Një borxh prej 1 milionë lekësh të reja kanë qenë arsye e mjaftueshme për 3 persona që t’i merrnin jetën në mënyrën më makabre 61-vjeçarit, Menduh Shaban Kurt-Dedës.
Gazmir Ngota, një nga të arrestuarit për vrasjen e 61-vjeçarit ka pranuar autorësinë e krimit. Në rrëfimin para grupit hetimor, ai ka treguar se krimin e rëndë, marrjen peng, dhunimin e djegien për së gjalli të 61-vjeçarit e ka bërë në bashkëpunim me Besmir Karajn, i cili është shpallur në kërkim.
Balkanweb ka siguruar dëshminë e Gazmir Ngotës i cili ka treguar me detaje se ecurinë e krimit horror të ndodhur në 2017.
DËSHMIA:
“Gjatë darkave, takoheshim në lagje dhe shpesh herë frekuentonin dhe lokalin tjetër në pronësi të ‘Çufes’ që ndodhet përballë bar kafe ‘Kënaqësia’, në Allias. Duke qenë se unë sapo kisha ardhur nga Italia dhe aso kohe kisha para, Besmiri më është afruar dhe kemi krijuar njohje dhe shoqëri me njëri-tjetrin. Besmiri punonte me një person tjetër që i thërrisnin ‘Faja’ me origjinë nga Pogradeci ose Korça, për të cilin më pas kam mësuar se kishte qenë i dashuri i nënës së vetë, shtetases Marjeta Karaj. Nga Besmiri kam mësuar se nëna e tij drejtonte një fondacion, ndërsa vetë Besmiri punonte si shofer, me makinën e Fajes, të markës Ford Focus me ngjyrë jeshile dhe e shoqëronte atë për shpërndarjen e produkteve të ndryshme ushqimore.
Rreth dy muaj pasi isha kthyer në Shqipëri, ku muaji dhe data e saktë nuk më kujtohet, unë kam qenë tek magazina e Besmirit, që ndodhej mbrapa konviktit nr 1 të Shkollës së Bashkuar Tiranë dhe ndërsa po qëndronim, kemi pirë verë të hapur me turshi. Rreth orës, 01:00 të mëngjesit mua më mbaruan cigaret dhe shkova për të blerë një paketë cigare tek një kioskë, tek kryqëzimi i Varrit të Bamit, që qëndron hapur 24 orë. Ndërsa po kthehesha, disa metra pa mbërritur tek magazina, Besmiri është afruar me mjetin tip Ford Focus dhe më tha: ‘hajde hip, të bëjmë një xhiro’. Ndërsa po qarkullonim nëpër rrugica, afër një tregu fruta perimesh në Xhamllik, Besmiri pa një person të seksit mashkull duke ecur në këmbë dhe menjëherë ndaloi makinën, pasi tha se e njihte. Për mua ishte hera e parë që e shikoja këtë person, por kujtoj që Besmiri i thërriti në emër, “Mendu” dhe pasi i futi krahun e mori në makinë.
Kujtoj që personi në fjalë ishte i madh në moshë, mbi 65 vjeç dhe mbaj mend që kishte konsumuar alkool. Gjatë rrugës, në automjet Besmiri filloi që t’i bënte Mendus presion, duke i thënë: ‘kam kaq kohë që të kërkoj, shiko çfarë kam për të bërë’ dhe gjëra të tjera të kësaj natyre. Më pas, Besmiri mori në telefon nënën e tij, Marjetën dhe i tha: ‘kam gjet Mendun, e kam me vete me makinë dhe hajde tek Kastrati, që të flasësh vetë me të. Kemi vazhduar rrugën me makinë dhe pasi mbërritëm tek Karburant Kastrati në Allias, makinën Ford Focus e futëm në parkingun, pas pishinave të kompleksit Las Palmas, në pronësi të Cufes të cilin unë e njoh që fëmijë si banor të zonës.
Besmiri zbriti nga makina Mendun dhe menjëherë nisi ta qëllonte me shpulla, duke e sharë dhe ofenduar, ndërkohë që ky i fundit nuk reagonte pothuajse fare, vetëm qeshte, pasi si duket ishte në gjendje të dehur. Pas pak çastesh aty ka ardhur Marjeta, e cila e acaruar i bërtiste Mendus, duke i thënë: ‘prej teje më vdiq vëllai, duhet të më kthesh menjëherë lekët, nga ku unë kuptova që Mendui, i kishte lekë borxh Marjetës.
Menduja, i thoshte: ‘nuk kam asnjë lek borxh, dhe vetëm qeshte dhe kjo sjellje e tij ka acaruar Marjetën dhe Besmirin i cili filloi që ta qëllojë Mendun, me grushte e shkelma, ku si pasojë ky i fundit është rrëzuar në tokë dhe nuk po ngrihej më pasi ishte moshë e thyer. Besmiri dhe Marjeta u larguan disa metra me tutje, dhe për disa çaste biseduan vetëm për vetëm me njëri-tjetrin.
