Kuvendi është mbledhur sot për të diskutuar buxhetin dhe paketën fiksale për vitin 2023. Që në start ka nisur debati, teksa kreu i Grupit të PS Taulant Balla është përplasur me Enkelejd Alibeajn, pasi mazhoranca kërkoi që të fusë në rendin e ditës për të miratuar me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen për Portin e Durrësit.
Pas kundërshtimit të deputetit të PD, Balla mori fjalën dhe nga Foltorja akuzoi opozitën se është përfshirë në borderonë e Kremlinit dhe Vladimir Putin ndaj nuk pranon një vepër infrastrukturore si projekti për portin.
Balla tha se projekti do ta kthejë qytetin bregdetar në një prej atraksioneve turistike më të rëndësishme në Mesdhe.
“Kuvendi i Shqipërisë çel një moment të rëndësishëm për Shqipërinë tonë të turizmit të qëndrueshëm. Shteti shqiptar ka sjellë këtu një kontratë shumë të besueshme që i jep mundësi Shqipërisë që nga një mungesë totale e porteve në Mesdhe, të kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të këtij sektori që ne nuk kemi qenë në asnjë prej hartave. Porti i Durrësit shumë shpejt do kthehet në një prej porteve më të rëndësishme”, tha ai.
Ndër të tjera, ai i bëri thirrje demokratëve që të mos shkojnë pas “këngës” së Sali Berishës.
“Durrësi do kthehet në një prej atraksioneve më të rëndësishme në Mesdhe. prandaj të gjitha akuzat që keni hedhur deri tani duhet t’i tërhiqni të gjitha mbrapsht. Ju nuk duhet t’i shkoni nga mbrapa këngës së Saliut ai e ka mendjen në vend tjetër, është në borderotë e Kremlinit. Kremlini nuk ka interes që në Shqipëri të krijohet një port që të konkurrojë porte të tjera ku Kremlini mund të ketë interesat e veta. Sali Berisha i kundërshton këto marrëveshje për interesat e veta”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, Alibeaj ju përgjigj Ballës duke thënë se “rregullorja është fare e qartë, ajo që po ndodh sot është një ndryshim i kalendarit të parlamentit”.
Sipas deputetit të PD vetëm për një nen të këtij projektligji Edi Rama dhe klientët e qeverisë po fitojnë 400 milionë euro, pro shqiptarëve po u ikën nga duart 1 milionë metër katrorë tokë.
“Kryeministri mund ta kërkojë, mund ta kërkojë edhe 1/5 e deputetëve, sot teksa duhet që të diskutojmë gjërat më të rëndësishme që është buxheti, papritur e pa kujtuar sot sillni ligjin për Portin e Durrësit. Është një projektligj që ka 5 nene, ky ligj kushton më shumë se çdo ligj në këto 30 vite. 2 miliard e 100 milionë euro. Kjo është kostoja e këtij projektligji me 5 nene. 400 milionë një nen dhe ju doni ta kaloni me procedurë të përshpejtuar, ta kaloni fshehurazi kur diskutohet buxheti. Shumë shpejt kjo mund të kthehet në një aferë korruptive. Sapo e the që ka një vit që negociohet, midis kujt? Çfarë është dhënë dhe çfarë është marrë? Çfarë përfiton shteti? Jeni duke shitur 1 mln metra katrorë nga zemra e Shqipërisë. Kjo është një shumë e madhe që do të mbyllë gojën e shumë mediave, deputetëve e analistëve. Gojën e deputetëve të Opozitës që janë të pakapur, nuk keni për ta mbyllur dot kurrë. Çfarë pazari keni bërë? Me kë e keni bërë?”, deklaroi Alibeaj.
Pavarësisht kritikave nga Alibeaj, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla hapi votimin dhe me 62 vota pro nga mazhoranca u miratua kërkesa me procedurë të përshpejtuar për miratimin e projektligjit për Portin e Durrësit.
Pas votimit me nxitim, kryeministri Edi Rama zbriti në foltore për të sulmuar me gjuhë të ashpër dhe etiketime fyese deputetët e opozitës.
“Këlyshë, gjel deti, bedelë dhe të pafytyrë” ishin vetëm disa nga termat që kreu i qeverisë lëshoi në drejtim të rivalëve të tij politikë që kërkuan zbatimin e rregullores për këtë marrëveshje, e cila dhuron tokën publike te privati.
