Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) po mban pasditen e kësaj të shtune një protestë në Prishtinë në lidhje me situatën aktuale në Kosovë.
Ata protestojnë kundër qeverisë, pasi janë kundër Ligjit për pagën minimale, si dhe kërkojnë që kryetarja e grupit parlmentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila të dorëzojë mandatin pas përgjimeve të publikuara së fundmi. Në bisedë përmenden kontaktet e Kusari-Lila me Milan Radojçiç, person në kërkim nga autoritetet e Kosovës dhe në listën e zezë amerikane e britanike.
“Mimozë, a të kallxojë “Radoja” se ku janë 1600 të zhdukurit” – është një prej pankartave që mbajnë protestuesit. Ata pretendojnë se Mimoza Kusari-Lila i ka fyer veteranët e UÇK-së, gjatë përgjimeve të bëra publike me pjesëtarët e Listës Serbe.
Protestuesit mbajnë në duar flamuj dhe kanë veshur edhe bluza me simbole të UÇK-së.
Ndërkohë, protesta është thirrur dy ditë pas miratimit të Ligjit për pagën minimale, në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 13 korrik.
Ligji parashikon rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht. Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat. Por, veteranët e UÇK-së janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në këto ndryshime.
Veteranët e UÇK-së do të vazhdojnë të marrin 170 euro në muaj, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti se ka dhe një fryrje fiktive të listave me trefishimin e numrit real të veteranëve.
Deri në vitin 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata.