Ndryshimet klimatike mund të ndikojnë sektorë të shumtë, por bujqësia është një ndër ato ku pasojat negative janë të mëdha.
Në Shqipëri, thatësira e tejzgjatur, përmbytjet apo sjelljet atipike stinore dëmtojnë rëndë sektorin, teksa kërkohet rritje e vëmendjes për minimizimin e pasojave të tyre.
Prof. Dr. Ilir Kristo, nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, shprehet se efektet e ndryshimeve klimatike në bujqësi janë objekt monitorimi në vendin tonë.
Ndikimet e tyre lidhen drejtpërdrejt me erozionin apo fenomene të tjera si sëmundshmëria dhe agresiviteti i tyre. Lidhur me këtë, ai pohon se rritja e temperaturës në disa raste ka sjellë ndikim negativ, teksa për ullirin ka bërë që të jetë “i mbrojtur” nga çelja e vezëve të mizës që e dëmton atë.
Ndryshimet klimatike që lidhen me temperaturat dhe reshjet në afatshkurtër parashtrojnë sfidën e aplikimit të metodave më efikase në ujitje për të miradministuar pasurinë ujore, kurse në afatmesëm dhe afatgjatë mund të kërkojë një ripërshtatje të hartës së rajonizimit të bimëve bujqësore.
“Meqenëse një nga efektet kryesore të ndryshimeve klimatike lidhet me ndryshimet termike, atëherë është e qartë që harta e shpërndarjes së kulturave bujqësore do të pësojë modifikime.
Projeksionet në terma afatmesme dhe afatgjata të ndryshimeve termike na tregojnë se zhvendosjet do të jenë të kufizuara dhe do të lidhen kryesisht me bimësi të zonave të ngrohta që do të ngjiten më shumë drejt Veriut dhe lartësive.
Këtu mund të përmendim rajonet e përhapjes të agrumeve, ullirit, pjeshkës, luleshtrydhes, serrave me ngrohje diellore etj.” pohon z. Kristo.
Ndryshimet klimatike janë një çështje që po trajtohet me theks të veçantë viteve të fundit dhe Shqipëria nuk është imune ndaj një problemi global. Në këndvështrimin tuaj, a është prekur bujqësia në vend nga këto ndryshime dhe a rrezikohet?
Ndryshimet klimatike janë një realitet dhe siç e theksoni edhe ju në pyetjen tuaj, një problem global.
Që në vitin 1979, në Konferencën e Gjenevës, e cila ishte edhe Konferenca e Parë Botërore e Klimës u identifikuan ndryshimet e klimës si një problem urgjent botëror. U bë një periudhë mbi 40-vjeçare, që gjithë shtetet e trajtojnë këtë shqetësim gjithnjë e në rritje në shumë takime ndërkombëtare.
Edhe Shqipëria është një vend nën ndikimin e ndryshimeve globale, pavarësisht se kontributi ynë në këtë proces është i papërfillshëm.
Shpeshtësia e reshjeve ekstreme me intensitet të lartë, që shoqërohet me erozion të lartë, përmbytje të shpeshta, thatësira të zgjatura që shoqërohen edhe me zjarre masive e shkatërrojnë sipërfaqe të konsiderueshme me vegjetacion, janë tregues të qartë se vendi ynë është nën një ndikim të fortë të efektit negativ të ndryshimeve klimatike.
Një tjetër aspekt në vendin tonë është çrregullimi i shpërndarjes së temperaturave ditore gjatë muajve dhe stinëve. Ndonëse temperatura mesatare vjetore në periudhën 2010 – 2020 krahasuar me periudhën 1960 – 1990 rezulton me një rritje rreth 0.8 – 1.7oC, ku vlerat më minimale janë regjistruar në zonën e ulët dhe maksimale në zonën e lartë, mesataret mujore, pasqyrojnë situata të diferencuara.
Kështu, në zonën e ulët (Tirana), rritja e temperaturës mesatare mujore shprehet më shumë në periudhën maj – shtator, ndërsa në zonat e larta (Korça) rritja e temperaturës mesatare mujore është me vlera më të larta në periudhën shkurt – tetor.
Shpërndarja e temperaturave brenda muajit shfaq një çrregullim më të madh, aq sa shpesh në publik qarkullon shprehja “janë ngatërruar stinët”.
Pra në mes të dimrit ndeshim temperaturat e pranverës dhe në pranverë temperaturat e dimrit.
Një tendencë e përafërt ndodh edhe me shpërndarjen e reshjeve, ku mesataret shprehin ndryshime jo shumë të mëdha, ndërsa siç e përmenda edhe më lart intensitetet ekstreme janë bërë shumë të pranishme.
