Më 7 dhjetor 2018, Enkelejda Rexhepit nga qyteti verilindor i Bulqizës i nisën papritur dhimbjet e lindjes dhe priti më kot një ambulancë. Asokohe 31-vjeç, Rexhepi ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë dhe priste trinjakë.
Së bashku me të shoqin morën taksi dhe u nisën drejt spitalit, por aty nuk kishte gjinekolog.
Gruaja tregon se u detyrua ta bënte lindjen e parë me ndihmën e mamisë dhe të mjekut të përgjithshëm, ndërsa një mjek specialist po fluturonte me helikopter nga Tirana për t’i shpëtuar jetën.
“Ai pyeste vazhdimisht nëse kishte mjek anestezist, nëse kishte sallë operacioni apo mjek që ta ndihmonte, por asgjë nga këto nuk ishte në spital,” kujton Enkelejda pesë vjet më vonë.
Përballë mungesave të mëdha në spital, mjeku i tha Enkelejdës “të bëhej e fortë” dhe e kreu ndërhyrjen pa anestezi. Dy foshnjet e para lindën gjallë, por ndërruan jetë pas dy orësh në spitalin e Bulqizës, ndërsa i treti lindi i vdekur.
Enkelejda i tha BIRN se kjo ishte trauma më e madhe e jetës.
“Nuk e përballoja dot atë humbje, ishte shumë e vështirë. Një dhimbje e papërshkrueshme,” shtoi ajo mes lotëve.
Shqipëria nxjerr çdo vit 150-200 mjekë specialistë, por numri i tyre është i pamjaftueshëm për të plotësuar vakancat e krijuara ndër vite – veçanërisht në spitalet e bashkive të largëta si ai i Bulqizës. Në anën tjetër, vendi humbet një numër thuajse të barabartë mjekësh çdo vit në një eksod të pandalshëm të bluzave të bardha drejt Perëndimit.
‘Brain drain’ ose ikja e trurit është një ndër fenomenet më të neglizhuara të trazicionit shqiptar, i reflektuar gjatë dekadës së fundit me largimin masiv të personelit shëndetësor nga vendi.
Prej vitit 2014, Shqipëria llogaritet të ketë eksportuar rreth 1500 mjekë vetëm në Gjermani, ndërsa largime ka pasur edhe drejt Italisë, Anglisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Francës.
Eksodi ruan një trend rritës edhe gjatë tre viteve të fundit, kur sipas Urdhrit të Mjekut 490 mjekë u pajisën me ‘certifikatën e sjelljes së mirë’– një dokument që u mundëson atyre punësimin jashtë shtetit.
“Ne jemi duke humbur 100-150 mjekë në vit,” thotë me shqetësim Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë.
“Kjo është një lëvizje e ‘trurit’ që shkon nga vendet ku paguhen më pak drejt atyre që paguhen më shumë,” shtoi ai, ndërsa theksoi se këtë situatë po e vuajnë më shumë zonat e largëta të vendit.
Kriza e injoruar e mjekëve
Kryeministri shqiptar, Edi Rama e relativioi për vite me radhë problemin e largimit të mjekëve dhe infermierëve nga vendi – duke e konsideruar këtë një efekt anësor global të lëvizjes së lirë.
Por Rama ndryshoi qëndrim gjatë muajve të fundit, ndërsa qeveria e tij po prezanton politika për të frenuar eksodin e bluzave të bardha.
Gjatë një Kongresi Shëndetësie të zhvilluar në fillim të marsit, Rama deklaroi rritjen me 50 mijë lekë në muaj të pagës së mjekëve specialistë dhe premtoi rritje edhe për kategoritë e tjera. Por ai prezantoi edhe kushte, duke paralajmëruar rritje të kostove të studimit për studentët që nuk do të pranojnë të kontribuojnë për vendin.
“Nuk mundet dot Shqipëria të financojë sistemin shëndetësor gjerman. Ne nuk mund të cënojmë interesin tonë, nuk mund të pranojmë që 1 student të paguajë 1/16 e kostos dhe në fund, studenti të marrë diplomën dhe të ikë në Gjermani,” tha Rama.
Ndonëse të vonuara, lëvizje të tilla janë mirëpritur në një pjesë e komunitetit mjekësor të vendit.
“Kur në fillim thosha ‘po na ikin mjekët’, më thonin që ka mjekë sa të duash..,” kujton rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.
Ai e quan një ogur të mirë faktin që politika është ndërgjegjësuar dhe “po harton politika për të mbajtur trurin e shëndetësisë në vend”.
