Kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi këtë të Martë nga selia blu pas përfundimit të protestës, se personi që e goditi me grusht, është agjent i Policisë kriminale.
Dhe pas tij, sipas Berishës, qëndron ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe kryeministri Edi Rama. Kreu i PD u shpreh se Edi Rama donte me çdo kusht që ai të mos fliste në protestën e sotme.
“Siç u pa, ishte një akt agresiv kriminal, i një personi që plotëson çdo kusht për të qenë i përdorur. Por ajo që është më flagrante, është se personi është agjent i policisë kriminale. Gerti Shehu është agjent i policisë kriminale, kontingjent që futen me doza të vogla në rrethet e trafikantëve, problem me disa ç’rregullime, por fakti që zyra e Fugës shpërndau me urgjencë këtë dokument shëndetësor për të, dëshmon se gjithçka ishte e përgatitur. Fakti që zyra e tij, e kishte gati shkresën për të ua dhënë gazetarëve. Ju e dini se në raste të tilla këta persona përdoren, se një njeri normal nuk pranon kurrë të përdoret. Edi Rama duke dashur që të paraqesë veten duar jashtë e paraqiti veten 100% duar brenda”, tha kreu i PD-së.
Duke ju referuar një dokumenti të publikuar në media, ku thuhet se autori ka probleme me shëndetin mendor, Berisha tha se Qeveria e kishte bërë gati aktin mjekësor për të mashtrua dhe për të justifikuar agjentin e policisë kriminale. Berisha tha se bëhet fjalë për një shkresë që u jepet agjentëve të infiltruar për ti shpëtuar kur kapen në flagrancë nga policia.
“Këtu thuhet, dëgjoni se është një gjë shumë interesante. Vërtetim mjekësor për tu përdorur kudo që ti nevojitet, por ky vërtetim mjekësor miqtë e mi nuk ka asnjë datë. Ai që lexon këtë, thotë se ky, mund të jetë i vitit 2018, mbasi thotë u paraqit në klinikën tonë në 10 janar 2018. Por shumë i çuditshëm vërtetimi sepse thotë gjithashtu se, episodi i fundit i 10 gushtit 2022, u rekomandua të dërgohet në urgjencën psikiatrike dhe pasi mori ndihmën e parë u rikthyer në shtëpi i qetësuar. Pra ju e kuptoni se kjo nuk dëshmon asgjë tjetër, përveç faktit se qeveria e kishte bërë gati për të mashtruar, për të justifikuar aktin kriminal të një agjenti të policisë kriminale të përdorur nga Çuçi i familjes me porosi të Ramës”, tha kreu i PD-së.
Berisha tha se porosia është e Edi Ramës, ndërsa Çuçi dhe Ardi Veliu janë organizatorët.
“Tani mund të ju them një gjë tjetër ju, shumë interesante. Ky i sëmuri kriminal i Edi Ramës, në vitin 2022. Si i sëmurë psikik nuk mund të merrte kurrë patentën. Ky është një akt i përgatitur personalisht nga Edi Rama, Bledi Çuçi dhe natyrisht Ardi Veliu. Agresori është me origjinë nga Tepelena, jeton prej 20 vitesh në Tiranë, i ka shërbyer policisë kriminale në rrjetet trafikante dhe tek besimtarët e xhamisë. Ai u paraqit se zbatoi porosinë e një vëllai mysliman. Është e regjistruar ku thotë se zbatoi porosinë e një vëllai. Në fakt porosi e vëllait është një vëlla pa fe, apo që ndërron fe sa herë i nevojitet, porosia është e Edi Ramës apo ministrit të tij, Çuçi. Nuk mendoj të jetë kush tjetër përveç Ardi Veliut. Nuk kam asnjë provë, por Ardi Veliu në kupolën e policisë është krimineli që mund të stisë dhe të organizojë çdo gjë. Ky është bashkëpunëtor i policisë kriminale, i përdorur për rrjetet e trafikantëve të drogës dhe mes besimtarëve myslimanë. Këto të dy janë përdorimet kryesore”, deklaroi Berisha.
