Mediat greke i kanë kushtuar një artikull të veçantë hetimeve më të reja të policisë greke mbi krimin e organizuar shqiptar në Greqi, që vitet e fundit po shkakton vrasje të njëpasnjëshme.
Sipas “To Vima” pesë grupe kriminale shqiptare që dyshohet se operojnë nëpër burgje në Greqinë Qendrore dhe Jugore janë përgjegjëse, sipas zyrtarëve të lartë të “EL.AS”, për sulmet e përgjakshme që po ndodhin para qytetarëve muajt e fundit në Athinë.
Në disa prej këtyre grupeve ka raportime se janë përfshirë edhe oficerë policie”.
Objektivi kryesor i rreth15 sulmeve kriminale të ndodhura në periudhën e fundit është kontrolli i trafikut të kokainës dhe heroinës në streha të ndryshme të kryeqytetit dhe në radhë të dytë të ardhurat nga shtëpitë publike, klubet, por edhe mbrojtja në bare, kafene etj.
Sipas “To Vima”, policia greke mendon se sulmi në Nea Smyrni ku u vranë Kreshnik Cercizaj nga Vlora dhe Armando Ogranaja nga Tirana, ka lidhje me vrasjen e 32 vjeçarit Ari Papa nga Saranda në një kafene në Sepolia ne maj 2021, pa përjashtuar mundësinë që të jetë i njëjti vrasës.
“Për më tepër thuhet se ka prova që mund të tregojnë se shumë nga sulmet e tanishme kriminale vijnë nga kriminelët shqiptarë shumica e të cilëve mbeten të burgosur, të cilët ishin të lidhur me një bandë të madhe shqiptare qendrore që vepronte nga 2004-2008 në qendër të Athinës dhe gjetkë dhe ishte përgjegjës për 11 vrasje.
Sipas Oficerëve të EL.AS. ka edhe “video” të mafiozëve shqiptarë në Athinë duke demonstruar kallashnikovë, përplasje me policët e DIAS-it, ndërsa disa prej tyre shfaqen si truproja të këngëtarëve të rinj të huaj të muzikës.
Madje në një nga këto “videoklipe” ata kërcënojnë policët duke thënë se “e dinë se ku jetojnë”.
Sipas tyre, janë aktive 15 organizata kriminale qendrore të Shqipërisë dhe “degët” e tyre, të cilat kanë lidhje me trafikun e kokainës (ky aktivitet lidhet me shumicën e vrasjeve në Greqi) me Ndraghetën dhe Camoran në Itali dhe me rrjete kriminale në Kolumbi, Marok, Santo Domingo, Spanjë dhe gjetkë. Përveç kësaj, në trafikun e heroinës ata kanë kontakte me mafian italiane të Pulias.
Shërbimet kompetente të Katekakit në Greqi raportohet se tashmë kanë hartuar degët dhe drejtuesit e mafies shqiptare.
“To Vima” shkruan se një nga grupet kriminale është ajo që operoi në vitet 2005-2008 në Agio Pantaleimona, Kolono, Metaksurgio etj, ku një nga figurat kryesore të saj është Klodian L. (Klodian Lekocaj), i cili akuzohet se ka drejtuar në burgje një grup prej 20 anëtarësh, të cilët janë përgjegjës për disa ngjarje si sulmi i përgjakshëm në Mikrolimano në 2014, vrasjen e një 44 vjecari në të njëjtin vit në Metaksurgio dhe sulmin e përgjakshëm ndaj një avokati në Penteli.
I njëjti grup ka ekzekutuar avokatin Mixali Zafiropoulo në 2017, 3 shqiptarë në burg, i ka vendosur gjobë ish ministrit dhe avokatit Dimitri Tsovola, është përfshirë në grabitje e trafik droge dhe ka ekzekutuar një rom grek 39 vjeç në 31 korrik 2022. Policia greke nuk përjashton mundësinë që i njëjti grup të fshihet pas sulmeve ndaj 32 vjecarit Aristidhi P. (Ari Papa) në qendër të Athinës e që më pas u ekzekutua në Sepolia. Ky i fundit ishte ish pjesëtar i këtij grupi, konkretisht të Agio Pantaleimonas.
Vrasjet me pagesë
Policia greke tani po përqendron vëmendjen në arrestimin, në mars 2019, të dy shqiptarëve (disa nga bashkëpunëtorët e tyre mbetën të pa kapur) në Korinth, të cilët ishin autorë të disa prej atentateve kundër Aristidhi P. (Ari Papa, të cilit i janë bërë 4 atentate në total). Dyshohet se ndonjë nga ky grup mund të lidhet me sulmin e përgjakshëm në Sepolia ku humbi jetën “objektivi” i tyre i vazhdueshëm 32-vjeçar, por edhe atë të fundit në Nea Smyrni ku u vra Cercicaj dhe Ogranaja.
