Nga Ilir Kalemaj
Tashmë që u bë një vit rrumbullak nga fillimi I tentativës për pushtim rus në Ukrainë, disa konkluzione paraprake edhe mund të arrihen. Çfarë leksionesh u përftuan nga rezistenca ukrainase? A kemi një evolucion në konfliktet moderne dhe vençarisht në luftërat ndër-shtetërore? Cila ishte ambicia e Kremlinit dhe çfarë ngelet prej saj? Si u testua vullneti politik i perëndimit dhe a anon peshorja nga mundësitë apo risqet? A ka limite shantazhi gjeo-energjetik apo kjo është thjesht si rastësi e një dimri më të ngrohtë? Këto dhe të tjera natyrisht do të vijojnë të jenë në fokusin e diskutimeve këto javë, muaj dhe vite që do të vijnë dhe ndërkohë janë me dhjetëra analizat akademike, profesionale dhe mediatike që janë duke u bërë. Gjithashtu implikimet për lagjen tonë aspak periferike ballkanike po rëndojnë gjithmonë e më tepër në kandarin e kancelarive me peshë. Kjo luftë gjithashtu mund të përkthehet sa në risk, aq edhe në mundësi për Ballkanin Perëndimor. Por t’i marrim me radhë disa leksione që janë përfituar deri tani, të paktën sipas optikës personale.
Së pari, kjo luftë mori vëmendje të paprecedentë se e tillë edhe është. Konflikti i parë ndër-shtetëror nga koha e luftës së dytë botërore, e zhvilluar totalisht në tokë evopiane. Po të shtosh këtu faktin që kemi të bëjmë me një fuqi bërthamore si Federata Ruse kjo gjë e bën më të paparashikueshme dhe më të rrezikshme se çdo konflikt tjetër. Fakti që kohët e fundit duket se palët janë barrikaduar përballë njëra-tjetrës në transhe, të sjell ndërmed më shumë se cdo rast analog, luftën e parë botërore dhe qëndrimin stoik të ushtarëve francezë dhe gjermanë përballë njëri-tjetrit për vite me radhë.
Së dyti, kjo luftë është manifestimi më i qartë i të ashtuquajturës “Doktrina Gerasimov” dhe përforcohet nga fakti që vetë Gerasimov duke qenë njëherazi edhe shefi i shtabit të përgjithshëm, së fundmi mori edhe komandën e përgjithshme të të ashtuquajturit “operacion special” në Ukrainë. Një luftë pa deklarim formal të çeljes, ashtu sikundër edhe nuk pritet të ketë një përfundim me shpallje të saj. Modele të ngjashme janë parë në Krime më parë apo në Osetinë Jugore dhe Abkhazinë në luftën me Gjeorgjinë. Gjithashtu përfshirja e grupeve paramilitare si famëkeqi “Wagner” apo trupat e Kadirovit, i bëjnë pasojat më të rënda dhe të paparashikueshme.
Së treti dhe e ndërlidhur me sa më lartë, këto lloj luftërash nuk kufizohen vetëm në fushëbetejë. Jo vetëm fatkeqësisht godasin civilë dhe shkaktojnë humbje të pallogaritshme në infrastrukturën civile por mbartin dhe riskun shtesë në rastin e Ukrainës të provokimit me dashje apo pa dashje të një rrjedhje bërthamore me pasoja të jashtëzakonshme si rasti i centralit bërthamor të Zaporizhias, i dyti më i madh në botë dhe nëse shpërthen (larg qoftë) me pasoja disa qindra fish ato të Cernobilit.
Së katërti, këto lloj luftërash luftohen sa në fushëbetejë, aq edhe në korridoret e errëta të dezinformimit ku plekset organet e spiunazhit me përhapjen e lajmeve të rreme nga media dhe mediume të kontrolluara. Kjo luftë zhvillohet në Ukrainë, por pasojat e dezinformimit ndjehen nga Brukseli deri në Washington D. C., dhe natyrisht më fortë dhe më zhurrmshëm aty ku barrierat mbrojtëse janë më të dobëta, si rasti i mëhallës sonë ballkanike.
Së pesti, kjo luftë demonstroi limitet e shantazhit gjeoenergjetik nga ana e Moskës por njëkohësisht edhe të shantazhit përmes sanksioneve nga ana e Perëndimit. Nga ana tjetër, lajm i mirë është se sot NATO dhe Bashkimi Evropian janë më të fortë se 1 vit më parë. Jo vetëm nga antarë të caktuar të BE-së nuk ka më diskutime në lidhje me rivalitetin BE-NATO dhe krijimin e një ushtrie të pavarur evropiane, por ka bashkërendim gjithnjë e më solid jo vteëm ndërmjet Parisit dhe Berlinit, por edhe fuqizim të dukshëm të rolit të Varshavës, rikthimin e fortë të Italisë së Melonit apo edhe rolin tepër konstruktiv që po luan Mbretëria e Bashkuar, ndonëse jashtë BE-së.
Natyrisht kjo luftë nuk do të përfundojë me kapitullim të njërës apo tjetrës palë në fushëbetejë, as nuk do të zgjasë përfundimisht. Gjasat anë të përfundojë me një paqe të negociuar, por natyrisht kur avantazhi në fushëbetejë të anojë nga ana e Ukrainës. Është thjesht propagandë e pastër ruse që kjo është luftë mes Perëndimit të bashkuar dhe Rusisë ku Ukraina është thjesht proxy. Ukrainasit po luftojnë njëlloj si UKC dikur, janë një ushtri çlirimtare dhe kanë moralin në anën e tyre. Një ndihmë akoma më e madhe nga aleatët, vencarisht në përforcimin e infrastrukturës ushtarake, do bëjë që herët a vonë, termat e tyre të jenë diktues në tavolinën e negocimit. Natyrisht që nuk do të marrin gjithcka, por e rëndësishme është të garantojnë atë që është jetike për ta, sovraniteti i pakushtëzuar dhe integriteti i pacënuar territorial. Dhe do të vazhdojnë me përpjekjet për antarësim në BE.
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishmja janë efektet në Ballkanin Perëndimor. Si efekte negative kanë qenë shtimi i përpjekjeve për destabilizim nga ana e Rusisë duke përdorur nga njësitë Ëagner në veri të Mitrovicës deri të nxitja e separatizmit serb në Bosnje-Herzegovinë apo përpjekjet për destabilitet politik në Mal të Zi ku kanë dhe partnerët e tyre politikë që fatkeqësisht janë dhe partnerët politikë të Abazoviqit sot. Por nga ana tjetër, ishte kryesisht për shkak të agresionit rus mbi Ukrainën dhe përpjekjeve për agresion mbi Moldavinë që jo vetëm këto dy vende morën statusin kandidat në samitin e 23 korrikut të vjetshëm por edhe që Bosnja-Herzegovina mori të njëjtin status dhe që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut më së fundmi çelën negociatat. Por edhe premtimi që Kosova brenda këtij viti merr liberalizimin e vizave. Gjithashtu duket qartë që janë shtuar përpjekjet ndërkombëtare, kryesisht përmes planit franko-gjerman që Republika e Kosovës të arrijë të jetëzohet në mënyrë definitive duke hequr pengesat për materializimin e plotë të saj, duke bërë gjithashtu përpjekje për të mbajtur Serbinë në rrugën evropiane.