Gjyqtari Petraq Çuri i Gjykatës së Durrësit u përball të mërkurën më 10 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për balancat negative në vlera të mëdha para fillimit të detyrës kur ai ushtronte detyrën e avokatit, si dhe gjatë periudhës kur ka ushtruar funksionin. Po ashtu, u vërejt se nuk kishte qenë krejtësisht bashkëpunues gjatë hetimit administrativ. Në përfundim të seancës, Çuri pretendoi se kishte përmbysur barrat kërkoi riçeljen e hetimit edhe për dy kriteret e tjerë të rivlerësimit, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Procesi i vetingut për gjyqtarin Çuri po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Suela Zhegu. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Petraq Çuri e ka nisur karrierën si avokat në vitin 1993 dhe ka punuar në këtë profesion deri në 2010-ën, kur u emërua gjyqtar. Prej vitit 2010, ai e ushtron funksionin e gjyqtarit në gjykatën e rrethit Durrës.
Në vitin 2017, Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nisi një hetim disiplinor ndaj gjyqtarit Petraq Çuri, pas vendimit të tij të diskutueshëm për lirimin nga “masa e arrestit” të Alket Hatisë, i kërkuar asokohe nga Italia për akuzën e trafikut të drogës. Ministria e Drejtësisë kërkoi shkarkimin e tij nga detyra, por kërkesa u rrëzua nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Relatorja Bungo vërejti në fillim të seancës se Çuri nuk ka qenë krejtësisht bashkëpunues gjatë hetimit administrativ. Sipas saj, veç kërkesave për shtyrje të seancës, nuk ka dhënë shpjegime të plota lidhur me gjetjet për të cilat i janë kërkuar shpjegime.
Çuri pohoi në fund të seancës se kishte pasur probleme shëndetësore dhe kishte qenë i shtruar në spital. Ai shtoi se sjellja e tij kishte pasur të bënte me atë të Komisionit, që kishte nxituar ta nxirrte në seancë dëgjimore një muaj përpara se të dilte në pension.
Megjithatë, subjekti kërkoi falje për keqkuptimet dhe mes tij dhe relatores pati sqarime, ku secili pretendoi se nuk kishte asgjë personale me njëri-tjetrin. Ai u paraqit në seancën dëgjimore së bashku me avokaten Antoneta Sevdari.
Balancat negative
Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare të familjes Çuri për blerjen e një apartamenti dhe garazhi në Tiranë në vitin 2007 kundrejt vlerave 72 mijë euro dhe 12 mijë euro, të një si dhe për krijimin e disa depozitave në shuma të konsiderueshme, para dhe pas fillimit të detyrës. Si burime për krijimin e këtyre pasurive, Çuri ka deklaruar të ardhurat nga puna si avokat për periudhën 1993-2010 në vlerën rreth 42 milionë lekë, të ardhurat nga puna e bashkëshortes nga viti 1987 e në vijim, interesat bankare në vite në ish-firmat priamidale, Bankën e Kursimeve dhe interesat e mëvonshme të depozitave.
Po ashtu, subjekti pretendoi në seancë si burime për krijimin e pasurive edhe të ardhurat e prindërve të tij dhe nënës së bashkëshortes nga pensioni dhe puna në Greqi, duke argumentuar se kanë jetuar bashkë dhe janë kujdesur për ta.
Nisur nga fakti se kësti i fundit për apartamentin dhe garazhin është paguar në vitin 2008, Komisioni konstaton se subjekti ka kryer pasaktësi në deklaratën “veting”, kur ka shënuar si burime krijimi edhe të ardhurat e tij nga avokatia për vitet e mëvonshme 2009 dhe 2010, si dhe të ardhurat e bashkëshortes deri në 2011-ën.
Bazuar në dokumentacionin e administruar gjatë hetimit administrativ, të ardhurat nga avokatia janë përllogaritur nga Komisioni në vlerën rreth 6.3 milionë lekë dhe jo 42 milionë lekë sa janë deklaruar nga subjekti. Për rrjedhojë ka rezultuar bilanc negativ për blerjen e apartamentit dhe të garazhit në kryeqytet.
Komisioni konstaton pamundësi financiare edhe për blerjen e një automjeti në vitin 2015 kundrejt shumë 26 mijë e 300 euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie të luajtshme, Çuri ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një mjeti, pakësimin e një llogarie, kredi dhe të ardhurat nga dhënia me qira e ambjenteve të një banese në Dhërmi gjatë sezonit veror.
