Nga Boldnews.al
Vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e shkatërrimit të Teatrit Kombëtar tregojnë se garantët e Ligjit Themeltar e kanë të pamundur që të përballen me kryeministrin Edi Rama dhe sidomos me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Një trupë e përbërë nga Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji dhe Ilir Toska, doli në konkluzionin se Gjykata Kushtetuese nuk ka mjete juridike për të detyruar institucionet, në rastin konkret Këshillin e Ministrave dhe Bashkinë e Tiranës, që të zbatojnë vendimet e saj.
Sipas një vendimi të marrë në 20 janar të vitit 2023 dhe të zbardhur së fundmi, Kolegji me tre gjyqtarë “vëren se as dispozitat e ligjit organik nuk kanë përcaktuar ndonjë procedurë të posaçme dhe as mundësinë e palëve në proces që t`i drejtohen Gjykatës me kërkesë për të verifikuar mënyrën ose masën e ekzekutimit të vendimit të saj”.
Pra, për Kolegjin, Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë “armë” për të detyruar Edi Ramën dhe Erion Veliaj për të zbatuar një vendim të saj të Korrikut 2021, në të cilin u shfuqizua “Ligji Fusha” dhe një Vendimi i Këshillit të Ministrave pasues, i cili i kalonte pronësinë e Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës.
Dhe, nën pretendimin e mungesës së “armëve”, treshja kushtetuese vendosi moskalimin në seancë gjyqësore të kërkesës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila kërkoi “konstatimin e vijimit të cënimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, kur kanë kaluar më shumë se 18 muaj nga vendimmarrja.
Vendimi i këtij Kolegji Kushtetues duket në kufijtë e absurdit, sidomos duke mbajtur në konsiderate se për një çështje tjetër, me të njëjtin objekt, pra për “vijimin e cënimit të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, trupa gjyqësore jo vetëm ka pranuar shqyrtimin e saj, por ka vendosur edhe seancë publike, e planifikuar për t’u zhvilluar në fillim të muajit Mars 2023.
Vendimi absurd
Gjykata Kushtetuese u reformua e gjitha në zbatim të paketës ligjore të Reformës në Drejtësi.
Personazhe me peshë në opinionin publik, vendas, por sidomos ndërkombëtarë, shpenzuan energji të pafundme, dhe jo vetëm, për të bindur opinionin publik shqiptar se Gjykata e re Kushtetuese përbëhet nga juristë të zotë, të aftë dhe, mbi të gjitha, të paanshëm, të pavarur e të pandikueshëm nga politika, e sidomos nga qeveria.
Një pjesë e rëndësishme e vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese “të re”, nuk duket se përputhen aspak me pritshmëritë e kërkuara nga opinioni publik.
Gjykata Kushtetuese është përpjekur maksimalisht që të mos cënojë interesat e maxhorancës socialiste në pushtet. Edhe kur, ka qenë e detyruar të dalë kundër vullnetit të kryeministrit Edi Rama, gjykata e ka goditur atë me pambuk.
Në korrik të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese dha vendim për një prej “patateve të nxehta” politike, që lidheshin me vendimet e shumicës socialiste në Parlament, të qeverisë “Rama” e të Bashkisë së Tiranës, për tjetërsimin e truallit të Teatrit Kombëtar dhe prishjen e godinës simbol.
Në atë vendim, të iniciuar nga paditë e Presidentit të Republikës së kohës, Ilir Meta dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT), Gjykata Kushtetuese shfuqizoi “ligjin Fusha”, i cili i jepte biznesmenit Shkëlqim Fusha truallin e Teatrit Kombëtar për ngritjen e një kompleksi kullash. Ky vendim nuk cënonte qeverinë, pasi Parlamenti me shumicën e Edi Ramës, ishte tërhequr nga ai ligj për shkak të presionit nga Bashkimi Europian.
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi njëkohësisht edhe një Vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në atë ligj, nëpërmjet të cilit kalohej pronësia e truallit të Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës.
