Prokurori Naim Tota i Prokurorisë së Rrethit Tiranë u përball të enjten më 23 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur përgjatë seancës që zgjati më shumë se tre orë dha shpjegime për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet në kriterin profesional. Ai kundërshtoi dyshimet për fshehjen rreth 13 vjet të një apartamenti në emër të kunatit, si dhe dha shpjegime për mosdeklarimin e një investimi të kryer nga bashkëshorjta e ndjerë, duke pretenduar se nuk kishte pasur dijeni. Po ashtu, Tota i cilësoi të pabazuara konstatimet për tetë denoncime, ndërkohë që u vlerësua pozitivisht për figurën.
Procesi i vetingut për prokurorin Tota po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Pamela Qiron dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme ELka Ermenkova.
Naim Tota e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996. Ai ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Kukësit, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në atë Matit – përpara se të emërohej në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në vitin 2013.
Barra e provës për pasurinë
Si burime për blerjen e një apartamenti 2+1 në Tiranë kundrejt çmimit 50 mijë USD, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga shitja e apartamentit në Kukës në vlerën 5.3 milionë lekë dhe kursimet në vite.
Relatorja Qirko sqaroi se nga hetimi Komisionit ka rezultuar se ky apartament është prositur në vitin 2003 nga kunati i subjektit, shtetasi T.H. kundrejt të njëjtit çmin në vlerën 50 mijë USD, shumë që ai e ka shlyer po atë vit.
Me anë të një kontrate cedimi të vitit 2016, shtetsi T.H. i ka kaluar subjektit të drejtat e këtij apartamenti kundrejt çmimit që e kishte blerë 13 vjet më parë. Nga përllogaritja e vlerës së apartamentit sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave në vitin 2016, ka rezultuar se ishte në shumën rreth 12.8 milionë lekë.
Sipas Qirkos, në një paragraf të kësaj kontrate është shënuar se pagesat për llogari të shoqërisë ndërtuese në vitin 2003 janë kryer nga subjekti. Ndërkohë, ka rezultuar një kontratë saktësimi ku është sqaruar se ka qenë shtetasi T.H. ai i cili ka kryer pagesat në vitin 2003 për llogari të shoqërisë ndërtuese, ndërsa shënimi në kontratën e mëparshme ka qenë një gabim.
Komisioni konstatoi mospërputhje në deklarimet e subjektit lidhur me vitin kur ai ka filluar të banojë në këtë apartament. Sipas relatores, blerësi nuk e ka përdorur këtë banesë, ndërsa subjekti duket se ka jetuar aty për 12 vjet pa kundërshpërblim.
“Duket se apartamenti është blerë nga subjekti dhe është përdorur kunati për të shmangur verifikimin e burimeve të ligjshme”, tha ndër të tjera Qirko.
Ajo sqaroi se megjithëse në këtë marrdhënie kunati nuk mund të klasifikohet ligjërisht si person i lidhur, bazuar në dyshimet e ngritura se ai mund të ketë mbajtur të fshehur një pasuri të subjektit, këtij të fundit i është kaluar barrë prove për të vërtetuar ligjshmërinë e burimeve financiare të shtetasit T.H. për të blerë apartamentin në vitin 2003.
Komisioni ka verifikuar edhe mundësinë e subjektit për pagesën e çmimit 50 mijë USD në vitin 2016. Nga hetimi i kryer për shitjen e apartamentit në Kukës në shumën 5.3 milionë lekë, ka rezultuar se në certifikatën familjare të subjektit ka qenë dhe motra e tij dhe për rrjedhojë nuk është përfshirë në analizën financiare shuma 760 mijë lekë, që përkon me pjesën e saj takuese në këtë pasuri.
Sipas deklarimeve të kursimeve cash në vite Komisioni vlerëson se subjekti duhej të kishte në fund të vitit 2015 kursime në vlerën totale rreth 6 milionë e 650 mijë lekë dhe 5800 euro. Por nga analiza financiare për gjendjen cash ka rezultuar pamundësi në disa vite në shumën totale rreth 4 milionë lekë.
