Nga Prof. Indrit Hoxha
Pennsylvania State University
Tek pashë pamjet e postuara në mediat online dhe ato sociale me protestat e vajzave të “Mehmet Akif” dhe fëmijëve e prindërve të kopshtit “Zubejde Hanim” të kompanisë “Turgut Ozal” pata një pështjellim ndjenjash. Një kënaqësi e krenari se si ato po kërkonin të drejtën e tyre themelore për arsimimin e tyre në mënyra shumë kreative, por mbi të gjitha një trishtim. Një trishtim me mbulon teksa shikoj fëmijë, të reja, prindër dhe gjyshër (që duke iu dridhur zëri) detyrohen të protestojnë sepse papritur shteti ynë i ka mbyllur derën e edukimit, atë të drejtë që normalisht ia garanton me kushtetutë.
Kryeministër, ju dilni e deklaroni që Ministria ka zbatuar ligjin me mbylljen e shkollës dhe kopshtit. A mund të sqaroni, cili ligj përligj vendime të tilla? Cili ligj parashikon mbylljen e institucioneve arsimore në mes të vitit akademik?
Vendime të tilla ndikojnë direkt 450-500 familje (fëmijë, nxënës, dhe staf) duke i lënë në mes të katër rrugëve, por ata ndikojnë indirekt edhe mijëra familje që kanë kaluar nga dyert e këtyre shkollave si nxënës ose prindër. Me këto vendime shteti shqiptar mbyll në mënyrë të pashpjegueshme dy institucione që kanë shkëlqyer në dekada. Si ka mundësi? Si shpjegohet që një model i suksesshëm, që e ka vërtetuar veten ndër vite, në vend që të stimulohet, mbyllet me një të rënë të lapsit?
Efekti negativ i vendimeve të tilla, shkon edhe më përtej se familjet e prekura direkt dhe indirekt. Sepse të gjithë e shikojnë që nëse dy institucione te shkëlqyera, mbyllen pa një arsye dhe pa paralajmërim, atëherë rradha mund t’i vijë çdo institucioni, ose biznesi privat. Është e frikshme veç te mendohet një mundësi e tillë.
Vajza, prindër dhe fëmijë që po vuani nga këto vendime arbitrare dhe të gabuara, ju lutem mos u dorëzoni. Ju lutem vazhdoni dhe kërkoni të drejtën tuaj me të gjithat mënyrat e mundshme. Ju keni mbështetjen e gjithë popullit shqiptar.
Çdo familje shqiptare e vlerëson arsimimin, dhe sakrifikon në maksimum dhe arrin të heqë edhe bukën e gojës për të edukuar fëmijët e tyre. Prandaj te gjithë e dinë, pavarësisht se shumë nuk flasin dot, që vendimet e marra nga qeveria javën e kaluar, kanë qenë të nxituara, dhe të gabuara. Këtë e mbështet edhe një deklaratë e Këshillit Shqiptar të Helsinkit https://ahc.org.al/deklarate-per-shtyp-5/ .
I nderuar Z. Kryeministër, ju lutem rishikojini këto vendime të nxituara. Patjetër që ishin te nxituara, se po të kishin parasysh ndikimin që kanë në familjet shqiptare, nuk do ishin konsideruar fare.
Rishikojini sepse si kryeministër i shqiptarëve duhet të mbroni interesat e shqiptareve dhe të mendoni për të ardhmen e Shqipërisë.
Jeta e nxënëseve (e sidomos maturanteve) të “Mehmet Akif” do të marrë një goditje negative, që do e vuajnë gjatë. Adaptimi në një sistem të ndryshëm shkolle, nuk është proces i lehtë (ne mos i pamundur), dhe është sigurtë që ato 160 goca do e vuajnë direkt. Mbi të gjitha do të vuajë arsimi në Shqipëri, sepse po goditet një shkolle model që ka nxjerrë breza ekselente në dekada dhe potencialisht mund të vazhdojë të nxjerrë breza të tjerë në të ardhmen.
