Një operacion anti-drogë është zhvilluar në Torino të Italisë, ku në pranga janë vënë 5 shtetas shqiptarë me akuzën për trafik droge. Mediat vendase raportojnë se trafikantët shqiptarë banonin në Torino, Lissone, Frosinone dhe Verona.
Në kërkim është shpallur shqiptari i 6-të i cili dyshohet se është pjesë e grupit kriminal që trafikonte drogë të llojit kokainë në disa zona në Itali.
Arrestimet e këtij operacioni policor janë pjesë e një hetimi të gjerë, ku më herët në pranga janë vënë edhe 19 persona të tjerë. Në total janë sekuestruar rreth 18 kilogramë kokainë, mbi 23 mijë euro dhe gjashtë makina. Operacioni u zhvillua nga autoritetet në Torino në bashkëpunim me autoritetet policore në 4 zonat e tjera ku banonin shqiptarët. Për arsye hetimore identiteti i të arrestuarve shqiptarë nuk bëhet me dije.