Por, kur arriti tek diskutimi për të shpallur anti-kushtetues vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për prishjen e Teatrit Kombëtar, një çështje që përbënte pikën më nevralgjike të debatit ligjor e politik, Gjykata Kushtetuese u nda në tre opinione, duke mos arritur të jepte një vendim nëse rrëzimi i godinës në mesnatën e 17 Majit 2020 ishte i ligjshëm apo jo.
Në datë 22 Dhjetor 2022, pra kur ka kaluar mbi 1 vit e gjysëm nga vendimi i Kushtetueses, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dorëzoi një padi në Gjykatë, ku i kërkonte Kolegjit Kushtetues që të konstatonte vijimin e cënimit të vendimit”, pasi ai nuk po zbatohej nga Qeveria dhe Bashkia e Tiranës.
Kërkesa u shqyrtuar paraprakisht nga trupa e përbërë nga gjyqtarët Xhaferllari, Papajorgji dhe Toska, për të vlerësuar nëse ajo përmbushte kriteret për t’iu përcjellë trupës së plotë të Gjykatës Kushtetuese.
Në vendimin nr.7 të datës 20 janar 2023, kolegji prej tre anëtarësh vendosi të mos e kalojë çështjen për shqyrtim.
Kolegji prej tre gjyqtarë “vlerëson të theksojë se veprimet ose mosveprimet e organeve të përcaktuara në vendimin e Gjykatës për zbatimin e tij, mund të përbëjnë një çështje të re nëse këto veprime ose mosveprime krijojnë mosmarrëveshje kushtetuese. Me fjalë të tjera, moszbatimi i vendimeve të Gjykatës mund të përbëjë një shkelje të re kushtetuese. Por ky përcaktim i “çështjes së re” varet nga rrethanat e çështjes, të cilat duhet të përmbajnë elemente të reja që nuk i janë nënshtruar më parë vlerësimit të Gjykatës dhe që i parashtrohen asaj në kontekstin e një çështjeje të re”.
Në rastin konkret nuk ka “gjë të re”, pasi faktet e provat janë shqyrtuar në procesin e themelit për çështjen e Teatrit Kombëtar. Si rrjedhim, Gjykata Kushtetuese nuk do të investohet më për këtë çështje.
Standarti i dyfishtë
Por, e njëjta gjykatë, pra Kushtetuesja, ka vlerësim tërësisht të ndryshëm në raste të tjera të ngjashme.
Një shembull konkret.
Në 17 Shkurt 2022, Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e një qytetareje, D.Z., për konstatimin e cënimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor.
Sipas këtij vendimi, detyrohej Gjykata Administrative e Apelit që të shqyrtonte çështjen e qytetares Brenda 6 muajve nga marrja e vendimit të Kushtetueses.
Rezulton se Gjykata Administrative e Apelit nuk e ka zbatuar detyrimin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Për këto arsye, qytetarja i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, me kërkesën “Konstatimi vijimit të cënimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si rezultat i mosgjykimit të çështjes nga Gjykata Administrative e Apelit brenda afatit 6 mujor të përcaktuar me vendimin nr. 2, datë 17.02.2022 të Gjykatës Kushtetuese”.
Për këtë kërkesë, Gjykata Kushtetuese, jo vetëm që e ka pranuar ta shqyrtojë rastin, por, për më tepër, i ka dhënë rëndësi të lartë, duke vendosur që çështja të shqyrtohet në seancë publike.
Sipas njoftimeve të Gjykatës Kushtetuese, seanca publike për qytetaren D.Z. është caktuar të zhvillohet në datën 16 mars 2023.
“Teatri” në Strasburg
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) njoftoi në 9 Shkurt 2023 se Gjykata e Strasburgut pranoi aplikimin e saj për çështjen e Teatrit Kombëtar, pasi nuk arriti të siguronte një vendim nga Gjykata Kushtetuese në Shqipëri.
Në një deklaratë publike, AMT thotë se “ndryshe nga Gjykata jonë Kushtetuese, e cila nuk pati kurajon të mbroje vendimin e saj dhe të ngrihet në lartësinë e detyrës, Gjykata e Strasburgut ka pranuar kërkesën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe ka kaluar për gjykim çështjen e mos ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me Teatrin Kombëtar”.