Prokuori Tota i kundërshtoi gjetjet e Komisionit duke pretenduar se kishte depozituar prova që vërtetonin të kundërtën e barrë së provës. Ai kërkoi që në analizën financiare të vitit 2004, periudhë për të cilën KPK ka konstatuar se s’ka të dhëna për punësimin e subjektit, të konsiderohej vërtetimi i Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore, që sipas tij paraqet pagesën për çdo muaj në masën 75 mijë lekë.
Lidhur me paqartësitë e adresave të vendbanimit, Tota pretendoi se kishin të bënin me komandimet në prokurori të ndryshme.
Citimin në kontratën e cedimit ku thuhej se subjekti kishte paguar vlerën e apartamentit në vitin 2003, Tota e kundërshtoi duke ripërsëritur qëndrimin e tij se bëhej fjalë për një gabim të noteres që ishte korrigjuar me anë të kontratës së saktësimit.
Ai kundërshtoi dyshimet se apartamenti mund të kishte qenë pasuri e fshehur e tij duke sjellë si arugmente faktin se kishte provuar me dokumentacion se banesa në fjalë ishte porositur prej kunatit; se ishte emri dhe nënshkrimi këtij të fundit që figuronte në tre mandatpagesat e atij viti; se ishin nënshkruar në vitin 2016 kontrata e cedimit dhe ajo e saktësimit; si dhe se një vendim gjyqësor i dorëzuar si provë, paraqet qartë se likujdues i kësaj pasurie kishte qenë shtetasi T.H..
Tota pretendoi se T.H. kishte pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për kryerjen e pagesës 50 mijë USD në vitin 2003. Ai solli në vëmendje se T.H. kishte shitur dy shtëpi në Kukës, si dhe kishte pasur të depozituara në bankë vlera të konsiderueshme që e mbulonin çmimin e apartamentit.
Si prova për mundësinë e familjes së motrës dhe kunatit për porositjen e kësaj pasurie, subjekti ka paraqitur edhe dokumentacion të të ardhurave të tyre nga puna për të cilat pretendoi se janë në vlera të konsiderueshme, pasi kunati kishte mbajtur edhe detyra të rëndësishme, si dhe kishte ushtruar aktivitet në këmbimin valutor.
“Unë nuk jam në kushtet e konfiliktit të interesit me kunatin. Ligjërisht ai nuk është person i lidhur. Ai person nuk është deklaruar si person i lidhur dhe një gjë e tillë është gjetur e drejtë nga institucioni kompetent. Edhe KPK nuk mund ta quajë person të lidhur”, pretendoi Tota dhe u shpreh se kishte dorëzuar dokumentacion provues për të ardhurat e kunatit me qëllim që të ishte bashkëpunues me Komisionin.
Tota kërkoi që në analizën e përgjithshme të ulen shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit në dy raste kur ka qenë i ftuar për shkak të detyrës.
Ai këmbënguli se motra nuk kishte përfituar nga shitja e apartamentit në Kukës duke sjellë si provë një deklaratë noteriale të saj, ku ajo vëren se është martuar që prej vitit 1996 dhe meqënëse apartamenti ishte blerë me kredinë e shlyer nga vëllai, nuk pretendonte pjesë në atë shtëpi.
Tota tha se kishte depozituar në Komision ekpertizë financiare të kryera në dy versione, që sipas tij rezultonin me bilanc pozitiv për gjithë periudhën e rivlerësimit.
Qirko evidentoi në vijim gjetjet për një investim të kryer nga bashkëshortja e ndjerë e subjektit në vitin 2005 në shumën 12 mijë e 500 euro duke blerë aksione të shoqërisë ku ajo punonte. Nga sa u relatua në seancë, subjekti nuk e ka deklaruar këtë investim të bashkëshortes në vitin 2005 kur është kryer, si dhe as burimin e krijimit të shumës 12 mijë e 500 euro. Po ashtu, nuk e ka deklaruar në vitin 2006.
