Prokurorit të Durrësit Saimir Bahiti iu kërkuan të martën në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit sqarime në lidhje me dyshimet e ngritura nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit mbi etikën e tij, për shkak të marrjes së një shume prej 50 mijë eurosh hua nga një biznesmen dhe udhëtimin në makinë me një person të hetuar prej tij.
Po ashtu Bahitit iu kërkuan shpjegime edhe në lidhje me disa dosje të pushuara prej tij, për të cilat u ngritën dyshime se nuk ishin kryer hetime të plota. Vëzhguesi i ONM-së Theo Jacobs i tha Bahitit në fund të seancës se marrja e huave i humbiste atij pavarësinë dhe integritetin.
Trupa që kryesohej nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Suela Zhegu vuri në dukje se ndaj prokurorit kishte një raport të dytë negativ nga DSIK.
Vetë prokurori i mohoi qoftë shkeljet e etikës, qoftë dyshimet mbi hetimet. Ai tha se kishte kryer detyrën bazuar në ligj dhe se huaja kishte qenë e vetmja mënyrë për të marrë një apartament. Bahiti këmbënguli se kishte ndjekur procedurat dhe hetuar siç duhet çështjet, ndërsa cilësoi si të pabazuar një raport të dytë të DSIK-së që e cilësonte të papërshtatshëm.
Saimir Bahiti përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe e kreu stazhin profesional në Prokurorinë e Kurbinit. Ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Shkodrës prej nëntorit të vitit 2008, deri kur u transferua përkohësisht në Gjirokastër. Në vitin 2021 ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Rrethit Durrës.
Pasuria
Relatorja Firdes Shuli vuri në dukje se sa i përket procesit të rivlerësimit të Bahitit ishte marrë parasysh edhe hetimi i kryer ndaj bashkëshortes së tij Elfrida Bregova, po ashtu prokurore, e cila u konfirmua nga KPK në prill të vitit që shkoi. Vendimi për Bregovën është ankimuar nga Komisioneri Publik që kërkon një hetim më të plotë.
Shuli vuri në dukje se gjetjet në kriterin e pasurisë ishin të njëjta. Ajo u fokusua te një kontradiktë mbi pagesën në bankë të një shumë prej 21 mijë euro në emër të subjektit, për blerjen e një apartamenti. Bahiti në deklarimet e tij ka pretenduar se pagesa për apartamentin gjithësej në dy këste është bërë cash dhe se kjo shumë nuk është derdhur prej tij në bankë.
Shuli tha se megjithatë në këtë rast ishin kërkuar shpjegime shtesë. Gjatë seancës Bahiti përsëriti faktin që veprime bankar nuk ishte kryer prej tij. Ai këmbënguli se atë ditë kishte qenë në Shkodër dhe përmendi disa prej çështjeve që kishte përfaqësuar në gjyq. Ai po ashtu shtoi se pas një kallëzimi penal të tij dhe bashkëshortes, punonjësja e bankës që kishte kryer veprimet ishte marrë e pandehur.
Shuli tha se shoqëria ndërtuese për llogari të të cilës ishte bërë pagesa, kishte pranuar në një qëndrim të tretë dhe në një dëshmi se pagesa ishte kryer prej vetë shoqërisë duke përdorur emrin e Bahitit.
KPK po ashtu kërkoi edhe njëherë shpjegime mbi të ardhurat e një të afërmi me inicialet S.A i cili kishte dhënë hua për apartamentin me vlerë 104 mijë euro. Bahiti, i cili gjatë gjithë seancës lexoi shpejt duke pamundësuar edhe përkthimin, tha se kishte sjellë prova që dëshmonin burimet e ligjshme të S.A.
Figura dhe profesionalizmi
Shuli lexoi se DSIK kishte sjellë në përditësim një raport të dytë negativ ndaj Bahitit. Sipas të cilit ai nuk ishte i përshtatshëm për vijimin e detyrës. Në raport tha Shuli përmenden kontakte dhe krihen dyshime për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në hetime.
