Nga Shlomo Ben-Ami “Project Syndicate”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Ndërsa luftërat mbarojnë një ditë, por shpeshherë mosmarrëveshjet themelore mbeten po aty.
Paqja është e dobët dhe ndërpritet nga shpërthimet e reja të dhunës. Mënyra se si përfundon një luftë – qoftë nëpërmjet një fitoreje të drejtpërdrejtë, lodhjes apo strategjive të ndërsjellta të parandalimit – mund të bëjë diferencën.
Edhe pse një pakt në kushtet e lodhjes nga të dyja kampet, ka më pak gjasa të parandalojë shpërthimet e ardhshme sesa të themi disfata e thellë e njërës nga palët.
Por as kjo nuk është e garantuar. Sigurisht, s’do të thotë se nuk ia vlen që të synohet arritja e njërës nga disa lloje marrëveshjesh për paqe.
Dhe nuk mungojnë as shembujt e palëve dikur ndërluftuese – Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut, Etiopia dhe Eritrea, Serbia e Kosova – marrëdhëniet midis të cilave janë sot të balancuara në një paqe të brishtë.
Japonia dhe Rusia nuk i kanë dhënë ende fund zyrtarisht të armiqësive të Luftës së Dytë Botërore, për shkak të mosmarrëveshjes së tyre të qëndrueshme mbi Ishujt Kuril.
Ndërkohë pavarësisht nënshkrimit të një armëpushimi në vitin 1994, Armenia dhe Azerbajxhani nuk kanë arritur një marrëveshje të përhershme paqeje mbi Nagorno-Karabakun. Luftime të reja ndodhën midis tyre në vjeshtën e vitit 2021.
Ndërsa përballja me tensionin dhe dhunën e përhershme nuk është padyshim një rezultat ideal, luftërat brutale, të përgjakshme dje shpeshherë të zgjatura që i paraprinë këtyre periudhave të paqes së brishtë, ishin rezultate akoma më të këqija.
Në fakt, ata që i rezistojnë arritjes së një marrëveshjeje paqeje të papërsosur – duke mbetur të përkushtuar për një “paqe të drejtë”, cila synohet të arrihet përmes humbjes së drejtpërdrejtë të kundërshtarëve të tyre – përfundojnë shpesh në një situatë edhe më të keqe. Kjo ka qenë e vërtetë për palestinezët.
Dhe Ukraina duket se do të ketë të njëjtin fat. Gjatë vizitës së tij të shkurtër në Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti se vendi i tij nuk do të pranojë asgjë tjetër përveç tërheqjes totale të Rusisë nga territori ukrainas, përfshirë Krimenë.
Por pavarësisht sukseseve të jashtëzakonshme të Ukrainës në fushën e betejës, dhe mbështetjes së vazhdueshme të Perëndimit për forcat ukrainase, nuk ka gjasa që ajo të mposhtë plotësisht pushtuesin e saj shumë herë më të fuqishëm.
Dhe kjo pjesërisht sepse Perëndimi po vazhdon të jetë i kujdesshëm mbi furnizimet me armë që dërgon në Ukrainë. Është e vërtete që tani SHBA-ja ka vendosur t’i dërgojë Kievit sisteme të avancuara të mbrojtjes raketore Patriot, të cilat deri disa muaj më parë konsideroheshin si shumë të rrezikshme.
Po ashtu në fillim të këtij muaji, Uashingtoni ra dakord t’i dërgojë Kievit një paketë shtesë që përfshin armët sulmuese.
Por për të ruajtur unitetin e NATO-s dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, administrata e presidentit Joe Biden po shmang dërgimin e armëve që i tejkalojnë shumë aftësitë e atyre që po përdoren tashmë nga ukrainasit, përfshirë ato të ofruara nga vendet e tjera të NATO-s.
Vendimet mbi furnizimet me armë të Ukrainës, pasqyrojnë edhe evolucionin e politikës së luftës në Rusi.
Gjatë muajve të fundit, brenda Kremlinit është formuar një e çarë. Forcat e vijës së ashpër po bëjnë thirrje për një strategji më të guximshme kundër Ukrainë.
Kjo mund ta shtyjë presidentin Vladimir Putin – i cili sapo emëroi një komandant tjetër të ri, ndoshta në kundërpërgjigje të kritikave gjithnjë e në rritje – që ta përshkallëzojë konfliktin, të kapërcejë “vijat e kuqe” të vendosura nga Perëndimi, dhe të intensifikojë represionin në vend.
Lajmet për njësitë ruse që janë në prag të kapitullimit, të gatshme të dezertojnë apo të dorëzohen, mund të kenë gjithashtu një ndikim të madh në pozitën e brendshme të Putinit.
