Kur kufijtë u hapën në janar, Kina pati kaluar 1016 ditë e mbyllur për botën e jashtme.
Politika “zero-covid” e vendit ka qenë një eksperiment social dhe ekonomik i jashtëzakonshëm: në fillim një fushatë e gjerë për shëndetin publik që nisi të mbante nën kontroll pandeminë, duke krenuar Xi Jinping, dhe në fund, u shndërrua në një makth për 1.4 miliardë banorët e Kinës.
Një ushtri njerëzish me uniforma të bardha kanë mbledhur me dhjetëra miliarda shtupa për fytin dhe hundën. Me miliona veta hynë në karantinë ose u dërguan nëpër kampe, shpesh në mënyrë arbitrare.
Për shkak të frikës nga izolimi, njerëzit largoheshin nga zyrat dhe fabrikat sapo zbuloheshin raste infektimi. Video amatore tregonin banorë që kërcenin nga ballkonet e apartamenteve, pasi kishin kaluar javë të tëra nën izolim.
Në qytetet e mëdha, jeta e përditshme ndali për muaj të tërë. Klasa kozmopolite e të rinjve të pasur kinezë, u detyrua të përjetonte një jetë të re pa udhëtime ndërkombëtare. Sipërmarrësve dhe drejtuesve të huaj, iu ndalua të ktheheshin në shtëpitë dhe bizneset e tyre në vend
Përpara se vaksinat të ishin gjerësisht të disponueshme, zyrtarët mund të argumentonin se kjo qasje ishte e nevojshme për të shpëtuar jetë. Në fund, u bë e qartë se eksperimenti nuk ofronte gjë tjetër veçse një jetesë të zymtë, me kosto të jashtëzakonshme.
Ekonomia e Kinës u rrit me më pak se 3% në vitin 2022. Gjatë 18 muajve të fundit, ajo ka hequr dorë nga një vlerë PBB-je prej rreth 1 trilion dollarësh, sipas firmës kërkimore Oxford Economics, një shumë që do t’i shtohej ekonomisë së vendit nëse do të ishte rihapur si pjesa tjetër e botës.
Kufizimet në lëvizje kërkuan zinxhirë më të avancuar të furnizimit global. Në nëntor, fitimet e kompanive industriale ranë me 9% në bazë vjetore.
Ndërkohë, shkëmbimet mes Kinës dhe botës së jashtme, ranë në nivelin më të ulët në dekada. Kanë mbetur pak studentë të huaj. Turizmi jashtë shtetit ka rënë. Xi vetëm kohët e fundit ka rifilluar udhëtimet jashtë vendit, pasi ka qëndruar në Kinë për dy vjet e gjysmë.
Politika zero-covid zgjati më shumë nga sa pritej fillimisht, dhe më pas u shemb më shpejt nga sa imagjinohej. Në pak javë, Kina ka kaluar nga një shtet me një prej kufizimeve më të rrepta në botë, në një vend që nuk imponon më asnjë kufizim.
Për popullatën në përgjithësi, është zhdukur frika nga bllokimet dhe karantina. Pas një periudhe turbulence, aktiviteti ekonomik ka të ngjarë të rimëkëmbet ndjeshëm.
Rritja e kërkesës për energji dhe mallra, do të ndihet në mbarë botën. Investitorët dhe drejtuesit shumëkombësh mund të vizitojnë së shpejti zyrat dhe fabrikat e tyre në Kinë. Rilidhja e madhe e Kinës me botën e jashtme, shënon fundin e një epoke: atë të pandemisë globale.
Normaliteti nuk do të vijë menjëherë. Sipas një vlerësimi, 37 milionë njerëz në ditë infektohen me Covid-19. Spitalet janë të mbingarkuar. Po ashtu edhe krematoriumet. Zyrtarët pranojnë vetëm një numër të vogël vdekjesh dhe përballen me një sfidë të madhe për të mbajtur funksionale linjat e prodhimit.