Pikërisht ky çrregullim i regjimit termik dhe hidrik, prek direkt bujqësinë, veçanërisht në zonat e ulëta gjatë përmbytjeve apo në zonat mbi ujë, gjatë periudhës së nxehtë, ku për shkak të zvogëlimit të kapacitetit akumulues të tokës për ujë, vështirësohet mbijetesa e bimëve.
Ndikim tjetër negativ mbi bujqësinë, lidhet me erozionin. Gjatë reshjeve intensive, ulet depozitimi i ujit në tokë dhe shtohet rrjedha sipërfaqësore, duke larguar nga tokat një sasi të konsiderueshme të lëndës organike dhe të elementeve ushqyese.
Cilat janë format që tregojnë se ndryshimet klimatike kanë prekur bujqësinë në vend sa i takon produktivitet, si dhe kulturave që mund të kultivohen në rajone të ndryshme në vend?
Siç është tashmë e njohur, ndryshimet klimatike konsistojnë në tre drejtime kryesore. Rritja e temperaturës, çrregullimi i shpërndarjes së reshjeve në sasi dhe intensitet dhe shkrirja e akullnajave. Dy të parat, siç e theksuam edhe më lart, lidhen direkt me bujqësinë.
Aktualisht është ende herët për të pasur indikatorë të saktë sasiorë për të lidhur situatën e aktuale të prodhimit bujqësor në vendin tonë me efektin e shtuar të ndryshimeve klimatike.
Prania e çrregullimeve të klimës që krijohen nga ndryshimet klimatike dhe që ndikojnë në stresimin e rritjes dhe zhvillimit optimal të bimëve janë parë në shumë raste vitet e fundit.
Këtu mund të përmendim përmbytjet në tokat e zonës së ulët të vendit veçanërisht në tokat bujqësore të Shkodrës dhe Lezhës. Në këto raste, efekti negativ është i matshëm, pasi në shumë raste ka qenë e nevojshme rimbjellja e këtyre tokave, kur kanë qenë të kultivuara apo ripërgatitja për mbjellje, kur kanë qenë në proces mbjelljeje.
Efekti negativ i përmbytjeve lidhet edhe me shpëlarjen plehrave kimike të përdorura, apo shpëlarjen e elementëve ushqyes që ka toka, nxitjen e proceseve të denitrifikimit, reduktimin e mikroflorës aerobe etj. Duhet të theksoj që ndaj përmbytjeve, nuk janë të imunizuara dhe rajone të tjera të vendit, por intensiteti i përmbytjeve ka qenë më i rrallë.
Një tjetër çrregullim i klimës që prek veçanërisht tokat mbi ujë (tokat pa sistem vaditës) është kohëzgjatja e periudhave të thata. Përgjithësisht këto toka shtrihen në rajonet kodrinore dhe malore në gjithë territorin e Shqipërisë. Kulturat bujqësore që dominojnë këto toka janë foragjeret, drufrutoret, vreshtat dhe ullishtat.
Rendimentet e marra në këto toka janë relativisht të ulëta dhe lidhen shumë ngushtë me reshjet. Më të ndjeshme ndaj thatësirave të zgjatura janë bimët njëvjeçare dhe shumëvjeçaret e reja, pasi sistemi i tyre rrënjor shfrytëzon vetëm ujin në shtresat sipërfaqësore të tokës.
Si çrregullime të tjera të klimës, mund të përmendim ngricat që në vite të veçanta janë regjistruar në zonën e ulët në periudhat janar-shkurt, gjatë të cilave janë krijuar shqetësime për bimët e kultivuara në serrat me ngrohje diellore apo temperaturat relativisht të larta të janarit, pasi mund të kemi çelje të parakohshme të luleve të pemëve frutore, dëmtimit të tyre të mëvonshëm.
Një rrezik i tillë u ndje në fillim të janarit, por ulja e temperaturave në gjysmën e dytë të janarit e shmangu një ndikim të tillë.
Cilat janë ndikimet e ndryshimeve klimatike te toka dhe uji dhe si pasqyrohet kjo në vendin tonë me rajone?
Dy faktorët kryesorë të evolucionit të tokës janë regjimi termik dhe hidrik. Në këtë kontekst, ndryshimet klimatike janë të lidhura direkt me evolucionin e tokës.
Ndikimi më i madh i klimës mbi tokën lidhet me ndryshimin e regjimit të reshjeve, që prodhon disa efekte negative siç janë: Erozioni i tokës nga uji dhe shpëlarjet e tokës gjatë përmbytjeve.