“U fut në procedurë të përshpejtuar një projektligj që do marrë kohë për diskutim. Ne nuk kemi kohë për të humbur se kemi me shumë se një vit që e negociojmë këtë kontratë dhe shteti shqiptar merr pjesë me aksione. Ju jeni ca të mbaruar, ca të pafytyrë, jeni ca të pafe. Merrni nëpër gojë dhe akuzoni për Pazar dhe për aferë një personalitet dhe një kompani nga më të mëdhatë e botës. Jeni pa Atdhe, pa din e pa iman. Jeni komplet të shkëputur nga truri, nuk dini çfarë flisni. Me çfarë kurajoje ti çohesh këtu edhe hedh baltë mbi një personalitet, personalitet, përfaqësues i një prej kompanive më të mëdha të botës që vjen në Shqipëri si një rezultat i një marrëdhënieje strategjike, prej të cilës po ndërton në zonën e Spitallës 2 mijë apartamente dhe falë të cilës këtu në vendin tonë bëhet një investim që nuk është bërë ndonjëherë dhe nuk është imagjinuar ndonjëherë që e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme në Mesdhe. Këtu as nuk u miratuar gjë, duhet të jetë sepse kështu mendojmë ne që duhet të jetë, sepse nuk kemi kohë për të humbur, kemi më shumë se një vit që negociojmë, është një kontratë ku shteti shqiptar merr pjesë me aksione, ju jeni ca të mbaruar, të pafytyrë, njerëz që nuk keni fe, as din e as iman”, tha Rama.
Kreut të qeverisë ju përgjigj Enkelejd Alibeaj, i cili kërkoi nga kryetarja e Kuvendit që të marrë masa pasi është shkelur etika dhe bëri thirrje për transparencë në lidhje me kontratën për Portin e Durrësit.
“Ky që po ikën ishte mirë që të dëgjonte diçka. Vetëm një njeri që gdhihet në pikë të mëngjesit dhe ka një hall të madh, vjen në parlament dhe nxjerr këtë gjuhë. Unë e kuptoj që do donte mirë që të flisnim edhe këtë gjuhë, t’i shkonim tek foltorja sepse vetëm në këtë mënyrë mund të mbulojë atë se çfarë është duke gatuar. Unë i kërkova një gjë të thjeshtë, nxirr letrat bëj transparencë, për ta kuptuar të gjithë. Duhet t’i tërhiqni vëmendjen parafolësit dhe ka folur një gjuhë jo parlamentare”, tha Alibeaj.
Por, kryeministri duke folur nga vendi nuk bëri gjë tjetër veçse e fyeu sërish Alibeajn dhe e cilësoi “kryetar të grupit të bedelave”, i cili po sillet sikur është kryetar i PD-së.
“Dëgjo këtu zotrote, nuk ka asgjë më të rëndë, asgjë më të shpifur, më jo etike se sa ti ngresh dhe i ulësh njerëzit kriminelë, hajdutë, pazarxhinj, të korruptuar, vjedhës. Këto janë shumë-shumë më të rënda se sa e vërteta që ju jeni këlyshë të rrahur që të vegjël që kur keni hyrë në derën e SHQUP-it. Që ju bëni si llazore edhe ky është një fakt, sepse vetëm llazoret e mbetura rrugëve, pasi kanë pirë gjithë natën dhe nuk gjejnë dot shtëpinë sepse janë të mbufatura nga trutë, mund të çohen në pikë të sabahut e të ngrenë lagjen në këmbë që këtu po ndodh një krim i madh. Ju jeni të pafe, pa atdhe, ju jeni pa din e iman, për këto keni lënë prova. Ju nuk dini të ndani as opinionet e ndryshme, as pozicionet e ndryshme, as qëndrimet e ndryshme, duke ruajtur njerëzillëkun. Jeni të gatshëm të nxirrni nga goja të gjitha të zezat, t’i bëni të gjithë ata që keni përballë hajdutë e kriminelë dhe të çmendni një popull që në pikë të mëngjesit. Pazari i syve që nuk të shohin sepse i ke të mbyllura komplet, dhe i veshëve që nuk dëgjojnë. Ti je një gojë që vazhdon jeton duke atë që ke bërë qysh se ke hyrë në këtë parlament, bishtin e non-gratës, pavarësisht se nuk e ke në krye, ti non-gratën e ke në kokë dhe koka jote nuk ka asnjë shans të shpëtojë nga non-gata. Ky është një opinion i mbështetur në fakte. Ti s’ke çfarë kërkon fare që unë të kërkoj ndjesë, je një kryebedel i një tufe bedelësh që nuk kanë din, iman, nuk kanë fe, nuk kanë atdhe”, iu drejtua Rama-Alibeajt.