Një vit e gjysmë pasi prokurorja e Apelit të Korçës, Irma Balli arriti të bindë Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA se kishte pasur burime financiare të ligjshme për krijimin e pasurive, u përball për të dytën të premten më 20 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku dha shpjegime për gjetjet e hetimit administrativ në kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.
KPA prishi 15 qershor 2021 vendimin e Komisionit të Pavarur të kualifikimit, për shkarkimin e Ballit për probleme në kriterin pasuror.
Irma Balli u shkarkuara nga KPK më 19 shkurt 2019, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe se kishte mungesë të burimeve të ligjshme duke rezultuar me balancë negative në pesë vite. Rivlerësimi i saj në KPK përfundoi vetëm për kriterin e pasurisë.
Prokurorja Balli e ankimoi vendimin në KPA ku pas dy seancash në dhomë këshillimi dhe një seance publike, ajo e bindi Kolegjin se kishte pasur burime financiare të ligjshme për krijimin e pasurive. Njëkohësisht, KPA urdhëroi Komisionin që të kryente vlerësim për Ballin në dy kriteret që nuk ishin hetuar gjatë procesit të pare, figurën dhe profesionalizmin.
Figura
Relatori Komici sqaroi se Drejoria e Sigiurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK e ka dorëzuar të padeklasifikuar raportin mbi kontrollin e figurës për prokuroren Irma Balli. Pas kërkesës së KPK për deklasifikimin e këtij raporti, DSIk ka njoftuar se është vendosur të mos bëhet një gjë e tillë, pasi është klasifikuar “sekret”.
Sipas Komicit, Komisioni është njohur me përmbajtjen e informacionit të padeklasifikuar dhe ka kryer një hetim të mirëfilltë, të pavarur dhe të pandikuar nga përfundimet e DSIK-së. Megjithëse në seancë nuk u bë e ditur se çfarë është konstatuar nga hetimi për figurën, Komici sqaroi se informacioni i padeklasifikuar do të mbahet në konsideratë në vlerësimin tërësor të subjektit.
Prokurorja Balli deklaroi se për kriterin e figurës nuk gjendej në kushtet e papërshtatshmërisë. Ajo vërejti se kishte paraqitur si provë në Komision certifikatën e sigurisë të lëshuar nga DSIK në kohën kur po kryhej verifikimi i saj për figurën. Në përfundim të seancës Balli kërkoi që në vlerësimin e figurës të mbahej në vëmendje vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që ka konkluduar se ajo ka arritur nivel të besueshëm për pasurinë.
Gjetjet për profesionalizmin
Komisioni nuk ka gjetur probleme në tre dosjet e përzgjedhura nga subjekti dhe në ato pesë të shortuara. Ndërkohë, relatori Komici renditi gjetjet për çështje penale të përfaqësuara nga subjekti, si dhe për dosje për të cilat është rivlerësuar në drejtim të aftësive drejtuese, në cilësinë e dretjueses së Prokurorisë së Apelit Korçë.
Nga verifikimi i një denoncimi të vitit 2019, lidhur me një çështje për një vrasje të vitit 1997, Komisioni ka konstatuar se subjekti nuk ka kryer veprimin hetimor të “këqyrjes së kufomës”, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes së viktimës, si dhe duket se ka zvarritur procesin hetimor pasi nuk ka kryer veprime hetimore nga për periudhën dhjetor 1997 – qershor 1998 dhe nga fundi shtatorit të vitit 1998 dhe në shkurt të ‘99-ës.
Bazuar në një denoncim tjetër për një çështje të vitit 2004, Komisioni ka konstatuar se duket se Balli ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, duke dalë kështu kundër apelit të shkallës së parë.
Komici evidentoi një udhëzim të vitit 2003 të Prokurorit të Përgjithshëm, ku përcaktohej se prokurori më i lartë duhej të bënte të gjitha përpjekjet ligjore për të përkrahur ankimin, apelin kundërshtues ose rekursin. Sipas këtij udhëzimi, heqja dorë nga ankimi ose mospërkrahja duhej të ishte e motivuar dhe mund të kryhej vetëm pasi çështja analizohej me drejtuesin e prokurorisë dhe prokurorijn që kishte kryer ankimin.
Megjithatë, Komici konstatoi se këto dy çështje janë jashtë afatit ligjor të rivlerësimit të magjistratëve, që përcakton se rivlerësimi profesional i subjekteve nuk mund të shtrohet përpara muajit janar 2006.
Bazuar në informacionet e organeve ndihmëse, KPK ka administruar një procedim penal të vitit 2010. Nga verifikimi kësaj çështje, është konstatuar se prokurorja e çështjes ka kërkuar pezullimin e dënimit për të pandehurin, pa provuar ekzistencën e ndonjë prej kritereve ligjore, duke vepruar në kundërshtim me rekursim e saj të bërë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë, si dhe me ankimin e shkallës së parë.
Komisioni ngre dyshime për favorizim të të pandehurit dhe i ka kërkuar shpjegime subjektit në lidhje me qëndrimin e saj si drejtuese e prokurorisë së Apelit Korçë, për veprimet dhe qëndrimin që prokurorja e çështjes në fjalë ka mbajtur përpara gjykatës.