Por edhe temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve ndikojnë mbi tokën, duke minimizuar mbulesat vegjetative dhe duke minimizuar produktivitetin e saj.
Erozioni i tokës është një fenomen që ka qenë gjithnjë shqetësues në Shqipëri. Kjo lidhet me faktorë objektivë natyrorë, por edhe me ndikimin e faktorit njeri.
Ndër faktorët natyrorë do të theksoja dominimin e relievit të pjerrët (kodra dhe male) që zë rreth 85% të territorit të vendit dhe lartësisë mbi nivelin e detit.
E kombinuar kjo me sasinë e lartë të reshjeve (mesatarisht 1300 mm në vit) dhe shpërndarjen e çrregullt sezonale të tyre, Shqipëria karakterizohet si një vend me rrezik të lartë ndaj erozionit.
Faktori njeri ka rol shumë përcaktues në erozionin aktual që është i pranishëm në vendin tonë.
Duhet të theksojmë se hapja e tokave të reja në vitet 60-70, prerja pa kriter e pyjeve pas viteve ‘90, braktisja apo kujdesi minimal për pritat malore dhe kanalet e ujërave të larta kanë përcaktuar shfaqjen reale të erozionit në vend, që aktualisht renditet i pari në Europë.
Po të shtojmë këtu edhe shkretimin e vegjetacionit nga zjarret dhe intensitetin e shtuar të reshjeve, përmasat e erozionit janë bërë më dramatike.
Nga erozioni është i prekur i gjithë territori i Shqipërisë, por përmasat më të mëdha ndeshen në rajonet kodrinore e malore dhe në territoret me vegjetacion të degraduar.
Një ndikim që duhet të merret në konsideratë për efektet e ndryshimeve klimatike mbi tokën janë edhe përmbytjet dhe niveli i lartë i ujërave nëntokësore.
Gjatë këtij fenomeni frenohen proceset aerobe të tokës dhe nxiten proceset anaerobe që konsistojnë në largimin e azotit nga denitrifikimi. Përmbytjet gjithashtu shpëlajnë elementet e ushqimit të bimëve që krijohen në tokë gjatë mineralizimit apo plehërimit.
Nga përmbytjet rrezikohen tokat fushore të Ultësirës Perëndimore, në mënyrë të veçantë ato që lidhen me lumenjtë e Drinit, Bunës dhe Vjosës.
Një efekt tjetër i ndryshimeve klimatike me ndikim të madh mbi tokën janë zjarret. Ato kanë ndikim të theksuar mbi përmbajtjen e lëndës organike të tokës dhe aktivitetit të mikroflorës së tokës. Intensiteti dhe kohëzgjatja e zjarrit përcakton edhe shkallën e dëmit.
Për sa i përket ndikimit të ndryshimeve klimatike mbi rezervat ujore mund të them se intensiteti i lartë i reshjeve nuk favorizon depozitimin e ujit të reshjeve në tokë dhe në ujërat nëntokësorë.
Rrjedha sipërfaqësore që favorizohet në këto raste shkarkohet në ujërat sipërfaqësore të lumenjve dhe rezervuarve, ku bashkë me ujin shkarkohen edhe materialet e eroduara, që duke qenë me shumicë depozitohen dhe ulin kapacitetet akumuluese të rezervuarve apo shkarkohen në det.
Këto fenomene shfaqen pothuajse me të njëjtin intensitet në të gjithë territorin e Shqipërisë ku janë ndërtuar ujëmbledhësit që përdoren kryesisht për bujqësi.
Po sa u takon sëmundjeve apo pesticideve, si varion ajo në bujqësi e lidhur me ndryshimet klimatike dhe si mund të zvogëlohen pasojat?
Agresiviteti i sëmundjeve dhe dëmtimeve të bimëve bujqësore lidhet drejtpërdrejt me aktivitetin e patogjeneve dhe ku kushtet e mjedisit luajnë rol të madh në pakësimin, ose shumëzimin e popullatave të dëmtuesve të bimëve bujqësore, prandaj është më se e nevojshme të njihet ndikimi i faktorëve të jashtëm, si dhe bashkëveprimi i tyre mbi jetën e dëmtuesve të bimëve bujqësore.
Patogjenet, si shkaktare të sëmundjeve dhe dëmtuesve, kanë kërkesa specifike ndaj temperaturës dhe lagështisë për të përmbushur riprodhimin e tyre dhe shumimin e popullatave.
Në këtë kontekst, ndryshimi i kushteve klimatike mund të ndikojë pozitivisht apo negativisht në shumimin e popullatave të patogjeneve specifike në një rajon të dhënë.