Bungo tha se subjekti nuk ka deklaruar në asnjë vit gjendje cash, si dhe nuk është vërtetuar ligjshmëria e të ardhurave nga dhënia e banesës me qira. Për rrjedhojë, ka rezultuar bilanc negativ në momentin e blerjes së mjetit në 2015-ën.
Po ashtu, ka rezultuar pamundësi financiare dhe për krijimin e kursimeve cash.
Banesa me dy kate në Dhërmi, e ndërtuar gjatë viteve 2002-2004 është deklaruar nga subjekti në vlerën rreth 15 milionë lekë, ndërkohë që në aktin e kolaudimit është shënuar 20 milionë lekë. Për këtë arsye, Komisioni ka konsideruar si shpenzim për krijimin e kësaj pasurie vlerën 20 milionë lekë.
Bungo tha se subjekti nuk ka deklaruar saktë vlerën e kësaj pasurie. Edhe në këtë rast u konstatua pasaktësi në deklarimin e burimeve, pasi janë shënuar edhe të ardhurat e tij të bashkëshortes për periudhën pas kryerjes së investimit.
Subjekti ka deklaruar mbi 6 milionë lekë të ardhura nga qiradhënia e dhomave të banesës në Dhërmi, por sipas Bungos, ai nuk ka vërtetuar me dokumentacion ligjor ushtrimin e aktivitetit të pretenduar. Për rrjedhojë, shuma e deklaruar si e ardhur nga ky aktivitet, nuk është konsideruar në analizën financiare.
Po ashtu, Bungo u shpreh se ngrihen dyshime për deklarim fiktiv të këtyre të ardhurave për të justifikuar pasuritë në të ardhmen.
Komisioni konstaton se bashkëshortja e subjektit ka blerë dy apartamente në Vlorë, në të njëjtin pallat. Subjekti ka pretenduar se këto apartamente i janë dhuruar bashkëshortes nga nëna e saj. Ai ka shpjeguar për Komisionin se vjehrra kishte një truall që e kishte dhënë për investim në këmbim të apartamenteve, dyqaneve dhe garazheve, që do t’ua ndante tre fëmijëve.
Por, Bungo vërejti se në kontrata e blerjes së apartamenteve shënohet se çmimi është shlyer jashtë zyrës noteriale, ndërsa nuk citohet në asnjë rast kontrata e sipërmarrjes së vjehrrës së subjektit.
Subjekti ka shpjeguar se në kontratën e sipërmarrjes thuhej se vjehrra do të përfitonte një aprtament dhe një shumë parash, që sipas tij kjo vlerë përfaqësonte pasutritë e tjera, apartamentet, dyqanet dhe garazhet.
Bungo vërejti se në kontatën e shkëmbimit të truallit nuk përcaktohet se vlera në lekë përfaqëson pasuritë e tjera të pretenduara. Për një deklaratë të shoqërisë ndërtuese që ka konfirmuar pretendimin e subjektit, KPK ngre dyshime se mund të jetë kryer prej gjyqtarit Çuri gjatë procesit të rivlerësimit. “Subjekti ka dorëzuar një deklaratë në dukje fitikve”, pohoi Bungo.
Komisioni konstaton paqartësi lidhur me burimin e një toke me sipërfaqe 8860 m2 në Dhërmi, që bashkëshortes së subjektit ia ka dhuruar nëna e saj. Vjehrra e subjektit e ka përfituar me dëshmi trashëgime këtë pronë, ndërkohë që trashëgimlënësi ka ndërruar jetë në vitin 1970 dhe nuk dihet si e ka fituar këtë pasuri në atë periudhë.
Sipas Bungos, ka pasur mungesë bashkëpunimi nga ana e subjektit për të qartësuar këtë situatë.
Komisioni konstaton se ngjashëm si bashkëshortja ka blerë dy apartamentet në Vlorë, në emër të vajzës janë blerë një garazh, dy njësi. Megjithëse subjekti ka pretenduar se dhe në këtë rast ka qenë vjehrra që i ka dhuruar këto pasuri të përfituara nga kontrata e sipërmarrjes e vitit 2007, në shkëmbim të truallit, KPK vëren se në kontrata nuk ka asnjë citim të kontratës së sipërmarrjes së vjehrrës.
Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën 19 milionë lekë në momentin e blerjes së tyre. Edhe në këtë rast, është ngritutr dyshim për fiktivitet lidhur me deklaratën e shoqërisë ndërtuese që knfirmon pretendimin e subjektit se kanë qenë pasuri të fituara bazuar në kontratën e sipërmarrjes.