Prokurorja Balli e kundërshtoi këtë konstatim të Komisionit. “Nuk e kuptoj se si prokuorja e çështjes mund të favorizojë një person të shpallur të pafajshëm nga gjykata”, pohoi Balli dhe shtoi se pas kthimit të çështjes nga Gjykata e Lartë dhe marrjes së provave nga Apeli, kolegia kishte kërkuar fajësi. Ajo theksoi se në reukrs është trajtuar fakti se gjykata nuk kishte kryer detyrimet e përcaktuara nga Gjykata e Lartë. “Çështja lidhet me kualifikim të gabuar. I pandehuri nuk është i favorizuar nga ne. I kemi kërkuar Gjykatës së Lartë që të verifikohet dhe është pranuar”, theksoi Balli.
Komisioni ka verifikuar një çështje të vitit 2015, për të cilën subjekti ka përfaqësuar Prokurorinë e Apelit gjatë gjykimit pranë Gjykatës së Apelit si dhe ka ushtruar rekurs ndaj vendimit të kësaj gjykate.
Megjithëse KPK nuk ka gjetur probleme të Ballit në veprimet e saj në cilësinë e prokurores s çështjes, konstaton se ajo në cilësinë e drejtueses së Prokurorisë së Apelit, nuk ka informuar Drejtorinë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme lidhur me ecurinë e kësaj çështje. Në vijim Komisioni e ka thelluar vlerësimin e subjektit në cilësinë e drejtueses së Prokurorisë së Apelit Korçë.
Komici sqaroi se KPK ka marrë në shqyrtim çështje të caktuara përgjatë periudhës së rivlerësimit që kanë të bëjnë me heqje dorë nga e drejta e ankimit, heqje dorë nga e drejta e rekursit apo heqje dorë nga përfaqësimi në gjyq. Për rreth 10 çështje që u evidentuan në seancë, Komisioni ka konstatuar se Balli nuk i ka dërguar informacion me shkrim Drejtorisë Gjyqësor në Prokurorinë e Përgjithshme, bazuar në një udhëzim të vitit 2008 të Prokurorit të Përgjithshëm.
Nga verifikimi i një çështje penale, me një të pandehur për “kontrabandë me mallra të tjerë”, Komisioni vlerëson të paqarta arsyet pse subjekti ka refuzuar të mbështesë ankimin e prokurores së rrethit dhe se pse e ka autorizuar atë që të përfaqësojë ankimin gjatë gjykimit në Gjykatën e Apelit Korçë, duke i lënë kështu hapësirë veprimi që të hiqte dorë nga ankimi gjatë gjykimit në Gjykatën e Apelit Korçë. Po ashtu, ka rezultuar se subjekti nuk ka njoftuar Drejtorinë Gjyqësore për rrethanat.
Sipas Komicit, moskryerja e ankimit nga Prokuroria e Apelit Korçë; mungesa e transparencës së qëndrimit në lidhje me ankimin e shkallës së parë; heqja dorë nga ankimi prej prokurores së çështjes e ndikuar nga qëndrimi i Prokurorisë së Apelit Korçë; qëndrimi indiferent i subjektit në lidhje me veprimet e prokurorëve më të ulët – ngrenë dyshime se duket se Balli ka favorizuar të ndaluarin, duke krijuar mundësinë e lehtësimit të masës së sigurimit të tij.
Prokurorja Balli vërejti se në asnjë prej çështjeve të hetuara prej Komisionit lidhur me qëndrimin e saj në cilësinë e dretjueses, nuk është konstatuar se zgjidhja ka qenë e gabuar. Ajo solli në vëmendje një çështje, duke theksuar se gjykata kishte pranuar kërkesën e prokurorisë dhe në këto kushte nuk kishte pasur arsye për të informuar Drejtorinë Gjyqësore. Sipas saj, mjaft komunikimi kryheshin në mënyrë të drjetëpërdrejtë nëpërmjet telefonit, me qëllim për të qenë sa më efikas. “Nuk kishim kohë të bënim referime dhe i zgjidhnim në mënyrë informale”, pohoi Balli dhe pretendoi se në këto raste nuk kishte detyrim sipas autorizimit të Prokurorit të Përgjithshëm që të informonte Dejtorinë Gjyqësore.
Në fund të seancës, kryesuesi Lulzim Hamitaj solli në vëmendje mungesën e komunikimit me Drejtorinë Gjyqësore për disa çështje. Balli vërejti se bëhej fjalë për tre çështje gjithsej në të cilat konstatohej kjo gjetje. “Është një mënyrë pune e konsoloduar. Kishte çështje operative dhe veprohej se nuk kishte kohë. Pastaj, nuk ka ndonjë pasojë”, deklaroi Balli.
E pytur nga Hamitaj nëse kishte pasur ndonjë kërkesë apo kontakt që është përpjekur të ndikojë në çështje, Balli e mohoi një gjë të tillë. “Nga askush. Nuk është takuar njeri me mua që të kërkonte pafajësi.
Në përfundim, prokurorja Irma Balli kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 23 janar, në orën 09:45.
/Reporter.al/