Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 7 nëntor 2022 të shkarkojë nga detyra prokurorin e Durrësit, Ilir Turja, pasi arriti në përfundimin se ai kishte fshehur në emër të prindërve një vilë në zonën e plazhit me qëllim shmangien e kontrollit të ligjshmërisë së burimeve të krijimit; se kishte mungesë të burimeve financiare në disa vite; si dhe kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë. Ndërkohë, Turja u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Procesi i vetingut për prokurorin Turja u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtar Roland Ilian.
Ilir Turja e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.
‘Fshehja e vilës’
Prokurori Turja ka deklaruar një banesë në përdorim në qytetin e Durrësit prej vitit 2003, ku banon dhe aktualisht me prindërit, pasuri e regjistruar në emër të babait të tij.
Komisioni konstaton se subjekti nuk ka deklaruar vlerën e pasurisë, ndërsa si burim krijimi ka shënuar një kredi në Bankën Kombëtare Tregtare, BKT dhe kursimet familjare. Në seksionin “detyrime financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë” të deklaratës “veting”, Turja ka shënuar kredinë e marrë në BKT në vitin 2010, në shumën 6 milionë lekë.
Ai ka sqaruar se qëllimi i marrjes së kredisë ka qenë porosia për blerjen e një apartamenti, por pas revokimit në vitin 2011 për arsye objektive, vlerën 6 milionë lekë e ka investuar në banesën e prindërve të tij për një shtesë në objektin ekzistues. Sipas Turjas, banesa e prindërve është përdorur si kolateral për kredinë, ku prindërit kanë qenë dorëzanës, të cilët dhe kanë aplikuar për lejen e legalizimit pranë ALUIZNI-t.
Subjekti ka shpjeguar historikun e banesës në pronësi të prindërore ku dhe ai banon, duke sqaruar se në fund të vitit 2001 babai kishte identifikuar një sipërfaqe toke të lirë në zonë e quajtur “Plazhi i Durrësit”, ku ka bërë një ndërtim provizor në vitin 2002, kur po atë vit, ka realizuar blerjen e tokës.
Sipas Turjes, babai ka ndërtuar një banesë tre kate + katin përdhe dhe se ai vetë ka jetuar aty nga viti 2003 deri në 2009-ën, pa kundërshpërblim. Subjekti ka shtuar se në vitin 2009 ka shkuar të banojë në apartamentin e blerë më parë nga bashkëshortja, ndërsa në tetor të vitit 2010 janë rikthyer të jetojnë përfundimisht tek banesa në plazh duke përdorur një pjesë të saj. Njëkohësisht kanë vendosur që bashkëshortja të fillonte një aktivitet tregtar “bar-restorant” në katin e parë të godinës.
Nga verifikimet e kryera nga Komisioni ka rezultuar se në emër të babait të subjektit, aktualisht figurojnë tri pasuri të lidhura me njëra-tjetrën, objekti kryesor me sipërfaqe totale ndërtimi 566 m2 dhe dy objekte të tjera, secili nga një kat, njëri me sipërfare ndërtimi 32 m2 dhe tjetri me sipërfaqe ndërtimi 41 m2.
KPK konstaton se trualli prej 457 m2 ku gjendet objekti përbëhet nga sipërfaqja e tokës 300 m2 e blerë nga babai i subjektit në vitin 2002 dhe trualli 157 m2 i përfituar me legalizim së bashku me shtesën e ndërtuar gjatë gjatë viteve 2010-2013. Sipas Komisionit, shtesa e bërë në objektin ekzistues nuk evidentohet si pasuri e regjistruar veçmas, por si pjesë përbërëse e objektit të regjistruar pas kryerjes së procedurave të legalizimit.
Bazuar në këto rrethana, Komisioni konstaton se subjekti nuk ka deklaruar saktë mbi gjendjen faktike të kësaj pasurie në momentin e dorëzimit të deklaratës “veting”. “Për më tepër, subjekti ka deklaruar përdorimin e plotë të godinës së banimit, megjithëse ka referuar një dokument i cili nuk tregonte gjendjen faktike të saj, duke mos specifikuar se kishte në përdorim pjesë të caktuara të saj” konstaton KPK dhe vlerëson se Turja ka pasur detyrimin të deklaronte gjendjen faktike të objektit të cilin e ka në përdorim, vlerën, si dhe burimet e të ardhurave të cilat kanë shërbyer për krijimin e tij, qoftë edhe nëse ka në përdorim vetëm një pjesë të tij.
