Ilir Paja nuk do të ekstradohet drejt Italisë. Apeli i Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ekzekutimin në Shqipëri të dënimit të dhënë ndaj tij nga drejtësia italiane. 49-vjeçari është dënuar me 25 vite e 4 muaj burgim për vrasje nga Apeli i Milanos në Itali, për vrasje në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.
Paja, i njohur edhe si “Ufo” për shkak të dy arratisjeve spektakolare nga burgje të sigurisë së lartë, u arrestua më 3 Nëntor në zonën e Laprakës në Tiranë, për llogari të autoriteteve italiane.
Dy ditë më vonë, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e arrestit me burg, për qëllime ekstradimi.
Më 1 Dhjetori, prokurori i çështjen e kërkoi gjykatës që të revokojë masën e sigurimit si më sipër caktuar dhe të caktojë të njëjtën masë, për efekt të njohjes së vendimit penal të huaj dhe zbatimit të tij në Republikën e Shqipërisë.
Kërkesa u pranua më 3 Dhjetor nga Apeli i Tiranës.
Ankim mbi vendimin bëri Ilir Paja, ndërkohë që këtë të Enjte, kërkesa e “Ufos” u rrëzua nga Gjykata e Apelit të Tiranës, që la në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Arrestimi
Arrestimi më 3 Nëntor i Pajës në zonën e Laprakës u bë në një aksion nga Njësia Speciale “Fast Albania”, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3.
Operacioni u kodua “Dangerous”, ndërsa policia, në një njoftim zyrtar për mediat, e cilësonte 49-vjeçarin “si person shumë i kërkuar nga autoritetet italiane”.
Referuar raportimeve mediatike, ai mbahej nën vëzhgim të rreptë për gati 3 muaj, pas informacioneve që ishin siguruar në rrugë operative se strehohej në zonën e Laprakës, te të afërm.
Gjatë kësaj kohe, policia mbante në vëzhgim ambientet që Ilir Paja frekuentonte si dhe ishte vënë në përgjim për të vërtetuar nëse ishte i njëjti person ose jo.
Pikërisht mbajtja nën përgjim e njërit prej numrave telefonik që Paja përdorte, çoi edhe në zbulimin e vendeve ku ai qëndronte.
Raportohet se Paja u arrestua sapo hyri në ambientet e një berberane.
Nofka “Ufo”
Për shkak të arratisjeve të tij të cilësuara spektakolare nga institucione të vuajtjes së dënimit në Itali, nga mediat atje Paja ka marrë pseudonimin “Ufo”.
Në vendin tonë, Ilir Paja është dënuar dy herë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Fillimisht për “plagosje të rëndë me dashje” të oficerit të policisë që kërkoi ta ndalonte me 6 vjet e 8 muaj burg. Më pas ai është dënuar po nga kjo gjykatë me 17 vjet burg sipas dosjes së ardhur nga Italia, ku ai akuzohej për vrasje, tentativë vrasje, përdhunim dhe po ashtu dy arratisje nga burgu.
Gazeta italiane La Repubblica në artikullin për arrestimin e tij në vitin 2008 e përshkruan atë si “Ufo”. “Ka përdhunuar dhe vrarë, ka terrorizuar gra që i ka detyruar të prostituojnë dhe ka mbajtur peng fëmijë për tu arratisur”, shkruhet në artikull, ku përshkruhen po ashtu edhe dy arratisjet e tij nga burgjet italiane në vitet 2006-2007.
Pas arrestimit në Tiranë në vitin 2008, kur Ilir Paja, në tentativë për të ikur, plagosi rëndë një oficer të policisë dhe mbeti vetë i plagosur, ai u dënua dhe ka qëndruar në qeli deri në vitin 2017, kur u lirua para përfundimit të dënimit me burg nga ish-gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha, ndaj të cilës është konfirmuar dy muaj më parë një vendim me 2 vite burg dhe 5 vite për korrupsion, nga Apeli i Gjykatës së Posaçme.