Keci fiton një masë më të butë, atë të detyrimit me paraqitje.
“Ekziston një dyshim relativisht i zbehtë, pavarësisht pasojës së rëndë nuk është zbardhur mekanizmi i ngjarjes , përgjegjësia konkrete ligjore dhe faktike e të dyshuarit dhe lidhja shkakësore. Duke qenë hetimet në fazën fillestare të tyre, është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore‘-arsyeton gjykata.
Si “zbuten” dënimet për aksidentet në vendin e punës?
Për policinë mbledhja e provave dhe delegimi i tyre tek organet e akuzës, është pjesa më e rëndësishme e veprimeve hetimore. Zyrtarisht policia tregon se vetëm për këtë vit janë raportuar 37 aksidente në punë që janë referuar sipas nenit 289 “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ndaj punëdhënësve apo administratorëve që duhet të mbajnë përgjegjësi jo vetëm civile- administrative , por edhe penale.
“Janë zbuluar 37 raste dhe janë arrestuar 10 persona, ndërkohë që 27 të tjerë janë referuar në gjendje të lirë. Për vitin 2022 për të njëjtën vepër konstatohen 82 raste me të aksidentuar apo të lënduar në detyrë. Si të dyshuar 92 persona , prej të cilëve 25 të arrestuar , 1 i ndaluar dhe 62 referuar në gjendje të lirë”-deklaron Policia e Shtetit.
Por në raportin vjetor mbi kriminalitetin për vitin 2022, rezulton vetëm 16 procedime i janë dorëzuar gjykatës, me 42 persona të akuzuar për krimin e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Prej tyre u shpallën fajtor vetëm 11 persona.
Ledio Milkani, ekspert ligjor për marrëdhëniet e punës e lidh këtë situatë me ngërçin ligjor që ngarkon me përgjegjësi vetëm administratorin.
“Nëse ndodh që jemi para një aksidenti në punë, pavarësisht çdo gjëje, sipas ligjit përgjegjësia penale e personit juridik është vetëm administratori”, sqaron Milkani.
Ai shpjegon se administratorët e kanë të pamundur të mbajnë nën kontroll të gjithë ndërmarrjen, edhe pse pesha në ccdo rast bie mbi ta.
“Përgjegjës mund të jenë punonjësit, përgjegjësit, mbikëqyrësit, ose edhe struktura të tjera që nuk kanë zbatuar rregullat apo instruktimet, të cilët nuk kane bërë punën e tyre siç është e parashikuar në ligj dhe në dokumentacionin e brendshëm të kompanive”, sqaron Milkani, i cili shton se ka shumë raste kur këto struktura mund të jenë përgjegjëse për aksidentin, por ligji nuk e pranon dënimin e përfaqësuesve të tjerë vecc administratorit.
“Prandaj, ju ndodh që të shikoni që nuk ka në fund përgjegjësi penale apo dënime, pasi edhe prokurorët apo OPGJ-të e kuptojnë dhe pranojnë me bindje që nuk është administratori përgjegjësi në aspektin praktik, por edhe të tjerët nuk mund ti dënojnë dhe kështu s’ka dënim” -shpjegon Milkani.
Inspektorati , nuk janë vetëm aksidentet problem
Nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, zyrtarisht për Citizens Channel raportohet se për 2022 janë shënuar 184 aksidente në punë.
“Nga këto 119 raste janë njoftuar nga punëdhënësi apo përfaqësuesi i tij, ndërsa për rastet e tjera njoftimet janë marrë nga burime të ndryshme si vetë i aksidentuari apo familjarët e, tij media vizive dhe e shkruar, policia rrugore, qendrat spitalore etj.
“Ndërsa për periudhën Janar-Maj 2023 janë njoftuar 93 aksidente në punë, – thotë për “Citizens Channel”, institucioni që aktualisht i kryen inspektimet on- line përmes portalit “ e-inspection”.
Megjithatë rezulton se vetëm në 0.9 përqind të rasteve të punësuarit kanë njoftuar dhe denoncuar për kushte të pasigurta në punë. Ndërkohë 638 shtetas në marrëdhënie pune janë ankuar për shumë shkelje të tjera që renditen për “Citizens Channel” nga inspektorati, të kategorizuara me përqindje.
I dëmtuar edhe duke ndërtuar godinën e policisë
Dy gra që rezultojnë trashëgimtare të të ndjerit Ndue Huli , vendosën të mos heshtin kur çështja pushohet nga prokuroria. Ndonëse ka të dhëna se shpesh të afërm të viktimave bien në marrëveshje të fshehtë me subjektin, duket se kjo nuk ka qenë aspak në vullnetin e shtetaseve Roza dhe Flavia Huli. Menjëherë sapo kanë marrë në dorë një vendim për pushim hetimesh nga prokuroria e Shkodrës, dy gratë i janë drejtuar gjykatës së Apelit , e cila ju ka dhënë të drejtë dhe ka shfuqizuar një vendim të gjykatës së shkallës së parë që përkonte me të njëjtin qëndrim si të akuzës.
“Lidhur me pushimin e çështjes nga prokuroria Shkodër e konsiderojmë si një veprim të njëanshëm , dhe pa bërë një hetim të plotë e të gjithanshëm”– shkruajnë në ankimim dy paditëset. Duke analizuar dëshmitë e kolegëve që ishin në detyrë me të ndjerin, të afërmet e tij replikojnë:
“Dëshmitari paska thënë se Ndue Huli paska rënë nga 180 metra që në fakt duhet të jetë 180 centimetra. Por nuk thotë asnjë fjalë dhe nuk është pyetur nëse viktima ka pasur mjet të sigurimit teknik si kapele muratorësh. Po të kishte pasur kapele apo mjet të posaçëm për të mbrojtur kokën , në asnjë mënyrë viktima nuk do kishte pësuar dëmtime dhe nuk do kishte ndërruar jetë”.
Aksidenti fatal për të cilin paraqiten kundërshtitë e mësipërme rezulton të ketë ndodhur pesë vjet më parë , teksa i ndjeri po punonte për ndërtesën e re të Drejtorisë së Policisë Shkodër. Si shkelje, vërehet se gjykata e shkallës së parë duhet të kishte njoftuar edhe trashëgimtarët e viktimës ( përfaqësuesin e tyre ligjor) për datën e re të seancës.
“Në këtë mënyrë, ky subjekt procedurial është gjykuar pa patur dijeni efektive mbi datën e gjykimit”- thotë treshja e gjyqtarëve të apelit. Por eksperti Ledio Milkani, shpjegon se shumë pak familjarë e ndjekin çështjen deri në fund për shkak të mungesës së informacionit, kostove dhe kohës së gjatë për të gjetur drejtësinë.
“Kur dikush e kupton realisht se sa kohë, energji dhe financë do i kërkojë një proces civil dëmi, e mendon dy herë nëse ja vlen apo jo dhe a e përballon dot të investojë me riskun për ta humbur ose për të mos marrë atë që mendon se i takon”, përfundon Milkani./Citizens Channel