Ndërkohë, ka rezultuar se kontratat janë kryer bazuar në një prokurorë në emër të vajzës së subjektit, që është lëshuar kur ajo nuk gjendej në Shqipëri. Sipas Bungos, duket se subjekti ka përdorur një dokument jo të rregullt, duke e cilësuar si veprim jo në përputhje me etikën e magjistratit.
Bungo vërejti se subjekti ka sjellë pngesë për verifikimin e një llogarie të vajzës që ka shërbyer për transferimin e vlerave për shkollimin e saj në Angli. Sipas saj, Çuri nuk ka depozituar dokumente për pagesat e shpenzimeve të qëndrimit dhe tarifat e universitetit ku ka studiuar e bija.
Komisioni e ka ndarë në dy pjesë analizën financiare të përgjithshme për gjyqtarin Petraq Çuri. Për periudhën para fillimit të detyrës, ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 44.5 milionë lekë, ndërsa gjatë ushtrimit të funksionit të gjyqtarit është gjetur në pamundësi në shumën 26.9 milionë lekë për kryerjen e investimeve dhe mbulimin e shpenzimeve.
Avokatja Sevdari theksoi se subjekti vlerëson se Komisioni ka cënuar sigurinë juridike, pasi në rastin e të mbrojturit prej saj, nuk ka respektuar praktikën e vetë KPK-së dhe të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA.
Sevdari solli në vëmendje vendime të Komisionit dhe të KPA-së, ku të ardhurat nga avokatia, sipas saj në raste të ngjashme me të Çurit, ishin konsideruar si burime të ligjshme.
Avokatja vërejti se Komisioni nuk ka dhënë arsye për largimin nga jurispudenca e mëparshme. “E bënë KPK-në të kritikueshme se përdër standarte të dyfishta duke cënuar besimin e publikut tek drejtësia”, pohoi ajo.
Çuri pretendoi se kiste dorëzuar dokumentacion të mjaftueshëm që vërtetonin të ardhurat nga avokatia që ka deklaruar. Sipas subjektit, nuk është faji i tij përse institucionet tatimore nuk disponojnë dokumente. Ai kërkoi që të konsiderohet se gjendet në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar një pjesë të dokumentacionit, për shkak të kohës që ka kaluar. Mes provave të dorëzuara, ai renditi edhe listën e vendimeve të shumta ku citohet si mbrojtës i palëve në proces, si dhe një libër të botuar prej tij në vitin 2009, përpara se të fillonte detyrën, ku shprehej se kishte punuar 15 vjet si avokat.
Ai theksoi se, përderisa vërtetonte se nuk kishte detyrime të papaguara, tregonte se të gjitha të ardhurat për periudhën kur kishte ushtruar profesionin e avokatit ishin të igjshme dhe duhet të konsiderohen në analizën financiare.
Po ashtu, Çuri e cilësoi të padrejtë, konsiderimin e marzhit të fitimit në masën 26%, duke sjellë në vëmendje jurisprudencën e instituciuoneve të vetingut, ku në raste të tjera të ardhurat nga avokatia janë vlerësuar me marzh fitimi nga 80% në 100%. Ai kërkoi aplikimin e të njëjtit standard dhe në rastin e tij.
“Përse ky denigrim për mua, kur një tjetri ia keni konsideruar marzhin e fitimit 100%”, deklaroi Çuri.
Në vijim, subjekti deklaroi se kishte filluar punë në gjykatë si sekretar gjyqësor që prej vitit 1980, më pas si përmbarues e në fund si gjyqtar, periudhë që sipas tij, nuk ishte analizuar nga KPK. Çuri tha se pas viteve ’90 ishte larguar vetë nga sistemi pasi nuk mund të qëndronte më dhe se kishte ushtruar profesionin e avokatit.
Ai sqaroi se kishte pajtuar një vlerësues, i cili kishte konkluduar se të ardhurat nga avokatia janë reth 40 milionë lekë, në vlerë të përafërt me atë që ka deklaruar.
Subjekit këmbënguli se duhen konsideruar në analizë edhe të ardhurat nga interesat bankare, sipas tij, interesat nga ish-firmat piramidale shkonin deri në 30%, ndërkohë që dhe Banka e Kursimeve kishte rritur më vonë interesin deri në 36%.
“Nga sasia që kishim të depozituara, ato u dyfishuan dhe në vitin 2001 kishim sasi të mëdha likujditetesh”, deklaroi Çuri.
