Ambasadorja amerikane Yuri Kim u shfaq këtë të Hënë krah zëvendësministres Belinda Balluku në një vizitë te anijet prodhuese të energjisë elektrike të vendosura në Triport të Vlorës.
Sipas ministres së Energjisë Belinda Balluku, është lidhur një kontratë dy vjeçare për të prodhuar energji elektrike përmes dy anijeve. Ndërsa referuar një marrëveshjeje paraprake me konsorcumin amerikan “Excelerate Power”, pas afatit 2-vjeçar, ato mund ti kalojnë KESH në pronësi me një çmim simbolik, tha ajo. Sasia që pritet të prodhohet, sipas ministres, është 867 gigavat/orë në vit dhe prodhimi mund të nisë në fund të 2022 ose në fillim të 2023.
Nga ana tjetër opozita e cilëson nismën një aferë.
Opozita kundërshton koston. “Kostoja për dy vite qira del mbi 760 milionë euro”, është shprehur kryetari i PD-së Sali Berisha, sipas tij një shifër shumë e lartë.
Një tjetër aspekt i prekur është ndikimi në mjedis. ”Këto s’janë termocentrale, janë gjeneratorë gjigandë që funksionojnë me naftë të rëndë, e cila ka në përbërjen e vet 50 ml për litër squfur, e ndaluar për tu përdorur dhe me këtë toksicitet ai do krijojë një ndotje në Vlorë të barabartë sikur të shtohen 100 mijë makina dhe këto të bëjnë 100 km rrugë. Është një çmenduri! A mund të rrihet në Vlorë në këtë situatë”, është shprehur Berisha.
Qytetarët të Vlorës dhe ambientalistë po ashtu i kanë mëshuar këtij shqetësimi.
Nga ana tjetër, Balluku thotë se emetimet janë brenda kritereve të Bankës Botërore.
“Janë në kushtet dhe parametrat e operimit sipas kritereve botërore. Parametrat ambientaliste dhe të zhurmës janë optimale dhe në limitet më të ulta përsa i përket zonës që do operojnë. Po ashtu për sa i përket emetimeve, jemi jo vetëm brenda kritereve që kemi vendosur ne si shtet, por edhe ato që ka vendosur Banka Botëror për sa i përket emetimeve të njësive gjeneruese të energjisë elektrike”, tha ajo.
Balluku shtoi se vendi ynë ka konkurruar me Gjermaninë për të marrë këto 2 anije. “Dua ta falenderoj Excelerate Power, sepse nisëm si një bashkëpunim tregtar, por ata e ndjejnë Shqipërinë si vendin e tyre dhe kanë bërë aksione që ne nuk i prisnim, edhe duke humbur para sepse mund t’i çonin këto anije në Gjermani. Kjo sepse kanë bërë një angazhim me ne dhe e kanë marrë personale duke ndihmuar Shqipërinë”.
Ndërkohë, ambasadorja Kim tha se është “e lumtur që Shqipëria të marrë anije të tilla”.