Moti i keq që mbërtheu vendin në 24 orët e fundit ka shkaktuar përmbytjet e para për vitin 2022, me Shkodrën dhe Lezhën që janë dy qarqet e goditura më rëndë, duke u “gjunjëzuar” përballë furisë së reshjeve të shiut.
Niveli i lartë i reshjeve por edhe hapja e portave në tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit, në mënyrë të pakontrolluar nga KESH e kanë çuar nivelin e ujit në fshatra të caktuar në ultësirën e Nën-Shkodrës deri në 1 metër.
Aktualisht mbi 1 mijë hektarë tokë në Shkodër janë nën “pushtetin” e ujit, me qindra banorë që janë detyruar të braktisin banesat e tyre të rrethuara nga uji për t’u evakuuar në kohë.
Në kryeqendrën e veriut u shënuan edhe dy viktima nga moti i keq, teksa babë e bir Pjetër dhe Jason Rrushaj (48 dhe 13 vjeç) u gjetën të pajetë në përroin Shkrel të Malësisë së Madhe, 16 orë pasi makina me të cilën udhëtonin u rrëmbye nga rrjedha e furishme e ujit në vendin e quajtur “Grykë Lugje”.
Por, sikur të mos mjaftonte kjo Shkodra është praktikisht e ndarë nga pjesa tjetër e Shqipërisë në momentin që flasim pasi Ura e vjetër e Bahçallëkut që u shemb dje ka lënë pas inerte që kanë dëmtuar urën e re, duke detyruar bashkinë që të urdhërojë bllokimin e lëvizjes së mjeteve në të për arsye sigurie.
Ndërprerja e lëvizjes mbi Urën e Bahçallëkut bën që mënyra e vetme që qyteti i Shkodrës të lidhet me nënShkodrën dhe pjesën tjetër të vendit, të jetë rruga e vjetër përgjatë njësisë administrative Gur i Zi, duke kaluar në Vaun e Dejës.
Nga vlerësimet e Bashkisë së Shkodrës 312 familje janë detyruar të evakuohen, ndërsa 590 lundrojnë në ujë.
Kryebashkiaku Bardh Spahia vijon inspektimet në terren, ndërsa ka kërkuar prezencë të shtuar të mjeteve të posaçme dhe trupave nga Emergjencat Civile dhe ushtria për të bërë të mundur përballimin e situatës.
Në një prononcim për mediat ai drejtoi gishtin nga Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare dhe qeveria si fajtor së bashku me motin e keq për përmbytjen e Shkodrës, pasi tha se nuk e kanë menaxhuar si duhet situatën hidriken në Kaskadën e Drinit, duke hapur në mënyrë të beftë portat e shkarkimit të HEC-eve.
“Mënyra më e mirë për përballimin e situatave të tilla do duhet të ishte shpallja e gjendjes së emergjencës dhe prezencave autoriteteve të shtetit duhet të ishte që në momentin e parë. Dje kemi pasur mungesa si në mjete dhe në personel. Janë shtuar disi forcat e ushtrisë por duhen më shumë dhe personel i specializuar për raste të tilla. Do duhej me patjetër që dje të ishin shtuar forcat e ushtrisë dhe emergjencave civile dhe e mjeteve të posaçme. Gjithçka është rezultat i hapjes në mënyrë shumë të shpejt, e papritur e portave të hidrocentraleve. Duhet ta kishin lajmëruar në kohë autoritet që menaxhojnë kaskadën e Drinit bashkinë për të njoftuar banorët. Rritja e nivelit të ujit ka qenë jashtëzakonisht e shpejtë”, tha Spahia.
Situata e nderë paraqitet gjithashtu në qarkun e Lezhës, ku janë përmbytur disa zona dhe dhjetëra familje janë evakuuar. Gjendja paraqitet e rënduar në Zadrimë dhe Fushën e Torovicës ku qindra hektarë tokë bujqësore ndodhen nën pushtetin e ujit.
Dalja nga shtrati i kanaleve të ujërave të larta ka bllokuar dhe rrugën që lidh fshatin Kodhel me superstradën Lezhë-Shkodër, ndërsa vështirësi në lëvizje ka edhe në rrugën Blinisht-Kodhel në Zadrimë.
Fermerët e zonës kanë thënë për mediat se të mbjellat, kryesisht gruri ndodhen nën pushtetin e ujit dhe sipas tyre kjo është një situatë qe përsëritet çdo vit duke ju shkaktuar dëme te shumta.