Subjekti ka shpjeguar se nuk ka pasur dijeni për këtë investim të bashkëshortes dhe sipas tij, e ka mësuar një gjë të tillë pasi e ndjera ka ndërruar jetë. Tota ka shpjeguar se është njoftuar nga shoqëria ku punonte bashkëshortja për investimin e kryer prej saj, si dhe për shumën që duhej të tërhiqte që ishte në vlerën 44 mijë euro, që pas tatimit ka mbetur në shumën 40 mijë euro. Ai ka theksuar se e ka deklaruar këtë rrethanë në vitin 2007. Në vijim, subjekti ka deklaruar se këtë shumë ia ka dhënë hua kunatit T.H. me interes 1.5%.
Lidhur me burimet Tota ka shpjeguar se bashkëshortja kishte marrë hua nga motra e tij në vlerën 1 milion lekë dhe 400 mijë lekë nga motra e saj. Bazur në këto marrdhënie huaje, motra e subjektit dhe ajo e bashkëshortes së tij janë konsideruar si persona të lidhur dhe është kryer verifikimi i mundësisë së tyre për dhënien e vlerave të pretenduara, prej nga kanë rezultuar balanca negative për një pjesë të shumave.
Qirko vërejti se nga hetimi është konstatuar se subjekti ka pasur njohje me një prej drejtorëve të shoqërisë ku ka punuar bashkëshortja, si dhe kunati T.H. ka kryer të njëjtin investim.
Sipas Komisionit, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shoqëria i ka kaluar kunatit të subjektit vlerën 80 mijë euro, gjysma e të cilave është tërhequr. Qirko vërejti se nuk është provuar me dokumentacion që subjektit t’i jenë kaluar të drejtat e bashkëshortes mbi investimin e kryer prej saj dhe as të dokumentohet ndonjë autorizim i Totës drejtuar shoqërisë me qëllim që vlera 40 mijë euro t’i kalonte kunatit.
Prokurori Tota këmbënguli se dokumentet e administruara nga KPK vërtetojnë se shuma 40 mijë euro ishte kaluar për llogari të tij, megjithëse ishte transferuar në llogarinë e kunatit.
Ai kundërshtoi konstatimin për pamundësinë e bashkëshortes për kryerjen e këtij investimi në 2005-ën, duke paraqitur të njëjtat argumente lidhur me të ardhurat e familjes së motrës së tij që kishte parashtruar për burimet e blerjes së apartamentit nga ana e tyre në 2003-in. Po ashtu, pretendoi se edhe motra e bashkëshortes kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për t’i dhënë shumën 400 mijë lekë. Në mbështetje të pretendimit të tij, Tota solli si argument se motra e bashkëshotes kishte marrë dy kredi, fakt që sipas tij tregonte se ishin të besueshëm për bankën, e për rrjedhojë kishin pasur të ardhura të mjaftueshme.
Ai këmbënguli se nuk kishte pasur dijeninë për hutë e marra nga bashkëshortja. Pas një serie pyetjesh nga relatorja Qirko lidhur me marrëdhënien me bashkëshorten dhe motrën, ai u përgjigj se kishin qenë shumë të mira. I pyetur se përse do të duhej të mbahej e fshehtë ndaj tij një marrdhënie huaje mes familjarëve të ngushtë, Tota u përgjigj se ndoshta duhej të kishte ndodhur se nuk kishin pasur në atë kohë të ardhura të mjaftueshme e prandaj bashkëshortja mund të kishte kërkuar nga huadhënëset që ai të mos e mësonte këtë investim.
Ai pranoi se kur bashkëshortja kishte ndërruar jetë në vitin 2006, motra e tij dhe kunata i kishin thënë për huatë.
Komisioni konstaton se subjekti nuk ka deklaruar katër parcela tokë-bujqësore në emër të babait. Po ashtu, nuk ka deklaruar pjesën takuese të fëmijëve në një pasuri tokë arë + truall + një objekt që shërbne për shitje karburantesh, në bashkëpronësi me dajën e tyre – pasuri për të cilat u ka lindur e drejtë trashëgimie ligjore pasi nëna ka ndërruar jetë.