Po kështu do vuajnë psikologjikisht dhe ata 250 fëmijë të kopshtit “Turgut Ozal”. Ndoshta me mbështetjen e ngrohtë të familjeve ata fëmijë mund ta kalojnë këtë dëm psikologjik. Ama mos harroni, të shikoni se cilat familje po dëmtoni me këtë mbyllje kopshti. Për hir të së vërtetës, ky kopsht është relativisht i shtrenjtë për shume familje shqiptare.
Janë vetëm një shtresë me të ardhura të mesme ose te mesme-të lartë, që kanë mundësinë të çojnë fëmijët në këtë kopsht. Kush mund të jenë këto familje? Jane ca doktorë, profesorë, inxhinierë, drejtues në banka, biznesmenë të mesëm, etj. Janë pikërisht ata motori i ekonomisë së Shqipërisë. Janë ata që sjellin sadopak inovacione në Shqipëri. Janë pikërisht ata që kontribuojnë për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Janë ata që kanë arritur të kontribuojnë sadopak për Shqipërinë, dhe të kenë një standard më të lartë për veten e tyre se shumica e shqiptarëve. Siç mund ta dini, kur arrin një standard, është shumë e vështirë (ose e papranueshme) të shkosh më poshtë. Me këtë vendim, Z. Kryeministër, ju po shtyni pikërisht këtë pjese te shoqërisë ta rimendojnë pozicionimin ne shoqërinë shqiptare.
Çdo familje shqiptare ka prioritet krijimin e kushteve sa më të mira për fëmijët e tyre. E nëse këto kushte nuk i sigurojnë dot ne Shqipëri, shumë prej tyre kanë një arsye madhore më shumë për t’u larguar nga Shqipëria. Kjo bëhet edhe më e rëndë, kur shikon disa statistika në media, që rreth 50 mijë shqiptare largohen në vit. Çdo ndodhë vallë nëse me një vendim të gabuar, shtyni që edhe një pjesë e shoqërisë që është motori i ekonomisë shqiptare të vendosë të largohet.
Kryeministër, ka shume vite që me Bonen (gruan time, Valbona Aliu Hoxha), te dy profesorë në universitetet amerikane, diskutojmë një rikthim të mundshëm ne atdhe. E kemi diskutuar gjerë e gjatë me shumë vetë. Disa na kanë parë si delirante, disa si idealistë, e disa te tjerë (për hir të vërtetës pak fare) na kane thënë: “Hajdeni, ju presim”. Jo, jo. Nuk jemi delirante, dhe nuk jemi as të paret.
Kemi biles edhe shokë, që kanë mbaruar pikërisht këto shkolla që po mbyllni, dhe që janë kthyer e po kontribuojnë, pasi kane mbaruar doktoratat e tyre neë France, Austri, SHBA, etj. Mundem të jape edhe emra konkrete, nëse jeni i interesuar, por besoj nuk ka rendësi emri i individëve, por me shumë kanë rëndësi veprimet dhe idetë e tyre. Me këto vendime për mbyllje shkollash e kopshtesh, i dhatë një shqelm edhe për disa vite, një vendimi te mundshëm nga ana e jonë për t’u rikthyer. Sepse edhe ne si çdo familje shqiptare, po mateshim konkretisht se ku do i çojmë fëmijët. Cilat shkolla mund të frekuentojnë? Cilat spitale mund te përdorim? Çfarë kushtesh mund t’i ofrojmë? Ku mund te kontribuojmë?
Vendime te tilla arbitrare dhe plotësisht te gabuara, na japin një përgjigje. MOS BENI GABIM TE KTHEHENI. Ne Shqipëri nuk ka garanci për asgjë.
Kryeministër, jua garantoj që Bona e unë, nuk jemi veç dy. Di shumë shqiptare tjerë që kanë pasur arritje profesionale, dhe që e kanë një sy e vesh aty në Shqipëri, me idenë se mund të kthehen një dite. Mos na e bëni kaq të lehte vendimin për të mos u kthyer.
Jetojmë ende me shpresën se vendime të tilla, që do t’i kushtojnë shtrenjte Shqipërisë, do kthehen, në mos nga vete qeveria, të paktën nga drejtësia.
Ju lutem prindër dhe nxënëse, mos u dorëzoni. Ndiqeni ketë çështje, derisa të kthehen vendime. Jemi te gjithë me ju.