Gjithashtu nga reshjet e shiut janë përmbytur disa akse rrugore në Shëngjin, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve, ndërsa është pezulluar lundrimi detar për të gjitha mjetet, pasi forca e dallgëve është shumë e lartë.
Po ashtu ka probleme me furnizimin me energji elektrike në fshatra për shkak të dëmtimit të linjave, ndërsa grupet e punës të OSHEE ndodhen në terren për riparimin e defekteve.
Ndërkohë që situata vijon të rëndohet në Veri, drejt Shkodrës është nisur me urgjencë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Për shkak të gjendjes emergjente ne vend, kryetari i PD Sali Berisha niset për Shkodër”, njoftoi mediat zyra për shtypin në PD.
Sakaq në një reagim nëpërmjet Facebook, kryeministri Edi Rama i ka shmangur të gjitha përgjegjësitë e tij dhe të autoriteteve që menaxhojnë HEC-et e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, duke devijuar fokusin nga përmbytja e Shkodrës, për te sulmi i tij ndaj mediave dhe opozitës për dezinformim.
Por, Rama nuk mundi të shpëtonte nga debati i krijuar pas lajmit se KESH po importon energji dhe po shkarkon pa fitim ujin në kaskadën e Drinit, sipas kontratave të lidhura prej koorporatës pavarësisht parashikimit të meteorologëve se reshjet e shiut do të nisnin në vend prej datës 19 Nëntor.
Rama e pranon skandalin e blerjes së energjisë me çmime të frikshme në tregun ndërkombëtar dhe e shet hapjen e portave si “shpëtim” për Shkodrën.
“E vërteta është se KESH ka vendosur të importojë energji elektrike sipas procedurës së datës 11 Nëntor, sepse nga të gjitha parashikimet e motit, situata e reshjeve pritej të intensifikohej vetëm në mesditën e datës 20 Nëntor dhe nëse nuk do të ishte importuar, rezerva energjetike do të ishte në minimalen historike, duke rrezikuar vetë furnizimin normal me energji. Sasia e reshjeve rezultoi në nivele ekstreme me vlera rekord në basenet e Komanit e të Vaut të Dejës – 150% e parashikimit sipas modeleve ndërkombëtare të analizës së motit! Vetëm në Theth në 12 orë kanë rënë mbi 400 mm shi me intensitet pik deri në 50 mm/orë. Kjo sasi reshjesh u përkthye në prurje që arritën deri në 4000 m3/sek në lumin Drin, ku vetëm në liqenet e Komanit e Vaut të Dejës prurjet anësore shkuan deri 3500 m3/sek. Në këto kushte, qysh në datën 19 Nëntor u morën masat sipas protokolleve përkatëse, duke hapur portat e shkarkimit për të krijuar mundësi akumuluese në të dy këta liqene dhe duke garantuar sigurinë e digave”, shpjegoi Rama sipas versionit të tij përmbytjet në Veri të vendit.
Ndërkohë, edhe qarqe të tjera në vend janë goditur nga moti i keq, me Durrësin, Korçën dhe Gjirokastrën që janë prekur më tepër. Rrugë të bllokuara, dhjetëra banesa të përmbytura dhe shkëputje të energjisë elektrike janë në listën e problematikave që përbëjnë panoramën e përmbytjeve në këto qarqe.
SITUATA NË SHKODËR:
Nga monitorimi në terren ditën e sotme datë 21.11.2022,ora 10.00, situata e përmbytjeve në terren vazhdon të jetë si më poshtë:
Hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 10.00,shënon kuotën 7.58 m.(Kuota max 8.70 m).
Hidrometri i lumit Drin në orën 10.00,shënon kuotën 7.60m. (Kuota max 7.50 m).
Bashkia Shkodër
Siperfaqe totale e përmbytur 2405 ha
Njësia administrative Ana e Malit
- Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 1000 ha, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan,Oblikë
- Rruga e Obotit – Niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 70 cm.
- Ujësjellësi Oblika 1,si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit.
Njësia administrative Dajç
1.Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 140 ha, kryesisht në fshatrat Mushan, Shirq, Pentar.
- Rruga që lidh fshatrat Pentar- Ças ka prezence uji.
- Buna ka deportuar në Urrelat e Shirqit
Njësia administrative Velipojë
Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 165 ha.kryesisht fshatrat Baks, Luarz. Ças.