Prodhuesi i makinave Tesla, ndaloi punën në fabrikën në Shangai më 24 dhjetor. Zyrtarët lokalë mund të mbyllin qytetet për të frenuar infeksionet, shqetësohet një shef ekzekutiv. Ekonomia mund të tkurret në tre muajt e parë të hapjes, thotë Tommy Wu nga Commerzbank.
Por rimëkëmbja do të vijë më herët nga sa prisnin analistët. Shumë mendojnë se periudha e paqëndrueshmërisë do të marrë fund deri në fund të marsit. Në atë pikë, do të fillojë një rimëkëmbje që do të marrë vrull gjatë vitit.
Li Pengfei, i cili punonte si menaxher në një firmë industriale softuerësh në Pekin, është ndër ata persona që janë të dëshpëruar për t’iu kthyer normalitetit. Li humbi punën në shkurt, kur kufizimet i bënë pothuajse të pamundura detyrat thelbësore, si udhëtimet për të takuar klientët
Ai jetoi një pjesë të mirë të vitit të kaluar me të motrën, por më pas u detyrua të kthehej në shtëpi në provincën Jilin, në verilindjen e largët të Kinës, aty ku perspektivat ekonomike ishin të zymta edhe para pandemisë. “Gjendja duket kaq e pasigurt, sa që edhe kompanitë e mëdha po ulin numrin e punëtorëve”, thotë ai.
Gjetiu në botë, drejtuesit janë të shqetësuar për një “valë dorëheqjesh”, për shkak të punonjësve që lënë punën ose braktisin fuqinë punëtore.
Kjo është më pak shqetësuese në Kinë. Qeveria nuk shpërndau çeqe në formë ndihme financiare, siç bëri Amerika gjatë pandemisë. Ekonomistët besojnë se njerëzit që humbën vendet e punës, si zoti Li, do të rikthehen në punë kur të krijohet mundësia, duke ndihmuar në prodhimin e qëndrueshëm të fabrikave.
Shpenzimet e shfrenuara të presidentit Xi
Edhe konsumi do të rritet. Të ardhurat kanë rënë, por politika zero-covid gjithashtu ka ulur shpenzimet, pasi njerëzit po shmangnin udhëtimet dhe restorantet
Gjithsesi, familjet kursyen një të tretën e të ardhurave të tyre vitin e kaluar. Shumë do të ngrihen përsëri në këmbë pas humbjes së vendeve të punës, stanjacionit të pagave dhe rënies së vlerës së shtëpive të tyre, që do të thotë se shpenzimet do të jenë të kufizuara.
Por Jacqueline Rong nga Banka BNP Paribas, llogarit se konsumi i familjeve do të rritet me rreth 9% në vitin 2023, përmirësim i dukshëm krahasuar me normën e rritjes vitin e kaluar.
Rihapja do të jetë e mirë edhe për sektorin e trazuar të pronave në Kinë, megjithëse kjo do të varet edhe nga vendimet politike. Në nëntor, ndërsa kufizimet Covid-19 u zbehën, politikanët lehtësuan qasjen e sektorit të pronave në financim.
Kjo duhet të ndihmojë firmat më të forta të shmangin falimentimin dhe të përfundojnë ndërtimin e banesave që ua kanë shitur blerësve të shtëpive.
Në Konferencën Qendrore të Punës Ekonomike në Kinë në dhjetor, politikanët premtuan të mbështesnin “kërkesën themelore”. Për këtë qëllim, ata mund të bëjnë shkurtime të mëtejshme në normat e hipotekës dhe kërkesat e parapagimit.
Parashikimet për ecurinë e sektorit të pronave, duke përfshirë ndërtimin, shërbimet dhe mobilimin, variojnë gjerësisht. Aktiviteti në industri mund të rritet me 3% këtë vit, sipas Jing Liu nga Banka HSBC, mjaftueshëm sa për të shtuar 0.9 pikë përqindje në rritjen e PBB-së së Kinës.
Një skenar më optimist ka parashikuar rritjen E aktivitetit me 5%, duke i shtuar 1.5 pikë përqindje PBB-së së vendit. Disa familje mund të vendosin se tani është një kohë e mirë për të blerë, përpara se çmimet të rriten sërish ose të kthehen kufizimet rregullatore për blerjet e shtëpive.
