Të martën në mbrëmje, në bibliotekën e qytetit të Gjakovës në Kosovën perëndimore, vazhdonin ende hapat e fundit të përgatitjeve për organizimin e takimit të nëntë vjetor të përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
“Gjithçka ishte gati. Edhe pasditen e djeshme, kur u publikua komunikata për shtyp nga Shqipëria, puna vazhdonte ende. Ne punuam deri rreth orës 22:00”, tha për BIRN Engjëll Berisha, drejtor i bibliotekës.
Takimi do të zhvillohej të mërkurën. Por në një kthesë të minutës së fundit, të martën vonë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, njoftoi se kishte vendosur të anulonte takimin.
Rama pohoi se takimi nuk mund të mbahej “në rrethanat e marrëdhënieve të rënduara të Kosovës me gjithë komunitetin euroatlantik”, duke iu referuar kritikave ndërkombëtare për mënyrën e trajtimit të zhvillimeve nga Kosova në komunat veriore me shumicë serbe.
Vetëm pak orë më herët të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte bërë të ditur se planet vazhdonin.
Kjo është e fundit në një seri mosmarrëveshjesh mes Ramës dhe Kurtit që ekspertët thanë se do të dëmtojë edhe më shumë marrëdhënien e tyre – dhe që tani është kthyer në një luftë shumë personale.
Kurti dhe Rama “nuk i besojnë njëri-tjetrit, secili mendon se axhenda e tjetrit nuk përputhet me axhendën e përbashkët dhe secila palë kërkon merita personale, së pari në lidhje me mbështetjen elektorale në çdo vend dhe së dyti në raport me faktorin ndërkombëtar, për të qenë më i besueshëm”, tha për BIRN Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë.
“As Rama dhe as Kurti nuk kanë kredencialet e një lideri të fortë sepse përfaqësojnë dy shtete të brishta dhe dy demokraci të brishta, të cilat të dyja kanë nevojë jetike për mbështetje nga BE-ja dhe SHBA-ja”, shtoi Krasniqi.
Kosova e “poshtëruar” në kohë nevoje
Trembëdhjetë marrëveshje që ndër të tjera do të kishin të bënin me fushën e arsimit, sigurisë dhe shëndetësisë do të nënshkruheshin të mërkurën mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Nexhmedin Spahiu, një analist politik me bazë në Kosovë, tha të martën në emisionin Kallxo Pernimë të BIRN se “një poshtërim shumë i madh është bërë nga Rama jo vetëm për qeverinë, por edhe për Kosovën, në një situatë ku Kosova ka nevojë për mbështetje”.
“Ky është një sanksion … nga Shqipëria”, tha Spahiu, duke e përshkruar atë si “një shuplakë në fytyrë”.
Rama tha për mediat në Tiranë se i kishte kërkuar Kurtit të pranonte një takim të nivelit më të ulët mes tyre dhe ministrave të jashtëm dhe mbrojtjes të dy shteteve, por Kurti nuk kishte qenë dakord.
“Jemi në prag të vënies së lëvizjes së planit, jemi në prag të vënies në fjalë, nuk ma zë goja fjalën sanksione, por të masave shtrënguese të një shteti që është krijuar nga ata që janë në kushte të sosjes së durimit”, tha Rama për mediat në Tiranë.
Në fakt, duke rritur presionin mbi qeverinë e luftuar të Kurtit, BE-ja të mërkurën njoftoi një paketë “masash të kthyeshme dhe të përkohshme” kundër Kosovës, duke përmendur dështimin e saj për të rivendosur qetësinë në veriun me shumicë serbe.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha për mediat se disa nga masat përfshijnë “pezullimin e vizitave, kontakteve dhe eventeve të nivelit të lartë si dhe bashkëpunimin tonë financiar me Kosovën”.
Krasniqi tha për BIRN se ndërsa e gjykon të gabuar vendimin e qeverisë së Tiranës dhe kryeministrit Rama për anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive, në vetvete, kjo nuk është një krizë në marrëdhëniet mes vendeve.
Por sherri i dy liderëve “e ka shndërruar krizën në një protagonizëm në nivel individual, i cili është i dëmshëm dhe në fakt joefektiv”, tha Krasniqi.
Kosova e indinjuar për ndërhyrjen e Shqipërisë për çështjen serbe
Qeveria e Kosovës nuk e mirëpriti një përpjekje të Ramës për të thyer ngërçin midis Prishtinës dhe Serbisë për krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Më 8 qershor, Rama i paraqiti Francës dhe Gjermanisë një propozim për atë që ai tha se ishte një dokument i hartuar “disa kohë më parë” nga ekspertë amerikanë dhe europianë dhe për të cilin tha se ishte krijuar “pikërisht në rast se do të vinte kjo situatë”.
Të martën, megjithatë, në Prishtinë, Kurti tha se vetë Kushtetuta e Shqipërisë e detyron Shqipërinë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve jashtë territorit të saj, jo t’i propozojë Kosovës zgjidhje për Asociacionin e Komunave Serbe.
“Unë jam ofruar të shkruaj draft statutin e asociacionit, por në atë rast kam kërkuar marrëveshje për parimet bazë, sepse nuk mund të merrem me letra dhe tekste kur nuk kemi marrëveshje paraprake. Nuk kam dyshim se Rama beson se propozimi i tij është i mirë dhe duke qenë i tillë, propozoj që Rama t’ia paraqesë atë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, tha Kurti për mediat në Prishtinë.
Ai shtoi se nuk e kishte lexuar vetë propozimin.
Krasniqi tha për BIRN se propozimi i Ramës ishte i gabuar sepse “nuk është konsultuar me faktorët institucionalë në Shqipëri, presidentin dhe Parlamentin dhe as nuk i është bërë i ditur në mënyrë formale apo joformale qeverisë së Kosovës apo institucioneve të Kosovës”.
“Kjo nuk është as në traditën dhe as në përgjegjësi kushtetuese të Shqipërisë”, tha ai.
Krasniqi tha se si Kurti ashtu edhe Rama po bëjnë gabime në trajtimin e situatës, me Ramën që i jep Shqipërisë përgjegjësi që nuk i ka dhe me Kurtin që merr vendime të paqëndrueshme sa i përket marrëdhënieve me aleatët perëndimorë të Kosovës.
Sipas Krasniqit, “Shqipëria nuk ka asnjë rol në këtë histori, duke shtuar se ‘përpjekja e saj për të marrë një rol negociator apo moderator në raport me Serbinë në konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë është e tensionuar për Tiranën dhe nuk jep rezultate dhe duket se është më e llogaritur për nevojat e ditës”.
Në të njëjtën kohë, “Mënyra se si Kosova po e trajton krizën aktuale dhe mënyra se si Kurti, në emër të sovranitetit, po rrezikon marrëdhëniet me fuqitë kryesore, të cilat janë faktori kryesor mbështetës i interesave të Kosovës dhe shqiptarëve në rajon, është gjithashtu e sforcuar, jo afatgjatë dhe jo strategjike – dhe sjell pasoja shumë më të mëdha se kriza mes lidershipit të Tiranës dhe Prishtinës”, përfundoi ai./BIRN