Njësia administrative Guri i Zi
Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 500 ha, kryesisht në fshatrat Kuç dhe Rrenc.
Njësia administrative Bërdicë
Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 600 ha, konkretesht në fshtrat Trush,Berdicë e Siperme,Berdice e Mesme, Beltoje.
Familje të evakuara:
Janë 32 familje të evakuara, gjithsej 139 përsona, kryesisht nga Njësitë Administrative :
Njësia administrative Guri I Zi, 15 familje (57 përsona)
Njësia administrative Bërdicë, 12 familje (50 përsona)
Lagja Nr.4, 3 familje (7 përsona)
Lagja nr. 1, 2 familje ( 7 përsona)
Të akomoduar në konvikt 2 familje ( 7 përsona), ndërsa pjësa tjetër tek të afërmit .
Shtëpi me prezencë uji në oborre dhe në brendësi të banesave gjithsej 590 banesa:
- Guri I Zi 250 banesa
- Bërdicë 210 banesa, nga kto 40 ne biznese
- Lagja Nr.4, 30 banesa
- Lagja nr. 1, 100 banesa
Bashkia Shkodër theksoi se është në gatishmëri me të gjithë kapacitetet e veta njerëzore, logjistike dhe akomoduese për ti ardhur në ndihmë popullatës të rrezikuar nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut dhe shkarkimet e hidrocentraleve.
SITUATA NË LEZHË:
Situata pas reshjeve sot në Lezhë, datë 21 nëntor 2022 rezulton se me sipërfaqe të mëdha të mbuluara me ujë si në Mabë, Piraj, Gjadër, Torovicë.
Sipas të dhënave nga strukturat e Mbrojtjes Civile të bashkive Lezhë, Kurbin dhe Mirditë, sasia e reshjeve të rëna për 2 ditët e fundit ka qenë 212 mm. Vetëm për 24 orët e fundit nga dje në mëngjes deri tani ka rënë 82 mm shi .
Lumi Gjadër dhe Drin janë mbushur dhe tërheqja e ujit bëhet shumë ngadalë, por nuk kanë dalë nga shtrati . Kuota e lumit Drin është +1m nga +2 që është kuota kritike.
Lumi Mat ka rritur prurjet, por pa krijuar probleme. Sipërfaqe të përmbytura kemi në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht rreth 700 ha, ndërsa në njësinë administrative Balldre rreth 500 ha.
Në njësinë administrative Dajç, në fshatin Gajdër, janë 15 banesa në ujë dhe ura e Zojsit është e pakalueshme. Në fshatin Zojs janë 5 banesa në ujë. Në njësinë administrative Balldre, fshati Kakarriq janë 3 banesa në ujë. Në bashkitë Mirditë dhe Kurbin nuk raportohen probleme.
Situata në Dibër
Situata në Qarkun e Dibrës është e qetë. Sipas stacioneve lokale të instaluar në HEC-et e vogla gjatë 24 orëve kanë rënë mbi 190 mm shi.
Gjatë natës ka pasur rënie gurësh në aksin Milot-Burrel në afërsi të tunelit të Shkopetit, ku është bllokuar rruga. Deri tani nuk raportohen problematika. Probleme me energjinë elektrike ka pasur në disa zona.
Situata në Kukës
Qarku i Kukësit vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar. Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht.
Ka patur rënie inertesh dhe gurësh si dhe bllokime tumbinosh nga subjektet kontraktore është punuar gjatë gjithë kohës për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Rrugët janë të qarkullueshme, përveç rrugës që lidh fshatin Shipshan me rrugën nacionale bashkia Tropojë si rezultat i rrëshqitjes së dherave.
Në rrugën që lidh lagjen Balshaj të fshatit Tropojë e Vjetër si rezultat i prurjeve të mëdha të përroit rrezikohet një urë.
Nga bashkia Tropojë janë marrë masat për evakuimin e familjeve të rrezikuara.
Furnizimi me energji elektrike është normal përveç fshatrave Pistë, Mgull, Qam dhe Gëdheshtë bashkia Kukës, fshati Vranisht Nj.Ad Fajza bashkia Has, fshatrat Dragobi, Valbonë Nj.Ad Margegaj, fshati Llugaj Nj.Ad Llugaj, fshati Berishë Nj.Ad Bytyq dhe Nj.Ad Lekbibaj bashkia Tropojë. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.