Ndërlikimet ekonomike të rihapjes janë edhe më të gjera. Politika zero-covid frenoi kërkesën e Kinës për mallra dhe shërbime globale. Për shembull, gjatë bllokimit të Shangait në gjysmën e parë të vitit të kaluar, kërkesa e vendit për naftë ra me rreth 2 milionë fuçi në ditë.
Në të kaluarën, rënie të tilla në shpenzimet kineze do të kishin penguar rritjen e konsiderueshme të ekonomisë botërore.
Rënia nga Covid-19 ka qenë e ndryshme. Ajo përkoi me një ekonomi “të mbinxehur” në Amerikë dhe me furnizim të ndërprerë me energji në Europë. “Të paktën, këtë herë, Kina nuk po kontribuon në inflacion”, thotë Louis Kuijs, nga agjencia e vlerësimit S&P Global.
Rimëkëmbja e Kinës do të nxisë rritjen globale për arsyen e thjeshtë se vendi përbën një pjesë të madhe të ekonomisë botërore. HSBC-ja llogarit se pas një viti, në tremujorin e parë 2024, PBB-ja e Kinës mund të jetë deri në 10% më e lartë se sa në tre muajt e parë të trazuar të vitit 2023 (shih grafikun 1).
Sipas llogaritjes sonë të përafërt, Kina në rimëkëmbje mund të përbëjë plot dy të tretat e rritjes globale në atë periudhë.
Megjithatë, me kalimin e kohës, rimëkëmbja e Kinës mund të ketë efekte anësore të këqija. Në ekonomitë e tjera të mëdha, kufizimi i detyrueshëm për zgjerimin ekonomik, është politika monetare, pasi bankat qendrore po rrisin normat e interesit për të frenuar inflacionin.
Nëse rihapja e Kinës shoqërohet me rritje të kërkesës globale dhe rrjedhimisht, të trysnisë së çmimeve në një shkallë të pakëndshme, atëherë bankat qendrore gjetiu mund të duhet të përgjigjen duke shtrënguar politikën monetare, për të zbutur rrezikun.
Në një skenar të tillë, ndikimi i rihapjes së Kinës në pjesën tjetër të botës, mund të ndikojë negativisht, duke rezultuar në rritje të inflacionit apo në norma interesi më të larta.
Kanali më i drejtpërdrejtë i ndikimit të Kinës, është nëpërmjet mallrave. Vendi konsumon pothuajse një të pestën e naftës në botë, mbi gjysmën e bakrit, nikelit dhe zinkut të rafinuar dhe më shumë se tre të pestat e mineralit të hekurit.
Më 4 nëntor, thjesht zërat për një rihapje të mundshme, shkaktuan rritjen me 7% të çmimit të bakrit brenda ditës. Ndërsa zërat po bëhen realitet, kërkesa e Kinës për metale, të korra dhe energji, do të ndihmojë eksportuesit e mallrave, do të dëmtojë importuesit dhe do t’u japë bankave qendrore të botës një tjetër shqetësim në luftën e tyre kundër inflacionit.
Kërkesa për metale të rënda
Dëshira e Kinës për metale mbeti e fortë gjatë politikës zero-covid, pasi qeveria nxiti shpenzimet për automjetet elektrike, energjinë e rinovueshme dhe forma të tjera të infrastrukturës së gjelbër, të cilat kërkojnë shumë alumin, bakër dhe metale të tjera.
Por blerësve u mungonte besimi për të ruajtur rezervë këto materiale: inventarët e bakrit ranë në nivelin më të ulët në 15 vjet. Rihapja do të nxisë rimbushjen e rezervave. Në nëntor, Banka Goldman Sachs, llogariti se çmimi i bakrit do të rritet në 9,000 dollarë për ton, brenda 12 muajve. Tani ajo mendon se çmimi do të arrijë në 11,000 dollarë.