Nga përvoja e deritanishme, temperaturat e larta dhe pranvera e thatë (mars-prill) ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e popullatave dhe agresivitetin e karkalecave ndaj bimëve bujqësore, apo temperaturat e larta të shfaqura gjatë këtyre viteve për muajt korrik dhe gusht mbi 29oC kanë kufizuar dhe për pasojë, mosçeljen e vezëve të mizës së ullirit.
Këto temperatura të gjeneruara nga ndryshimet klimatike kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndaljen e çeljes së vezëve dhe si rezultat në mospraninë e larvave, si stad biologjik që çon në dëmtimin e frutës së ullirit.
Lagështia e tepërt ka ndikuar në rritjen e dinamikës së popullatës së krimbave tel, në përhapjen dhe agresivitetin e sëmundjeve që janë të pranishme në tokë (verticilioza, fuzarioza phytophtora)
Në rastet e përmbytjeve, fenomeni që po shfaqet shpesh këto vitet e fundit po favorizon sëmundjet e qafës së rrënjës dhe të rrënjës.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike është dhe shfaqja e patogjenëve të rinj në rajone ku nuk kanë qenë më parë.
Këtu, si rast tipik, mund të përmendim përhapjen e dëmtuesit Tuta absoluta, i pranishëm tani jo vetëm në Mesdhe, por deri në Mbretërinë e Bashkuar.
A ka sot Shqipëria studime konkrete për tokën dhe kultivarët që mund të rezistojnë ndaj këtyre ndryshimeve klimatike?
Sigurisht, studimet mbi tokën dhe bimët kanë qenë dhe janë pjesë e rëndësishme e aktivitetit kërkimor dhe shkencor të shumë institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë, e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Efektet e ndryshimeve klimatike në tokë priten kryesisht nëpërmjet ndryshimit të kushteve të lagështisë së tokës dhe rritjes së temperaturës së tokës.
Si për tokat natyrore, ashtu edhe ato bujqësore, efektet e deritanishme të ndryshimeve klimatike në treguesit termikë dhe hidrikë janë ende në vlera të vogla, kështu që efektet e matshëm për treguesit tokësorë si lënda organike, ndryshimi i aciditetit apo kripëzimit etj., është shumë herët që të identifikohen.
Studimet e 30 viteve të fundit për tokat pasqyrojnë gjendjen aktuale të treguesve tokësorë dhe përfshijnë studime të rëndësishme për klasifikimet tokësore, sipas nomenklaturës ndërkombëtare apo gjendjen e pjellorisë për një pjesë të konsiderueshme të tokave bujqësore.
Treguesit e shumtë tokësorë, të matur në studimet e deritanishme, do të shërbejnë si një burim referencë për të parë tendencat e presioneve mbi tokën në ardhmen.
Nga studimet për tokën, në studimet për erozionin që bazohen mbi modelimet me parametra klimatikë, tokësorë dhe mbulesat bimore, çdo ndryshim i parametrave përkatës pasqyrohet në rezultatin e modelit.
Për sa u përket studimeve për kultivarët që kultivohen dhe që rezistojnë ndaj ndryshimeve klimatike mund të them që vetë procesi i krijimit apo përzgjedhjes së atyre që lejohen për t’u mbjellë në vendin tonë, u nënshtrohet provave sezonale që vërtetojnë përshtashmërinë e kultivimit të tyre në një rajon të caktuar.
A ka nevojë për rishikim harta e prodhimit apo kultivimit të produkteve bujqësore, në kushtet ku ndodhemi?
Vetë ndryshimi i regjimit termik dhe hidrik dikton përshtatje në hartën e rajonizimit të bimëve bujqësore. Koncepti i rajonizimit bazohet në potencialin klimatik, tokësor dhe aktivitetin human për të maksimalizuar prodhimin bujqësor. Pra, ta çojmë bimën atje ku faktorët e rritjes dhe të zhvillimit janë optimale.
Një ndër treguesit e rëndësishëm që lidh rritjen dhe zhvillimin e bimëve me kushtet klimatike është regjimi termik, i cili nëpërmjet shpërndarjes së temperaturave në kohë, përcakton edhe mundësitë e rritjes e zhvillimit të një bime në një territor të caktuar.
Kërkesa të tilla të bimëve si: temperaturë minimale e mbirjes, shumat e temperaturave aktive dhe temperaturat optimale për çdo fazë të vegjetacionit, janë treguesit bazë që merren në konsideratë për të përcaktuar rajonet më të përshtatshme për kultivimin e bimëve.