Situata në Vlorë
Edhe qyteti bregdetar i Vlorës është”zgjuar” e qetë këtë të Hënë. Probleme ka me energjinë elektrike në disa zona si Babicë, Rradhimë, Dukat e Llogara ku ka pasur ndërprerej të shpeshta. Ndërkohë vijon i pezulluar lundrimi detar, ndërsa ka pasur edhe pemë të rrëzuara.
Situata në Durrës
Edhe Durrësi është përmbytur si pasoj e reshjeve të dendura ditën e djeshme. Rrugët dhe trotuaret u bllokuan nga ujërat.
Rreth 10 familje të lagjes 18 në Durrës janë zgjuar këtë të hënë të përmbytur nga reshjet e vazhdueshme të shiut. Niveli i ujit i kalon 20 cm dhe ka shkaktuar dëme të pallogaritshme në banesat e tyre.
Banorët e prekur nga përmbytjet në Durrës janë shprehur se ky nuk është viti i parë që ata zgjohen nën ujë në banesat e tyre, pasi rasti është përsëritur për 4 vite radhazi.
Shkak sipas tyre i përmbytjeve masive në disa zona të qytetit janë kanalizimet të cilat bllokohen, e për pasojë reshjet e shiut krijojnë prurje të cilat përfundojnë në shtëpitë e tyre.
Situata në Gjirokastër
Në Gjirokastër, nga të dhënat e emergjencave civile, rezulton se nuk ka banesa apo toka bujqësore të përmbytura. Por si pasojë e reshjeve të dendura disa akse janë bllokuar nga rrëzimi i gurëve dhe disa pemë janë thyer.
*Janê nën monitorim të gjitha digat e rezervuarëve. Rrjeti i kanaleve kulluese ka funksionuar më sê miri.
*Niveli i ujit në lumenjtê Drino e sidomos në Vjosë (Përmet – Tepel) brenda kuotave.
*Nuk ka ende sipërfaqe toke të përmbytura.
*Nuk ka dëmtime të pronës publike e private.
*Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike është siguruar pandërprerje.
* Të gjithë akset rrugore nacionale janê të kalueshme”, thuhej në njoftimin e Emergjencave civile.
Defekte të furnizimit me energji elektrike:
– Nê Nj. Admin. Memaliaj e Luftinje – Bashkia Memaliaj.
– Nj. Admin Piskovê e Frashêr – bashkia Përmet.
-Nj. Admin Zagorie – bashkia Libohove.
-Nj. Admin. Dropull i siperm – bashkia Dropull.
-Nj. Admin Odrie – bashkia Gjirok.
Po punohet me intesitet për pastrim te gureve te përrenjve ne rruget e brendshme te bashkise Gjirokastër, Libohovë, Përmet, Këlcyrê, Dropull, Tepelenë, Memaliaj si dhe nê nj.admin. të të gjithê qarkut.
Situata në Elbasan
Prej ditës së djeshme reshjet e shiut kanë vijuar në të gjithë qarkun e Elbasanit ku kanë rënë 30 mm shi.
Akset rrugore nacionale e rurale janë të hapura, ndërsa ka pasur prani inertesh në sasi të vogël në aksin rrugor Elbasan-Gjinar dhe Gramsh-Moglicë, por që me ndërhyrjen e autoriteteve janë pastruar.
Situata në Fier
Situata në qarkun e Fierit deri në këto momente paraqet probleme të shkaktuara në furnizimin me energji elektrike, por jo në përmbytje. Lumenjtë Vjosë dhe Seman janë në shtratin e tyre dhe deri tani nuk paraqesin rrezik.
Energjia elekrtike në zonat ku funksionojnë 4 hidrovoret, Darëzezë e Seman, nuk mungon, hidrovoret punojnë me kapacitetet të plotë. Nuk ka toka të përmbytura apo rrugë të bllokuara. Në disa zona ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, por grupet e punës janë në terren e po kryejnë riparimet e tyre.
Situata në Korçë
Disa pemë janë rrëzuar gjatë natës për shkak të erave të forta dhe shirave të dendur përgjatë aksit nacional Korçë-Pogradec. Në afërsi të fshatit Çiflig janë thyer nga era disa pemë shumë-vjeçare, të cilat kanë dëmtuar edhe përcjellësit e energjisë elektrike. Për shkak të motit të keq kanë mbetur pa energji elektrike 5 fshatra në zonën e Moglicës të bashkisë Maliq.