Por Bahiti tha se KPK nuk i kishte kaluar barrë prove sa i përket përmbajtjes së raportit të dytë. Ai vuri në dukje se të dy raportet e DSIK bazoheshin mbi të njëjtat të dhëna dhe se ai kishte “kryer detyrën me përkushtim”. Bahiti mohoi aludimet dhe tha se KPK duhej t’i kishte hetuar ato në mënyrë të pavarur.
Vetë Komisioni nuk mbajti qëndrim sa i përket raportit, por Shuli vuri në dukje në seancë se çështje të referuara aty ishin verifikuar. Po ashtu Shuli lexoi një sërë denoncimesh ndaj prokurorit, përfshi dyshimet se ai kishte hetuar në vitin 2009 biznesmenin P.G nga i cili kishte marrë më pas, në vitin 2012, huan 50 mijë euro.
Por Shuli tha se nga verifikimi i dosjes rezultoi se hetimet në vitin 2009 kishin qenë për një kompani tjetër me emër të ngjashëm edhe pse prokurori kishte kërkuar informacion nga kompania e P.G. Hetimet ishin pushuar. Shuli megjithatë shtroi se ONM kishte paraqitur opinionin mbi rastin duke ngritur dyshime mbi etikën e prokurorit në rastin në fjalë.
Bahiti këmbënguli se në vitin kur ishin kryer hetimet ai nuk e kishte njohur P.G, të cilin e kishte njohur vetëm më vonë rastësisht. Ai tha se ndaj P.G nuk kishte pasur hetime dhe as kishte ndaj tij çështje. Ai shtoi se nuk kishte kryer shkelje të etikës dhe as ishte në konflikt interesi.
Por vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs nuk qe i bindur nga shpjegimet. Ai i vuri në dukje Bahitit se rasti në fjalë “mbante erë”, ndërsa shtoi se e shihte që “profesionalizmin e tij linte për të dëshiruar”. Gjatë ndërhyrjes Jacobs i tha Bahitit se pretendimi i tij për pamundësi për të blerë shtëpinë në një formë tjetër nuk justifikonte kërkimin e huave, sidomos nga persona si P.G. “Duke kërkuar huan t’i ke humbur pavarësinë tënde. E vendos veten në një pozitë shumë të vështirë”, tha Jacobs, ndërsa tha se puna si magjistrat nuk ishte një privilegj.
I njëjti debat u zhvillua edhe me një rast të dytë. Sipas KPK Bahiti kishte udhëtuar në Malin e Zi sëbashku me një person ndaj të cilit kishte zhvilluar më herët hetime. Bahiti këmbënguli se kishte udhëtuar me një koleg prokuror dhe personi në fjalë ishte vetëm rastësisht në këtë udhëtim. Ai tha se kishte shkuar në Mal të Zi për të blerë ushqime, për shkak të cilësisë dhe çmimit më të lirë.
Bahiti mohoi si tërësisht të pavërteta pretendimet e ngritura për disa kontakte me persona të ndryshëm.
Ndërkohë Shuli vuri në dukje se Bahitit i ishin kërkuar shpjegime mbi një sërë dosjesh. Dy prej tyre kishin të bënin me pushim të çështjeve me akuzë të pastrimit të parave. Bahiti shpjegoi se pushimet ishin bërë si hap procedural deri në momentin e marrjes së përgjigjeve nga letër porositë e dërguara. Ai tha se kjo ishte procedurë e ndjekur për shkak të afateve dhe çështjet rihapeshin kur vinte informacioni i ri me letër porosi, sicc edhe kishte ndodhur në këto raste.
Shuli vuri në dukje se në një rast prokurori kishte kërkuar dënime minimale për disa të akuzuar. Bahiti justifikoi vendimin e tij me gjendjen e të pandehurve, që siç ai shpjegoi në seancë ishin në kushte të vështira sociale.
KPK njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit do të mbahej në 13 janar në orën 9.45.
/Reporter.al/