Në vijim, KPK evidenton lidhjet e prokurorit Turja me këtë pasuri. Nga verifikimi dhe analizimi i deklarimeve të bëra nga vetë subjekti në ILDKPKI dhe gjatë hetimit administrativ, si dhe prej shqyrtimit të dokumentacionit të administruar në dosje lidhur me truallin, objektin kryesor dhe dy godinat njëkatëshe, është konstatuar se prokurori Turja veç faktit se ka banuar aty, është investitor pasi ka përdorur kursimet dhe ka marrë një kredi për të financuar punimet e kryera.
Po ashtu, Komisioni konstaton se edhe në preventivin që shoqëron relacionin teknik të lidhur me projektin e vitit 2010 për ndërtmin e shtesës anësore, papafingos dhe punimeve të tjera, prokurori Turja figuron si investitor.
Nisur nga kjo lidhje e vazhdueshme interesi mes subjektit dhe prindërve të tij, Komisioni shprehet se duket se ata kategorizohen në cilësinë e “personave të tjerë të lidhur”. Po ashtu, janë ngritur dyshime se prindërit mbanin në emrin e tyre këto pasuri të fshehura të subjektit dhe Komisioni ka vendosur të thellojë hetimet për mundësinë e prokurorit Turja dhe të prindërve të tij për investimet e kryera në këtë pasuri, që prej blerjes së truallit e deri në ndërtimin e dy objekteve të tjera njëkatëshe.
Bazuar në deklarimet e prokurorit Turja, janë identifikuar si burime financiare për krijimin e kësaj pasurie, kursimet familjare të subjektit, kredia e marrë prej tij në vitin 2010 dhe të ardhurat nga shitja e një sipërfaqeje toke në pronësi të babait të tij.
Komisioni e ka ndarë në dy periudha analizën financiare paraprake me qëllim evidentimin e mundësisë së prindërve të subjektit për blerjen e truallit, ndërtimin e godinës dhe të shtesave të tjera. Për periudhën 1995-2003 kur është blerë toka dhe është ndërtuar objekti fillestar ka rezultuar balancë negative në vlerën 7.8 milionë lekë, ndërsa për vitet 2004-2013 është gjetur pamundësi në shumën 2.4 milionë lekë.
Komisioni shprehet se e ka vlerësuar rezultatin e analizës financiare të prindërve të prokurorit Turja në harmoni me indiciet e tjera që e lidhin atë me pasurinë në objekt vlerësimi, si dhe me faktin që ai shfaqet në cilësinë e investitorit dhe përdoruesit të kësaj prone.
Bazuar në rrethanat e konstatuara, Komisioni ka vlerësuar se, duket se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të ngritura mbi fakte e indicie konkrete dhe të besueshme, se në këtë rast objekti është pasuri e fshehur e subjektit të rivlerësimit e regjistruar në emër të prindërve, me qëllim shmangien e kontrollit të ligjshmërisë së burimeve të krijimit të saj.
Pas kalimit të barrës së provës, prokurori Turja ka këmbëngulur se nuk gëzon tagrin e pronarit apo të bashkëpronarit në këtë pasuri, por vetëm atë të përdoruesit të një pjese të saj. Ai ka theksuar se përdorimin e këtij objekti e ka deklaruar rregullisht ndër vite në ILDKPKI, si dhe në deklaratën “veting”.
Megjithatë, shpjegimet e subjektit nuk janë gjetur bindëse nga Komisioni.
“Pavarësisht se subjekti i rivlerësimit nuk gëzon tagrin e pronarit apo bashkëpronarit mbi pasurinë objekt vlerësimi, rezulton e provuar se ai ka kryer investime të konsiderueshme mbi këtë pasuri, si dhe fakti i përdorimit prej tij, qoftë edhe të një pjese të kësaj pasurie. Subjekti i rivlerësimit ka pranuar investimet e kryera prej tij në këtë pasuri dhe faktin e përdorimit të saj”, konstaton trupa e KPK dhe arsyeton se bazuar në këtë situate, merr rëndësi të veçantë verifikimi i ligjshmërisë së të ardhurave të prindërve të subjektit të cilët kanë rezultuar në pamundësi, ç’ka e ka bindur Komisionin se vila në plazh është pasuri e fshehur e Turjas.
Po ashtu, prokurori Turja ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 1.3 milionë lekë për mbulimin e investimeve dhe shpenzimeve gjatë viteve 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014.
/Reporter.al