Nga Boldnews.al
Disa institucione i kanë shpallur “luftë” njëra-tjetrës për tenderat e lavanderisë së QSUT-së, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Paralelisht, janë hapur dy tendera, ku vlera e të dyve është plot 12 milionë euro.
Një shumë marramendëse, duke qenë se bëhet fjalë për një nga procedurat e mëparshme që ka shkuar edhe në SPAK kohët e fundit, por që deri më tani nuk ka asnjë informacion për mbarëvajtjen e këtij procedimi. Megjithatë, ky hetim nuk e ka penguar drejtorinë e QSUT-së apo edhe Agjencinë Shtetërore të Prokurimeve të Përqendruara të hapin dy tendera paralelisht, duke “luftuar” se kush do t’i bëjë këto procedura.
Disa javë më parë, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” hapi një tender me vlerë 2.2 milionë euro. Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, QSUT ka shpallur procedurën “shërbimi i lavanderisë dhe hotelerisë në pavijonet e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza'”. Vlera e këtij tenderi është plot 223.385.388 lekë, ndërsa bëhet fjalë për “shërbime për furnizimin e lavanderisë së spitalit”. Tenderi është i hapur, mbi kufirin e lartë monetar. Por, ajo që duket e çuditshme në këtë procedurë ka të bëjë me tenderët e mëparshëm të lavanderisë. Ish-drejtori Enkelejd Joti ka hapur disa procedura, ku shumicën e tyre i ka bërë “pis”. Disa vite më parë, Joti hapi tenderin me vlerë rreth 9.2 milionë euro. Por, ato u zvarritën tej mase, duke “detyruar” QSUT të bënte të tjerë tendera emergjencë. Në atë kohë u bë normalisht tenderi, ku kjo agjenci skualifikoi kompaninë që kishte ofruar më pak.
Ndërkohë, përpos të gjitha këtyre procedurave të mëparshme të drejtoreshës aktuale Albana Fico dhe ish-drejtori Enkelejd Joti, është hapur një mega tender për të njëjtin objekt; lavanderia e QSUT-së! Objekti i procedurës së prokurimit është “shërbim lavanderie për Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”. Kësaj herë autoriteti kontraktues është Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara, pra një institucion që kontrollohet nga Kryeministria dhe jo nga Ministria e Shëndetësisë, duke u hequr shuma të mëdha prokurimi. Por shikoni dhe lexoni sa është vlera e këtij tenderi të ri; 1.084.945.722 lekë. Ose plot 10 milionë euro. Mësohet se procedurat janë gati dhe gjatë këtyre javëve do të hapen edhe zarfet, për të bërë disa ndere, pasi me kaq shumë fond, ka për të gjithë para’.