Subjekti ka sqaruar për Komisionin se fëmijtë kanë hequr dorë nga pasuritë që përfitonin prej trashëgimisë ligjore nga e ëma me anë të një vendimi gjyqësor të vitit 2008. Ai ka shpjeguar se ka qenë përfaqësues i fëmijëve të tij të mitur në këtë proces gjyqësor, ku në vendimarrje është deklaruar heqja dorë nga përfitimi i çdo pasurie me anë të trashëgimisë ligjore që zotëron familja e origjinës së nënës. Të njëjtin qëndrim ai mbajti edhe në seancë të enjten.
Në vijim, Tota shpjegoi se pasuritë tokë-arë vijojnë të jenë ende në emër të babait pasi nuk është realizuar çelja e trashëgimisë dhe për pasojë nuk mund të deklaronte diçka që nuk e kishte përfituar ende.
Figura dhe profesionalizmi
Prokurori Tota mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, si prej Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ashtu dhe nga Komisioni.
Në aspektin profesional janë analizuar 8 prej 14 denoncimeve nga publiku, në të cilat janë evidentuar indicie për vlerësimin e indikatorëve të këtij kriteri.
Qirko sqaroi se Komisioni ka konstatuar raste të përsëritura të prishjes së vendimeve të pushimit apo mosfillimit nga ana e gjykatës, që ka kthyer aktet për hetime të mëtejshme. Nga verifikimi i çështjeve të denoncuara është konstatur se në disa raste subjekti nuk ka zbatuar urdhërat e gjykatës, ndërsa në një rast ka regjistruar tjetër vepër penale nga ajo që është urdhëruar.
Një prej deoncuesve ka pretenduar se Tota ka qenë i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale në vitin 2002 që ka të bëjë me pengmarrjen e shtetasit I.I., që nga sa u relatua në seancë u kuptua se bëhej fjalë për pengamrjen e Imamit të Gostivarit, Irfan Idrizi. Nga verifikimet e kryera prej Komisionit ka rezultuar se Prokuoria e Përgjithshme ka ndërmarrë atëherë një procedim disiplinor për Totën.
Prokurori Tota i kundërshtoi si të pabazuara të gjitha pretendimet e ngritura në denoncime. Ai theksoi se jo vetëm që kishte kryer detyrat e lëna nga gjykata, por se kishte kryer edhe veprime hetimore shtetsë.
Lidhur me konstatimin për procedimin disiplinor të vitit 2004, subjekti deklaroi se ai ishte penalizuar njëherë duke u ulur në detyrë për gjashtë muaj si oficer i policisë gjyqësore. Ai deklaroi se nuk kishte pasur asnjë marrdhënie me të pandehurit në çështjen e pengmarrjes së shtetasit I.I.. Sipas subjektit, një prej tyre e ka njohur si banor të qytetit të Kukësit, por se nuk kishte pasur komunkim apo marrëdhënie me të apo familjarët e tij. Ai solli si argument edhe faktin se i pandehuri në fjalë ishte rreth 10 vjet më i ri dhe se nuk kishin arsye të shoqëroheshin.
Subjekti deklaroi se ishte vërtetuar më vendim gjyqësor se ai nuk kishte qenë ansjëherë në hetim lidhur me rrethanat e kësaj çështjeje, si dhe se masa disiplinore ishte parashkruar prej 17 vjetësh dhe tashmë quhej ‘i pastër’. “Nuk mund të penalizohem dy herë për të njëjtën gjë”, tha Tota.
Në përfundim të seancës, prokurori Naim Tota deklaroi se për 30 vjet punë pasuria e tij përbëhet vetëm nga një apatament. “Pasuria është krijuar me burime të ligjshme dhe kam tregues të mirë për profesionalizmin dhe figurën”, pohoi Tota dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 27 shkurt, në orën 13:00./ Reporter.al