Kërkesa për energji rezultoi më pak elastike, veçanërisht nga fundi i politikës zero-covid. Importet e Kinës të Gazit Natyror të Lëngshëm (GNL), ranë me rreth një të pestën në 11 muajt e parë të vitit 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo i lejoi Europës të rriste blerjet për të kompensuar humbjen e gazit rus. Politika zero-covid e Kinës, veproi si një kundërpeshë ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
Analistët presin rritje modeste të importeve kineze të GNL-së këtë vit, bazuar në kontratat që blerësit kanë nënshkruar tashmë dhe ngurrimin e tyre për të blerë GNL kur çmimet janë të larta. Nëse importet rimëkëmben më shpejt, Europa mund të ndiejë goditjen.
Në një test stresi në dhjetor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), parashikoi se kërkesa kineze do të rritej me rreth një të katërtën në vitin e ardhshëm, duke u kthyer në nivelet e vitit 2021; Rusia do të ndërpriste plotësisht gazin me tubacione në Europë dhe dimri do të ishte i ftohtë.
Në një skenar të tillë, Europa do të përballej me mungesë prej 27 miliardë metra kub gaz, ekuivalente me 7% të kërkesës vjetore, edhe duke marrë parasysh përpjekjet aktuale për të rritur ofertën. IEA paralajmëron se nëse nuk bëhet asgjë tjetër, Europa mund të detyrohet të imponojë racionimin e energjisë.
Ndikimi në naftë mund të jetë gjithashtu i rëndësishëm. Nëse ekonomia e Kinës arrin të rimëkëmbet plotësisht në vitin 2023, ajo do të rrisë gradualisht importet e papërpunuara të naftës gjatë gjithë vitit, derisa të arrijë një mesatare prej 1 milion fuçish shtesë në ditë, llogarit Soni Kumari nga Banka ANZ. Kjo do të kompensojë kërkesën e reduktuar në Europë dhe në Amerikë, ku që të dyja po përballen me recesion.
Në të vërtetë, Banka Goldman Sachs parashikon se rritja e oreksit të Kinës mund të rrisë çmimet e naftës me rreth 15 dollarë për fuçi. Çmimi i treguesit Brent mund të kalojë sërish shifrën prej 100 dollarësh në tremujorin e tretë të këtij viti, mendon banka, duke e bërë betejën globale kundër inflacionit akoma më të vështirë.
Çmimet më të larta të mallrave do të jenë një ndihmë për eksportues si Kili dhe Brazili, por do të dëmtojnë fqinjët importues të energjisë të Kinës.
Për Indinë, humbja nga çmimet më të larta mund të anulojë fitimet nga rritja e eksporteve në kontinent. Vendet e tjera, të përfshira më ngushtë në zinxhirin e furnizimit të prodhimit të Kinës, kanë më shumë gjasa të përfitojnë.
Por statistikat e përgjithshme mund të jenë mashtruese. Megjithëse eksportet e mallrave të Tajvanit në kontinent ishin të barabarta me më shumë se 15% të PBB-së në vitin 2021, shumë prej tyre ishin komponentë për produkte që në fund u shiten klientëve jashtë Kinës, dhe kështu mund të mos ndikohen nga ndryshimi i politikës.
Nxitja më e madhe për fqinjët do të vijë jo nga shitja e mallrave në Kinë, por nga reklamimi i destinacioneve turistike për qytetarët kinezë (shih grafikun 2).
Ni Na, nënë e dy fëmijëve nga Shangai, udhëtoi jashtë shtetit rreth pesë herë në vit para pandemisë, shpesh duke kaluar tre ose katër muaj në vit jashtë vendit. Ajo u përpoq të udhëtonte një herë brenda Kinës në vitin 2022, dhe më pas hoqi dorë për shkak të kufizimeve.
Kur të hiqen rregullat e karantinës, zonja Ni do të udhëtojë sërish brenda vendit. Ajo ka rinovuar pasaportën dhe dokumentet e udhëtimit të djemve të saj.
Tajlanda, destinacion popullor turistik, mund të përjetojë një rritje të turizmit me 3% pasi Kina të jetë hapur sërish plotësisht, llogarit Banka Goldman Sachs.
Kjo do të hiqte pasigurinë që rëndon mbi çmimet e aseteve lokale, përfshirë monedhën, thotë Arup Raha nga firma Oxford Economics, duke ulur trysninë mbi bankën qendrore për të rritur normat e interesit.