Të tjerë kanë dyshime nëse vendi i vogël i Ballkanit mund të hartojë strategji të suksesshme për adresuar të gjitha shkaqet që i shtyjnë mjekët drejt largimit.
Gazmend Koduzi, pedagog në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, dikur kordinator i Partisë Demokratike për Shëndetësinë, i tha BIRN se qeveria do të duhej të kryente një reformë të mirëfilltë të sistemit shëndetësor për të siguruar paga më të larta, kushte më të mira pune si dhe mundësi më të mira për karrierë.
“Nëse nuk merren masat përkatëse, përgatitja e një strategjie të zhvillimit të burimeve njerëzore bazuar në evidencë si dhe zbatimi i reformave esenciale në sistemin shëndetësor, gjendja pas disa kohësh do të jetë e trishtë,” tha Koduzi.
Shaqir Qerama është ndër të paktët mjekë të rinj të brezit të tij që synon të ndërtojë një karrierë në Shqipëri. Pasi përfundoi studimet në një universitet privat, Qerama po kryen specializimin për hematologji në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”.
“Nga 40 veta që ishim në klasë, kemi ngelur vetëm 3 në Shqipëri. Të gjithë kanë ikur në Gjermani,” thotë ai me keqardhje.
Për të frenuar hemorragjinë e mjekëve drejt Perëndimit, qeveria ka vendosur një pagesë për mjekët specializantë në këmbim të detyrimit për të punuar për tre vjet atje ku ka më shumë nevojë, por Qerama e ka refuzuar këtë ofertë.
“Mjekësia në rrethe është më shumë se 20 vite pas,” tha Qerama, ndërsa shtoi se nëse do t’i duhej të punonte jashtë Tiranës, nuk do të kishte mundësi ta ushtronte profesionin ashtu siç duhet.
Nëse nuk emigrojnë, qëndrojnë në Tiranë
Shqipëria mban vendin e fundit në rajon për numrin e mjekëve në raport me popullsinë dhe kriza e emigrimit e bën edhe më të vështirë ngritjen e burimeve të mjaftueshme njerëzore për të plotësuar nevojat e vendit.
Gjithashtu, mjekët janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, duke penalizuar popullatën e varfër që jeton në zonat më të thella të vendit.
Në Shqipëri funksionojnë 42 spitale publike, të ndara në spitale universitare, rajonale dhe bashkiake. Spitalet bashkiake ofrojnë me vështirësi shërbimet, kryesisht për arsye të mungesës së numrit të mjaftueshëm të mjekëve specialistë.
Për të mbuluar vakancat në spitalet rajonale dhe ato bashkiake, Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar prej vitesh një sistem patronazhimi si dhe ka inkurajuar transferimin e mjekëve në zonat e thella në këmbim të një bonusi bujar financiar.
Por të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se vetëm një numër i kufizuar mjekësh u janë përgjigjur këtyre thirrjeve.
Ministria e Shëndetësisë i tha BIRN se kishte punësuar 314 mjekë gjatë vitit 2022 për të mbuluar vakancat, 140 prej të cilëve mjekë specialistë.
Punësimet e reja e kanë çuar numrin e mjekëve të angazhuar në sistemin spitalor të të gjitha niveleve në 2800 mjekë, ndërsa numri i vakancave sipas Ministrisë është aktualisht 76 pozicione.
Ministria shtoi gjithashtu se kishte aktualisht të angazhuar në programin e patronazhimit 47 mjekë të specialiteteve të ndryshme, ndërsa përmes programit të bonusit ishin mbështetur 24 mjekë.
“..Programi i incentivave financiarë, bonusi për mjekët, i cili mbështet mjekët që ofrojnë shërbime shëndetësore të specializuara larg vendbanimit rezulton një program efektiv që ka ofruar më shumë shërbime afër vendbanimit për qytetarët në të gjithë vendin dhe ka mbështetur 24 mjekë,” tha Ministria në përgjigjen me shkrim.
Megjithatë, të dhënat e pjesshme të siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se spitalet rajonale dhe ato bashkiake vazhdojnë të kenë mungesa të theksuara të mjekëve specialistë dhe kanë të pambuluara shërbime shumë të rëndësishme për pacientët.
Spitali rajonal i Elbasanit i tha BIRN se kishte aktualisht 86 mjekë në detyrë dhe 22 vakanca ose 25% të numrit total të mjekëve. Edhe spitali rajonal i Korçës – më i rëndësishmi në juglindje të vendit tha se kishte në punë 76 mjekë dhe 6 vakanca; mes të cilave 1 mjek ortoped, 1 mjek hematolog, 1 mjek kardiolog, 1 mjek neonat, si dhe 2 mjekë për urgjencën.
