Gjyqtarja Teuta Hoxha e Gjykatës së Rrethit Tiranë u përball të enjten më 10 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati rreth tre orë e gjysmë kundërshtoi barrat e provës për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin ishte përmbyllur hetimi paraprak, si dhe kërkoi çeljen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Gjatë seancës dëgjimore subjekti u paraqit me përfaqësuesin e saj ligjor, avokatin Viktor Gumi.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Hoxha po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.
Teuta Hoxha ka një karrierë 22-vjeçare në sistemin e drejtësisë. Që prej vitit 2000 ajo kryen funksionin si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
Problemet kryesore me të cilat u përball Hoxha kishin të bënin me pamundësi të vërtetimit të burimeve për një apartament në përdorim në Tiranë, në pronësi të babait të bashkëshortit; një apartament në Golem; të një zyre dhe të dy automjeteve. Po ashtu, u konstatua gjykimi i tre çështjeve në kushtet e konfliktit të interesit.
Apartamenti dhe pasuria në Golem
Subjekti ka deklaruar përdorimin e një apartamenti në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, pasuri në pronësi të babait të bashkëshortit, i cili e ka blerë në vitin 2001 për çmimin 1 milion e 950 mijë lekë. Subjekti ka deklaruar se si burim për krijimin e kësaj pasurie kanë shërbyer të ardhurat e familjes së bashkëshortit.
Komisioni ka verifikuar të ardhurat e familjes së vjehrrit të subjektit, ato të deklaruara se janë përfituar nga marrja e kaparit në shumën 1.2 milionë lekë për shitjen e një sipërfaqe toke dhe nga qiradhënia e kësaj pasurie.
Pine sqaroi se këto të ardhura nuk janë përfshirë në analizën financiare, pasi nuk është finalizuar shitja e tokës, ndërkohë që për të ardhurat nga qiradhënia nuk janë paguar detyrimet përkatëse. Bazuar në këto konstatime, KPK i ka kaluar subjektit barrë prove për të vërtetuar burimet e ligjshme të familjes së vjehrrit për blerjen e apartamentit në 2001-in.
Gjyqtarja Hoxha dhe avokati Gumi i kundërshtuan gjithë gjetjet e KPK-së. Për apartamentin në përdorim, Hoxha kërkoi që të konsiderohen të ardhurat e vjehrrit nga kundërshpërblim si i përndjekur politik dhe nga një pension i posaçëm që e kishte përfituar për të njëjtën arsye.
Ajo këmbënguli se kishte vërtetuar me dokumentacion marrëdhënien e qiradhënies së tokës, ndërsa për pagesën e detyrimeve pretendoi se i takonin qiramarrësit. Po ashtu, Hoxha theksoi se vërtetohej arkëtimi gjendjes së kaparit dhe sqaroi se shitja nuk ishte realizuar sipas parashikimeve për shkak të mosregjistrimit të tokës dhe jo për ndonjë arsye të vjehrrit.
Ajo tha se regjistrimi pasurisë ishte realizuar në vitin 2019, ndërsa shitja pas përfundimit të pandemisë COVID-19, kur ishte bërë e mundur që të mblidheshin të gjithë bashkëpronarët për të nënshkruar.
Sipas Hoxhës, në të ardhurat e familjes bënin pjesë edhe ato të bashkëshortit, si dhe të vëllait të tij. Ajo pohoi se vëllai i bashkëshortit kishte qenë kontribuuesi më i madh për blerjen e këtij apartamenti, që edhe e kishte vendosur si kolateral për blerjen e një tjetër pasurie nga ana e tij.
Në përfundim të prapësimeve për këtë pasuri, Hoxha solli në vëmendje jurispudencën e KPA-së, që sipas saj, vjehrri nuk mund të konsiderohej person i lidhur. “Megjithëse e kam kaluar testin e barrës së provës për burimet”, pohoi ajo.
Për blerjen e një apartamenti në Golem kundrejt çmimit 2.1 milionë lekë në vitin 2007, subjekti ka deklaruar se janë paguar 700 mijë lekë, kurse pjesa tjetër është shlyer nëpërmjet shërbimeve juridike të dhëna prej bashkëshortit.
Nga analiza e burimeve ka rezultuar se Hoxha ka deklaruar kursime në shumën 1.4 milionë në vitet 2005 dhe 2006, por nuk ka deklaruar pakësimin e tyre në 2007-ën. Ndërkohë, këto kursime i ka deklaruar si burim për blerjen e një zyre në vitin 2008.