Ai i cilësoi të dubluara shpenzimet e shkollimit të vajzës dhe kërkoi korrigjimin e tyre. Po ashtu, kërkoi të konsiderohen në analizë të ardhurat e vjehrrës në shtetin grek në vlerën rreth 40 mijë euro, si dhe të ardhurat e prindërve të tij. “I kam pasur nën kujdes dhe të ardhurat e tyre i kam administruar unë”, pohoi subjekti.
Lidhur me pasaktësitë e konstatuara në deklarimin e burimeve të pasurive, ku janë shënuar dhe të ardhurat pas kryerjes së investimeve, Çuri shpjegoi se u ishin referuar vërtetimeve, duke vlerësuar se Komisioni do ta bënte përllogaritjen e të ardhurave sipas kohës përkatëse.
Çuri pranoi se në dokumentacionin e kolaudimit të banesës në Dhërmi ishte shënuar vlera 20 milionë lekë, por ai këmbënguli se investimi kishte qenë në vlerën rreth 11 milionë lekë. Subjekti tha se punimet nuk i kishte kryer shoqëria ndërtuese, por disa brigade me punëtorë. Sipas subjektit, një inxhinier që kishte lidhje me firmën ndërtuese kishin rënë dakord që të kryente kolaudimin me vlerë më të lartë, me qëllim që ta kishte në rast se do ta shiste pronën. “Kjo është çështje besimi, nëse e besoni, pork jo është e vërteta”, deklaroi Çuri.
Subjekti kërkoi që të konsiderohen në analizë edhe të ardhurat nga dhënia me qira e ambjenteve të banesës në Dhërmi. Ai tha se aktivitetoi menaxhohej nga vjehrra, që sipas tij, dhe pse e moshuar, ishte e fortë. Po ashtu, ai tha se kur kishte kohë të lirë shkonte me bashkëshorten dhe punonin, ku edhe vetë lante çarçafët.
“Jam jurist dhe nuk do të bëja të ardhura fiktive”, pohoi Çuri duke shpjeguar se për shkak të informalitetit në këtë sector, ligjvënësi kishte caktuar pagimin e tatimit në burim nga ana e vetë subjekteve sipas deklarimeve të tyre.
Çuri kërkoi që të konsiderohen kursimet cash. Në vijim ai u ndal në pasuritë që pretendon se i janë dhuruar bashkëshortes dhe të bijës nga vjehrra. Ai tha se kontratat e shitjes kanë qenë formale. “Është e prapranueshme që të konstatohet se i kemi blerë. Pse do t’i blinim aty në të njëjtin pallat dhe jo në Lungomare?”, pohoi Çurri dhe solli në vëmendje se dhe familjarët e bashkëshortes kishin vepruar në të njëjtën mënyrë.
Subjekti solli në vëmendje një vendimarje të Gjykatës së Posacme për një komisionere të KPK-së, që sipas tij bëhet fjalë në të dy rastet për veprime fiktive në dukje, por që nuk sjellin probleme.
Për ngastrën që vjehrra i ka falur bashkëshortes, subjekti pretendoi se në Dhërmi tokat ishin ndarë ashtu si i kishin pasur familjen më parë. “Ne i kemi shërbyer vjerrës dhe prandaj ajo na i dhuroi”, pohoi ai dhe pretendoi se as nuk e dinin se ku ishte toka, pasi është ende e paregjistruar për shkak se nuk është kryer azhornimi.
Lidhur me mosdeklarimin e llogarisë në emër të vajzës ku transferoheshin shumat për qëndrimin dhe shkollimin e saj në Angli, subjekti deklaroi se kjo llogari nuk funksiononte prej momentin që ishte kthyer e bija. Sipas tij, banka të pyeste kur mbyllje llogarinë nëse do të nevojiteshin të dhëna në të ardhmen që ta shënonte, por vajza nuk e kishte bërë këtë kërkesë, prandaj nuk kishin marrë dot informacionet e kërkuara prej KPK-së.
Ai pretendoi se vajzës i kanë blerë një shtëpi me burime të ligjshme dhe se kishin kryer udhëtime të rregullta jashtë shtetit. Çuri kërkoi që të rishikohej analiza financiare për periudhën e shkollimit të vajzës, që të konsiderohen shpenzime për dy vetë dhe jo për tre, pasi e bija nuk ka jetuar në Shqipëri.
Çuri dhe avokatja Sevdari kërkuan korrigjimin e analizës financiare. “Nëse korrektohen, balancat e tmerrshme nuk do të ekzistonin”, pohoi Sevdari dhe këmbënguli se bilanci del pozitiv.
Subjekti këkroi riçeljen e hetimit dhe më pas konfirmin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 12 maj, në orën 09:30.
/Reporter.al