Pasi unë jam afruar pranë tyre Besmiri më tha: ‘sa burg rrezikojmë. Unë i thashë: ‘nuk e di, shumë kemi për të rrezikuar nëse i ndodh diçka e keqe. Në vijim Besmiri pyeti Marjetën ‘çfarë të bëjmë’ dhe ajo i tha shprehimisht ‘hiqeni qafe , sepse nuk i bie njeriu mendja për këtë’. Pas këtij momenti Marjeta u largua në këmbë në drejtim të banesës së saj, ndërsa Besmiri dhe unë ngritëm për krahësh Mendun dhe e futëm atë në sendilen e pasme të mjetit tip Ford Focus me ngjyrë jeshile, targat e të cilit nuk i mbaj mend. Pasi vazhduam lëvizjen Besmiri më tha: ‘do ta çojmë mbrapa Dajtit qenin’, ndërsa unë s’është se bëra ndonjë reagim, pasi mendova se Besmiri thjesht po i bënte presion Mendus. Ky i fundit, megjithëse ishte koshient, nuk bënte asnjë reagim. Te një karburant në vendin e quajtur Kafja e Rremës, Besmiri ndaloi mjetin dhe më tha ‘zbrit merr benzin’ dhe më dha në dore dy bidona të vegjël 05 mil që mbante në makinë. Besmiri më dha lekët që bleva benzinë, dhe vazhduam rrugën në drejtim të Shkallës së Tujanit, deri sa arritëm në Kodër Shupal.
Ishte shume errësirë dhe gjatë rrugës nuk jemi hasur me asnjë automjet apo person tjetër. Në vendin e quajtur Kodër Shupal, Besmiri ndaloi makinën, bashkë zbritëm nga makina Mendun, duke e mbajtur për krahu dhe e mbështetëm Mendun në trungun e një peme që ndodhej disa metra më poshtë, në anë të rrugës. Besmiri e lidhi Mendun në trungun e një peme me zinxhirë që mbante në makinë, me qëllim që ai të mos lëvizte dhe e spërkati me benzinë, nga koka tek këmbët, ndërkohë që Menduja në atë moment vetëm rënkonte. Besmiri nxorri nga xhepi një mjet ndezës çakmak, dhe i vuri flakën Mendus, i cili menjëherë u përpi nga zjarri. Unë jam shokuar, pasi nuk e prisja një veprim të tillë dhe menjëherë kam shkuar tek makina dhe bashkë me Besmirin që ishte në drejtim të tij, jemi kthyer për në Tiranë.
Gjatë rrugës unë jam bërë keq, dhe i kam thënë disa herë Besmirit ‘çfarë bëre kështu, unë jam familjar, do më lesh fëmijët rrugës’, dhe ai më ka thënë ‘mos u bë merak, se do e mbaj unë përsipër, fajin që kam bërë.’ Atë natë Besmiri më la tek karburanti në Allias, dhe më tha që të shkoja në shtëpi, ndërsa ai vetë do të lante makinën në lavazh. Pasi jam futur në shtëpi, unë e kam përjetuar shumë keq këtë ngjarje, por gjithsesi nuk jam shprehur tek persona te tjerë. Të nesërmen, unë s’i kam besuar vetes që kam kryer një veprim të tillë dhe që nga ai moment kam filluar që të pi gjithnjë e më shumë alkool, për ta kaluar këtë ngjarje. Dy apo tre ditë pas ngjarjes unë kam takuar Besmirin tek lokal “Kënaqësia” dhe nga bisedat tona kam kuptuar se dhe ai e kishte përjetuar shumë keq. Kujtoj se pasi kufoma është gjetur në Kodër Shupal, dhe lajmi ka dalë në media Besmiri e ka përjetuar dhe më thoshte që Menduja i del në ëndërr çdo natë.
Të njëjtin përjetim kam pasur dhe unë. Më pas, unë jam mbyllur në vetvete dhe kam shkëputur çdo lloj komunikimi si me Besmirin ashtu edhe me Marjetën. Sqaroj se, unë e kam menduar disa herë që të dorëzohem në polici dhe të shpjegoj faktin që ka ndodhur, kam qenë në dilemë që të dorëzohem ose jo, duke menduar që kam dy fëmijë të mitur për të rritur. Kjo është dhe arsyeja që në datë 24.10.2022 ku pasi më ka thërritur policia unë jam larguar nga vendi i punës ku punoja si shpërndarës picash dhe nga banesa, pasi shoku im më tregoi se e kishin pyetur në polici në lidhje me këtë ngjarje”.