Por fituesi më i madh do të jetë Hong Kongu. Rritja e eksporteve, duke përfshirë turizmin, mund të rrisë PBB-në me pothuajse 8% pas rihapjes së plotë. Qyteti dikur tërhiqte më shumë se 4 milionë vizitorë në muaj. Pa to, është ndjerë më i varfër.
Partia Komuniste është e shkathët në rishkrimin e historisë. Megjithatë, Xi do ta ketë të vështirë të rindërtojë reputacionin e tij në vitin 2022. Zbatimi i ngathët i politikës zero-covid, më pas braktisja e saj e nxituar, do të mbahet mend gjatë si një gabim trashanik.
Shumë firma investimi ndryshuan parashikimet e rrezikut të investimit për Kinën dhe do të jenë të kujdesshme në vitet e ardhshme. Kina humbi rreth 18 miliardë dollarë valutë të huaj në nëntor, nga 11 miliardë dollarë në tetor. Këto flukse dalëse pritet të ndryshojnë kur ekonomia e Kinës të stabilizohet në vitin 2023, por një rimëkëmbje e shpejtë e tyre në nivelin para-pandemik, është e pagjasë.
Disa pjesë të zinxhirit të furnizimit të Kinës kanë pësuar dëme të thella. Në një fabrikë në Kinën Qendrore që prodhon iPhone 14, shpërthimi i rasteve Covid-19, i ndjekur nga protesta, ka vonuar porositë për produktin.
Për firmat e huaja, kriza ishte hera e parë kur politika qendrore ndërhyri në angazhimin e zyrtarëve vendas për të mbajtur fabrikat në punë. Shumë kompani tani janë të gatshme të paguajnë më shumë për të prodhuar gjetiu.
Marrim si shembull procesin e nxjerrjes në treg të produkteve të reja, i cili kërkon një fluks pothuajse të vazhdueshëm studiuesish dhe shkencëtarësh që duhet të udhëtojnë zakonisht nga Perëndimi, në Kinë.
Vitet e Covid-19 e bënë të pamundur këtë udhëtim. Inxhinierët nuk po kryenin më vizita; më pak produkte të reja u prodhuan në vend. Firmat shumëkombëshe, megjithëse me ngurrim, janë detyruar të hapin fabrika diku tjetër.
Por pas periudhës së gjatë të politikës zero-covid në vend, shefat e kompanive janë rehatuar më tepër me idenë e largimit nga Kina. Investimet hyrëse në fabrikat e reja “greenfield”, kanë rënë ndjeshëm (shih grafikun 3). Në të njëjtën kohë, numri i firmave që zhvendosin operacionet jashtë Kinës është rritur, thotë Alex Bryant nga firma East West Associates, një konsulente e zinxhirit të furnizimit.
Shumica e lëvizjeve me të cilat ka ndihmuar firma e zotit Bryant vitin e kaluar, kanë qenë të jashtme. Ai mendon se rihapja e Kinës nuk ka gjasa të çojë në një kthesë të menjëhershme.
Politikanët po zgjohen duke kuptuar rrezikun. Zyrtarët dhe biznesmenët në Fujian, Guangdong, Sichuan, Zhejiang dhe gjetiu, po planifikojnë udhëtime jashtë vendit për të rifituar investitorët, sipas një raporti të medias shtetërore. “Një takim vlen sa një mijë emaile”, tha ai.
Në dhjetor, udhëheqësit e Kinës njoftuan se do të përqendroheshin në tërheqjen e parave të huaja, duke theksuar se qeveritë vendase duhet të kenë prioritet gjetjen e investitorëve. Një gjuhë e tillë nuk është përdorur prej vitesh në një mbledhje të Byrosë Politike, vëren Robin Xing nga banka Morgan Stanley.
“Ata duan të ruajnë pozicionin e tyre në zinxhirin global të furnizimit”, thotë ai. Sidoqoftë, zgjidhja e kaosit të vitit 2022, do të kërkojë takime të panumërta./MONITOR