Në fillim të këtij viti, Zelensky vuri në dukje se “basti i Rusisë mund të bazohet tek lodhja e “ e popullit të Ukrainës, shkatërrimi i mbrojtjes ajrore dhe i sektorit ukrainas të energjisë”. Ai ndoshta ka të drejtë. Por ai anashkalon faktin që është mbështetja e SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO, ajo që i ka dhënë mundësinë forcave të tij të rezistojnë kaq gjatë.
Sado e admirueshme që është lufta e ukrainasve, këta të fundit janë më afër rraskapitjes sesa kundërshtarët e tyre rusë. Së pari, grupi i trupave të mundshme të Rusisë është shumë më i madh. Është e vërtetë, “mobilizimi i pjesshëm” i Putinit u prit me protesta publike dhe me një eksod të qindra mijëra rekrutëve të mundshëm. Por as përpjekjet e Ukrainës për rekrutim nuk kanë qenë pa probleme.
Shumë prej ukrainasve që iu shmangën frontit, po refuzojnë të kthehen në vend për të luftuar, ndërsa ka raporte për rekrutime të dhunshme.
Në çdo rast, popullsia e Rusisë është më shumë se 3 herë më e madhe se ajo e Ukrainës. Pastaj vjen aspekti ndoshta më i rëndësishëm:lufta po zhvillohet kryesisht në territorin ukrainas.
Pra, ndërsa sulmet e pamëshirshme me dron dhe raketa e kanë shkatërruar infrastrukturën e Ukrainës (duke shkaktuar një dëm direkt prej rreth 130 miliardë dollarë që nga shtatori i vitit të kaluar) dhe kanë shkaktuar mjerim të parrëfyeshëm ndaj civilëve (rreth 40.000 të vdekur dhe 15-30 milionë të zhvendosur), rusët kanë vazhduar ta jetojnë jetën e tyre kryesisht të paprekur nga konflikti.
Dhe kjo përkundër sanksioneve perëndimore, ndikimi i menjëhershëm i të cilave në popullatën ruse ka qenë i kufizuar. Në vitin 2022, ekonomia e Rusisë u tkurr me vetëm 3-4 për qind dhe papunësia nuk u rrit shumë. Ndërkohë, ekonomia e Ukrainës ka rënë me 32 për qind, dhe papunësia ka arritur në 35 për qind.
Duke pasur parasysh se Rusia, ashtu si aleatët e saj iranianë, ka shumë përvojë në anashkalimin e sanksioneve që synojnë industrinë e saj të mbrojtjes, ka arritur që ta ruajë bazën e saj industriale të mbrojtjes dhe të zëvendësojë pajisjet e humbura ushtarake.
Ndërsa sanksionet do ta dëmtojnë ekonominë e Rusisë në një periudhë afatgjatë, për momentin koha është në anën e Putinit. Ai beson se sulmet e pamëshirshme ndaj infrastrukturës dhe objektivave civile, do të zbehin moralin dhe kapacitetin e Ukrainës për të luftuar, pasi konsideratat e brendshme ekonomike dhe politike po e dobësojnë vendosmërinë e Perëndimit.
Ka shumë gjasa që ai të shohë me kënaqësi të madhe kufizimin fiskal që mund t’i vendosin administratës Biden republikanët, përfshirë një marrëveshje që mund të kufizojë shpenzimet e mbrojtjes vitin e ardhshëm. Në fund të vitit të kaluar, gjenerali Mark A.Milley, Kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë së SHBA-së, i kërkoi Ukrainës të përfitonte nga momentet e dobësisë ruse për të negociuar zgjidhje e konfliktit, pasi largimi i plotë i trupave ruse nga Ukraina do të ishte “një mision shumë i vështirë”.
Komentet e tij shkaktuan një reagim të ashpër midis atyre që i interpretuan ato si një shenjë se strategjia e Putinit po funksiononte. Por këshilla e Milley vlen të merret parasysh. Qëndrueshmëria e luftës e Ukrainës ka të ngjarë që të mbarojë herët a vonë.
Në rast se liderët e Ukrainës refuzojnë të negociojnë derisa ta kalojnë atë prag, ata do të përfundojnë shumë më keq sesa nëse do të përpiqen të negociojnë në një kohë që kanë mekanizmat për të bërë pazare.
Duke pasur parasysh historinë e përbashkët, nuk ka gjasa që ndonjë marrëveshje të parandalojë shpërthime të mëtejshme të dhunës. Por siç mund ta dëshmojnë SHBA-të, ka përfunduar epoka e fitoreve të lavdishme. Paqja e shkaktuar nga lodhja, është më e mirë sesa mungesa e plotë e saj. /albeu.com