Nga Boldnews.al
Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Edlira Bode, aktualisht drejtore e Spitalit Ushtarak në Tiranë, ka shpallur fituesin e tenderit të pastrimit të ambienteve të këtij spitali. Në fakt, tenderi ishte një “luftë” e fortë e influencave të firmave pjesëmarrëse, pasi të gjitha kanë një të shkuar me para publike apo lidhje të forta politike. Por, në fund ka fituar një bashkëpunim mes PS-së dhe PD-së, teksa ish-deputetja e PS-së ka shpallur fituese firmën e vëllait të ish kryebashkiakut të PD.
Përpos ndasive, politikanët apo drejtuesit e Qarkut të Korçës janë shquar gjithmonë për aleanca mes tyre, mjaftojmë të kujtojmë bashkëpunime të ngushta mes Ridvan Bodes apo Niko Peleshit. Madje, askush nga kampet politike në Korçë nuk godet asnjë individ të kampit tjetër, duke ruajtur në këtë mënyrë bashkëpunim “e fshehtë”.
Ky bashkëpunim ka marrë jetë në këtë tender. Sipas dokumenteve në QKB, firma “REJ” ka si ortak themelues të shoqërisë z.Luan Kapri. Një pjesë të vogël të aksioneve i janë shitur një firme tjetër. Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, para pak javësh, Spitali ushtarak shpalli procedurën “shërbim pastrimi për Spitalin Universitar të Traumës”, me një fond të marrëveshjes kuadër prej 137.991.275 lekë pa TVSH). Në tender kanë marrë pjesë disa firma ose bashkime operatorësh, teksa BOE “METEO” dhe “PASTRIME SILVIO” ofruan 106.899.711 lekë pa TVSH. Firma “ALKO-IMPEX” që ka nga pas ish-deputetin e PS-së Sadri Abazi ofroi 121.432.903 lekë, ndërkohë “CLEAN FAST” 120.053.102 lekë. Firma, e cila u shpall fituese, “REJ”, e familjes Kapri në Pogradec, ofroi 113.365.021 lekë, ofertë e cila nuk ka qenë më e ulëta!
Ndërkohë, në dokumente thuhet se në tender ka marrë pjesë edhe firma “SORI-AL”, e cila njihet se nga pas është z.Nikolin Jaka. Kjo firmë e ka pasur deri më sot këtë shërbim, ashtu si lavanderinë apo ushqimin, ndërsa ka ofruar 136.612.710 lekë.
Në të njëjtin dokument shkruhet se BOE që ofroi më pak “METEO & PASTRIME SILVIO” janë s’kualifikuar, pasi “METEO” nuk ka paraqitur asnjë përvojë të ngjashme. Në dokumente shkruhet se edhe firma “CLEAN FAST” është s’kualifikuar pasi ska pasur një përgjegjëse me arsimin përkatës. Gjithashtu është s’kualifikuar edhe firma “ALIKO IMPEX”, me arsyetimin se “për punonjësit e deklaruar ‘sanitare’ nuk ka kontrata individuale të punës, por është paraqitur një kontratë kolektive e nënshkruar ndërmjet firmës dhe nga 42 persona në cilësinë e palës punëmarrëse”. Gjithashtu, nuk ka pasur vinç për larjen e dritareve në lartësi. Madje, një arsye s’kualifikimi është edhe “shërbimet që ka kryer, nuk janë të ngjashme me objektin e prokurimit”.
Por, e s’kualifikuar del edhe firma “SORI-AL”, e cila njihet për lidhjen me z.Nikolin Jaka, të Dhomës së Tregtisë. “Nuk përmbush pikën për profilet e detyrueshme të stafit kryesor dhe konkretisht për funksionin ‘përgjegjës për zbatimin e kontratës në profilin inxhiner kimist/ose mjedisi’. Dy persona të deklaruar nuk rezultojnë të jenë diplomuar në profilin inxhinier kimist/inxhinier mjedisi” thuhet në dokumente. Sipas Spitalit Ushtarak, nuk ka përmbushur edhe lidhjen e kontratave, pasi operatori ekonomik nuk ka të punësuar 42 sanitarë, por vetëm 26.
Por, të gjitha kriteret e vendosura me kujdes në dokumente, si vinçi, inxhinierët kimist apo inxhinierët e mjedisit, apo kontratat me 42 sanitare, janë përmbushur më së miri nga firma “REJ”. Të jetë rastësi, që drejtuesja e spitalit nga Korça të shpallë fitues një firmë po nga qarku Korçë, megjithëse me bindje politike të ndryshme? Apo paraja nuk ka bindje politike!