Berisha u shpreh se shkresa mjekësore është parafabrikat për të mashtruar liderët e BE, por nuk ka asnjë datë. Ai theksoi se ky vërtetim mjekësor lëshohet me kërkesë informale nga policia ose prokuroria, për të infiltruarit.
“Siç e shikoni ky mund të jetë mjekuar, por e vërteta është se kjo shkresë është parafabrikat për të mashtruar liderët e BE-së që janë sot këtu. Shkresa nuk ka asnjë datë, që nuk ndodh ndonjëherë dhe për çudinë tuaj as vula nuk ka datë. Këtu keni një rekord tjetër. Është arrestuar sepse ju gjetën 1.9 gram kanabis sativa. Janë tipike veprime që kryhen ndaj agjentëve të policisë për të bërë të besueshëm, penetruar dhe instaluar në rrjetet e trafikantëve. Burimet e mia që janë të sigurta, ky ka funksionuar si agjent i policisë kriminale në këto dy destinacione. Ky thuhet se është i ditëlindjes 1991, nga fshati Krahës i Tepelenës dhe banues në Tiranë”, tha kryedemokrati.
“E dhëna tjetër. Burim plotësisht kompetent. Vërtetim mjekësor si ai që lexuar ju në atë format, lëshohet me kërkesë informale nga policia ose prokuroria, për të infiltruarit. Këtë e kishin të gatshëm. Përdoret për të shmangur arrestimin në flagrancë kur kapet nga punonjës policie që nuk kanë dijeni se është i infiltruar në grup. Pra, e arrestojnë i nxirret ky lloj vërtetimi dhe e lirojnë. Tjetër, ka marrë rinovimin e patentës dhe këtu i kam fotot, gjë e cila si i sëmurë mendorë nuk mund ta merrte kurrë. E gjitha kjo tregon se Edi Rama e kreu këtë akt prej frikacaku të turpshëm, e kreu me një agjent të policisë kriminale dhe për këtë sigurisht që ai do të ketë e veta. Do të marrë përgjigje. Këto janë dokumente pa datë, tamam të atillë që u nxirret, liroje se është i tillë, kaq”, shtoi ai.
Berisha theksoi se Rama donte me çdo kusht që ai të mos flisja në protestë.
“Një njeri normal a mund të ketë interes të hedhë në erë pallatin 7 katësh të një pronari mediash, në prag të samitit. Pse po ta them këtë. Edi Rama është një njeri që nuk kontrollon dot veten. Dhe sigurisht donte me çdo kush që Sali Berisha të mos fliste sot në atë tribunë. Pasi e pa që njerëzit u mblodhën, që i dështoi çdo skenar, përdori këtë. Ky njeri në të gjitha analizat është i përdorur nga pushteti. Ai mendoi se do të merrja një goditje dhe nuk do të mund të flisja. Dhe këtë do të mund ta mbulonte me një pistë islamike dhe në një audiencë të krishterë siç ishte samiti, do e besonte. Ishte plotësisht e kalkuluar. Pra kjo që ndodhi ndaj meje sot, ndodhi para pak ditësh me një hotel, pikërisht për ta mbuluar me samitin. Prandaj ata që njohin Ramën, e kanë shumë të qartë, nuk përmbahet dot. E thirra unë protestën, dhe ai kundëreagimin. Dështoi ai, e keni parë se çfarë turpi, policë në të 4 anët, mbyllën rrugë e lokale, vetëm që të dështonin protestën, por protesta ja ku ishte. E mori përgjigjen. Ndaj dhe ai e përdori këtë dhe do të ua servirte atyre si pistë islamike. Ia dogja pistën islamike në miting. Dhe vrapo e nxori shkresën. Ja ku është shkresa, e nxori Fuga shkresën. Faktikisht provoi se janë ata vetë. Kjo shkresë e gatshme që po të mos i digjej pista islamike nuk do të kishte nevojë të dilte se do të besohej se terroristët islamikë ja bënë këtë, apo se flet kundër Erdoganit ndonjë i revoltuar më këtë punë. Kjo është gjithçka, ai shfrytëzoi këtë me shpresën se nuk do të flisja në këtë protestë. E kam thënë unë, 1 po mbeti i dyti jam un”, tha Berisha.