Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se 12 nëntori, që përkon me protestën e opozitës, do të jetë dita e gjyqit popullor ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend, Berisha ftoi të gjithë qytetarët në protestë për të rrëzuar qeverinë.
Ai u shpreh se mazhoranca nuk mendon për qytetarët, por vetëm për pushtetin e saj.
“Për çfarë të diskutojmë këtu. Nuk mund të diskutojmë këtu, pasi kemi të bëjmë me një grup njerëzish, të cilëve vjedhja e pasurive publike të shqiptarëve ua ka verbuar sytë, ua ka mbyllë veshët, nuk dëgjojnë asgjë. Deri kur kështu. 12-a po vjen. 12 nëntori është gjyqi i madh që shqiptarët do t’u bëjnë ju. Boll u tallët me shqiptarët, boll i shkelmuat ata duke i vjedhur, boll i përzutë ata nga vatrat e tyre. Mjaft është mjaft. 12 është dita e gjyqit popullor ndaj jush. Po, po. Mblidh të gjithë Gentian Sharrat e veten tënde, vrimë miu nuk do të gjesh atë ditë, ja këtu po ta them. Vrimë miu nuk do të gjesh. Dil po deshe në ta mbajtë. Edhe ne do të të gjejmë ty, edhe zyrën do të tregojmë. Nuk ka parlament si ky, nuk ka. Ke këtu një grup superhajnash dhe një turmë që u bën tualet këtyre. Si mund të rrini ju me këta. Apo rrini që të përfitoni dhe ju”, theksoi Berisha.
“Qytetarë, këta nuk kanë ndërmend për reformë për ju. Këta shikojnë vetëm si të ju vjedhin ju. Ne vërtetë kemi përgatitur një projekt-reformë me 97 bashki, por ne kemi thënë që në fillim, që këta nuk kanë reformë. Këta dinë dhe mendojnë vetëm si të mbajnë karrigen e tyre, derisa të ua përmbysim karrigen, ti përmbysim me të gjitha.
Qytetarë, 12 nëntori është dita juaj, dita e të vërtetës shqiptare dhe ndaj ju ftoj kudo që jeni, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të bashkohemi për të përzënë këtë bandë nga pushteti”, shtoi.
Ai u shpreh se mazhoranca e ka kthyer vendin në një narko diktaturë që bazohet në krim e drogë.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni punimet e këtij parlamenti, të shndërruar nga kjo pseudomazhorancë në një klub në të cilin merren vendime dhe miratohen ligje në kurriz tuajin, të fëmijëve tuaj, është sot për sot, pas pseudomazhorancës së Lukashenkos, është më e damkosura në Europë dhe ndër më të damkosurat në botë.
Sot kjo pseudomazhorancë ka rrokullisur Shqipërinë në vendin me indeksin e shtetit ligjor, 4 shkallë nën Vietnamin socialist. Vietnami apo Republika Socialiste e Vietnamit është një shtet në kushtetutën e të cilit sanksionohet Partia Komuniste e vendit. Është një shtet që ka adoptuar modelin e tregut të Ten Siao Pinit. Pra një shtet që pranon për interesat e saj ekonominë e tregut. Republika e Shqipërisë është një diktaturë e cila, grupi drejtues pavarësisht me lidhjet e tij me të shkuarën nuk mund të them se bazohet në ideologjinë Marksiste-Leliniste, por është një narkodiktaturë që bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve”, tha Berisha.
Kreu i PD-së u ndal edhe te fluturimet e kreut të qeverisë.
“Me të drejtë qytetarët mund të pyesin se si ka mundësi, një vend komunist me kushtetutë moniste, kushtetutë parti shtet të jetë më mirë në zbatimin e ligjit se sa një vend anëtar i Këshillit të Europës, NATO-s, që ka hapur negociatat dhe që në kushtetutë ka ndarjen e pushteteve dhe shtetin ligjor. Të gjitha këto janë se në këtë vend, vota është fiktive, njësoj si në Vietnamin komunist. Të gjitha këto vijnë pasi të gjitha vendimet në qeveri, parlament, në bashki, prokurori, gjykata, polici e kudo, i merr krimi, droga, rryfsheti dhe vjedhja. Kjo është e vërteta. Për Edi Ramën nuk ka ligje, nuk ka kushtetutë që të pengojë vjedhjet e tmerrshmet e tij. Nuk ka standard moral që ti diktojë atij të mbajë një kod. A e dini të dashur qytetarë se ai njeri, ka udhëtuar 137 herë me çarter. Një çmenduri të tillë abuzive nuk ja ka lejuar vetes asnjë diktator, asnjë korruptor tjetër përveç këtij. 22 milionë euro, kryeministri i vendit më të varfër të Europës, dy herë udhëtime më shumë në çarter se presidenti i vendit më të pasur të botës. Çfarë është kjo mor. Këta kanë urrejtje për ju qytetarë. Këta nuk mendojnë për ju, ju shohin si qenie inferiore për të ju shtypur, mashtruar. Këta dadot e koneve i paguajnë me rroga 2-3 herë më të larta se merrni ju. Kujdestarin e breshkave e paguan me një çmim 3 herë më të madh se një rrogë mesme“, u shpreh.
Më tej, Berisha akuzoi qeverinë se i kthyen shqiptarët në një komb gomonesh.
“Kurrë nuk pa pasur Shqipëria, qeveritarë korruptiv si këta. Etërit e tyre ishin mizor, gjakësor, por ju garantoj se të gjithë së bashku me në krye Enver Hoxhës, të marra në 20 vite nuk kanë shpenzuar në tërësi aq sa ka shpenzuar Edi Rama, 22 mln euro për udhëtime. A mendoni ju se ka fëmijë të sëmurë në këtë vend, që nuk gjejnë ilaçet më jetike për shpëtimin e jetës së tyre. A mendoni ju se ka njerëz që numërojnë kafshatën. A mendoni ju, se shndërruat këtë komb, në kombin e gomoneve. Me këto vjedhje e abuzime, përzutë nga Shqipëria nga 2014 e deri më sot, 744 mijë shqiptarë dhe nuk guxoni ti thoni një fjalë të vetme Edi Ramës. Përkundrazi i lëpiheni dhe serviloseni në mënyrën më të neveritshme, më të paimagjinueshme. E dëgjoni se çfarë gjuhe përdor ai. Pse çfarë kujtoni se ne të tjerët nuk i njohim në fjalor ato fjalë? Por ne nuk i themi se nuk duam që hapësira informative publike të ndotet siç e ndot ai. Dhe përpiqet me këtë të mbulojë abuzimin e tmerrshëm. U thotë shqiptarëve se ato flurimet e mia kanë qenë gjysma e një bilete. U thotë shqiptarëve se kam promovuar avionët ‘Air Albania’ në një kohë që kompania ka 3 vite që nuk dorëzon bilancet, është e falimentuar. A ndjeni ndonjë përgjegjësi para zgjedhësve shqiptarë, të ju pyes unë ju. Para atyre që u kanë votuar. Si ka mundësi që jeni kaq të pandjeshëm”, deklaroi.