Nga Boldnews.al
Në vitin 2016, gjyqtari Erjon Bani, i cili në atë kohë ushtronte detyrën në Lezhë, shpalli të pafajshëm Mariglen Përgjinin, i akuzuar për vrasjen e Martin Shtjefnit, pas një sherri banal për muzikën në një lokal tallavaje.
Vendimi i Banit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të prokurorisë, e cila e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.
Dy vjet më vonë, kjo gjykatë pranoi kërkesën e prokurorit Elvin Gokaj dhe vendosi dënimin me 18 vjet burgim të personit të akuzuar për vrasje.
Vendimi i Apelit të Shkodrës zbuloi skandalin e gjyqtarit Bani, i cili, me vendimin e tij, lironte nga përgjegjësia për vrasjen Përgjini, i cili ishte larguar drejt Belgjikës.
Ky rast u mor në shqyrtim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, gjatë procesit të Vetingut.
Trupa e Vetingut nuk e konsideroi aspak problem këtë rast të gjyqtarit Bani.
Në trupën e KPK-së që konfirmoi në detyrën gjyqtarin Erjon Bani ishte pjesë edhe Etleda Çiftja.
Këtë fundjavë, Erjon Bani, tashmë gjyqtar në Gjykatën e Posaçme, shpalli të pafajshme komisioneren Çiftja, e akuzuar nga SPAK-u për “deklarim të rremë të pasurisë” dhe “falsifikim dokumentash”.
Ngjarja në Lezhë
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në datën 9 janar 2013 rreth orës 22:00, Anton Toli, Ëngjëll Nika, Arben Bushi, Drimona Vukaj, Stela Gjoka, Mariglen Përgjini, Alfred Marku dhe Angjelin Marku, pasi janë takuar me njëri-tjetrin kanë qëndruar së bashku në lokalin me muzikë live në pronësi të Lek Tonit.
Në këtë lokal kanë qënë dhe viktima Maltin Shtjefni, i cili ka qënë i shoqëruar me të pandehurin Sergjo Prenga.
Në lidhje me një këngë që do këndohej nga këngëtarët që ndodheshin në lokal, ka patur një debat verbal midis Maltin Shtjefnit dhe Ëngjëll Nika, e Anton Tolit. Pasi janë sqaruar të tre shtetasit kanë vajtur në tavolinat e tyre dhe kanë qërasur njëri-tjetrin dhe me pije.
Gjatë kohës që po qëndronin në tavolinë, Mariglen Përgjini ka nxjerrë dhe ka mbajtur në dorë një armë zjarri pistoletë, e cila është parë nga të gjithë personat që kanë qënë prezent në tavolinë.
Në një moment dhe në mënyrë të papritur Mariglen Përgjini ka qëlluar një herë me këtë pistoletë në drejtim të Maltin Shtjefnit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Skandali i Banit
Në 9 shtator 2016, trupa gjykuese në Gjykatën e Lezhës, e drejtuar nga Erjon Bani, shpalli të pafajshëm Mariglen Përgjinin.
Ky vendim u ndryshua tërësisht nga Gjykata e Apelit të Shkodrës, e cila në fund të vitit 2018 e dënoi Përgjinin me 18 vjet burgim.
I pyetur gjatë procesit të Vetingut për këtë rast, gjyqtari Erjon Bani ka argumentuar se problemi ka qenë tek hetimi i prokurorisë.
Ai deklaroi para Etleda Çiftjas dhe dy anëtarëve të tjerë të trupës së rivlerësimit se kishte krijuar bindjen mbi autorësinë e krimit, por që nuk kishte hapësirë ligjore për të ndryshuar qëndrimin e Prokurorisë.
Bani i referohet disa neneve të Kodit të Procedurës Penale, të cilat i ngarkojnë përgjegjësinë prokurorit të seancë për të shtuar apo ndryshua akuzat për të pandehurit. Dhe, sipas tij, prokuroria nuk kishte qenë aktive.
Por, nga ana tjetër, gjyqtari ka pasur të gjithë mundësitë për të vepruar në shërbim të drejtësisë, aq më tepër kur bëhej fjalë për një krim të rëndë, siç ishte vrasja.
Ai mund të pezullonte gjykimin; mund të kërkonte urdhëronte prokurorin të kryente hetime mbi provat e reja ose ato që nuk ishin vlerësuar si duhet gjatë hetimit; mund t’i drejtohej Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të marrë masa për “prokurorin”, nëse vlerësonte se nuk hetonte si duhet.
Por, siç rezulton, gjyqtari Erjon Bani nuk ka kryer asnjë nga këto veprime.
Ai thjesht ka shpallur të pafajshëm një person të akuzuar për vrasje, i caktuar si i tillë nga Gjykata e Apelit, që e dënoi më vonë me 18 vjet burgim.
Favorizimi nga Etleda Çiftja
Gjatë procesit të Vetingut, ky skandal i gjyqtari Erjon Bani u trajtua në aspektin teorik, të denjë për leksione në auditore dhe jo si një vendim real, që cënonte shumë njerëz.
Gjyqtari Bani i deklaroi trupës së Vetingut se “nga Gjykata e Apelit Shkodër, nuk evidentohen shkelje të normave urdhëruese procedurale apo mosarsyetim i vendimit gjyqësor. Disponimi i Gjykatës së Apelit Shkodër, lidhet me mënyrën e vlerësimit të provave nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe vetëm për zgjidhjen e çështjes në themel..”.
Në të njëjtën frymë, edhe trupa e KPK-së, e analizon rastin në rrafshin teorik: “Mungesa e shkeljeve procedurale deduktohet edhe nga vlerësimi i bërë nga Gjykata e Apelit Shkodër, pasi ky vendim është lënë pjesërisht në fuqi prej saj ‒ ndonëse kjo e fundit ka disponuar një ndryshim vetëm mbi bazën e vlerësimit të ndryshëm të provave të marra në gjykimin në shkallë të parë..”.
Pra, për trupën e KPK-së, ku bënte pjesë edhe Etleda Çiftja, gjyqtari është “në rregull me letrat”, pavarësisht se shpalli të pafajshëm një vrasës, të dënuar si i tillë me vendim të Gjykatës së Apelit.
Gjyqtari Erjon Bani u konfirmua në detyrë në shtator të vitit 2021, nga trupa e Vetingut, e përbërë nga Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja.
Në 16 Shtator të vitit 2022, ai shpalli të pafajshme komisioneren e Vetingut, Etleda Çiftja, e akuzuar për “deklarim të rremë të pasurisë” dhe “falsifikim dokumentash”.