Nisur nga këto të dhëna, Komisioni i ka kaluar Hoxhës barrë prove për pamundësinë e vërtetimit të burimit të kësaj pasurie. Po ashtu, është konstatuar deklarim i pasaktë për vlerën e pasurisë, pasi pala shitëse e ka përfituar apartamentin për çmimin 30 mijë euro, ndërsa është dakortësuar për ta shitur kundrejt shumës 2.1 milionë lekë.
Subjekti sqaroi se aktmarrëveshja e vitit 2007 nuk ishte noteriale dhe se aty nuk është përcaktuar nëse është shlyer ndonjë shumë për çmimin e apartamentit në Golem. Sipas saj, në vitin 2007 ishte paguar një shumë 700 mijë lekë cash dhe pjesa tjetër ishte shlyer nga shërbimet e konsulencës juridike prej bashkëshortit.
Lidhur me mospërputhjen e çmimit të blerjes nga pala shitëse me atë të deklaruar, subjekti shpjegoi se shitësi kishte blerë dy apartamente me sipërfaqe të ndryshme dhe çmime të përafërta. Sipas saj, pala shitëse duket se është dakortësuar me ndërtuesin për vlerën totale të dy apartamenteve, por pa i ndarë sipas vlerës së tyre – pasi një prej apartamenteve ishte me sipërfaqe më të madhe dhe nuk kishte logjikë që të ishin blerë për çmime të përafërta.
Kessler i kërkoi subjektit të argumentonte se përse pala shitëse duhej të merrte shërbime ligjore të premtuara që mund të kushtonin “zero qindarkë ose 1 milion euro, pasi nuk dihej”.
Hoxha shpjegoi ndër të tjera se shitësi i apartamentit dhe bashkëshorti kishin qenë miq prej rinisë së tyre dhe se kjo marrëdhënie kishte qenë pak a shumë një lloj ftese që fëmijët të kalonin kohë bashkë.
Zyra në Tiranë
Në vitin 2008, bashkëshorti i subjektit ka blerë një zyrë me sipërfaqe 74.5 m2 në Tiranë për vlerën 8 milionë e 940 mijë lekë. Si burim krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar të ardhurat nga aktiviteti i bashkëshortit, gjendje cash dhe tre huamarrje në vlerë totale rreth 45 mijë euro.
Nga analizimi burimeve të deklaruara, KPK ka konstatuar pamundësi në krijimin e një depozite rreth 9 mijë euro nga të ardhurat e bashkëshortit të subjektit, si dhe për një pjesë të gjendjes cash në shumën 600 mijë lekë. “Si përfundim nuk provohet krijimi i vlerës 21 mijë euro me burime nga të ardhurat e bashkëshortit dhe kursimet”, vërejti Pine.
Për marrjen e një huaje në shumën 10 mijë euro nga shtetasi K.Ç. është deklaruar se do të shlyhej nëpërmjet shërbimeve të avokatisë nga bashkëshorti i subjektit. Nga hetimi i kryer prej KPK-së ka rezultuar se shoqëria e administruar nga K.Ç. nuk kishte shpërndarë dividend dhe për rrjedhojë është vlerësuar se nuk provohej burimi i ligjshëm i huasë.
Për huanë tjetër në vlerë totale rreth 25 mijë euro të marrë prej bashkëshortit të subjektit nga vëllai i tij, A.K, Pine tha se dukej se nuk provoheshin të ardhurat e deklaruara si burim për shumën e dhënë. Po ashtu, Komisioni konstaton se nuk është provuar mundësia e huadhënësit të tretë për krijimin e shumës rreth 10 mijë euro.
Pine tha se nga analiza e kryer për burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e zyrës, është konstatuar një bilanc negativ total në shumën rreth 7.6 milionë lekë.
Subjekti dhe avokati i saj u ndalën gjatë në analizën e burimeve të huave që kishin shërbyer për pagesën e çmimit të zyrës. Ata shpjeguan se pala shitëse do të largohej për të emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prandaj kishin marrë hua, pasi procedurat e kredisë vononin. Hoxha theksoi se huatë ishin marrë dhe kthyer nëpërmjet sistemin bankar.
Lidhur me huamarrjen 10 mijë euro nga K.Ç., subjekti shpjegoi se kishin dorëzuar si prova se bashkëshorti kishte përfaqësuar shoqërinë e huadhënësit në disa procese dhe vërejti se ai kishte deklaruar se shuma në fjalë ishte dhënë si paradhënie. Ajo këmbënguli se shoqëria e shtetasit K.Ç. kishte pasur likujditete të mjaftueshme.