Meqenëse një nga efektet kryesore të ndryshimeve klimatike lidhet me ndryshimet termike, atëherë është e qartë që harta e shpërndarjes së kulturave bujqësore do të pësojë modifikime.
Projeksionet në terma afatmesme dhe afatgjata të ndryshimeve termike na tregojnë se zhvendosjet do të jenë të kufizuara dhe do të lidhen kryesisht me bimësi të zonave të ngrohta që do të ngjiten më shumë drejt Veriut dhe lartësive.
Këtu mund të përmendim rajonet e përhapjes të agrumeve, ullirit, pjeshkës, luleshtrydhes, serrave me ngrohje diellore etj.
Suksesi i bujqësisë për periudhat që po diskutojmë do të varet, në një shkallë të madhe, nga rezervat ujore për ujitje që do të jenë në dispozicion dhe kjo kërkon vlerësimin e tyre në raport me projeksionet e bëra dukë përcaktuar dhe ndërhyrjet që duhet të bëhen.
Kombinimi i kërkesave të bimëve për faktorin termik me sigurimin e ujit për periudhën e deficitit ujor janë kushti i parë bazë për një bujqësi të suksesshme.
Cilat janë format moderne të prodhimit në bujqësi që mund të jenë të përshtatshme, duke pasur parasysh ndryshimet klimatike? A mund të zbatohen ato në Shqipëri në kushtet kur bujqësia mbetet ende jo shumë e mekanizuar?
Implementimi i formave moderne të prodhimit në bujqësi ka nevojë për bashkëveprimin e dy faktorëve:
Faktori i parë është Faktori Human (specialistët e bujqësisë), i cili, me njohuritë shkencore që mbart, projekton nëpërmjet protokolleve që harton rrugët ku duhet të kalojë një aktivitet bujqësor i suksesshëm.
Protokollet moderne të kultivimit të bimëve bazohen në optimizimin e gjithë faktorëve të rritjes dhe të zhvillimit të bimëve me ndërhyrje të kufizuara, që kanë për objektiv realizimin e një produkti të pastër e të shëndetshëm për konsumatorët dhe ruajtjen e parametrave optimalë të mjedisit.
Në këtë kontekst, hartimi i protokolleve bazohet në kushtet aktuale mjedisore, pra është i lidhur drejtpërdrejt me parametrat klimatikë të gjeneruar nga ndryshimet klimatike.
Fazat më të rëndësishme të zbatimit të një protokolli janë: Përzgjedhje e kultivarit që do të kultivohet; Ujitja bimëve; Mbrojtja nga sëmundjet dhe dëmtuesit.
Në të tria këto faza, zbatimi i protokollit bazohet mbi parametrat termikë dhe hidrikë aktualë të mjedisit.
Modelet më moderne të zbatimit të protokolleve, zbatohen në “Bujqësinë Smart”, që bazohen në përdorimin sateliteve, dronëve apo sensorëve që sigurojnë informacionin e duhur të variabilitetit të treguesve klimatiko–tokësore dhe software-ve që përpunojnë informacionin dhe programojnë ndërhyrjet.
Elemente të veçantë të këtyre modeleve kanë filluar të përdoren në vendin tonë dhe ky është një fakt shumë pozitiv. Për projeksionet afatgjata (2050 – 2100) të ndryshimeve klimatike, modelet e “Bujqësisë Smart” do të jenë modele dhe të bujqësisë sonë.
Faktori i dytë është fuqia ekonomike e fermerëve dhe e shtetit. Në këtë pikë, situata është më komplekse, pasi kjo fuqi përcakton nivelin e teknologjisë që do të përdoret.
Në situatën aktuale, fuqia ekonomike e fermerëve është shumë e limituar dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me tokën bujqësore që kanë në dispozicion për aktivitet ekonomik.
Në fermat me madhësi mesatare rreth 1.5 ha është vështirë të sigurosh fitime për të investuar në teknologji. Këtu bëjnë përjashtim vetëm një pjesë e kultivuesve të perimeve në serra.
Mbështetjen kryesore me investime e ka bërë shteti dhe programet e mbështetjes nga BE. Për hir të së vërtetës, këto vitet e fundit është rritur mbështetja, por përsëri në krahasim me nevojat, jemi mbrapa.
Për sa i përket periudhës afatshkurtër, problem themelor që duhet të zgjidhet është sigurimi i rezervave të mjaftueshme ujore dhe përdorimi i metodave që miradministrojnë ujin, siç janë ujitja me pika apo me shi-hedhje. Kjo ndërhyrje do të zbuste efektet e mundshme të ndryshimeve klimatike, që mund të shfaqen me thatësira të zgjatura./Monitor