Nga BoldNews.al
Në kohën kur Bashkia Durrës drejtohej nga “legjenda e dosjes 339” Vangjush Dako, një kat poshtë zyrës së kryebashkiakut Emiriana Sako figuronte vetëm si një nga disa nëpunëset e zyrës urbanistike. Me profesion arkitekte, shprehu çudi sesi pas largimit të Vangjush Dakos dhe shkarkimit të kryebashkiakes së traumatizuar Valbona Sako, ajo do të mbante de jure postin e kryebashkiakes. Në zgjedhjet e pjesshme lokale të një viti më parë Emiriana Sako u zgjodh në krye të bashkisë, ndërsa sot kërkon një mandat të plotë.
Për kryebashkiaken në letra pak qytetarë të Durrësit mund të jenë në gjendje të tregojnë “karakterin” e saj, apo mënyrën e drejtimit të bashkisë, pasi të gjithë janë të bindur se në Durrës tjetërkush vendos dhe Sako është aty e ngjashme me një “punonjëse protokolli” që vulos dhe firmos atë që i thonë më të mëdhenjtë. Të tillë janë shumë që zonjën e “parë” të Durrësit e përdorin vetëm si mbajtëse vule. I pari është kryeministri Edi Rama që e përdor këtë bashki për haluçinacionet e tij me porte turistike duke kërkuar të sjellë “Dubain personal” aty me një aferë të frikshme abuzimi. Të tjerë të mëdhenj vijnë në radhë.
Në Durrës askush nuk e harron emrin e Vangjush Dakos, ish-kryebashkiakut që edhe pse ka katër vite që është larguar nga zyra, sërish është ai që drejton në formën e tij. Të tjerë të medhenj janë njerëzit e padukshëm, që kurrë nuk kanë ngjitur shkallët e bashkisë për të qarë ndonjë hall, ama prej asaj bashkie kanë përfituar qindra tendera. Janë njerëzit e botës së errët të krimit të cilët kontrollojnë gjithçka në qytetin bregdetar.
Ndërtimet në Durrës janë zaptuar nga personazhe të botës së krimit që në qeverisjen e Ramës dhe Dakos dolën nga skutat ku fshiheshin dhe u kthyen në “biznesmenë”. Kjo kategori është hambari i madh i votave, duke e mbajtur një qytet me traditë të shtypur, të shantazhuar dhe me frikën deri në palcë ku krimineli shëtit me hijen e rëndë dhe herë pas herë kujtojnë profesionin e vjetër duke zbrazur armët. Këtë radhë Sako është përballë figurës së Igli Carës, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe po bëhet gjithçka që “vula shëtitëse” të jetë de jure në krye të bashkisë. Kandidati rival është nje perzonazh që ka shqetësuar fort kreun e qeverisë dhe pashallarët lokal që nëse do të ishin në një vend ku funksionon drejtësia e pavarur do shihnin diellin vetëm dy orë në ditë në kohën e ajrimit të burgut.
Çdo betonizim i këtij qyteti që ka mbuluar edhe trashëgiminë kulturore mbart pas një firmë të frikshme që dikur për veten shprehej se “ishte i pastër si akullore”, ndonëse provat ishin më të pastra se akullorja kur dilte duke folur në telefon për vota me grupe të strukturuara kriminale. Ky është Durrësi që Sako fatkeqësisht edhe nga socialistët cilësohet person që shërben si mbulesë e një grabitje të frikshme që kryhet çdo ditë. Ky është Durrësi që Portin e përdorin si vendin ku “zhdoganohet pa faturë”, kokaina që përfundon në tregjet Europiane.
Kjo para që vjen nga trafiqet, influenca politike dhe betonizimi kërkojnë një “arkitekte” për tu dhënë firmën dhe fatkeqësisht deri tani Sako ka qenë e gatshme të vetëofrohet, duke mos pasur frikën e ndonjë çështje penale që me gjasë mund të shfaqet në SPAK. Atëherë do jetë shumë vonë, pasi argumenti se “më përdorën të tjerët” nuk është provë bindëse në gjykatë për ti shpëtuar penalizimit.
Avantazhet
-Në Durrës ka një trafijk të madh influence që nis me leje ndërtimi, mbyllje syri në Portin ku kalon kokaina, individë politik të mazhorancës që bëjnë fushatën e pisët në mënyrë të padukshme. E gjithë kjo armatë pas të cilëve fshihen trafikantë të lidhur ngushtësisht me pushtetin janë vënë në shërbim të fitores së Emiriana Sakos.
-Emiriana Sako ka në duar gjithë administratën dhe ka bërë një fushatë agresive. Reklamim të madh në mediat e blera, në rrjetet sociale dhe përdorim të frikshëm të administratës së bashkisë, aq sa rezulton si kryebashkiakja që është gjobitur nga KQZ për shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor.
-Paradoksalisht varfëria për Sakon dhe enturazhin e Rilindjes është avantazh. Në Durrës, kryesisht në periferinë e saj ka papunësi, shumë familje me ndihmë sociale dhe mungesë të theksuar investimesh. Të gjitha këto duhet të ishin “votë kundër”, por për Rilindjen janë mundësi që këta persona të vuajtur të jenë kontigjent kryesor për tu blerë votën apo për ti shantazhuar.
-Ka mbështetjen e qeverisjes qëndrore dhe veçanërisht të Ramës. Ai është i interesuari i parë që në krye të bashkisë jo vetëm të ketë përfaqësuesin e PS-së, por të jetë një person kokëulur që është gati të bëjë gjithçka që i thotë ai dhe bota e errët lokale.
Disavantazhet
-Emiriana Sako ka përballë Igli Carën, nje personazh që gëzon respekt në qytetin e Durrësit. Profili i lartë politik i Carës është problem kryesor i Sakos që e ka të vështirë të gjejë edhe një fije krahasimi me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
-Emiriana Sako nuk gëzon mbështetjen e elektoratit gri, i cili në Durrës është mjaft i lartë. Pikërisht kjo kategori duket se do të bëjë diferencën në përballjen e fortë. Elektorati gri nuk blihet dhe nuk shantazhohet lehtë, pavarësisht se grupet kriminale kanë ditë që ngrenë kokën në Durrës.
-Është person i provuar në drejtimin e bashkisë dhe njihet edhe si një “administrator jo e mirë”. Nuk është në gjendje që edhe çështjet rutinë të bashkisë t’i vendosë në shërbim të qytetarëve.
-Dukëshëm ka keqpërdorur fondet e termetit, duke i mbajtur peng qytetarët për shumë vite, me qëllim që shumat e parave që u takojnë për rikonstruksionin e banesave t’i shpërndajë vetëm në kohë fushate. Pikërisht kjo formë ka krijuar kundërshti të madhe tek personat e prekur.
Në Durrës nuk është fare risi të thuhet se bandat kriminale kanë një shtrirje të gjerë. Për interesin e tyre personal janë vënë në mbështetje të Sakos dhe shumë emra të botës së krimit kanë gjetur mënyrat që të ndikojnë në zgjedhje.