Për huamarjen në shumën totale rreth 25 mijë euro marrë prej bashkëshortit nga vëllai i tij, subjekti sqaroi se ai kishte punuar në Mbretërinë e Bashkuar, ku dhe kishte siguruar të ardhura të konsiderueshme. Hoxha vërejti se për dhënien e huasë, kishin shërbyer edhe të ardhurat e siguruara prej kunatit nga puna në bankë gjatë periudhës 2005-2008, pasi ishte kthyer nga emigrimi.
Subjekti kundërshtoi edhe barrën e provës për pamundësinë e huadhënësit të tretë, shtetasit A.M.. Ajo shpjegoi se bashkëshorti i saj, e kishte marrë vlerën 10 mijë euro nga bashkëshorti i mbesës së tij, që në atë periudhë nuk ishin të martuar, por të fejuar dhe jetonin në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas Hoxhës, për dhënien e shumës 10 mijë euro kishin shërbyer edhe të ardhurat e motrës së huadhënësit, e cila paguhej me rrogë të mirë pasi punonte si punonjëse policie në Londër.
Vëzhguesi ndërkombëtar, Steven Kessler u ndal në këtë marrdhënie huaje duke ngritur pikëpyetje mbi faktet e konstatuara. Kessler solli në vëmendje faktin se huadhënësi, megjithëse punonte si postier dhe jetonte në një vend me kosto të lartë jetese si është Londra, ishte kujdesur që t’i jepte hua vëllait të nënës së të fejuarës së tij për të blerë një zyrë në kryeqytetin shqiptar.
Hoxha argumentoi se kjo kishte të bënte me shprehje të kulturës së shqiptarit, që kur dikush kishte nevojë, të afërmit kontribuonin. Ajo pohoi se bashkëshorti e kishte konsideruar si okazion rastin e shitjes së zyrës dhe kishte nxituar që të gjente vlerat monetare për ta blerë. Ajo shtoi se bashkëshorti e kishte kthyer këtë shumë.
Hoxha kërkoi gjithashtu korrigjimin e përllogaritjeve lidhur me kursimet dhe depozitën e krijuar me të ardhurat familjare, duke pretenduar se rezultonte me balancë pozitive për pagesën e vlerës 21 mijë euro.
Gjyqtarja Hoxha dhe bashkëshorti i saj kanë rezultuar në pamundësi financiare edhe për blerjen e dy automjeteve, një në vitin 2004 kundrejt shumës 10 mijë euro dhe tjetrin në 2013-ën në shumën 850 mijë lekë. Sipas Pines, të ardhurat e bashkëshortit të subjektit të deklaruara si burim për blerjen e makinës në 2004-ën nuk përmbushin kriteret për t’u konsideruar si burime të ligjshme dhe për rrjedhojë nuk janë përfshirë në analizën financiare.
Hoxha u shpreh se bashkëshorti kishte pasur marrdhënie konsulence me shoqëritë dhe jo avokatie. Sipas saj, shoqëritë i kishin mbajtur nga pagesat vlerat për shlyerjen e detyrimeve dhe kjo provonte ligjshmërinë e të ardhurave të bashkëshortit për blerjen e makinës në vitin 2004. Për mjetin e dytë, Hoxha pretendoi se shpenzimet e jetesës ishin përllogaritur gabimisht dyfish.
Subjektit i është kaluar barrë prove edhe për të vërtetuar mundësinë e djalit të xhaxhait të bashkëshortit për t’i dhuruar këtij të fundit një shumë 300 mijë lekë në vitin 2014. Hoxha shpjegoi se kjo shumë ishte dhënë në shenjë mirënjohje, pasi bashkëshorti kishte zgjidhur një konflikt pronësie që kishte pasur kushëriri.
Hetimi administrativ i Komisionit ka evidentuar tre çështje të gjykuara nga Hoxha, ku palë ka qenë një shoqëri me të cilat bashkëshorti i saj ka bashkëpunuar dhe siguruar të ardhura që janë pasqyruar edhe në deklaratën “veting”. Hoxha shpjegoi se kishte kërkuar dorëheqjen duke paraqitur edhe arsyen, por nuk i ishte pranuar nga kryetari i gjykatës dhe për rrjedhojë kishte qenë e detyruar të vijonte gjykimin.
Në përfundim, gjyqtarja Teuta Hoxha deklaroi se konsideronte se e kishte kaluar testin e barrës së provës për pasurinë dhe kërkoi çeljen e hetimit në dy kriteret e tjerë, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 22 nëntor, në orën 09:45.
/Reporter.al/