Ka ende një interes kërkimor të policisë greke për dy-tre shqiptarë që thuhet se kanë qëllim të ekzekutojnë “kontratat e vdekjes” dhe më pas për t’u kthyer në vendlindje.
Po ashtu, në vëzhgim është edhe një kriminel shqiptar, i cili konsiderohet si një nga “trajtuesit” kryesorë të porosive për vrasje jo vetëm për mafian shqiptare, por edhe për atë greke.
Roli i Sandër Pemaj
Policia shqyrton tërësisht mundësinë nëse pas “luftës” të mafies shqiptare mund të fshihet një grup qendror që ka marrë emrin e një klubi nate në Athinë. Sipas disa të dhënave nga hetimi i policisë, një personazh drejtues mund të jetë një kriminel i njohur shqiptar, i burgosur në Greqinë Qendrore, i cili ishte akuzuar për “vrasje me pagesë” dhe arratisje.
Në të njëjtin grup, sipas të njëjtave vlerësime të organeve të sigurisë, është një tjetër shqiptar i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë (dhe kundër punonjësve të policisë në një përleshje të përgjakshme në Virona), grabitje të armatosura, trafik droge, posedim të dalluar të armëve dhe municioneve luftarake dhe arratisje nga burgjet.
Shqiptari në fjalë, mësohet se është 44 vjecari Sander Pemaj, i cili u arrestua edhe për një ngarkesë të madhe kokaine në Greqinë Qendrore, duket se ka pasur kontakte – sipas një raporti të brendshëm të organeve të sigurisë – me zyrtarë të Policisë greke dhe individë nga Kreta.
Roli i Fabio Dushkut
Me të njëjtët kriminelë, sipas vlerësimeve të zyrtarëve në Katekaki, mban kontakte edhe i dënuari shqiptar, 37 vjecari F. D. (Fabio Dushku), që është dënuar për grabitje në Athinë, vrasjen e një shqiptari 25 vjec në Athinë dhe plagosjen e një personi të përfshirë në trafik njerëzish në kryeqytet.
Dushku ishte konstatuar se kishte një komunikime me pjesëtarë aktivë në planin e madh të arratisjes nga burgjet e Koridhalos, në vitin 2015, të quajtur “Gorgopotamos”.
Roli i Ralf Ferukut dhe Dashamir Kasemit
Së fundi, në të njëjtin hetim, policia po heton marrëdhëniet e të lartpërmendurve me një 46-vjeçar shqiptar me pseudonimin “Taqi” (Ralf Feruku), i cili u akuzua për vrasjen e bashkatdhetarit të tij në një lokal në Glyfada (më pas u shpall i pafajshëm për shkak të informacionit të pasaktë).
Megjithatë, ai përballet me një akuzë të re për organizimin e vrasjes së Aleks Rapos, në vitin 2014, në një makinë SMART, në të cilën ishte montuar eksploziv duke u hedhur në erë në “Attiki Odos”. “Taqi”, i cili gjithashtu mohon çdo përfshirje në shpërthimin e makinës, mësohet se është arratisur në një vend europian.
Policia ka përqendruar vëmendjen edhe te një tjetër kriminel shqiptar me inicialet D. K. , (Dashamir Kasemi) i cili gjithashtu ishte i përfshirë në bandën e lartpërmendur të “gjakatarëve” të Agios Panteleimona dhe që disa javë më parë ka shkelur lejen e dhënë nga një burg në Greqinë Qendrore.
D.K. (Dashamir Kasemi), i cili ishte akuzuar si për vrasjen e ish-bashkëpunëtorit të tij, ashtu edhe për një çështje droge, dyshohet se ka pasur një rivalitet të mëhershëm me Ari Papën të vrarë në Sepolia dhe gjithashtu me ish-bashkëpunëtorët e tij.
Madje, autoritetet e sigurisë kanë regjistruar më parë edhe aktivitetin e një shqiptari tjetër që kishte tentuar të arratisej në mars të vitit 2013 nga burgjet e Trikalas, në projektin e njohur të përgjakshëm të mafies shqiptare që çoi në ndjekjen vrastare të të arratisurve në Greqinë Qendrore dhe Veriore.
Burimi: To vima