Spitalet bashkiake të vendit vuajnë mungesa edhe më të mëdha dhe nuk po munden që të rekrutojnë staf të specializuar.
Ekspertët e shëndetësisë janë të shqetësuar për vakancat e shumta në spitalet rajonale dhe bashkiake dhe e konsiderojnë plotësimin e tyre një sfidë të vështirë për t’u përmbushur.
Rektori Gjata thotë se edhe nëse nuk ikin jashtë shtetit, pjesa më e madhe e studentëve apo specializantëve të mjekësisë dëshirojnë të qëndrojnë në Tiranë, pavarësisht ofertave financiare të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ofertat financiare për të ikur me kontratë jashtë Tiranës janë shumë të favorshme, por jo të gjithë e pranojnë këtë ide,” tha ai.
Për pedagogun Koduzi, mungesa e mjekëve ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës.
“Mungesa e mjekëve e ul aksesin ndaj shërbimit shëndetësor dhe si pasojë përkeqëson gjendjen shëndetësore të popullatës,” thotë Koduzi, ndërsa paralajmëron se Shqipëria do të përballet me largime edhe më të mëdha mjekësh me avancimin e integrimit në BE.
Pasojat i vuajnë pacientët
Qyteti i Shkodrës ka një ndër spitalet më të rëndësishme rajonale, por prifti ortodoks, Aleksandër Petani merr rrugën drejt Tiranës sa herë që i duhet të kalibrojë kardioverterin [ICD] që e mban në jetë.
Petani i ka mbijetuar dëmtimit të kolonës dhe disa infarkteve, ndërsa zemra e tij rreh rregullisht me ndihmën e aparaturës së implantuar.
“Kam apartatin e vendosur në trup, jam i lidhur me pesë tela. Sa herë që aparatura bën goditje për të rikthyer zemrën në punë, pas dy ditësh maksimumi duhet të paraqitem te mjeku që të kalibrojë përsëri aparaturën,” tregon Petani. Por në Shkodër mungon një mjek për këtë specialitet.
Udhëtimet e shpeshta drejt Tiranës janë një kosto e shtuar fizike dhe ekonomike për priftin ortodoks dhe bashkëshorten e tij.
“Na duhet të marrim makinë në dispozicion që shkon diku te tetë mijë lekë si dhe të rezervojmë një dhomë hoteli te 25 euro. Ai nuk e përballon dot udhëtimin dhe lodhjen. E kemi të pamundur, si nga ana finaciare ashtu edhe fizike,” thotë Vjollca, bashkëshortja e tij.
Rreth 130 kilometra në juglindje të Shkodrës, spitali i Bulqizës përballet me trauma të shumta për shkak të aksidenteve në minierë, por i mungojnë mjekët specialistë.
Mjeku i përgjithshëm, Fatos Hoxha thotë gjithashtu se kushtet e punës lënë shumë për të dëshiruar.
“Edhe për ne vetë si mjekë është shumë e vështirë kur nuk kemi mundësi t’u ofrojmë ndihmë pacientëve për shkak të mungesave që kemi,” tha Hoxha për BIRN.
Pas ngjarjes së rëndë të vitit 2018, spitali i Bulqizës lidhi kontratë me një mjeke gjinekologe, por ajo u largua pas një kohe të shkurtër. Shkak sipas njërës prej mamive u bënë kushtet e vështira të punës.
“Ne kemi nevojë për një mjek gjinekolog dhe një reanimator. Duhet të kemi disa kushte që mjeku të mos përfundojë duke bërë detyrat e mia si mami,” thotë mamia që punon prej 29 vitesh në këtë spital.
Dy vjet pas humbjes së tre foshnjeve, Enkelejda Rexhepi ngeli sërish shtatzanë dhe e gjeti spitalin sërish pa gjinekolog. Ajo u detyrua të udhëtojë drejt Peshkopisë për kontrollet e saj periodike, por trauma ishte ende e freskët.
“Pas asaj që më kishte ndodhur e kisha me frikë që udhëtoja deri në Peshkopi për të bërë vizitat. Duhet të kemi edhe ne si qytet një mjek gjinekolog,” tha ajo. “Është në lojë jeta e njerëzve dhe nuk dua që asnjë nënë të kalojë atë që kalova unë,” përfundoi ajo.